




-Presidenti Thaçi: Kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, sot iu shtua edhe busti i sekretares Albright dhe pllaka e Bulevardit ‘Bill Clinton’. Bashkë me shtatoren e Presidentit Clinton, rrugët Bush dhe Dol, ne po e përjetësojmë admirimin e popullit të Kosovës për kontributin përcaktues të SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë tonë. Jemi të bekuar me miqësinë amerikane!/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 12 Qershor 2019/Festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës kanë vijuar edhe në orët e pasditës së sotme, me pjesëmarrje edhe të Presidentit Amerikan Bill Clinton dhe Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright. U bën nderime para monumentit të KFOR-it, për të vazhduar pastaj me vizitën e Fotoekspozitës së Lirisë.
“Ecje për liri” ishte ecja e personaliteteve të larta ndërkombëtare dhe vendore në Prishtinë nga Sheshi Nëna Terezë deri te Busti i Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn. Kështu u bë edhe përurimi i Bustit të Sekretares Albright.
Në vijim të festës personalitetet e larta ndërkombëtare e vendore shkuan te Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton, e përuruar në 1 Nëtor 2009 në bulevardin me emrin e tij në Prishtinë. Sot afër shtatores u bë zbulimi i pllakës me emrin “Bulevardi Bill Clinton”.
“Kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, sot iu shtua edhe busti i Sekretares Albright dhe pllaka e Bulevardit ‘Bill Clinton’. Bashkë me shtatoren e Presidentit Clinton, rrugët Bush dhe Dol, ne po e përjetësojmë admirimin e popullit të Kosovës për kontributin përcaktues të SHBA-së për lirinë dhe pavarësinë tonë. Jemi të bekuar me miqësinë amerikane!”, deklaroi me këtë rast Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.
Ndërsa, Kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh: “Populli i Kosovës, qytetarët tanë, institucionet tona, të ndërtuara në shtetin e lirë të Kosovës, sot iu bashkuan me dinjitet dhe festuan me qytetari të lartë, shënimin e 20 vjetorit të NATO-s, ashtu siç e meriton, një vend i lirë, demokratik dhe i rreshtuar përkrah aleatëve tanë. Faleminderit qytetarë të dashur. Faleminderit Kosovë!”.
Në Prishtinë sot në mbrëmje është edhe një aktivitet tjetër: Konferenca Ndërkombëtare e Sigurisë “20 Vite Liri: Një Vizion për Paqe të Qëndrueshme”.
Në Kosovë, në kuadër të manifestimeve për 20 vjetorin e hyrjes shpëtimtare-humanitare të NATO-s, që nisi në Ditën e lirisë e paqes – 12 Qershor 1999, organizohen aktivitete edhe nga komunat.
Në Prishtinë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në bashkëpunim me Komunën, Panairi i librit “Prishtina 2019”, edicionin e 21-të, ishte pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për festimet e 20 vjetorit të çlirimit të kryeqytetit kosovar.
Në Prizren, qytetin e Lidhjes Shqiptare, gjatë ditës së sotme mbahet Akademi solemne dhe ndahen dekorata në sallën e Asamblesë Komunale, ndërsa në mbrëmje mbahet Koncerti i Lirisë i shoqërive kulturore-artistike prizrenase dhe Ansamblit Popullor të Tiranës në Sheshin Shatërvan. Para mesnate bëhet edhe lëshimi i fishekzjarreve festive nga Kalaja e Prizrenit.