Ne Foto: Shqiptaret gjate Luftes se Pare Boterore, ne radhet e ushtrise Austrohungareze. Foto e publikuar nga Revista “Perparimi”, New York, Qershor 1916. Fotografia ka kete nenshkrim:” Vetedashes shqiptare, bashkeleftojne me Austro Germanet, kundra serbeve. /
PARIS, 6 shkurt /ATSH-AFP/ – Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik 1914 dhe zgjati deri më 11 nëntor 1918. Konflikti i parë i madh botëror i shekullit XX, “Lufta e Madhe”, që mobilizoi 70 milionë ushtarë nga të gjitha kontinentet, shkaktoi vdekjen e 10 milionë personave, plagosjen e 20 milionë të tjerëve dhe rënien e katër perandorive (ruse, austro-hungareze, gjermane dhe otomane).
Më poshtë vijojnë datat më të rëndësishme të kësaj lufte:
1914
28 qershor – Vritet në Sarajevë trashëgimtari i fronit të Austro-Hungarisë, Franc Ferdinandi i Habsburgëve, nga një student nacionalist, i serbëve të Bosnjes, Gavrilo Princip.
28 korrik – Lojërat e aleancave mes fuqive të mëdha do të trondisin krejtësisht botën me një konflikt të paprecendetë. Austro-Hungaria i shpall luftë Serbisë. Në datën 30 korrik mobilizohet Rusia e cila do që të mbrojë Serbinë, të cilën e ka aleate strategjike.
1 gusht – Gjermania dhe Franca dekretojnë mobilizimin e përgjithshëm. Gjermania i shpall luftë Rusisë.
3 gusht – Gjermania i shpall luftë Francës. Trupat gjermane pushtojnë Belgjikën që kishte shpallur neutralitet.
4 gusht – Britania e madhe i shpall luftë Gjermanisë.
19-24 gusht – “Beteja e Kufijve”, në kufirin franko-belg në veri dhe atë franko-gjerman në lindje, trupat franceze dështojnë dhe tërhiqen me 200 kilometra për t’u riorganizuar në Marne. Data 24 gusht do të jetë dita kur trupat franceze humbasin më shumë njerëz gjatë gjithë luftës, rreth 27 mijë.
23 gusht – Japonia i shpall luftë Gjermanisë.
26-30 gusht – Beteja e Tanenbergut, gjenerali gjerman Hindenburg rrethon trupat ruse, që kishin sulmuar më 17 gusht, më herët se sa kishte parashikuar Berlini, në frontin e Prusisë Lindore.
6-9 shtator – Beteja e Marnesë, ku një kundërofensivë franko-britanike bllokoi avancimin e Gjermanisë vetëm 40 kilometra larg Parisit duke i shtyrë drejt veriut. Rreth një milion ushtarë aleatë përballen me 800 mijë gjermanë. Gjatë luftimeve pati rreth 500 mijë të vdekur dhe të plagosur.
Shtator-Nëntor – Në frontin lindor është duke u zhvilluar “gara për detin”, mes trupave franko-britanike dhe atyre gjermane, të cilat përpiqen që të rrethojnë njëra tjetrën, në 17 nëntor luftimet u kryen në Detin e Veriut. Fronti që tashmë shtrihej deri në kufirin zviceran, nuk do të ndryshojë më deri në pranverë të vitit 1918. Fillon lufta e transheve, që kishte si synim mbrojtjen e kufijve lindorë dhe jugorë. Ky lloj luftimi do të zgjasë gjatë gjithë konfliktit.
1 nëntor – Perandoria Otomane hyri në luftë në krahë të Perandorive të Qendrës, pasi frenoi anvancimin e trupave ruse dhe e izoloi atë.
1915
18 mars-dhjetor – Fillon një ofensivë detare dhe tokësore e Aleatëve në Dardanele, që kishte për synim lirmin e ngushticës dhe goditjen në zemër të Perandorisë Otomane, por doli një dështim i plotë. Më 25 prill, trupa angleze, neozelandeze, australiane dhe franceze zbarkuan në gadishullin Galipoli por u bllokuan nga forcat turke. Ato do të evakuohen përfundimisht në janar të vitit 1915. Gjatë këtij operacioni humbën jetën 180 mijë aleatë, mes të cilëve 30 mijë francezë ndërsa nga pala tjetër, 66 mijë turq. Fronti jugor do të mbetet i bllokuar deri në vjeshtën e vitit 1917.
22 prill – Gjermanët fillojnë sulmin e parë me gaz toksik kundër trupave franceze dhe kanadeze pranë Ypres në Belgjikë.
24 prill – Arrestohen dhe masakrohen më shumë se 2 000 armenë në Konstandinopojë. Ky është fillimi i gjenocidit armen në Perandorinë Otomane që do të marrë jetën e 1,5 milionë personave deri në vitin 1917, por 250 mijë deri në 500 mijë sipas Turqisë.
7 maj – Fundoset transatlantiku britanik ”Lusitania”, në brigjet e Irlandës nga një nëndetëse gjermane ku u mbytën 1 198 persona, mes të cilëve 128 amerikanë, veprim ky që tronditi demokracitë perëndimore.
