Spaçi , Simboli i ndërgjegjes kombëtare, Simboli i Rezistencës Anti- Komuniste, në Shqipëri”/( Mbresa nga dokumentari historik,: “Përkujtimi i revoltave të Spaçit dhe të Qafë- Barit” , në New York)/
Nga Violeta Mirakaj/Sa herë vjen fund maji… nuk mund të mos kujtosh Revoltën e Spaçit që nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati 3 ditë, si dhe Revoltën e Qafë – Barit, nisi më 20 maj 1984…. ditë që janë pjesë të historisë së vendit tone. Këtu në New York, me nismën e një grupi ish të burgosurish dhe të përndjekurish politik, në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra” organizoi më 20 Maj 2017, Përkujtim të Revoltave të Spaçit dhe të Qafë – Barit. Kujtimet dhe plagët e shpirtit të tyre i sollën këta heronj që mundën të mbijetojnë nga kampet famëkeqe të dënimit politik.
Dokumentari historik “ Spaçi, Simboli i Rezistencës Anti-Komuniste, në Shqipëri”, përjetësoi revoltën e Spaçit; u realizua nga Pëllumb Lamaj, një ish i burgosur politik, një përjetues i kalvarit më të egër… Djaloshit që i ndërpriten ëndrrat e rinisë , dhe jeta i mori një kthesë krejt ndryshe … Shpirti e tij i ndjeshëm do shprehet:- “Trishtimin flaka sot / mbi telat me gjemba/ dhe sytë e lodhur / drejtë qiellit/ në përhumbjen / e një reje rebele/ që arratisej me shpejtësi / drejtë foleve të panjohura / ravijëzuan fytyrën tënde / e në çast / mitralozat e bajonetat / drejtuar nga ne / u shndruan në petale dashurie / Vallë pse je kaq larg / sot që është Dita e Verës / e unë trëndafilin e kuq / dot nuk ta sjell…
Zëri i narratorit, në dokumentar, në emer të qindrave të burgosur politikë,kumbon …Në një vend ku skllavëria mbrohet nga ligji, i vetmi vend ku njeriu e ndjen veten të ndershëm, është Burgu… Spaç…Pamjet e vendit ku u mbajtën të izoluar, na dalin para sysh. Shtegëtimi i grupit të ish të burgosur politikë që shkojnë drejt atij vendi të nëmur, drejt atij vendi ku kaluan shumë e shumë vite të rinisë së tyre tregojnë dhe theksojnë se e vërteta është për të vërtetën. E vërteta nuk fshihet kurrë. E vërteta nuk vdes. E vërteta nuk mohohet, ajo del ashtu siç është. E vërteta mënjanohet përkohësisht. E vërteta ka thellësi, prandaj ajo ka dhe vështirësi për të thënë të vërtetën,për të vërtetuar vetveten; thelbi i saj, substanca e saj nuk mohohet asnjeherë… Edhe se vendi ku dikur ishin dhomat që torturoheshin, apo mbylleshin të burgosurit, personat të cilët rrebeloheshin, apo ishin futur në rrethin e kuq te inkuzicionit….janë sheshuar, ka vetëm gërmadhë…përsëri, nuk mund të shuhen kujtimet kobëzeza, plagët fizike dhe shpirtërore të këtyre njerëzve. Nuk mund të harrohen ato ditë maji më 1973, ku të burgosurit shpalosën në tarracën e burgut një flamur të kuq vetëm me shqiponjën dykrenare, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak. Katër të burgosurit Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai u pushkatuan, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg , dhe 70 te tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. Nuk mund të harrohet 20 maji 1984, që pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revolta. Rreth 500 të burgosur politikë ishin të dënuar me mbi 25 vite burg, shfrytëzoheshin egërsisht dhe punonin nëpër galeritë e minierës me tri turne… Nuk duhet dhe nuk mund të harrohen masakrimi, ato skena makabre, një kamp i rrethuar nga forca te shumta ushtarake, të plagosur që keqtrajtohen…apo Sandër Sokolin, të tërhequr zvarrë në mes të kampit, të shtrirë mbi një dru, dhe trupi i tij këputet në mes….skena si në kampet e nazizmit të përshkruara me ngjyra të forta si te romani i E. Remark, “Shkëndijat e jetës”. A mund të harrohen skenat e pushkatimit të Tom Ndoi dhe Sokol Sokolit, apo të gjithë të dënuarit të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë… të cilët dhe i ridënuan. Të githa këto erdhën nëpërmjet kujtimeve të pranishëm të mbijetuar si dhe nga dokumentari; dhe treguan se gjersa ka jetë, ka edhe shpresë; gjersa ka shpresë, le të shpresojmë. Shpresa dhe jeta janë bashkë. Atdheu për ta nuk ishte iluzion, por më e madhja aspiratë; prandaj ata me revoltën dhe veprimet e tyre treguan se ishin ndërgjegjja e kombit dhe se i burgosën i sakatuan rrënjët e demokracisë dhe të lirisë nuk ishin shuar… Vendi ku i kryqëzoi ishte dhe vendi që i ringjalli….Perëndimi në atë kohë i vlerësoi revoltat dhe arriti t’i quajë Dallëndyshet e para të lirisë të kampit socialist.
