Dr. Dorian Koçi/
Imzot Noli, idetë dhe vizionet e tua për Shqipërinë ende shqetsojnë “shakaxhinjtë e përparimit” që nën petkun e historianëve, kritikëve , estetëve përpiqen të zvogëlojnë veprën tënde.
Fan Noli iu duk i çuditshëm në shoqërinë shqiptare , si i rënë nga qielli kur u thoshte shqiptarëve se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do t‘u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin, ai luante klarinetë dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”.
E deshën shumë pak fqinjët se do t’u vinte kufirin tek thana, ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic, Musolin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”, politikë të drejtë dhe sukses të tyre.
E cilësuan aventurier, sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai s’i njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari, që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë tjetrin sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.
Gjithsesi Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin mizerabël që kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”.
I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte, duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që s’e deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues” të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë.
Imzot Noli ju mbeteni gjallë në ndërgjegjen e kombit, një maratonomak që përcjell lajmin e fitores të së mirës mbi të keqen, të së drejtës mbi padrejtësinë, të përparimit mbi prapambetjen.
RRENT, OR MARATHONOMAK
Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!
Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush’ e brek mi brek
Këmba tokën as t’a prek,
Hip’ e zbrit,
Petrit, Marathonomak!
Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon për-dhe;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!
T’u tha gryka, po s’të pihet,
T’u mpi këmba, po s’të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!
Kurrë kaqë s’dogji djelli
Dhe si plumb s’rëndovi qjelli,
Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj
Hij’ e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!
Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur’ e prush,
Furr’, or Marathonomak!
Gryka si gjyryk të çfryn
Prej Vullkani flag’ e tym
Se ç’vëngon e se ç’gulçon,
Zëmra brinjët t’i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!
Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s’janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!
Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan’ e që të çquan
Dhe fuqinë t’a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!
Ja, arrive, ua the:
Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
“E fituam!”, brohorite
Dhe për tok’ u-përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!
Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!