KOMBI SHQIPTAR PËRKUJTON NË DITËLINDJEN E 78-TË PRESIDENTIN HISTORIK DOKTOR IBRAHIM RUGOVA
Sot i gjithë kombi shqiptar përkujton në ditëlindjen e tij të 78-të Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, udhëheqësin, shtetarin, filozofin dhe themeluesin e Kosovës së pavarur e moderne.
Doktor Rugova ishte një mendje brilante dhe një kapacitet intelektual ndërkombëtar. Ai e ktheu Kosovën në një çështje ndërkombëtare duke bindur dhe mahnitur me urtësinë e tij politike dhe filozofinë e tij kancelaritë në Europën Perëndimore dhe diplomacinë në Uashington. Doktor Rugova kaloi një jetë në shërbim të atdheut, një mision në shërbim të kombit, një synim të vetëm jetësor për shtetndërtimin e institucioneve të forta e rritjes së mirëqënies së qytetarëve në Kosovën e lirë. Gjithçka në Kosovë lidhet dhe mban emrin e Presidentit historik Ibrahim Rugovës. Jeta dhe veprimtaria e tij ishin kurdoherë në shërbim të shtetit dhe çështjes kombëtare. Për çdo shqiptar Ibrahim Rugova do të jetë një udhëheqës dhe një burrë shteti në kufijtë e një lideri të pavdekshëm, të një miti të pazëvëndësueshëm. Doktor Rugova ishte prijësi historik dhe lideri shpirtëror në krejt hapësirat shqipfolëse dhe jo vetëm. Emri i tij është gërmëzuar me shkronja ari në historinë e lavdishme të Kosovës së bekuar. Kosova sot kalon ditë jo të mira. Luftëtarët e lirisë janë ende në kërkim të drejtësisë ndërkombëtare. Një pikëpyetje e madhe europiane është ngritur rreth shtetit më të ri në Europë. Asnjëherë më shumë se sot Kosovës dhe kombit shqiptar i nevojitet testamenti filozofik i Presidentit Rugova: unifikim shtetëror e kombëtar, bashkëpunim dhe dashuri mes njëri-tjetrit. Dr. Rugova dhe veprimtaria e tij patriotike, politike e diplomatike do të mbahet mend për jetë të jetëve, në memorien e çdo shqiptari si politikani legjendar që vuri themelet e Shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. Doktor Rugova ia arriti qëllimit në realizimin e ëndrrës për liri falë urtësisë, zgjuarsisë e vizionit të tij largpamës për mënyrën sesi udhëhoqi Kosovën, si dhe për ndërtimin e demokracisë dhe të pluralizmit politik në Kosovë. Vepra e lartë patriotike dhe diplomatike i bën nder të gjithë shqiptarëve, veçanërisht qytetarëve të Kosovës. Vendimi dhe vendosmëria e tij percaktuan fatet e historisë dhe udhëtimin e pandalur të Kosovës së Lirë dhe të Pavarur. Falë mbështetjes së miqve ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht miqësisë së përjetshme të SHBA-se, Kosova fitoi Lirinë e Pavarësinë. Veprimtaria politike e Dr. Rugovës frymëzoi mendimin kritik, të vizionit pro perëndimor dhe antikomunist. Ky përvjetor ditëlindjeje na bën të ndiejmë dhimbje për mungesën e madhe, por njëkohësisht krenarë dhe dinjitozë për veprën që Dr. Rugova na trashëgoi ne. Motoja e Dr. Rugovës që mobilizoi shoqërinë ishte e thjeshtë, domethënëse dhe frymëzuese: Liri, Pavarësi e Demokraci. Mirënjohje e nderime të përjetshme për liderin historik të LDK, për veprën e çmuar patriotike, diplomatike e politike të Presidentit të I-rë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Në Shekuj të shekujve, i paharruar përkujtimi për Presidentin historik, filozofin dhe shtetarin e madh të Kosovës e kombit shqiptar Dr. Ibrahim Rugova.
Me respekt të veçantë
Përulësisht
Kryetari i VATRËS
Elmi Berisha