-Seks për një vend pune/
Nga Kolec TRABOINI/
Kishim dëgjuar në dy dekada në këtë pseudodemokraci që nëse je femër në Shqipëri e je në hall për një vend pune, gjatë gjithë viteve të sundimit të ekipit batall të Saliut por edhe të Fatos pijanikut kishte vetëm dy mundësira për të mbijetuar:
1- Duhej të paguaje 4 deri në 5 mijë euro për një vend pune. Kjo pa dallim seksi. Këtë fenomen e kanë ditur dhe e dinë të gjithë, por ky popull që di shumë, është urtësuar po aq shumë saqë ia ka prerë gjuhën vetes dhe nuk ankohet. Po edhe të dojë të ankohet, kujt t’i trokasë në derë?! Mentaliteti i popullit të mjerë ka mbetur në kufinjtë e ekzistencës, “kush ka ha, kush nuk ka vjedh” se edhe të presësh vdekjen duarkryq nuk ka kuptim. Më keq nga të gjithë në këtë sistem absurd e katrahurë e kanë gratë, sepse ato nuk janë dhe aq zonja sa të dalin e të vjedhin, por edhe atyre, u ka lënë një palo zgjidhje në mënyrën më mizore ky palo shtet patriarkal me mashkulloritet të neveritshëm, një zgjidhje si të ishin skllave mesjete. Po cili vallë është ai shteg për mbijetesë për gratë e vajzat e mjera?
2- Nëse ryshfeti për punësim nuk është në axhendën e punëdhënësit, grave e vajzave u ofrohet një mundësi tjetër më e rafinuar, tatimi në natyrë, thënë ndryshe ta shpërblejë punëdhënësin me një seks të fortë në krevat. Burrëria e shpifur e kombit që zë kyçet e partive, të shtetit, të institucioneve kërkon haraç nga seksi i dobët. E jo vetëm një herë. Në fakt ata nuk e thonë kaq hapur dëshirën e shfrenuar, mund të përdorin termat mbërthecka, a diç tjetër, por qëllimi është i njëjtë. Pa u palluar nuk ka punë. Kjo mënyrë u bë kaq e njohur sa vajti deri në atë derexhe sa ta zinin edhe Ministrin e Kulturës në linjën zyrë-shtëpi duke ia lyp punëkërkueses, pra seks për një punë. Ministri si një hamshor i harbuar në livadhet e demokratëve doli dhe e pa mbarë Shqipëria.
Gjyqi e stimuloi perversitetin me qindra mijëra euro që duhej të paguante Top Channel TV , gjykata e Apelit e rrëzoi, ndërsa ish/kryeministri Berisha e bëri drejtor të një drejtorie këtë hamshor blu të pafre. Por populli nuk u çudit fare sepse kjo praktikë është ndjekur nga më të shumtët e punëdhënësve, se kush në Shqipëri të jep një vend pune xhaba, falas, fjalë turke që e përdorin xhambazët. Flasim për punët në administratën e shtetit se në privatët bëhët kërdia e askush nuk e vret mëndjen sepse konsiderojnë të drejtën e padronit, si të beut në natën e parë të “Dasmës së Sakos” në romanin e Vath Koreshit.
Këto ishin dy alternativa që na i afroi në mënyrën më shpërftyruese pushteti Berisha – Nano. Po koha u ndërrua. Luftuam të ikë qeverisja e keqe e vrastare e të vijë më e mira e mundshme. Buzëqeshëm. Disa u buzëqeshën aq shumë e lodhshëm deri në ngërdheshje. Ishin ata që skërmisnin dhëmbët për një copë kolltuk e pushtet jo për të punuar për popullin. I vetmi qëllim ishte glorifikimi i vetvetes, sundimi mbi njerëzit.
Tabloja sinoptike pas rrotacionit shpresëdhënës:
1-Kapitulli euro për vendin e punës ekziston, por është bërë shumë i sofistikuar dhe pak vështirë është të ta thonë hapur se duam 5 mijë euro për një vend pune anipse fjalët qarkullojnë edhe për disa deputetë se i kanë blerë vendet në lista elektorale për 200-400 mijë euro e më shumë. Por hipoteza janë. Edhe Don Full Hajni i Bankës Shqiptare kështu thotë, mos u merrni me hipoteza e se çdo gjë shkon mirë e bukur në Bankë dhe paratë tuaja janë të siguruara. Por ky nuk po e dimë a garanton siguri se edhe punësimet nuk i ka bërë siç bënin ata të kohës së përmbysur. Deri tani ka patur vetëm një shenjë që Fullani të ketë shprehur ca dëshira e kjo nëpërmjet faktit të lakuar gjërë e gjatë në shtyp se në rinovimin e Bankës së Shqipërisë(lexo e Fullanit) kishte në plan për të krijuar një dhomë gjumi me krevat dopjo. Tani kushdo që ka dy para mend në kokë e kupton se pse duhet një krevat dopio në institucionin që e drejton si një pasha vilajeti. Dihet, por nuk flitet.
