
Schiller: Kur mijëra halle na rëndojnë shpirtin dhe zgjuarsia jonë rrezikon të shuhet nën peshën e punës, teatri del e na rrok në gjirin e tij
Teatri është një nga ato pak mrekulli njerëzore që nuk i nënshtrohen kohës, por e përthithin atë, e përpunojnë dhe e rikthejnë në formë të përjetshme. Ai është zëri i shpirtit, një akt i gjallë ku realiteti dhe imagjinata nuk janë më dy pole të kundërta, por një bashkëjetesë e ndezur, një tension krijues që lind kuptim. Në skenë, njeriu përballet me vetveten, pa maska, edhe kur mban maskë.
Nga amfiteatrot e Greqisë së lashtë, ku fjala kishte peshën e fatit dhe kori i jepte zë ndërgjegjes kolektive, deri te skenat moderne ku eksperimentimi shpërbën kufijtë e formës, teatri ka mbetur një nga mënyrat më të fuqishme të komunikimit dhe të ndërgjegjësimit. Ai nuk është vetëm rrëfim, është akt. Nuk është vetëm pasqyrim, është ndërhyrje.
Në këtë ditë të shënuar, kujtojmë Friedrich von Schiller, i cili i dha teatrit një dimension etik dhe qytetar, duke e vendosur atë në rolin e një gjykatësi moral të shoqërisë. Në vizionin e tij, skena nuk është zbavitje, por tribunal, një vend ku padrejtësia ekspozohet dhe e vërteta merr zë.
Ai shkruante:
“Kur drejtësia, e blerë me flori, mbyll sytë dhe i shërben me heshtjen e saj vesit; kur paudhësitë e të fuqishmëve ngrihen si tallje mbi pafuqinë e saj dhe frika ia paralizon të djathtën pushtetit, teatri merr në duart e veta shpatën dhe peshoren, duke e nënshtruar vesin në një gjyq të rreptë…
Kur pikëllimi na gërryen zemrën, kur melankolia helmon orët e vetmisë, kur bota na ka kthyer shpinën dhe punët ecin së prapthi, kur mijëra halle na rëndojnë shpirtin dhe zgjuarsia jonë rrezikon të shuhet nën peshën e punës, teatri del e na rrok në gjirin e tij.”
Këtu qëndron madhështia e teatrit, në aftësinë e tij për të qenë njëkohësisht gjyq dhe strehë, revoltë dhe ngushëllim, thirrje dhe përgjigje.
Në një tjetër kohë dhe në një tjetër kontekst, Arthur Miller e përkufizoi këtë esencë me një thjeshtësi të mprehtë. Sipas tij… “Teatri është kaq magjepsës pafundësisht, sepse është kaq i rastësishëm. Është vetë jeta.”
Dhe vërtet, teatri është jeta në formën e saj më të përqendruar, një moment i pakthyeshëm, një përjetim që ndodh vetëm një herë, përpara syve të atyre që janë dëshmitarë të tij. Nuk ka rikthim, nuk ka korrigjim, vetëm prani.
Vetë fjala “teatër”, nga greqishtja theatron, nënkupton “vendin për të parë”. Por në thelb, teatri është vendi për të ndjerë, për të kuptuar, për t’u tronditur. Ai është një laborator i emocioneve dhe ideve, ku njeriu eksploron kufijtë e vetvetes dhe të botës që e rrethon.
Në çdo shfaqje, një univers i tërë ngrihet dhe shembet brenda pak orësh. Dhe kjo ndodh falë një bashkëveprimi të jashtëzakonshëm krijues, dramaturgë që ndërtojnë botë me fjalë, regjisorë që u japin formë vizioneve, aktorë që i mishërojnë ato me trup dhe shpirt, dhe një ushtri e padukshme artistësh e teknikësh që e bëjnë të mundur magjinë.
Historia dhe kuptimi i kësaj dite
International Theatre Institute, në vitin 1962, vendosi të shpallë këtë ditë si një homazh për teatrin, jo vetëm si art, por si një akt njerëzor i domosdoshëm. Qëllimi nuk ishte thjesht festimi, por kujtesa, kujtesa se teatri ka fuqinë të ndikojë ndërgjegjen, të sfidojë strukturat e pushtetit dhe të frymëzojë ndryshim.
Sot, më shumë se kurrë, në një botë të shpërqendruar nga shpejtësia dhe fragmentarizimi, autoritarizmi cinik i pushtetit, atyshmëria rastësore e përgjithësimit, teatri mbetet një hapësirë e rrallë e përqendrimit të së vërtetës si thirrja e bubushme që del nga rrënojat e shpirtit, duke mbajtur në duar pishtarin e zjarrit të Prometeut, për t’i dëshmuar botës dritën dhe legjitimuar fjalën si kundërvënie ndaj pushtetit të frikshëm të heshtjes.
Po, teatri është ende një vend ku fjala ka ende peshë, ku heshtja guxon të ngre zërin, dhe ku njeriu, për një çast, ndalon dhe dëgjon, reagimi qaset si rrugë shpëtimi. Le të nderojmë, pra, jo vetëm artin e teatrit, por edhe ata që i japin jetë atij, ata që guxojnë të flasin kur të tjerët heshtin, që ndriçojnë kur errësira bëhet normë, që krijojnë kur realiteti duket i papërballueshëm, gjithmonë dhe gjithkund, edhe atje ku shemben tempujt e fjalës dhe ngrihet kërcënueshëm rrënoja e frikës.
Sepse teatri nuk është thjesht një formë arti.
Ai është një akt qëndrese i shpirtit njerëzor për të mos u dorëzuar, për të mos heshtur, për ta bërë fjalën një grusht të paligjshëm që godet malin që s’bzan.
Albert Vataj