Dr. Elmi Berisha*/
Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra dhe të gazetës Dielli, përcjell urimet më të përzemërta për aktivitetin e sotëm kushtuar Sotir Panit, nga ku përgëzoj organizatorët për nxjerrjen në pah të figurave të shquara kombëtare shqiptare. Familja Pani nga Dardha e Korçës është ndër familjet më të shquara patriotike shqiptare që i kanë dhënë shumë atdheut dhe komunitet shqiptar në Boston, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky telereportazh mjeshtror i RTSH Korça nxjerrë në dritë kontributin historik e patriotik të familjes së nderuar Pani që shërbeu si frymëzim e vazhdimësi e trashëgimisë së shkëlqyer patriotike të shqiptarëve në Amerikë. Sotir Pani i ndarë nga jeta afro 5 vite më parë, ishte njeri model i përkushtimit patriotik, komunitar, atdhetar e fetar.
Urtësia, pjekuria, mençuria dhe fisnikëria e tij rrezatohej në çdo takim e pjesëmarrje në ngjarjet kulturore e patriotike të komunitetit në Boston e më gjërë. Përmes medias zbardhen të vërtetat, nxirren në dritë kontributet, promovohen vlerat e njerëzve patriot e humanistë, kultivohen traditat patriotike e shembujt më të mirë të komunitetit siç ishte Sotir Pani. Dokumente të familjes, histori, dëshmi të reja, fakte të panjohura e dëshmi autentike të reportazhit nxjerrin në dritë një kryevepr patriotike që mban emrin familja Pani. Kjo familje dha kontribut të madh në mbajtjen gjallë të traditave historike dhe të lidhjes së gjallë të shqiptaro-amerikanëve me atdheun mëmë, Shqipërinë e viset e tjera etnike.
Telereportazhi “Sotir Pani në gjurmët e të parëve” është një kryevepër mediatike që lë gjurmë të pashlyeshme në morien publike të komunitetit tonë. Sotir Pani e deshti Dardhën e tij, Shqipërinë e tij, Amerikën e tij, Vatrën e tij e Diellin e tij. Sotir Pani e familja patriotike Pani bëjnë pjesë në emrat e ndritur të mërgatës së Amerikës duke shënuar historinë e shqiptarëve me kontributet e tyre të përshpirtshme dhe frymëzuese. Nderim e mirënjohje për familjen Pani, për trashëgiminë e tyre të shkëlyer ndër breza dhe amanetin e tyre për të dashur përjetë atdheun e kombin tonë.
*Fjala përshëndetëse në emër të Federatës Vatra e gazetës Dielli.