Skulptori shqiptar që lindi në Durrës e jetoi në Dalmaci, Andrea Alexius (Ndre Leshi) punoi skulpturën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, duke përjetësuar për së gjalli këtë personalitet të shquar të kombit shqiptar. – Studiuesit kroat e pranojnë se kjo skulpturë është vepër e punuar nga dora e mjeshtër Andrea Alexius-it
(Ndre Leshit). Dokumenti nga Arkivi i Katedralës së Shibenikut tregon autorin e skulpturës.
Prof.Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies
Budapest
Sipas shumë historianëve, studiuesve dhe shkencëtarëve të fushave të ndryshme, studimet për epokën dhe personalitetin e Gjegj Kastriotit Skenderbeut kanë arritur kulmin – dmth. fjalën e fundit! Një mendim i tillë në shikim të parë duket sikur ka mbështetje nëse shkojmë publikimet e ndryshme, të shumta, të bëra në shumë gjuhë të ndryshme; monografi të specializuara, duke filluar që nga fundi i shekullit XV-të e deri në ditët e sotme; botime të dokumentave /edhepse të pjesëshme, të mangëta dhe jo komplete/; bibliografi pothuajse shteruese, si dhe nxjerrjen në dritë të të dhënave nga më të ndryshmet, qofshin ato private, për jetën e Gj. K. Skenderbeut ose ato të epokës së tij: portrete, medaljone, vula, shpata, përkrenare, monedha floriri, dokumente origjinale, etj.
Megjithatë përkundër të gjithë këtyre momenteve të përmendura, mendojmë se, pohimet e lartëcekura as për së afërmi nuk qëndrojnë. Për të nxjerrë një përfundim të tillë, na mundëson puna sistematike shumëvjeçare në arkiva e biblioteka anëkënd Europës, ku ruhen gjëra me vlera të jashtëzakonshme për historinë, kulturën, traditën, etj., të Shqipërisë dhe perosnaliteteve të ndryshme shqipatre, ndër to edhe për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, e të cilat as sot e kësaj dite nuk janë të njohura apo të botuara.
Edhepse shumë i njohur dhe i trajtuar në fushën e historisë dhe krijimtarisë letrare, muzikore, kinematografike, artit dhe gjinive tjera, pesonaliteti i Gj. K. Skenderbeut ende është engimatik dhe i pa ndriçuar sa duhet.
Janë tepër të veçanta rastet kur një personaliteti të kohës, emër i nderuar i kombit, qoftë në fushën ushtarake, ekonomike, kulturore apo diku tjetër, t’i bëhen nderime, duke e përjetësjuar figurën dhe vepër e tij për së gjalli. I tillë është rasti me Gj. K. Skenderbeun, portetin e të cilit e gdhendi mjeshti dhe skulptori më në zë i kohës, durrësaku Ndre Leshi.
Të dy me nam për veprat e tyre, në fusha të ndryshme, të dy bashkëkohës, të dy të nderuar e respektuar për bëmat e tyre, të dy mbrojtës të fortë, deri në këmbëngultësi, të identitetit kombëtar, njëri me armë në dorë, e tjetri me gdhendje, ndërtim, stilizim, si askush tjetër.
Miqësia dhe njohja e tyre bëri që usta Ndreu, pa asnjë hezitim, të merrte iniciativën dhe t’u propozonte mecenëve që po ndërtonin e fasadën e jashtme të Katedralës së Shibenikut, që të gdhendej në guri, edhe figura e Gj. K. Skenderebeut, duke përjetësuar bashkëkombësin, bashkëkohanikun dhe mikun tij, duke i shprehur kështu respektin dhe nderin e tij, me dashuri dhe përkushtim, si vëlla gjaku, gjuhe e besimi, përmes stilizmit të detajve më të imtësishme, saqë për një moment kur e shikon kokën e gdhendur në mënyrë mjeshtërore, të përkryer, të Gj. K. Skenderbeut, nga usta Ndreu, ke atë ndjenjë se këtë vepër kaq të bukur dhe reale mund ta ketë bërë vetëm dorë shqiptari, i cili njeh dhe depërton thellë në shpirtin, në gjendjen shpirtërore, pamjen fizike, në realitein kohor të njeriut i cili modestinë e kishte si veti të parë dhe virtyt të lindur e trashëguar në edukatën familjare.
Në anën jugore të Apsidës së Katedrales së mirënjohur të Shibenikut ndodhen të vendosura 71 portrete (”koka”) – skulptura të gdhendura nga mjeshtër të ndryshëm, shumë të njohur jo vetëm në Dalmaci, por edhe me gjërë, në shekullin e XV-të. Punën kryesore, përkatësisht drejtimin për gdhendjen dhe vendosjen e skulpturave e ka bërë Jurij Dalmatinasi në bashkëpunim me asistentin e tij, Ndre Lleshin (Andrea Alexius-in).
