Kur do të ishte 90 vjeç.
Nga Visar Zhiti
E dëshirueshme shumë, po dhe gëzueshëm normale do të kishte qenë që familja e Pjetër Arbnorit dhe miqtë, por dhe Shqipëria sot, të sillnin tortën e ditëlindjes së tij me qirinjtë me numrin 90 që do të tregonin moshën dhe ai në krye t’u frynte për t’i shuar mes haresë dhe brohërimave dhe të ngrinte gotën e verës si bashkëshort dhe prind dhe gjysh, por dhe si bashkëvuajtës i lartë në burgjet e rënda të një diktature barbare, si deputet më pas dhe kryeparlamentar dinjitoz por dhe si shkrimtar i veçantë. Po ai iku i qetë dhe me një heshtje të mistershme 19 vjet më parë duke i lënë të gjitha, edhe për të mos shqetësuar, por në rregull me veten dhe botë…
RIKTHIMI I STATUJTË
Rikthimi si statujë i Pjetër Arbnorit para Parlamentit që udhëhoqi si Kryetari i parë i tij në Shqipërinë postdiktatoriale, pluraliste dhe demokratike ishte ngjarje me rëndësi, do të thosha, por jo se erdhi fryma e tij, s’ishte ringjallje, pavarësisht se në zemrën e familjes së tij ai është përherë si dhe te miqtë, bashkëvuajtësit dhe bashkëpunëtorët…Edhe si statujë prapë Pjetër Arbnori është më i mënjanuari, për të mos thënë më “i persekutuari” i statujave aty përreth, pas lulishteve në rruginën ku rojet me armë nuk i lejojnë kalimtarët, përveçse deputetët, i vendosur para murit të ngrehinës së Parlamentit, që duket e ulët dhe fare e mpakur, jo vetëm pse në krah të saj është ngritur xhamia më e madhe në Ballkan, por dhe prej cilëlisë së deputetëve brenda.
Statuja e Pjetër Arbnorit u duhej, por jo më Pjetër Arbnori dhe çuditërisht atë e sollën jo bashkëpunëtorët e tij, partia e tij, por kundërshtarët, ata të partisë, që kur ishte e vetme, e burgosi.
Tashmë në bronz, statujë, gjithsesi na (ri)kujton atë se sa njeri ai ishte, e kundërta e bronzit, shumë njerëzor, ndërkohë dëshmitar dhe kundërshtar i paepur i së keqes, qendrestar në burgje dhe triumfator për të gjithë bashkëvuajtësit e tij.
E sulmuan, e përfolën? Po. E deshën dhe e nderuan? Po, dhe më shumë…
E krahësuan me Nelson Mandelën, e ka patur më të vështirë se ai, them unë. Mandelës i thoshin që po të ndërronte mendim e qendrimet, e lironin nga burgu. Me të burgosurit shqiptarë nuk kishte tolerime të tilla dhe ishin të ndaluara rreptësisht idetë.
Václav Havel në burg kishte makinë shkrimi në dhomën ku e mbanin mbyllur, për të burgosurit shqiptarë kishte vetëm makina torturash dhe punonin si skllevër kampeve, në miniera të tmerrshme, etj, etj.
* * *
Pjetër Arbnori është një dukuri, mund të themi. Sa e veçantë, po aq dhe shembëlltyrë. Erdhi nga terri i thellë i dënimeve dhe u bë i njohur në postdiktaturë, në tranzicionin e vështirë, që s’mbaron, teksa i ishte bashkuar lëvizjes për demokraci duke u bërë dhe lider i urtë. Ashtu mbeti, dinjitoz, me luftë të brendshme, jo revolucionar, që besoj se nuk e honepste më, por ai shkaktonte dhe shamatë përreth, jo vetëm nga opozita e tij. I ngadaltë, po i sigurtë. I dijshëm, pa shumë fjalë, por dhe polemist dhe orator. Edhe shkrimtar Dha më shumë se ç’mori. Donin më shumë prej tij, por aq ishin mundësitë. Realitetit i dha praninë emblematike tonën. Donin të harrohej, befas kur s’pritej, u kthye i statujtë. Që edhe ajo përflitej. Ai përsëri hesht, shumë e më shumë.
Na ka lënë disa libra për të cilat një studiues në Itali, Prof. Giuseppe Gradilone, kur ishte Drejtor i Katedrës së Albanalogjisë në Universitetin “La Sapienza” në Romë shkruante se Arbnorin nuk e çoi letërsia në liri, por robëria, burgu e çoi atë te letërsia.
