
Instituti “Lumo Skendo”/
Publikojmë sot me rastin e 79 vjetorit të vdekjes një nga letrat e shumta të tij që ka shkëmbyer me Mid’hat Frashërin.
Sotir Kolea ishte leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928.
Një nga organizatorët e Kongresit të Triestes dhe pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1928-1945 kontribuon në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Eshtë meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta të Bibliotekës Kombëtare. Kolea shtoi fondin e bibliotekës me 14.000 tituj te rinj, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun dhe një sërë personalitetesh të tjera kombëtare. Ishte një nga anëtarët e Institutit të Studimeve Shqiptare.
Kolea ka lënë një trashëgimi gjuhësore të madhe me 5 fjalorët të hartuar prej tij por, edhe shumë shënime të tjera të cilat ruhen në fondin personal të tij në AQSH.
Lozanë, 24 dhjetor 1915
Për Z. Midhat Bej Frashëri
6, Ulitza Tsar Siméon
Sofia
I dashur Midhat Bej,
Zotëroj letrën tuaj të datës 6 të këtij muaji; mora gjithashtu gazetat, që përmendeshin në të, të cilat i dorëzova tek Z. Gode, i vogli, që të kujdeset për dërgimin e tyre së bashku me numrin e ardhshëm të [gazetës] Albanie.
Ia komunikova letrën tuaj Doktorit , që më ngarkoi t’ju falënderoj për adresat; përsa i përket çështjes Cilka, premtoi se do të bënte gjithçka të mundur deri në fund.
Që këtej, asnjë lajm për t’ju përcjellë; mblidhemi vazhdimisht po të njëjtët në kafe dhe presim ngjarjet; e për të shtyrë orët e pritjes, hartojmë plane strategjike nën vështrimin atëror e qesëndisës të Tahsin Pashës, një palë tek eklipson palën tjetër për pushtimin e kurdëve dhe fitoren ndaj Egjyptit!
Prej disa kohësh kemi mes nesh ImZot Kaçorrin. Veç Hysniut, ndodhen Z. Ali Bej, Sherif Frashëri dhe Mehdi Bej Zavalani, të cilët, me sa di unë, janë disi të afërm me ju apo të lidhur me krushqi. Ali Bej ka ardhur për të vizituar zonjën e tij (çupën e Eshref Beut nga Pogradeci) dhe Habdi Bej për të marrë veten nga ana shëndetësore.
Prej 2-3 ditësh ndodhet në Lozanë Surja Bej Vlora. Ajet Bej, megjithse premtoi, nuk u kthye më në Lozanë dhe me siguri ka shkuar në Korfuz pranë familjes.
I shkruajnë Abdi Beut nga Durrësi se misri shitet tetë piastra oka; ishte çmimi para zbarkimit të pjesës më të madhe të serbëve të dëbuar nga Maqedonia; tani, veç uri duhet të ketë atje. Po ashtu, i shkruajnë Abdi Beut se në postin e guvernatorit të Durrësit është emëruar Xhemil Bej Vlora dhe në kryesinë e bashkisë Qemal Bej Vrioni.
Në Berat është Sami Bej Vrioni, që mban prej mjaft kohësh postin e guvernatorit. Kurse Teki Bej Frashëri mundi t’u shpëtojë thonjve të Esatit falë punës së kryer me devotshmëri.
Ja tërë bagazhi i lajmeve të mia; por më fal, se desh harrova më kryesoren: që prej disa kohësh, jam shkëputur nga ata zotërinj, ose më mirë të them nga ajo zonjë – gazeta; s’kish si të ndodhte ndryshe, kur ju, nga ana juaj, e kishit parashikuar një gjë të tillë në kohën e duhur.
Ju pata shkruar më 15 nëntorin e shkuar dhe disa ditë më pas ju dërgova edhe një kartëpostale nga ana e Abdi Beut.
U takova dje në darkë me Hivziun; i ka mbaruar provimet tremujore dhe tani s’i mbetet veç të përfitojë gjithë gëzim nja dhjetë ditë pushime.
Përshëndetje shumë të çiltëra,
SKl [Sotir Kolea]