-Kosova tradicionalisht feston Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
-Presidenti historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova vazhdimisht uronte dhe theksonte miqësinë e gjithëmonëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Populli i Kosovës Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve e konsideron si festë të përbashkët, sepse gjithmonë ka ndjenja dashurie dhe miqësie permanente/
-Edhe në 242 vjetorin e Pavarësisë së SHBA e 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në urimet e drejtuesëve institucionalë e politikë theksohen partneriteti i veçantë e miqësa e përhershme/
-Presidenti Hashim Thaçi: Kosova është e bekuar që, njësoj sikur në çdo proces të rëndësishëm deri më tani, ka pasur mbështetjen e parezervë të SHBA-së/
-Kryeministri Ramush Haradinaj: Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
-Ambasadori i SHBA në Prishtinë, Greg Delawie: Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën/
– NË 29 MAJ 1998, PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH…/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 4 Korrik 2018/ Në Kosovë si tradicionalisht po festohet 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 10 viteve në 17 Shkurtin hiatorik 2008.
Presidenti historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova vazhdimisht uronte dhe theksonte miqësinë e gjithëmonëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Populli i Kosovës Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve e konsideron si festë të përbashkët, sepse gjithmonë ka ndjenja dashurie dhe miqësie permanente për vendin Tuaj të çmuar e të fuqishëm, simbol i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në botë”, theksonte para15 viteve, në 4 Korrik 2003, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në mesazhin me rastin e 4 Korrikut dërguar Presidentit të SHBA-ve Xhorxh Bush..
Në 4 korrik 2005, për të fundit herë, rreth 6 muaj e gjysmë para kalimit në amshim, Presidenti i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit amerikan, Xhorxh Bush me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.
Në urimin e Presidentit Rugova dërguar Presidentit Bush thuhej:
“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA, 4 Korrikut, pranoni urimet e mia të përzemërta dhe të popullit të Kosovës.
Dita e Pavarësisë së SHBA, është simbol i pavarësisë dhe i lirisë për të gjithë popujt mbi tokë. Eshtë simbol i madh dhe udhërrëfyes për vendin tim Kosovën.
Për këto gjashtë vjet në liri, me përkrahjen Tuaj, Kosova ka pasur progres të madh në të gjitha fushat e jetës.
Tash presim njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës sa më shpejt nga vendi Juaj i bekuar.
Kjo do të qetësonte popullin e vendit tim dhe këtë pjesë të botës dhe do t’i hapej dera që t’i bashkohet bashkësisë së kombeve të lira të botës së lirë.
Në Ditën e Pavarësisë të vendit Tuaj të madh e të fuqishëm si gjithmonë, Ju shprehim një falënderim të madh dhe presim përkrahjen Tuaj miqësore për vendin tim”.
Me rastin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, ambasadori në Kosovë Greg Delawie në prag të ditëfestës së 4 Korrikut ka organizuar një gosti, ku mes shumë pjesëmarrësve, drejtuesve institucionalë e poilitikë dhe personaliteteve që uronin, ishin edhe presidenti kosovar Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj.
“Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti”, theksoi ambasadori amerikan Delawie në pritje.
Ai tha se, festa e përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës më herët gjatë këtij viti ishte rast për të persiatur rreth përparimit mbresëlënës të arritur duke punuar përkrah partnerëve dhe miqve, ndërsa foli edhe për sfidat duke u shprehur se hap pas hapi, Kosova po ndërton një shoqëri përparimtare e shumetnike dhe ekonomi më të fortë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ju qëndrojnë përkrah derisa përballeni me këto sfida. Sonte, përderisa festojmë Ditën tonë të pavarësisë, e festojmë edhe miqësinë tonë me Kosovën dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një botë ku demokracitë mund të lulëzojnë”, theksoi ambasadori i SHBA-ve, Delawie.
Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi tha se, se në Kosovë, festimi i 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, është gjithmonë një ngjarje e veçantë dhe emocionale.
“Shumë bashkëqytetarë e kuptojnë dhe festojnë këtë ditë, sikur të ishte festë shtetërore e Kosovës. Kjo ndjenjë është e kuptueshme për kosovarët, për popullin dhe shtetin me pro-amerikan në Evropë dhe më gjerë”, theksoi presidenti Thaçi.
Ai tha se Kosova është e bekuar që, njësoj sikur në çdo proces të rëndësishëm deri më tani, ka pasur mbështetjen e parezervë të SHBA-së, të BE-së, dhe të të gjithë partnerëve tanë, të cilët duan ta shohin Kosovën dhe rajonin në paqe të përhershme.
“Prandaj nuk ka mënyrë më të mirë për ne, që ndihmën e çmuar që në vazhdimësi e marrim nga miqtë tanë, ta respektojnë duke punuar për paqen, fqinjësinë e mirë si parakushte të domosdoshme për integrime euro-atlantike”, theksoi presidenti kosovar.
Presidenti Thaçi në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, uroi popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë dhe rikonfirmoi zotimin për ruajtjen e marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësinë e përhershme dhe aleancën në vlerat dhe parimet që bashkojnë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot, me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, u përcjell urimet më të përzemërta Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, amerikanëve me mision në Kosovë dhe të gjithë paqeruajtësve në radhë të KFOR-it.
“Populli i Kosovës u është përjetësisht mirënjohës Qeverisë dhe Popullit të SHBA-ve, për ndihmën e pazëvendësueshme në realizimin e aspiratës historike për liri dhe pavarësi.
Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Besnikë të idealeve të lirisë dhe paqes, të cilave iu prin Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë!”, shprehet kryeministri i Kosoves Haradinaj në urim.
Në kryeqytet, Prishtinë, për nder të 4 korrikut, 242 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, Shoqata Miqtë e Amerikës ka organizuar sot aktivitete festive në Sheshin Bill Clinton, ku Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës ngritë solemnisht Flamurin Amerikan, i cili është gjithmonë i ngritur dhe në valim, ndërsa do performojë Kori i Grave Nexhmije Pagarusha. Kartolina të punuara enkas për 4 Korrikun 2018 dhurohen për qytetarë, si dhe për ushtarë amerikanë në Kampin Bondsteel.
Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 qershor 1996.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 10 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Pak diteë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit që ende vazhdon.
NË 29 MAJ 1998, PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH…
Në mbrëmjen e 24 marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.
Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…