29 vjet burg. Më shumë se mosha e shkrimtarit, bashkëqytetarit të tij, Migjenit.
Qendresa e Arbnorit, fati i tij, lartësimi dhe ndihmesa, të harruarit dhe rikthimi janë me interes, vërtet përbëjnë një dukuri, ku më shumë se sa Arbnorin, kuptojmë kohën, ecurinë e saj dhe të tjerët, ata që bëjnë kohë dhe si. Dhe me Arbnorin kuptohet Shqipëria e sotme, demokracia e saj, mes traumave dhe shpresave, mashtrimeve dhe arritjeve, humbjeve dhe harresës, lirisë dhe kaosit në dyert e mbyllura të Europës.
Ai, Arbnori, është pjesë e historisë bashkëkohore ashtu si mes atyre që e njohën dhe punuan, që e deshën dhe e sulmuan, atëhere dhe prapë që i përballi urtësisht në gjallje dhe ende më urtësisht i statujtë.
Statuja e tij ashtu e mënjanuar, që sikur është bërë më shumë për të mos u dukur se sa për t’u dukur, prapë thotë dhe shqetëson kujtesën, jo vetëm parlamentare, të akademisë aty pranë, të rojeve me armë, të partisë së tij, që proteston, do të meritojë atë fitore kur kishte në gjirin e saj Pjetër Arbnorin, – e deshën apo u duhej (?!) – Arbnori shqetëson gjithsesi pushtetin, qoftë dhe me atë thënien anekdodike që “socialistët nuk janë socialistë, por specialistë”, pra mungonë idealet, etj, etj, por në fund të fundit Arbnori bëri që të bashkohen simbolikisht përballë statujës së tij.
Por më shumë se sa statuja, Shqipërisë i duhet Fryma e bashkëvuajtësve të Pjetër Arbnorit, idealet e tyre dhe ëndrra, sepse dhe kundërshtarët e tyre janë të detyruaf dhe kanê interes atë Shqipëri për të cilën ata u persekutuan, por qendruan, u martirizuan, por triumfoi ideali i tyre dhe kryeministri tani mund ta thotë me zë të plotë se cilët ishin në anën e drejtë të historisë. Kurrsesi ata që sollën tiraninë. Prandaj dhe u desh dhe s’u pengua metamorfoza e tyre antikafkiane…
ARBNORI-NJERI, NJËRI NGA NE.
…e njoha dhe punova me atë, do të doja të thosha diçka, grimca ndodhish, që mendoj se shpjegojnë më përtej. Më thërrasin qendresa dhe dëshpërimi i tij i fundmë, triumfi dhe zhgënjimet, urtësia e tij thërret po aq shumë.
Së pari emrin “Pjetër Arbori” e dëgjova në burgun e Spaçit, ma tha këngëtari Sherif Merdani… atje në Burrelin e zymtë, muretrashë është dhe ai… di shumë, i urtë…
Emri i tij më kumboi mirë, sikur bashkohej e shenjta me arbëroren. E si mund të futej në burg ai emër? Shkruante dhe përkthente, thoshin. Tregimeve dhe romaneve të tij u vinte emër shkrimtari të huaj, sikur ishin përkthime. Me emër tjetër ai ishte regjistruar dhe në universitet, sepse nuk i lejoheshin studimet e larta për shkak të biografisë, ia kishin pushkatuar babanë. Pastaj dhe atë e dënuam me pushkatim se donte të themelonte një parti tjetër, klandestine, demokratike. Pushkatimin ia kthyen në burgim të përjetshëm..
Me emër tjetër universiteti, pastaj parti tjetër e fshehtë dhe me emër tjetër romanet e tij në burg, të gjitha për të mos u tjetêrsuar si njeri së brendshmi.
Por s’ishin tjetër qëndresa e tij në një jetë pa jetë, guximi i të qenit sa më njeri dhe në ferr, kur s’lejohej, mbrojta e vetes, ngjitja e copave të thyera, dinjiteti i natyrshëm, grevat e urisë në burg dhe në parlament, drejtimi i tij me urtësi të hekurt, përballjet me sulmet e egra të kundërshtrve dhe diabolike të të vetëve.
* * *
Dua të risjell këtu copëza rrëfimesh domethënëse, i nxora nga harresa. Njeëra është te burgologjia ime “Rrugët e ferrit”.
1.
DUHANI I PJETRIT…
Burrë i ditur në Burrel (në burg), thonë, është Pjetër Arbnori. Prift është ky? Jo, ka qenë mësues. Shkruan romane. Po ta pëlqeu shkrimin Pjetri, ta dish, ka vlera.