23 maj – Italia hyn në luftë përkrahë Aleatëve
5 tetor – Zbarkonjnë trupa aleate në Selanik. Hyn në luftë Bullgaria përkrahë Gjermanisë.
1916
21 shkurt – Fillon beteja e Verdunit me një ofensivë gjermane që thyen linjat franceze. Trupat franceze nëpërmjet luftimeve të përgjakshme që zgjatën deri në qershor, arritën të mbajnë nën kontroll sulmin gjerman. Të paktën 300 mijë ushtarë francezë dhe gjermanë vdiqën në “ferrin e Verdunit”, që simbolizon në kujtimet e francezëve heroizmin e “poilus” (quanin francezët në mënyrë informale trupat ushtarake tokësore).
9 mars – Marrëveshjet “Sykes-Picot” vendosin në Lindjen e Afërt zonat e influencës franceze dhe angleze.
7 qershor – Fillon revolta arabe kundër Perandorisë Otomane, e nxitur nga britanikët dhe kryesisht nga i famshmi “Lorenci i Arabisë”.
1 korrik – Fillon beteja e Sommesë, më e përgjakshmja e Luftës së I Botërore, ku më shumë se tre milionë trupa përballen deri në 18 nëntor. Më 15 shtator, britanikët përdorën për herë të parë tanket. 1,2 milionë trupa vdiqën, u plagosën dhe u shpallën të humbur gjatë kësaj beteje, e shenjtëruar në Britaninë e Madhe por edhe në Gjermani.
1917
1 shkurt – Fillon lufta nëndetare me përparësi të Gjeramanisë, kjo solli edhe prishjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në.
8-15 mars – Revolucioni Rus (i quajtur edhe “Revolucioni i Shkurtit” sipas kalendareve Julianë që përdoreshin në atë kohë në Rusi). Rrëzohet dinastia e Romanovëve dhe cari NiKolla II abdikon.
6 prill – SHBA-ja hyn në luftë kundër Gjermanisë pasi kjo e fundit fundosi shumë anije amerikane në oqeanin Atlantik.
16 prill-9 maj – Dështim i thellë i një ofensive franceze në “Rrugën e Zonjave”, në frontin e Shampanjës, ku humbën jetën me mijëra ushtarë vetëm në pak ditë. Manifestime të ndryshme filluan në radhët e ushtarëve francezë. Edhe ushtritë e vendeve të tjera do të goditen gjithashtu nga manifestime dhe pakënaqësi gjatë gjithë vitit.
5-6 nëntor – Revolucioni i dytë rus (“Revolucioni i Tetorit”) sjell Leninin dhe komunistët bolshevikë në pushtet.
9 dhjetor – Britanikët hyjnë në Jerusalem, një muaj përpara deklaratës së Balfurit, ku Britania e Madhe deklaroi se ishte pro krijimit të një vatre për popullin izraelit në Palestinë.
15 dhjetor – Nënshkruhet një amnisti në Brest-Litovsk mes Rusisë dhe Perandorive të Bllokut. Rusia më pas do të shtyjë nënshkrimin e Traktatit të Paqes që parashikohej më 3 mars 1918, pasi Gjermania kishte hyrë në thellësi të territoreve ruse.
1918
8 janar – SHBA-ja shpall hyrjen në luftë me një deklaratë të njohur si “Katërmbëdhjetë Pikat”, që do të shërbejë si bazë për traktatet e pasluftës. Ndërhyrja ushtarake amerikane, që do të fillojë në pranverë, do të jetë vendimtare për t’i dhënë fund luftës.
21 mars – Gjermanët lëshojnë sulmin e parë të një serie prej katër ofensivash, në frontin perëndimor, me shpresën që të arrijnin fitoren pëpara se trupat amerikane të zbarkonin. Ata arritën të thyejnë frontin për herë të parë që prej vitit 1914, duke kërcënuar sërisht Parisin. Francezët dhe britanikët u tërhoqën por arritën të rezistojnë.
15 korrik – Kundërofensivë fitimtare e Aleatëve në Villers-Cotterêts, ku mbështetja e trupave amerikane dhe përdorimi i tanKeve shtynë trupat gjermane përtej Marnesë, këtu fillon një tërheqje e Gjermanisë pa kthim, që përfundon me nënshkrimin e armëpushimit. Trupat aleate avancuan gjithashtu edhe në Ballkan dhe në frontin lindor.
Shtator-Nëntor – Bie një pandemi gripi e quajtur “gripi spanjoll” që do të shkaktojë vdekjen e më shumë se 20 milionë personave në të gjithë Evropën brenda dy viteve.
30 tetor – Perandoria Otomane kërkon një armëpushim, që do të ndiqet më 3 nëntor nga Austro-Hungaria.
9 nëntor – Perandori Vilhelmi II abdikon. Filluan manifestime të fuqishme në Berlin.
11 nëntor – Aleatët fitojnë. Armëpushimi me Gjermaninë u nënshkrua në një vagon, në Rethondes, dhe hyri në fuqi në orën 11:00. (materiali u mor nga ATSH)