Dr. Lulzim Nika/
Me pietet të lartë kujtojmë sot, në 27 vjetorin e rënies heroike të simbolit luftës për liri heroin Luan Haradinaj.
Në 27 vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën dhe heroizmin e atdhetarit të shquar, heroit të kombit, Luan Haradinaj, njërit nga ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarit të palodhshëm të luftës sonë çlirimtare, heroin Luan Haradinaj.
Në sfondin e zhvillimeve ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Konferenca e Dejtonit për shqiptarët ishte një zhgënjim i madh. Kështu, “Dejtoni formuloi mesazhin se Kosova ndodhet jashtë orbitës së interesave të Perëndimit dhe që ajo mund të trajtohet si problem serb”.(Ch.H)
Duke parë këto zhvillime, djemtë më të mirë të Kosovës, morën një vendim, që ishte i vështirë, por i hap i domosdoshëm historik, atë të rezistencës së armatosur kundër okupatorit.
Angazhimi, përpjekja në rrugën e lirisë, lufta dhe rënia e Luan Haradinajt, i dha rreze drite lirie Kosovës së vitit 1997, të cilën pushtimi serb e kishte kthyer në një burg për 2 milion shqiptarë.
Gjaku i njomë i Luanit, do të fillonte të shkrijë muret (kufijtë) e padrejtë, që i ishin vënë kombit shqiptar nga historia jonë tragjike gati shekullore. Emri i heroit Luan Haradinaj u bë frymëzim i fuqishëm i luftëtarëve të mëvonshëm, që do të mbante lart moralin e luftës për të qëndruar deri në fitoren e fundit për lirinë e Kosovës.
Lavdi përjetë jetës dhe veprës së heroit Luan
Haradinaj