Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari në Arkivin Shtetëror të Kosovës: Ballina e numrit të parë të gazetës së rezistencës në Kosovë “Bujku”, të 18 janarit 1991/
Në foto: Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova gjatë intervistës ekskluzive për gazetën Rilindja dhënë kryeredaktorit Behlul Jashari në fundvitin 2002: Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë
SPECIALE/ Kosovë-Gazeta “Bujku” nisi para 26 viteve, çka shkruante në numrin e parë?
-Gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe e bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 18 Janar 2017/ Gazeta e rezistencës në Kosovë “Bujku”, që nisi të dalë pikërisht para 26 viteve, në 18 janar 1991, duke nisur edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 mars”. Në ambientet e kësaj gazete para çerek shekulli u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga dita e 24 majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste, në rrethana të rënda të okupimit e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda- zyrë e ATSH-së u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.
Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, i cili u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar” marrë nga gazeta “Rilindja Demokratike” e Tiranës e 16 janarit 1991. Në faqet e mesme botohej edhe “Kalendari historik”, që përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…
E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionat, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…
E përditshmja “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha, ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes e luftës gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale.
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek… “Filloi lufta në Gjirin Persik”, është kryetitulli në ballinë, nën të cilin lajmi me titull “Për 24 orë – 1.300 fluturime luftarake” dhe deklarata “Xhorxh Bush: Tërheqje pas fitores”… Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radiotelevizionin Shqiptar një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…
Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002.
Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para mëse 8 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014.