Kësisoj pra kemi gjurma sado të mjegulluara, por disi të fshehta të këmbimit të punës me mish të bardhë e të freskët dhe deri sa nuk e ke kapur faktin me dorë nuk mund të flasësh. Pra kapitulli 5 mijë euro për një vend pune hë për hë mbetet evaziv, kjo nuk bëhet dot pa u konsoliduar administrucët nëpër kolltuke e të ndjehen të paprekshëm vip-rripat tanë.
2-Problemi qëndron më i ndërlikuar në alternativën seks për vend pune pas ndërrimit të pushtetit. Kjo është një alternativë që nuk ka njohur zbritje, qëndron jo vetëm në biznese private, por edhe ato shtetërore. Një vajzë në një bisedë të rezervuar bëri me dije se një botues që kërkonte një sekretare që të rrinte në zyrë i kish thënë se puna është pak e ndërlikuar, duhet ndënjur me orë të zgjatura por ndonjëherë, të paktën një herë në javë edhe natën. Por ti mos u shqetëso se do rrimë bashkë e do ia kalojmë mirë. Të gjithë fjalorët e perversëve një natyrë kanë. Do vemi me makinë edhe jashtë Tirane, do të kënaqemi. Më hapur nuk kish si thuhej. Kish ikur e llahtarisur vajza me universitet të mbaruar por pa punë, se ai katundar që kishte zbritur në kryeqytet e që ishte bërë botues i kishte kallur dhe datën si të ishte një përbindësh dhe jo një njeri.
Po në sektorin publik si vete puna? Shih e shkruaj. Se kështu, reklamë e publicitet bëhet me bujë sikur gjithçka në këtë vend, po shkëlqen nga përsosmëria. Lulka. Se ja ja ku plasi në Sarandë, del sekretari i Deputetit që ka mbështetje në ambicie për t’u bërë edhe Kryetar Bashkie, që pa ia bërë syri tërr i thotë punëkërkueses nënë e katër fëmijëve jetimë, ta jap punën, por më parë duhet të më sjellësh vajzën 14 vjeçe e të bëjmë seks të tre së bashku në krevat. Dhe ky matuf argumenton perversitetin e vet kësisoj, se vajza është e re dhe ka plot hormone që duhen shkarkuar. I tejkalon kufinjtë njerëzorë kjo egërsi e cinizëm ndaj një vajze që ende është një fëmijë i brishtë dhe aq më tepër jetime dhe pambrojtje. Ky pervers e ka menduar mirë viktimën e tij.
Një kërkesë e tillë nuk ishte dëgjuar ndonjëherë, apo mbase ndodhin përditë, por njerëzit nuk kanë kurajo t’i denoncojnë, sepse mostrat hakmerren. Akoma më keq është kur në vend që njerëzit që kanë lidhje me këtë monstër sociale ta denoncojnë, përpiqen edhe ta mbulojnë. Bëhet presion për ta mbajtur ngjarjen nën kontroll sepse na u prishka reputacioni i deputetit që të gjithë e dinë se kush është pa patur nevojë të thërrasin në ndihmë një poshtërsi të tillë. Po fundja mor deputet me se merresh, kë ke rreth vetes? Merr fundërrinat e na i bën sekretarë, po ti e di se po u përzieve me krundet të hanë pulat. Në diktaturë more zoti deputet, që atbotë që ke qënë ushtarak, e zunë një drejtor si këtë birbon e Sarandës, sekretarin e tënd, e zunë në zyrë tek bënte një intervistë picak-lakuriq me një punëkërkuese dhe do ta dënonin. Po si ta bënte Partia se e kish kuadër. E thirrën. U tha ai: po kemi luftuar bashkë bre si do të më dënoni. Ata ia kthyen: O Luto, të gjithë e duam atë gjënë e ëmbël, por nuk guxojmë, ti që guxove haje tani.
