





Ramazan Çeka/
Zemra e bardhë dhe shpirti fisnik i Ben Pllumaj hapën dyert e mikpritjes, duke ftuar e mbledhur në sofër miq të nderuar në zemër të Michiganit. Eh moj Shkodër ta marrsha t’keqen! Sa fisnikëri ke mbrujtur në brumosjen dhe formimin e bijve të tu, të lindur e rritur në djepin e kulturës tënde mijëravjeçare.
Ishin këto mendimet që më erdhën në mëndje sapo zbrita nga makina në oborrin e vilës së z. Ben Pllumaj për t’iu bashkuar darkës bujare të shtruar në nder të kremtimit të Natës së Zojës së Shkodrës, si dhe nderimit të vizitës baritore të Arqipeshkvit të Dioqezës Shkodër – Pult, Monsinior Anxhelo Masafra në Michigan, i ftuar nderi në këtë sofër bujare.
E quaj veten të privilegjuar pse jo edhe të vlersuar që mes këtij rrethi të ngushtë miqësor, intelektualësh dhe përfaqësuesish të disa prej institucioneve komunitare më me zë të kësaj kohe, laike e fetare, bashkë me përfaqësuesit e mediave lokale të Michiganit, isha ftuar edhe unë që të merrja pjesë.
Në shtëpinë e zotit Pllumaj u shtrua një sofër tipike shqiptare, e cila pasqyronte të gjitha karakteristikat dhe virtutet tradicionale të bujarisë shkodrane, modelin e fisnikëve mbretërorë në kalatë e lashta ilire, të cilët dikur motit shtronin gosti festive për miqtë që kishin për kokë. Por kot nuk thonë miqësia e vjetër, si vena e vjetër, që veç i rritet vlera në të shijuar e në të vlerësuar.
I tretur në këto mendime, bashkë me të ftuarit e tjerë, hymë brenda të shoqëruar me nderim e respekt të jashtzakonshëm nga i zoti i shtëpisë dhe familjarët e tij. Në ngrohtësinë e fjalëve mikpritëse “Mirë se erdhët! Shpia e Zotit dhe e mikut” hymë brenda në një sallë të madhe të mbushur plot me miq.
Sigurisht që unë nuk e kam të mundur t’i përmbledh të gjitha sukseset e këtij shkodrani që bëri dhe po bën emër në Amerikën e Largët, por e quaj veten me fat që që kam qenë i ftuar në disa edicione në Festivalin Shqiptaro-Amerikan në Detroit, ku z. Ben Pllumaj ka qenë drejtor i këtij festivali që si qëllim ka pasur bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një proces që ka nisur prej vitesh në këtë komunitet, ku arti dhe kultura, kombi dhe flamuri, janë rruga e bashkimit kombëtar, jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë brezat e ardhshëm shqiptaro-amerikan.
Si i pranishëm, por dhe si skenarist, konstatova më së miri se ky mesazh ishte edhe shprehje e atij programi që shqiptarët e formulojnë dhe zbatojnë si asnjë Komb tjetër në Botë, sepse në atë komunitet pamë cilësi të jashtëzakonshme të Kombit Shqiptar, bashkëpunimin në mes të Kishës Katolike Shqiptare, të Kishës Ortodokse Shqiptare, Qendrës Islamike Shqiptare, Qendrës së Bektashive Shqiptarë, televizioneve shqiptare, si dhe organizatave, shoqatave dhe bizneseve, që të gjitha shqiptare.Kjo marrëdhënie në emër të Kombit na bën krenar për bijtë tanë kudo që janë.
Z. Ben Pllumaj, në nderim të Natës së Zojës së Shkodrës, shtroi një sofër të madhe ku i bashkoi të gjithë. Arqipeshkëvi i Dioqezës Shkodër – Pult, Monsinior Anxhelo Masafra, i ftuar nderi në këtë sofër bujare nga vetë z. Ben Pllumaj, Dom Fred Kalaj, Famullitar i Kishës së Shën Palit, Dom Dino Çekrezi, Famullitar i Kishës “Zoja Pajtore”, Babai i Teqes Bektashiane, Elidon Pashaj, nën Kryetari i “Vatrës” z. Alfons Grishaj, Drejtori i Degëve të Vatrave në Amerikë z. Mondi Rakaj, si dhe Drejtori i Televizionit ALBTVUSA z. Gani Vila, etj., të cilët zunë vënd pranë njëri-tjetrit sikur të ishin miq prej vitesh. Respekt i peshuar në vlera dhe dinjitet njerëzor, e mbi të gjitha thellësisht shqiptar, të cilin e mishëronte secili prej miqve të pranishëm.
Një mikpritje dhe respekt të tillë e gjen kudo në familjet shqiptare, por me miq dhe personalitete të tilla të rastisë rrallë të darkosh, për vetë faktin se larmia e bisedave ishte në nivele të larta jo vetëm miqësore e vëllazërore, por edhe intelektuale, pasi secili prej nesh kishte kuriozitet për punën dhe aktivitetin e tjetrit. Kureshtje e cila do të thoja se është me interes edhe për lexuesit, ndaj për kënaqsinë e tyre po i pasqyrojmë në këtë shkrim.
Michigan
Tetor 2024