Te enjten ne mbremje me 24 prill kisha të ftuar në Studion e TV Kultura Shqiptare(Albanian Culture TV) në New York, me pronar Adem Belliu, atdhetarin Niko Kirka. Biseda, nisi me një nga datat historike të Prillit, 28 Prilli, ditëthemelimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, që me 28 bëhen plot 102 vjece. Një ndër bashkëthemeluesit e Vatrës ishte edhe Kristo Kirka, ish kryetar i Shoqatës Besa-Besën, ish kryetar i Shoqatës Arsimi, ish menageri i parë i Diellit si gazetë e Vatrës, kryetar i degës nr 1 të Vatrës në Boston, nënkryetar i përgjithshëm i Vatrës, konsull në NY dhe Boston, menaxher i gazetës Shqiptari i Amerikës, deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nën/prefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korcës. Ka dhe një përkim tjetër kjo datë me martirin vatran, 28 prilli është dhe ditëvdekja e bashkëthemeluesit të Vatrës, Kristo Kirkës, i cili u shua në burgun e Burrelit me 28 Prill 1955. Rreth kësaj figure brilante u përqëndrua biseda me të birin, Niko Kirka, ish i përndjekur politik.(DG)