Fjala që vjen këto këmbimet e vendit të punës me para apo me sekse nuk janë një gjë e re në Shqipëri, ato përditë ndodhin, po të kishim një mijë kamera të fshehta të jeni të bindur se njëmijë emisione skandaloze do të realizonit. Por Media jonë që herë ka guxim në zbulim e herë guxim në mbulim, ia jep publikut me pikatore se u duhet mbrojtur dinjiteti palltarëve punëdhënës dhe shefave të tyre më lart..
Në zyrë të deputetit bën fole perversiteti
Shumë debate po bëhen në këtë vend dhe meqë politika nuk rri dot pa futur duar në punët e pista edhe kësaj radhe nuk mund të rrinte në një anë. Dëgjohen sulme të tilla absurde se kështu janë të gjithë socialistat, konkluzione marroke keto. Pozita në pushtet, që duhej të nxirrte mësime me kërkim falje se u përdorën zyrat e deputetit të vet për perversitet seksual, del e thotë se “ju ministrin e rehabilituat, ne perversin e futëm brënda ditës në burg”, kësisoj duke vënë shënjat e barazimit për dy raste që në thelb janë një, por shkalla e poshtërsisë në rastit e dytë shemb edhe tavanat e zyrës së partisë socialiste në Sarandë.
Pra nuk dalin me një kërkim falje si shërbëtorë të popullit e jo padronë të tij, se populli heq të zezat e paguan edhe qeverinë, edhe deputetët, por edhe këta zagarët që duan të tundin dybekun në zyrat e deputetit. Më skandaloze është dalja e zyrës së deputetit me një komunikim me shkrim, ku më shumë se me dënimin e aktit, merren me mbrojtjen e përversit pedofil Agron Cane. Ja çfarë shkruajnë ndër të tjera në faqen elektronike të deputetit Koço Kokëdhima:
“Agron Cane është familjar, 61 vjeç, me arsim të lartë dhe me karrierë të spikatur në ushtri, ka qenë komandant brigade. Në qytetin tonë është i njohur si një person serioz. …”. Absurditeti nuk njeh kufi. Cinizmi i paskaj. Papërgjegjësia një çmënduri delirantësh. Ky deputet dhe stafi i tij vërtetë e kanë humbur si Xhaferri simiten. Në vënd të bëjnë një analizë të thellë, t’i kërkojnë banorëve të Sarandës dhe të gjithë Shqipërisë një falje të madhe, sepse këtu bashkë me vajzën jetime adoleshente është cënuar tërë elektorati socialist e më gjërë, janë përdhosur 1 milion shuplakat që iu dhanë pushtetarëve të zbuar, e pra pikërisht këta gjejnë kohë të formulojnë një konsideratë të tillë sikur pedofilin Agron Cane do ta propozonin për dekorim. Që ky pedofil kishte miqësi të fortë me deputetin Kokëdhima, kjo është e kuptueshme, i bashkon shërbimi ushtarak e ia dinë vlerat njëri-tjetrin në të bardhë e në të zezë, por që të dalësh e t’i thuash shqiptarëve se pedofili ka karrierë të spikatur dhe është person serioz, kjo nuk ka vend ku të rrijë, o i nderuari deputet. Në vend të flitet se si është e mundur një monstre të tillë t’i bëhet vend në zyrat e deputetit të partisë që ka në lajtmotiv Rilindje, bën një karakteristike të tillë në shkallë marramëndëse. Kjo nuk është vetëm një turp, por edhe një sfidë, është një dhunim i idealeve të partisë tënde. U mësuam me sfita tashmë. Kjo klasë politike në të dy krahët as që pyet më për opinionin publik. As që pyet se çfarë mendon populli të cilin e thërrasin vetëm të hedhë votën për listën që paraqesin e kurrkush tjetër nuk ka të drejtë të ketë asnjë opsion. E lemerishme mënyra se si zgjidhen njerëzit për deputetë, për pushtet e për kolltukë madje deri në rang ministri, thjesht se i do qejfi të parit të partisë që bën ligjin e Maliqin, që e merr tjetrin nga ana e anës dhe e bën drejtor institucioni vetëm për mjekrrën e bukur. Është e trishtueshme se si ju mbijnë të tillë koncepte shpërfillëse të gjithë atyre që vijnë në pushtet. Një ministre që u katapultua nga Franca na thotë hapur e në sy duke ju regjistruar EMEI e celularëve “ne nuk ju vëzhgojnë, por ju ndjekim”. Të tronditesh vërtet. Ku janë këta në “Animal farm”? Këta paskan ambicie më të mëdha se diktatura komuniste që të dinte sa lugë e pirunj ke në shtëpi. Këta dashkan edhe më shumë, t’u hyjnë njerëzve edhe në brekë.