– Kush do të bëjë poezinë më të bukur për dritën e hënës, do t’i jap atë 1 kg duhan që më ka ardhur nga shtëpia, – u thotë Pjetri shokëve të dhomës së vet.
Vërtet ç’ujëvarë drite, një tuberkuloz i florinjtë dergjej në frëngji! Kurse hëna s’dukej, jo se e kishin zënë retë, por muret ciklopike. Drita e hënës sikur gurgullonte nga ajo copë nate përtej.
U përzgjodh juria (me të burgosur). U mblodhën poezitë, copa letre, copa lëkure, shpirti… ca ishin gati, dikush po donte të përshtaste një tjetër a të bënte të re. Dhe si më e bukura u zgjodh ajo e kolonjarit Luan Burimi. Po ky e ka poezinë në mbiemër. Në emër ka luftën. Ngjan pak me të Alfred De Myse. Jo, jo, është origjinale. Ka frymëzimin popullor të krahinës së vet. Është stili i tij kështu. Urime, Luan! E mrekullueshme ideja jote, Pjetër, për këtë konkurs në burg!
Asnjë gazetë nuk do të shkruajë, s’do të flasin radiot, televizioni. Poetët jashtë, ata të realizmit socialist, marrin çmime të mëdha, me poema për diktatorin, për komunizmin, Partinë, u japin dekorata atyre, pará, studio, udhëtime jashtë shtetit. E ata asgjë nuk thonë, jo protestë, jo, por as një mërmërimë. Të paktën këtë konkurs poetik në burg, dhe s’është i pari, për një hënë që s’kursen ta derdhë dritën dhe për ne, të dënuarit, kujtoheni…
2.
Më pas, kur ra perandoria komuniste e Shqipëria mori tjetër udhë, do të na ndodhnin gjëra që as guxonim t’i ëndërronim.
Ja, Pjetër Arbnori do të vendosej si kryeparlamentar pikërisht në zyrën e diktatorit Enver Hoxha, në ngrehinën ku kishte qenë Komiteti Qendror i PPSH-së e shndrruar tashmë në Kryesi të Kuvendit.
Në burgologjinë time të dytë “Ferri i çarë”, e rrëfej këtë, përjetim imi:
PJETRI NË ZYRËN E ENVERIT
Kur hyra për herë të pa rë në zyrën e Diktatorit në ngrehinën e Komitetit Qendror, pata ankth dhe një frikë të tjetërllojtë, të mistershme. Kujtova se do të kapërceja mbi kufoma për të mbërritur në atë derë. Trokita. Ja, ja, nga kjo zyrë i vinin mynxyrat Shqipërisë. Shandani në tavan po më dukej si kokë e prerë, e kapur nga flokët e përgjakur. E pabesueshme.
Në poltronën e tij qe ulur Kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit, Pjetër Arbnori, mbas 29 vjetësh burg. Prapë me rojë ai, dikur e ruanin si të burgosur, tani…
“Pse, nuk u pushkatua ki? – pyeti fantazma e Enver Hoxhës. – Apo u kthie këtu pas vdekjes së vet, fantazmë si unë? Kot ia falëm atë dreq jete, na paska dashur të themelojë parti tjetër ki, është dhe katolik, do të më kenë mashtruar, vetëm tradhtarë kam pasur përreth, jo bashkëpunëtorë.”
– Dua të punojmë bashkë, – më tha Pjetër Arbnori, – merru me bibliotekën dhe shtypin këtu. Pranon?
– A nuk është e tmerrshme?… – e në vend të thosha “zoti”, desh mërmërita: – Shën Pjetër.
Pashë në tryezën e tij telefonat. M’u dukën si mjete torture.
– Nuk di t’i përdor, – më tha, – sidomos këta të brendshmit. Butonat kanë ende emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të ministrave të pushkatuar. S’dihej a u telefononte dhe atyre, i thërriste të vrarë. Poshtë ndërtesës është labirinti, bodrumet dhe kanalet e nëndheshme. Të çojnë nëpër vilat e gjithë udhëheqjes. Në punë do të vish me kravatë.
Ndërsa po më përcillte, vura re se i tërhiqte si zvarrë këpucët e bardha, “ngaqë ka mbajtur gjatë vargonj ndër këmbë, – mendova, – dhe vazhdimisht ka ecur me shapka burgu.”
– Dëgjo, po të duash, zbrit me ashensorin e Enver Hoxhës, del më shpejt, – dhe më shtrëngoi duart.
Kur u mbyllën dyert, m’u duk se isha në një dhomë të ngushtë nga ku do të shpërthente gazi i vdekjes. Nëpër pasqyra më fanitej Enveri. Jo kaq pranë tij, o Zot! Ashensori po zbriste për në ferr.