Përgjatë shekujve, studiues të artit dhe fushave tjera janë marrë me analiza e studime të veçanta për të identifikuar këto skulptura, të vendosura në Apsidën e Katedrales në mes të viteve 1443 – 1448, ngase jo për të gjitha janë të ruajtura dokumente dhe burime arkivore në arkivin e katedrales dhe arkiva tjera.
Pjesa më e madhe e këtyre skulpturave të vendosura në Apsidë janë identifikuar. Ndër skulpturat e identifikuara bëjnë pjesë edhe skulpturat e disa burrështetasve dhe luftëtarëve të njohur të mesjetës si ajo e: Gjon Palologut të VIII-të, mbretit të Napolit Alfosnit V-të, mbretit të Hungarisë e Polonisë Vladislavit II-të, papës Eugenit IV-të, kardinal Besarionit, Sigizmund Malatesit, fisnikut e dukës Venedikas Françesko Foskarit, fisnikut burgundas Filipit të Mirë, Françesko Sforcës, etj., dhe në mesin e këtyrë personaliteve është edhe skulptura e Gj. K. Skenderbeut.
Skulptura e Gj. K. Skenderbeut në Apsidën e Katedralës së Shibenikut është e renditur si e pesta me radhë, pas asaj të Papës Eugenit IV-të.
Paraqitja është ballore, me një kthim të lehtë djathtas, Skënderbeu në kokë mban një kapele venedikase të rrumbullakët, me thyerje para. Mjekren e ka të gjatë, shikim e fortë, përpara, ndërsa hundën karakteristike, shqiponjë, (shih fotot ilujstruese).
Si skulpturë është njëra ndër më të mëdhatë që ndodhen të vendosura në Apsidë. Ka dimensione gjatësia 39.7 cm dhe gjerësia 28.9 cm. Është e padëmtuar, me përjashtim të majës së hundës, ku ka një gërvishje të lehtë.
Sipas studiuesve të artit kroat, është shumë domethënës fakti që kjo skulpturë ka gjetë vendin këtu, që në fillim, duke treguar kështu rëndësinë dhe autoritetin që kishte arritur në këtë kohë Gj. K. Skenderbeu.
Rreth vlerësimit dhe përcaktimit sa më të sakt ëpër skulpturën e Gj. K. Skenderbeut kemi konsultuar specialistë të njohur korat, të cilët janë njohës të jashtëzakonshëm të punës dhe veprës së Ndre Lleshit.
Ndër të parët që ka mbështetur dhe mbrojtur idenë që kjo skulpturë është punim i Nder Lleshit dhe paraqet kryetrimin shqiptar Skenderbeun, është studiuesja e historsië së artit kroat e europian, dr. Ivana Prijatel-Paviçiq, pastaj autori i shumë studimeve, madje edhe i dy monografive për Ndre Lleshin, akademik Andrija Mutnjakoviq. Ndihmë të veçantë me konsultime, literaturë, pasatj me fotografi, analiza grafike e laboratorike na ka dhënë profesori i nderuar dr. Radovan Ivançeviq. Ne ndjejmë si obligim që t’iu shprehim falëmnderim dhe konsideratë për ndihmën e pakursyer që na kanë ofruar edhe dr. A. Duplançiqit, dr. A. Gulinit, mr. N. Bajiq-Zharko, etj.