Deputeti me sejmenin e vet nën sqetull, socialista apo specialista?!
A mos dolëm jashtë teme ndoshta? Mos e bëmë qimen tra në këtë diskutim publik të ankthshëm? Jo, besoj se përversiteti nuk është vetëm ajo çfarë bëri ai pedofili i deputetit, por edhe shtrati që e ka pjellë, se diku e gjeti terrenin që lulëzoi kjo farë e keqe që kërkon vajza 14-vjeçare si të ishte një pasha i kohës moskurrit.
A nuk ju kujton ngjarje me Aishe Vatën 18-vjeçare me kokën e prerë në një arë me misër? Sa shpejt e harruat. Ky është trajtimi ndaj vajzave shqiptare, të mjerat vajza kur janë jetime e të pambrojtura nga shteti e shoqëria. Ndaj të duket skandaloze që më shumë se e akuzojnë na tregojnë meritat e ish-ushtarakut Agron Cane. Mbrojtja që salistët i bëjnë Full–Hajnit guvernator i Bankës Shqiptare, heshtja e pushtetit në këtë rast vjedhje si një kompromis i ndyrë, është bërë një kancer i vërtetë në jetën politike, por edhe shoqërore shqiptare veçse me të njëjtin stil po punohet edhe në këtë rast skandaloz.
Desha t’ju them edhe gjithë atyre atyre që e lehtësojnë Koço Kokëdhimën me sejmenin e tij pedofil duke menduar gabueshëm se kështu mbrojnë PS-në, se për mua përgjegjësi më të madhe ka Deputeti sesa Pedofili. Kokëdhima u kish dashtë të japë dorëheqjen, sepse është jo vetëm e turpshme, por edhe e dënueshme e sa për atë që nuk e dinte se çfarë mënxyre ishte Agron Cane, mos gënjeni veten. Agron Cane këto ka bërë edhe më parë dhe madje në ushtri ia kanë mbuluar raste të kësaj natyre. Ky marrok e ndjente vetën hamshor, që i jepte guxim qënia si sekretar i i përkdhelur i deputetit, i cili nuk ka asnjë justifikim në mbajtjen e tij si sekretar. Por duhet të ketë diçka më shumë në këtë mbrojtje. Po kush t’i bëjë hetimet? Ata që nguten ta paraqesin një rast patologjik i vetmuar?
Është e vërtetë se incidente të tilla njihen gjithë botën, por kësisoj zullapërie si në Shqipëri nuk ka bota, këta nuk e njohin institucionin e dorëheqjes, sikur krimi më i përbindshëm të ndodhë në sektorin, dikasterin apo zyrat e tyre. Mendoni sikur në zyrën e një kongresmeni amerikan do të ndodhte kjo gjë me një 14-vjeçare. Katastrofë për kongresmenin. O shqiptarë të marrosur pas partive, e dini se ka patur një Nikson në këtë botë, President Amerikan që për një përgjim, nga ekipi i tij zgjedhor dha dorëheqjen.
E keqja më e madhe e këtij vendi në të vërtetë nuk janë perverset si Agron Cane, por ata që i bëjnë shtrat të ngrohtë Agron Canëve që nuk janë të pakët, prandaj nëse ka dinjiteti deputeti Koço Kokëdhima duhet të lëshojë Kuvendin e do të jetë më i nderuar, përndryshe emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me emrin e një pedofili.
Si pjestar i deritashëm i barrikadës tuaj kundër të keqes në këtë vend, marr guximin t’ua them hapur të nderuar pushtetarë, se kësisoj deputetësh nuk i duhen Partisë Socialiste se të ngjallin imazhin se këta janë jo socialista, por specialista-thënie proverbiale e Pjetër Arbnorit. Ndaj mund të them se deputeti me atë perversin që e mbante nën sqetull është e mira të dalin nga sytë e opinionit publik, të tërhiqet nga jeta politike e t’i lëshojë vendin dikujt që është më i devotshëm për popullin sesa për miqtë, tarafin xhepat dhe dhe pronën e vet. Të tillë specialista nuk i duhen Partisë Socialiste e nëse kryetari që është dhe kryeministër do të vazhdojë të mbajë afër të tillë figura, që më shumë jetojnë në delire se në realitet, duhet ta dijë se po shkel në një dërrasë të kalbur, po prish reputacionin e vet. E kjo nuk është në të mirën e askujt.
