
Irena Dragoti/
Nga ngjarjet më të mëdha në historinë kombëtare mbetet nënshkrimi i marreveshjes së Rambujesë, për çështjen e Kosovës. Jo pak herë kam pyetur veten nëse do mundësohej kjo pa ndihmën e një gruaje, një zonje të madhe të mendimit botëror diplomatik si Madlene Albright? Dhe po kaq herë kam gjetur përgjigje në fuqinë e asaj gruaje. Dhe fuqia e saj nuk ishte vetëm shtetërore , por prej nëne, gruaje, motre pasi gjatë gjithë përpjekjeve Ajo e trajtoi zotin Hashim Thaçi si birin e saj , jo si politikan dialogu. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se ku fillonin dhe mbaronin kufijtë midis diplomates, sekretares së shtetit Amerikan, gruas, nënës, apo motrës në detyrat e saj. Ajo ishte grua e bukur pasi të tilla kishte idealet! Prej pranisë së saj në skenën politike kam formuar standartin e gruas në raportin “Gruaja dhe politika”. Por shoh se ky standart i rri ngushtë gruas shqiptare në politikë!
Në historinë e botës megjithë pengesat gratë kanë mundur të tregojnë fuqinë e tyre në mënyra të ndryshme. Madje mendoj se ndryshimi pozitiv i botës kryesisht ka ardhur nga politikëbërja e tyre. Shpesh ju ka munguar përfaqësimi por kjo nuk e ka zbutur forcën e tyre duke rritur ndjeshëm rolin e tyre në rrugë e mjete të tjera. Kujtojmë fuqinë e Eleanore Roosevelt , bashkëshortes së Franklin D Roosevelt , e cila pati ndikim në jetën sociale Amerikane me pozitivizmin, dashurinë për të bukurën dhe deshirat e saj për të ndryshuar botën.
Roli i gruas sot varet deri diku edhe nga vendet ku ajo jeton. Herë- herë ai është real e jo pak herë vetëm dukje. A është Ballkani Perëndimor apo vendet ish-komuniste të lindjes ilustrim i këtij dyzimi? Mjerisht po, pasi fasadat e ndërtuara bukur me gra në poste politike vetëm idenë të japin të tillë. Jopakherë ato janë kukulla që zbatojnë verbërisht vijën politike dhe interesat e liderit kryesor, përndryshe si magji” zhduken”nga skena politike. Dhe në mes të kësaj farse ato tentojnë stilin burrëror në politikëbërje duke fashitur feminilitetin, moralin e gjenerimit të jetës duke harruar modelin që duhet të përcjellin duke lënduar të bukurën, butësinë dhe balancimin e gjakrave të nxehtë në ato vende ku korrupsioni është shndërruar në religjion.
Roberto Saviano në librin e tij “Mafia dhe politika” thotë -Ndiq paranë, për të gjetur korrupsionin-Por shumë zonja në politikë kanë ndjekur korrupsionin për ta gjetur paranë me dëshirën e fuqisë dhe arrogancës politike. Në këtë pikë unë mendoj, se kemi barazi gjinore madje mund të jemi etalon evropian, pasi gratë tek ne kanë epërsi. Shembuj me vajza në gjendje të vështirë ekonomike në fillimpolitikëbërje sot i kemi pronare vilash, biznesesh milionadollarë vetëm si rrogëtare. Për herë të pas 34 vitesh ndoshta më duhet ti jap të drejtë Marksit kur thotë:” Para se bësh politikë më trego ku e fut kokën në mbrëmje dhe ku punon”.sepse kështu ekziston mundësia të mendosh edhe për mua.
A është njëjtë vizioni i politikëbërjes nga gruaja në perëndim? Statistikat e historia flasin ndryshe.
Merkel kjo grua e hekurt më jep versionin absolut të korruptimit zero në politikë. Që nga aparenca deri në mënyrën e jetesës kjo zonjë, do bindte gjithkënd pse duhet ta votojë! Ka dy lloje korrupsioni thotë gjykatësi mendimtari e filozofi francez Montesquieu në shek e 18: -1 kur njerëzit shkelin ligjet.- 2 kur ligji korrupton njerezit. A i gjejmë të dyja këto në 34 vite në gra të politikës shqiptare ? A janë tjetersuar nën magmat e sistemit duke e bërë atë strehën e arrivistëve?
A ka më feminilitet, qytetari, kur si mendim të parë në kokë sapo i afrohesh politikës, ti zonjë mendon paranë , dhe jo Eleonore Rousvelt apo Merkel?
Shumë nga ato politikane që ia kanë “parë hajrin “politikëbërjes nuk e lëshojnë më vendin e shumë nga ato që sapo i janë afruar shkallnares ku rrëzohen vlerat evërteta, shtyhen të marrin copën e tyre.
Politika e sotme, është më praktike. Bëjmë solidaritet për ideale, interesa, mendjengushtësi apo servilizëm. Edhe pse lëvizjet feministe, trumbetojnë arritje ka vend për beteja për solidaritetin femëror sidomos kur vijnë periudhat zgjedhore . Mungesa e tij është njëjtë si mungesa e nderit mes hajdutëve por nëse do ekzistonte si gjurmë e fisnikërisë femërore përfitimet do ishin akoma më të mëdha për gratë eangazhuara.
Në 34 vite prosperiteti i vetëm i shoqërisë shqiptare është reformimi i gruas nga një simbol i jetës, së bukurës, dashurisë, paqtimit në “ zbuluese thesaresh” për tu pasuruar me çdo kosto, herë deri në shkatërrim të familjes, moralit shoqëror me moton se paraja i zgjidh të gjitha hallet…
Po vërtet, hallet e tua, po ato të grave që të zgjodhën dikur, apo të atyre që sot ju kërkon votën duke buzëqeshur ëmbël kush do ti zgjidhë???
Më jep një model të së shkuarës tënde si idealiste të të besoj për të nesërmen pasi fjalët më kanë lodhur.
Ju shoh në fushatë sipas parametrave evropianë në dukje e shifra por më besoni kam frikë nga ju si gjini sepse historia e 34 viteve e ka mjeruar besimin tim.
Kam frikë edhe nga fillestaret sepse udha ku hedhin hapat, duhet pastruar më parë nga ky sekt i ndotur ! A do mundeni ju?
Femrës i rrinë mirë idealet, i shkon ti japë aromë rigjenerimi të pushtetit, pa shkelur besimin e gjinisë së saj për përfitime personale i shkon të mos plaçkitë gjininë e saj në besim në shpresë në mjete monetare. Gruaja është themeli i familjes, që ka barazinë për frymë, shpirti i një shoqërie të drejtë dhe e ardhmja e një kombi të ndershëm, është reaksion zinxhir. Askush nuk ka mbetur gjatë në histori nga mënyrat e pasurimit por nga të jetuarit me ideale!