– Uau, paska ardhur Sorkadhja, – thirri e mrekulluar Eda ime, – shiko, shiko nga dritarja…
Vërtet si e dalë nga ëndrrat, një sorkadhe e bukur, elegante, buzë pyllit, pikërisht të tabela që kishim marrë nga Kisha jonë, “Hope is alive”, kishte qendruar aty dhe shikonte për këtej. Ajo ishte, e atëhershmja? E mbante mend muajin e Edës dhe donte ta takonte?…
Dolën të tjerë nga pallati për te makinat e tyre, e shikonin me adhurim sorkadhen dhe ajo u largua duke kthyer kryet nga pas, sikur po shkonte sërish tek ëndrra. Si një flakë e gjallë, m’u duk…
– …që ma ngrohu shpirtin, – me tha Eda ndërkaq…
Mbërritën miqtë tanë, Milto me Vjollcën, e kishim lënë të shkonim në një tjetër vizitë në një tjetër pyll afër, atë të gratacieleve në Downtown, ku miq të tjerë, Ernesti me Imeldën, na prisnin sërish në apartamentin e tyre të bukur në një kat të 30-të. Më pas u ngjitëm bashkarisht ende mē lart, në njërën nga taracat për të vazhduar bisedat e për të pirë kafetë. Dhe ndezën zjarrin në vatrën e mermertë para nesh. Flakët vallëzonin në ngjyrën e sorkadhes. Dhe m’u shfaq ajo, zjarr i gjallë, mikesha e Edës, sorkadhja… me tabelën mbi kurrizin e saj “Hope is alive”… ku po e çonte?
Unë kisha bllokun e vogël në xhep, mezi ç’prisja rastin të shkruaja poezinë…
SORKADHJA E DITËS
Po shikonte nga dritarja
Ime shoqe
dhe drita e mëngjesit
befas u bë sorkadhe.
Njerëzit që na duan
dhe s’janë këtu,
u bënë pemë.
Përmes pemëve ecte sorkadhja,
përmes pemëve,
se ç’donte të na thoshte.
Nëpër gjethe
shkruajnë sytë e sorkadhes
si sytë e sime shoqeje
të njëjtin merak të blertë…
Dhe e druajtur
u afrohet duarve që beson,
sorkadhja – mbi psherëtimat
e njoma të barit,
me shpresë hyjnore mbi shpinë.
Uria ime prej sorkadheje
mori një copëz buke dashurie.
Krahët e sime shoqeje
menjëherë u bënë rrugë, –
njëra për mua
dhe tjetra për sorkadhen në ëndërr.
Po ku shkoi ajo? Si u fut ashtu
në trupin e sime shoqeje,
sorkadhja?
Dhe mëngjezi – mantel
me yje të mbetur nga dashuritë
fërgëllon mbi supet prej gruaje
të jetës.
Kjo ditë imja kështu –
gjysmë grua dhe gjysmë sorkadhe…
Visar Zhiti