
Kur ministri i jashtëm Muhamet Kapllani firmosi në Washington pas 52 vitesh të ngrirë.
Nga ROLAND QAFOKU
Është firmë e artë ajo që ndihmëssekretari i shtetit për Europën dhe Kanadanë, Raymond Seitz, hodhi më 15 mars 1991 në memorandumin për palën amerikane, i cili është njëkohësisht edhe dokumenti zyrtar i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Ndërsa Seitz ishte udhëzuar nga shefi i tij, James Baker, miratimin nga pala shqiptare e kishte Fatos Nano, në atë kohë vërtet pasardhës i kryeministrit komunist Adil Çarçani, por i moderuar dhe i predispozuar për të bërë ndryshime, një prej të cilave ishte vendosja e marrëdhënieve me SHBA-në. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 76.
Nano ka meritën jo vetëm që urdhëroi dhe udhëzoi përgatitjen sa më të shpejtë të dokumentacionit, por edhe për faktin që edhe pse pala amerikane kishte propozuar që Shqipëria të përfaqësohej me zëvendësministrin e Jashtëm, Nano e ngriti nivelin e përfaqësimit të Shqipërisë duke dërguar me urgjencë për në SHBA ministrin Muhamet Kapllani. Ai u nis nga Tirana më 12 mars dhe gjithçka u realizua më 15 mars. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 106)
Të premten e 15 marsit në sallën e traktateve të Departamentit të Shtetit, fiks në orën 11.00 me orën e Washington-it dhe 17.00 me orën e Shqipërisë, përbri njëri-tjetrit gjendeshin Muhamet Kapllani i Shqipërisë dhe Raymond Seitz i SHBA-së. Kapllani ishte ministri i parë i Jashtëm që shkelte në Departamentin e Shtetit dhe Seitz diplomati i parë amerikan që po riaktivizonte një dokument të pluhurosur e të futur në sirtarët e mbyllur për shumë dekada. Me pesë nene në katër faqe, ata që e kishin përgatitur ishin kujdesur deri në detaje. Letra e memorandumit origjinal ishte e trashë dhe jo e zakonshme dhe çdo fletë ishte stolisur me dy vija të kuqe anash. Në kokën e memorandumit shkruhej me germa kapitale:
MEMORANDUM MIRËKUPTIMI MIDIS QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS LIDHUR ME RIVENDOSJEN E MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 138-141)
Përveç fjalës “socialiste”, ajo që stonoi ishte edhe fakti se në të gjithë tekstin shqip mungonte shkronja “ë”. Por ç’rëndësi kishin këto? Dy vajza asistente u dhanë nga një stilograf në duar dhe ky ishte momenti i bekuar kur dy firma të rënda, ajo e Muhamet Kapllanit dhe Raymond Seitz, u hodhën në një dokument në dy kopje. Memorandumi u firmos në anën e majtë nga Muhamet Kapllani dhe në anën e djathtë nga Raymond Seitz, duke lënë një nga gjurmët më të rëndësishme në historikun e dy vendeve. (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 134, 135, 136).
Ishin momente kur të dy diplomatët po shkruanin historinë. E ndërsa Seitz ishte pa shumë emocione dhe shumë i sigurt në atë që po bënte, Muhamet Kapllanit po i ndodhin gjëra që vetëm pak muaj më parë ishin në kufijtë e pabesueshmërisë. Me peshën e ministrit të parë të Jashtëm në historinë e shtetit shqiptar që ndodhej brenda kancelarisë së SHBA-së, ai vërtet ndihej mirë, por në këtë atmosferë kishte edhe hutim. Një pjesë të emocioneve po ia hiqnin ata shqiptarë të SHBA-së që kishin mbushur sallën. As i njihte e as i kishte parë më parë, por e kuptonte se ishin pjesë e ndarë e një kombi. Për 52 vjet mes Shqipërisë dhe SHBA-së kishin ndodhur shumë ngjarje, përveç njërës, nuk ishin shkëmbyer as marrëdhënie e as ambasadorë.
Me një fjalim prej 668 fjalësh të përdorura në afro 5 minuta, Raymond Seitz elektrizoi të gjithë ata që ishin prezentë. Fjalët e para që nxori nga goja ishin plot emocion dhe të shoqëruara me duartrokitje:
“Sot, pas një periudhe prej 52 vjetësh, SHBA-ja dhe Shqipëria po vendosin marrëdhënie diplomatike me shpresën për të ndërtuar lidhje miqësore dhe të frytshme mes dy popujve tanë.” (AMPJ, Korrespodenca e informacione mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 92-95)
Ndonëse kishin kaluar 45 vjet nga largimi i misionit amerikan nga toka shqiptare, Seitz e vijoi punën aty ku e kishin lënë paraardhësit e tij, teksa tha:
“Marrëdhëniet midis dy vendeve tona e kanë fillimin në agimin e këtij shekulli kur presidenti Woodrow Wilson i dha shtetit të ri shqiptar përkrahjen e Amerikës. Kjo lidhje nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, disa prej të cilëve janë sot në këtë dhomë, e të cilët ishin në kontakt me Atdheun gjatë gjithë këtyre viteve…” (Shkreli Frank, Një ngjarje në historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare që shpesh anashkalohet, gazeta “Telegraf ”, 4 tetor 2021)
Në fund, Seitz falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për atë moment, por në mënyrë të veçantë shqiptarët e Amerikës që sipas tij kishin dhënë aq shumë. Mes tyre në atë sallë ishte edhe Frank Shkreli, një shqiptar-amerikan i njohur si gazetar dhe në ato momente zëvendësdrejtor i Euroazisë në radion “Zëri i Amerikës”. Për Shkrelin janë të papërshkrueshme atmosfera dhe emocionet e këtij momenti dhe është e rrallë që edhe pse kanë kaluar 30 vjet ai mban mend fjalë për fjalë fjalimin e ndihmëssekretarit Seitz.