Dokumentari është dëshmi e vuajtjeve, dhimbjeve, e sakrificave të tyre, por edhe dëshmi e qendresës e shpresës, e besimit se gjithmonë njeriu është më i fortë se fatkeqësia e tij, se edhe në situata pa rrugëdalje,mbetet e hapur dritarja e shpresës se njeriu që nuk thyhet shpirtërisht mund të gjejë një mundësi shpëtimi tregon dhe rrolin e sakrificat që kanë treguar familjarët e të burgosurve…Nëna, fëmijë dhe gra kanë përjetuar dhe ato kalvarin e vështirësive për t’u gjendur pranë njerëzve të tyre për t’u ardhur në ndihmë me ushqime duke grumbulluar dhe hequr me të keq nga goja e tyre, si edhe me tesha…vështirësi për të shkuar deri te telat me gjemba…vështirësi duke ecur me orë të tëra në këmbë…. dhe kjo ishte një dhimbje tjetër për shpirtrat e burgosur….dhe sot i kujtojnë me respekt e nderim
Dokumentari është një dëshmi e gjallë okulare e këtyre njerëzve që guxuan, e këtyre njerëzve që mbartnin një histori familjare patriotike, e këtyre njerëzve që me faj apo pa faj ishin të destinuar, është dëshmi e vuajtjeve, dhimbjeve, sakrificave të tyre për të mbijetuar. Pikërisht ashtu si citon dhe vetë i burgosuri artist :- Atje ku ndjenja e lirisë është më e madhe, lindin Martirët dhe një shoqëri që nuk i respekton e nderon ATA është e destinuar të vuaj në përjetësi… dhe sipas Dostojevskit : “ Nëse doni të njihni shkallën e qytetërimit të një shoqërie vizitoni nga afër burgjet e saj.”
Lekë Mirakaj, një nga ish të burgosurit politike, dhe i internuar familjarisht, si kujton ca çaste të vështira të jetës në burg, thotë :-Vitet e burgut plagë të thella në shpirtin tonë janë; i harrova dhimbjet fizike që na shkaktuan,por kurrësesi s’mund të harroj dhe të fal ndarjen nga familja, por kurrë nuk mund të harroj pamundësinë për t’ju gjendur pranë 3 fëmijëve të mi, e madhja 14 , e dyta 11 dhe i vogli 5 vjeç…u ndërpre një lidhje midis prindit dhe fëmijes, në moshën më të domozdoshme, të formimit, edukimit dashurisë dhe lidhjes reciproke; u mungova atyre, më munguan mua…dhe kjo është një dramë , dhe kjo është një plagë e pashërueshme….mungojnë ….
Askush nuk kthehet më, po ashtu siç nuk kthehet kurrë më një orë e jetuar më parë…
Eduard M. Dilo: fjala e tij eshtë në poezi e krijuar : “ Të Mbijetuarëve të Spaçit e Qaf’Barit” Ju jini Ata që mbijetuat/ Nga ajo kasaphane/ Me emër “lumturi”/ Ju jini Ata që mbartni/ ato shenja plot dhimbje/ të asaj jete skllavëri/…. Në duart tuaja/ Gjurmë kanë lënë prangat/ Telat me gjemba gjithashtu/ Në zemrat tuaja ende/ të dërmuara/ Është dhimbja për shokët/ aty /Dhimbja për ata / që s’u dihen varret/ Dhimbja për rininë e mbyllur/ në kafaz/ Për kohën që errësira/ ju mbiu në sy./ ….Ju jini Ata që sfiduat kohën/ Ata jini ju që mbijetuat/ nga ai ferr/ jini ju Heroj të pa shpallur/ Kombëtarë./ Që sfiduat diktaturën më të /egër në rruzull/ Kohën enveriane, ferr/- bunkier!
“Revolta e Qafë –Barit– Në Spaç”, kushtuar martirëve të atij burgu ferr, (pjesëtar që për fat kanë mbijetuar e janë këtu sot dëshmitarë midis nesh), të cilët duke mos përfillur vdekjen, u përleshën me dhembë, të gjakosur, të leckosur, të gjymtuar, të pa ngrënë, vetëm me shpresë te Liria. Ata heronj të vërtetë dolën mbi diktaturën, e tmerruan atë dhe në ato vite i dhanë një drithërimë të fortë asaj makine vdektare!
Etja për jetë,/ Si etja për ujë që buzët plasarit/ Më e madhe etja për Liri/ Në atë grykë mali/ Në ato shkrepa pa diell/ Në ata kafaze vetëm hekur/ e pllaga gjaku/ Me emrin e tmerrshëm qeli/ Në minierën plot tym,/ pasiguri/ Punojmë të skeletosur,/kromi që nxjerrim erën e/ gjakut tonë merr/ preke me dorë mineralin,/ Rënkimet tona /do të dëgjosh në të/ Janë vuajtje, kaluar jetës/ mesjetare/ të drobitur, leckosur, /pa bukë, /ujë ajrosje../pa asgjë/ Aty rreze malit, në luginën/ pa diell/ Shokët u zhdukën nji nga/ nji/ Rënkojnë varret pa emër,/ Mbushur plot eshtra /Shqiptari/ Rënkimi ndihet kudo…/ Ah ç’do të thotë rënkim/ varri
Historia e martirëve duhet të kujtohet dhe të vlerësohet ky është një apel për klasën politike si dhe gjithe jetën shqiptare…. Historia duhet të shkruhet dhe të kujtohet , dhe të tregohet se sado të vështira dhe të egra të jenë sistemet….ndërgjegja e kombit gjithmonë ka pasë dhe do ketë heronjtë e saj. Një komb qe s’respekton dhe që nuk njeh historinë e kombit të vet nuk mund të ketë përparim…Idetë e mëdha formohen në shpirtra të mëdhenj dhe janë këta shpirtra që e çojnë shoqërinë përpara