*************
Ndreu ishte i biri Nikollës nga Durresi. Ka lindur në vitin 1425 në Durrës, në një familje fisnike, të kamur, e cila ishte vendousr në qytet pas dozëzimit të Durrësit, Senjorisë së Venedikut më 1392; dorëzimin e qytetit e kishte bërë duka i Durrësit, Gjergj Topia. Më 31 mars 1435, në moshën 10 vjeçare, Nderu, në Zarë të Kroacisë, fillon të mësoj zejen e skalitësit (gurë gdhendësit) te mjeshtri Marko që ishte me origjinë nga Troja e Apulisë (Itali). Në vitin 1445 e gjejmë në Shibenik, ku në një dokument që ruhet në katedalen e Shibenikut shkruan se eshte ”habitator Sibenici (banor i Shibenikut!).” Më 8 janar 1445, Ndreun e gjemë si ndihmës te mjeshtrit të madh, skulptorit Juraj Dalmatinasit në ndërtimin e katedrales së Shibenikut. Kohë kur edhe gdhendi portretin e Skenderbeut. Kjo katedrale llogaritet si një nga “veprat më cilësore të arkitektures kroate dhe asaj Mesdhetare.” Ky bashkëpunim i Ndreut me Jurajn zgjatë rreth nëntë vite me disa ndërpreje të shkurtëra. Në mars të vitit 1447, Ndreu së bashku me Jurajin shkojnë në Korçullë për të zgjedhur gurët e kupolës së katedrales së Shibenikut, në të cilën të dy mjeshtrit po punonin së bashku. Ljubo Karaman, konsideron si punë të Ndre Lleshit “nishat e cekta në muret e brendëshme dhe të jashtme të katedrales /së Shibenikut m.a./ me siperfaqe të kaneluar dhe mbulesa gjysmerrethore në formë guacash, duke marrë parasysh se këtë motiv e shfrytëzonte në punimet e mevonshme…” Vepra të Ndre Lleshit konsiderohen edhe “frizi i djelmoshave që bartin kurorën” sepse janë krejtë identike me të njëjtin motiv që bën Ndre Lleshi në pagëzimoren e Trogirit. Edhe „dy kapitelet e çiftit lindor të shtyllave nën kupolë, janë punuar në mënyre tipike me fletët e akantusit të modeluara butë dhe sheshtazi” sikurse në veprat e mëvonshme të Ndreut. D. Frey dhe L. Karaman, janë të mendimit se “medalioni me Shen Jeronimin shpreh të gjitha mënyrat dhe përmbajtjen e punës së Ndre Lleshit.” Vepra e parë e dokumentuar e Ndre Lleshit është ndërtimi i kapelës së Shën Katerinës në kishën domenikane të Splitit, e cila fillon së ndërtuari me 4 janar të vitit 1448 dhe përfundon në korrik të vitit 1450. Më 27 korrik 1451 fisnikëria e qytetit të Splitit në krye me dukën Donato Barbari dhe të gjithë deputetët e gjykatësit e shpërblejn Ndre Lleshin, me pranimin e tij në shtresën e lartë të “qytetarisë së Splitit” dhe në të njëjtën kohe duke e shpërblyer me “pronën e çmueshme të palueshtmërisë, në lagjen e vjetër Sdoria te qytetit të Splitit, e cila do të jetë pronë e tij private, për punë, banim, e oficine,” dhe sherbeime të tjera. Nga 14 prilli 1452 deri në fund të vitit 1454, Ndreu punon së bashku me mjeshtrin e madh Juraj Dalmatinasin, (pas ndërtimit të Katedrales së Shibenikut) punë kjo që mund te dëshmohet me një kontratë pune të lidhur mes të dyve, e cila është shumë e detajuar dhe në mënyrë shumë preçize saktëson obligimet e Ndre Lleshit për ndërtimin e “Loggi dei Mercanti” në qytetin e Ankonës. Është m interes edhe puna e usta Ndreut në ishullin e Rabit. Me 8 mars 1453, Ndreu lidh kontratë me fisnikun e shquar të Rabit, Collan de Cernotis, për ndërtimin e një kapelje prej guri si dhe në dysheme të kishës në një pllakë guri të skaliste stemen e këtij bujari. Këtë pune Ndreu e përfundon me 7 dhjetor 1454. Kjo vepër e mjeshtrit u pelqye shumë. Fisnikët rabas por edhe kleri i lartë i qytetit, kërkuan nga Ndre Lleshi që për llogari të tyre të punonte kapela, pllaka memoriale varri dhe vepra të tjera në vitet në vijim. Porosi të tilla bënë: fisniku rabas Nikollë Skafa, pastaj ipeshkvi i Rabit, Ivan Skafa që shërbente në katedralën e Shën Stoshisë së atij qyteti; fisnikun tjetër Frano Zudeniko, etj. Në mesin e korrikut të vitit 1450, Ndreu përfundon varrin memorial të familjes së njohur fisnike Lucari, e cila eshte me origjine shqiptare, ku edhe njeher dëshmohen lidhjet me fisnikërine shqiptare që jetonte në qytetet bregdatare dalamtinase dhe Ndre Lleshit. Vendosja e Ndre Lleshit në Split, ishte vendimtare për jetën e tij familjare, por edhe për ofiçinën e tij si dhe veprat e shumta, të cilat, megjithatë, janë me te shumta, në nivel më të lart artisktik dhe profesional dhe me të njohura se sa ato në Trogir e Split. Veprat e Ndre Lleshit (Andrea Alexius) sot janë në: Ankonë, Shibenik, Split, Pag, Urbino, Pesare, Venedik, Vatikan, Napoli, Pulë, Marsej, Avinjon, Taraskon, Bolonjë, Romë, Budapest, Trogir, Vishegrad, Zagreb, Umbri, Dubrovnik, etj.