17 gusht 2014
lek mirakaj says
Pavarësisht se nuk jemi të rreshtum në të njëjten barikat,i ke ra pikës si thon andej nga Shkodra.Vetëm nji detaj i vogël të ka shpëtu.U hap çështja Full-hajni dhe u harru Santosi i gjorë,u hap çështja e pedofilit dhe u haru Full-hajni,shpejt për të mbulu skandalin e pritshëm ,nga nën tavolina do nxjerin nji skandal tjetër ,për me kalu në heshtje të maparshmin.A nuk të ban përshtypje fakti që kjo monstra e Sarandës kishte shtatë muej që i binte në qafë vejushës dhe vetëm tashti i bahet e njohtun publikut
Mark Gjonaj says
Shkrimi mendoj se deri ne pragrafin e fundit i qendron fort te keqes se madhe qe ky sistem i ndertuar ne Shqiperi, vetem ka ardhur duke i shtuar skandalet, i pjelle skandalet dhe ky nuk eshte asgje, eshte pjelle e pjellave kryesore qe i prodhon dhe jeton sistemi demokratik borgjez me to; ushqehet, deri sa te arrije te nxjerre jashte shoqerine e vertete njerzore dhe po afron dhe i leshon vend dhe i jep te drejte pakicave qe e degjenerojne ate, ne emer te drejtave te njeriut dhe te tolerances! Kesaje nuk ke cfare t’i besh.
E thashe deri te paragrafi i fundit gazetari i qendron skandalit, dhe denoncon aktin e shemtuar te nje bali(zagari) qe i shkon nga mbrapa deputetit; i cili ky i fundit, duke pare se kishte qene ne ushtri komandant brigade, ka mendur se po merrte nje neri serioz dhe jo seksofender. Sot nuk behen vertetime biografike, deri ne kushuri te trete, jane ca kritere te tjera, keshtu qe mendoj nse jeni i nxituar qe deputeti te dorhiqet. Pergjegjesi morale ka dhe me kete rast ai keta ndihmesa vullnetare do t’i shikoje ma me pergjegjesi. Ketu eshte dhe nje problem por nuk e dime eshte apo nuk eshte kompetence e tije te krijoje keto hallka nderlidhje me popullin dhe ai do ta sqaroje. Nese ka deri me sot deputet qe rrine me bazen zgjedhese, eshte Kocua!
Mund ta kete dhe qeverisja, por mendoj se gjithe ky sistem kudo, vihet re qe per t’i larguar vemendjen nga probleme dhe ngjarje me te renda, krijojne keto UFO. Vete ju zoterije keni shkruar tre shkrime per tre skandalet dhe ngjarjet e shemtuara dhe e shikoni si u harruan(u vra nje drejtor banke si qene rruge, u vodh Banka e Shtetit) dhe ne krahasim me keto, kjo s’eshte asgje, pa shkuar me tutje qe jane skandale me te medha, qe vetem te fillojme nga Gerdeci e ketej.
Te ndalemi pak dhe te nje koncept tjeter, eshte e rende per ne qe ne Shqiperi eshte instaluar nje shtet mafioz dhe ky nuk eshte nje nocion fillozofik as sociologjik abstrakt, por nje realitet. Pra ka nje cerek shekulli qe eshte ushtruar nje pushtet mafioz, ne emer te demokracise, ligjeve te miratuara nga perfaqesuesit e popullit dhe ma skandalozja dhe krejtesisht e deformuar, ne emer te luftes kunder komunizmit, duke vene ne loje dhe kundervene parimit te krijimit te “njeriut te ri” dhe zevendesuar me njeriun mafioz, zvarrites dhe pershtates i ketij lloje pushteti qe nuk ngrihet dhe te rrezoje cdo qeveri cdo 6 muaje, derisa te konsolidohet dhe te vine ne drejtim demokratet e vertete jo me llafe por me vepra. Ja pra si si u krijua njeriu i ri mafioz i shoqerise “moderne”, zuri vend e keqja me e madhe dhe te mos shkojme me gjate vetem shiko kolicionin e majte(te pamenduar, apo te detyruar) s’ka rendesi, eshte nje mpleksje per te vazhduar me rrugen e mafies. Ky kolicion nuk mund te siguroje vazhdimsi dhe seriozitet ne reforma, por do te prodhoje te tilla gogla dhe keshtu kjo shkon stafete!