(Shkreli Frank, publicist, gazetar, ish-drejtor i VOA, dëshmitar i nënshkrimit në Uashington të memorandumit të riven-dosjes së marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Intervistë e dhënë posaçërisht për këtë libër për autorin, 15 tetor 2021)
Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, foli me jo pak emocion. Me një anglishte të rrjedhshme, ministri i parë i Jashtëm pas rrëzimit të komunizmit foli me ato fjalë që ia kishte dashur zemra t’i thoshte edhe vite më parë, por që nuk e kishte të mundur. Përdori 325 fjalë në dy minuta dhe e cilësoi privilegj dhe nder që qeveria i kishte ngarkuar të nënshkruante këtë dokument që sipas tij ishte historik. Kapllani la një përshtypje tepër pozitive teksa mes fjalëve tha:
“Po mbushim një boshllëk që është ndier për shumë kohë midis nesh. Ne po krijojmë kushte të favorshme për të plotësuar kohën e humbur. Ky nuk është thjesht një moment simbolik i hedhjes së një firme në një dokument. Ai është një çast vendimtar në rrugën e marrëdhënieve tona.”(Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diploma-tike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 92-94)
Ndërsa në Ministrinë e Jashtme në Tiranë radiogrami për gjithçka që ndodhi në Uashington mbërriti në orën 19.30, me orën e Shqipërisë. Në lajmet e orës 20.00 të Radio-Televizionit Shqiptar lajmi u dha si një njoftim kryesor. Spikeri lexoi thatë të pashoqëruar me pamje atë që kishte ndodhur tri orë më parë matanë Oqeanit Atlantik: Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me SHBA-në. Në Tiranën dhe Shqipërinë e tallazuar me zhvillime ritmike ky lajm u prit si me entuziazëm. I vetmi problem që e ulte dozën e entuziazmit ishte ironia se marrëdhëniet me SHBA-në po i rivendosnin komunistët, po ata që nuk kishin dashur për 45 vjet.
Lajmi, në fakt, në SHBA ishte përhapur që ditë përpara hedhjes së firmës dhe dashamirësit u dukën që ato ditë. 24 orë përpara nënshkrimit, një nga pinjollët e dinastisë Kennedy ishte i pari që përshëndeti këtë akt, edhe pse ende nuk ishte bërë zyrtar. Biznesmeni Michael Kennedy, djali Bob Kennedy, ish-Prokurorit të Përgjithshëm dhe vëllait të presidenti Kennedy, i dërgoi një telegram Ramiz Alisë për vendosjen e marrëdhënieve.
Pas firmës së rëndë të rivendosjes së marrëdhënieve puna e dytë ishte dërgimi në Shqipëri i diplomatëve të parë që ishin edhe përfaqësuesit e parë amerikanë në vendin tonë. Seitz nuk humbi kohë dhe njëkohësisht me vendosjen e marrëdhënieve nxori urdhrin për emërimin e përfaqësuesit të parë diplomatik amerikan që do të vinte në Shqipëri. Dhe këtë e bëri të ditur gjatë momentit të nënshkrimit të marrëdhënieve, teksa tha:
“Ne synojmë që SHBA-ja të dërgojë një delegacion në Shqipëri në një të ardhme të afërt për të zgjeruar kontaktet me qeverinë shqiptare për fillimin e përgatitjeve dhe për vendosjen e misionit diplomatik.” (AMPJ, Korrespodenca e informacioneve mbi takimet mes ekspertëve dhe diplomatëve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri janar-mars 1991, Dosja 851, Viti 1991, Fleta 96-98).
Pas 31 vjetësh, Frank Shkreli riprodhon me shumë pak ndryshim ato që Seitz tha në sallën e memorandumeve dhe ajo që ai e perifrazon ka shumë pak ndryshim me tekstin origjinal që ndodhet në arkivin e Ministrisë së Jashtme. Kujton Shkreli:
“Ne kemi në plan që brenda një kohe të shkurtër të dërgojmë një delegacion në Shqipëri për të zgjeruar kontaktet me qeverinë dhe popullin shqiptar, si edhe për të filluar përgatitjet për hapjen e misionit diplomatik…”. (Shkreli Frank, publicist, gazetar, ish-drejtor i VOA, dëshmitar i nënshkrimit në Uashington të memorandumit të riven-dosjes së marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Intervistë e dhënë posaçërisht për këtë libër për autorin, 15 tetor 2021)
(Pjesë nga libri “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022”, Onufri 2022)