
Nga FEDERICO RAMPINI
Në pragun e Olimpiadës së saj dimërore, Pekini e paraqet vehten si qëndër e një gjithësie alternative. Është një botë e përmbysur kundrejt paraqitjeve perëndimore, duke filluar nga sporti. Skandali i sulmit seksual tenistes Peng Shuai – që pati një shikueshmëri tepër të shkurtër në social mediat kineze – është fshirë nga një tjetër heroinë kombëtare, skiatorja e re Eileen Gu. Hijeshia e historisë së saj është kjo: Gu, tetëmbëdhjetë vjeçare, ka lindur në Shtetet e Bashkuara dhe në malet mbi liqenin Tahoe (Kaliforni-Nevada) ka filluar kariera e saj e shkëlqyer në specialitetin e trampolinës akrobatike ose freestyle. Por së fundi ka zgjedhur të garojë për kombin e nënës së saj, që është kineze. “Atdhetarizmi i saj Han” i mbush me krenari bashkatdhetarët. Aq më tëpër se si e re amerikane Gu është rrjeshtuar me dogmat e “politically correct” të brezit të saj. Ka marrë qëndrim në dobi të lëvizjes kundër-raciste Black Lives Matter dhe ka bashkëndarë teorinë, simbas së cilës, aziatikët-amerikanë janë edhe ata viktima të urrejtjes kundrejt të huajve e të dallimeve. E vërteta është krejt e kundërt: pikërisht në Kaliforni pakica aziatike që shkëlqen në të gjithë nivelet shkollore dhe është e mbi-përfaqësuar në elitat akademike ose profesionale, lufton kundër “kuotave etnike” që do të duhej të favorizonin të Zinjtë. Nuk ka rëndësi: Gu ka thënë gjërat e drejta për t’i pëlqyer Xi-së. Nëse do t’arrijë të fitojë ndonjë medalie do të ketë shumë kuptime. Është simboli i një diaspore kineze që ndjen t’i përkasë mbifuqisë në ngjitje.
Në ballin gjeopolitik, Vladimir Putini do të jetë në Pekin për të nderuar Xi-në. Kjo do të thotë se udhëheqësi rus pothuajse me siguri do të respektojë armëpushimin olimpik, duke u tërhequr nga lëvizjet ushtarake në Ukrainë. Nëse Evropa dhe Shtetet e Bashkuara mund të fitojnë kohë, kjo i kushtohet kalendarit kinez. Edhe kjo paraqitet si shenjë simbolike se qëndra e botës po zhvendoset. Rusia nuk qe aq e kujdesëshme në 2008, kur “ndoti” hapjen e Olimpiadës verore të Pekinit, me luftën në Gjeorgji. Kur të jetë mbyllur armëpushimi olimpik, Putini din se ka një strehë përballë sanksioneve të mundëshme perëndimore. Kina dhe Rusia po ndërtojnë një sistem financiar alternativ kundrejt atij që ka si strumullar dollarin. Përdorimi i renminbisë kineze vazhdon të shtohet në shkëmbimet tregëtare me të gjithë bashkëpuntorët e Republikës popullore. Të tjerë Vënde, nga Irani tek Venezuela, kanë treguar se mund të zbusin goditjen e sansioneve perëndimore duke u zhvendosur drejt botës së re që ka qëndrën e saj në Pekin.
Xi ka përfituar nga pragu i Lojrave për të zhvilluar një bisedë ideologjike të një profili të lartë. Ka pohuar se demokracia e vërtetë është e tij dhe jo e jona. Ka sajuar një shprehje për të përshkruar sistemin e tij politik: “Demokracia e proçesit të tërësisë integrale”. Thotë se Republika popullore ka një demokraci me pjesëmarrje të gjërë, ndërsa Perëndimi është ngulitur tek rrethi zgjedhor a thua se vlen vetëm ai. Xi ve përballë dy botët mbi bazën e “rendimentit”, të rezultatit: për të është e dukëshme që Kina qeveriset shumë më mirë, me pasoja spikatëse mbi mirëqënien e popullsisë, ndërsa Amerika dhe Evropa janë të mbërthyera në një rënie kaotike. Tani kërkon të na marrë edhe flamurin e fundit, termën “demokraci”. Nuk ka gjasë të shohë t’i prishen Lojrat nga fushatat mbi të drejtat njerëzore. Ndonjë Ojq perëndimore ngulmon të tërheqë vëmëndjen mbi dhunimet e pësuara nga pakicat në Hsiniang (uigurët myslimanë) ose në Tibet, apo nga shkatërrimi i Shtetit të së drejtës në Hong Kong. Janë zëra në shkretëtirë, asnjëri nga sponsorizuesit amerikanë nuk ka tërhequr markën e tij nga këto Lojra.
Beteja për të “asgjësuar Kovidin” fsheh vështirësi reale për Xi-në, duke filluar nga efekti i pakët i vaksinave të prodhuara në Kinë, nga prapambetja e sistemit shëndetësor që nuk i lënë shumë alternativa Vëndit: çdo vatër infeksioni, sado e vogël përballohet me shtrëngesa të tmerrshme. Për të dytin vit rradhazi të mërguarit e brëndshëm nuk mund të bashkohen me familiarët për festën e Vitit të ri hënor. Këta kontrolle të skajëshme në fuqi prej dy vitesh sjellin një efekt anësor: regjimi përdor apet shëndetësore për të përsosur kontrollin dixhital mbi popullsinë e kështu ai mendon të “asgjësojë kundërshtinë”.
Është gjithmonë i rrezikëshëm mirëbesimi në fasadat e jashtëme të regjimeve autoritare. Çensura dhe propaganda kineze kanë arritur një efektshmëri teknologjike të shquar dhe pengesat në punën e shtypit ndërkombëtar pakësojnë shumë daljen e lajmeve të këqia. Problemet e ekonomisë kineze janë të rëndësishme: nuk arrin të shpëtojë nga vartësia e tregjeve të huaja, konsumi i brëndshëm vuan nga Kovidi, sektori i ndërtimeve zhytet nën një mal borxhesh. Fakti që Gjermania po rrëshqet drejt një rënieje ekonomike, pjesërisht i detyrohet dobësisë së tregut kinez. Por gjatë Lojrave tregimi zotërues do të bëjë të harrohen këto hije.
“Corriere della Sera”, 31 janar 2022 Përktheu Eugjen Merlika