3.
PARA SE TA BËNIN STATUJË
DHE MË PAS
Nga të qenit simbol i vuajtjes dhe i qendresës në diktaturë dhe deri sa u bë statujë në demokraci është në mes koha e Pjetër Arbnorit – njeri. Meqënëse ai i mbart dhe i bashkon këto dy kohë, le ta quajmë dhe ne atë “demokraturë”, me të gjitha kuptimet që i japin asaj…
Kam ndjesinë se, e përsëris, që ta kuptojnë se e kemi kuptuar dhe e dinim, në fund të fundit më shumë janë dashur simboli dhe statujat e martirëve, të të pushkatuarve, atyre që vdiqën burgjeve dhe i përndoqën gjithë jetën, gjatë gjithë regjimit mizor që sundoi gjysmë shekulli e vazhdon ndryshe, se shpirti i tyre, idealet dhe porositë, fryma e te përndekurve, e them shpesh, ajo është era që solli ndryshimet dhe rruga për t’u bashkuar me kulturën EuroAtlantike.
Dukuri kësisoj kanë dhe kohë të tjera, dhe vende të tjerë, besoj, por jo kaq të rëndomtësuar deri në mosmirënjohje e pabesi sa tani në vendin tonë.
Besoj se njerëz si Pjetri kuptonin ç’po ndodhte si promotorë të demokracisë dhe u vunë me shpirt në ndihmë të ndryshimeve, e kapnin veten që edhe po përdoreshin, por më e rëndësishmja se tërheqja ishte dhënia e moralit të tyre kohës, e të drejtës, bashkëpunimi me kundërshtarët, me të konvertuarit, s’kishte kusht tjetër, kjo bëhej për Shqipërinë.
* * *
Arbnorin unë e pashë të ishte i qetë, gjë që e bënte të dukej si me shumë heshtje, me një si tis trishtimi të pandarë, edhe kur buzëqeshte sokratisht.
Shef i shkëlqyer, thoshim. I palodhur. I drejtë. Si kryeparlamentari i parë në demokraci, në ngrehinën e Kryesisë kishte dhe punonjës të së kaluarës, kur aty ishte Komitetit Qendror i PPSH-së, që frika po u dilte shpejt nga ne. Pjetër Arbnori jo vetëm që nuk bëri luftë klase, por kur dilnin delegacione apo grupe jashtë shtetit, kujdesej vetë që t’u vinte radha të gjithëve dhe atyre që kishin 10 apo 20 vjet punë e nuk kishin dalë kurrë jashtë me Enverin.
Arbnori u përball. Përgjigjej rrallë ose fare. Kujtoj kur e sulmoi një herë deputeti Azem Hajdari. Kishte filluar shpërdorimi i dosjeve, i atyre që kishin mbetur pas djegieve. Në media unë dola në mbrojtje të Pjetrit, jo vetëm si bashkëvuajtës i tij, se ne ishim vetë dosjet e gjalla, por në mbrojtje të së vërtetës. Azemi më erdhi në zyrë gjithë përzemërsi, jo vetëm që më dha të drejtë, por dhe më përgëzoi. Ishte rrezatimi i Pjetrit, që lëshonte mirësi. Drejtpeshues dinjitoz i çështjeve. Mbaj mend që vizitoi në burg dhe vejushën e diktatorit, Nexhmie Hoxhën, të dënuar për shpërdorim të fondeve shtetërore në Bllok dhe jo të shpërdorimit të pushtetit, të rrënimit të Shqipërisë, të izolimit të saj, të vrasjeve dhe persekutimit gjeneral.
Kushtet e burgut te vejushës së diktatorit ishin ku e ku sa herë më të mira, madje luksoze, po të krahësosheshin me ato të Pjetrit dhe të të gjithë burgosurve shqiptarë të regjimit të asaj.
Pjetri takonte me shumë dëshirë Shenjtoren Nënë Tereza, kur vinte në Tiranë, po e kisha parë të ikte me qejf dhe në takimin me atë aktorin komik anglez, i njohur si Pitkini, që kishte ardhur për një vizitë në Tiranë.
* * *
Te Pjetri ndjehej familja, përkujdesi, nëna dhe motrat në burg dhe tani bashkëshortja, ngazëllimi i dy fëmijëve të tij, vajza dhe djali që kishin emrat e prindërve të tij, i kishte ngjallur, – siç thuhet popullorçe.
Sqima në veshjen e tij kishte dorë gruaje, ngjyrat e çelëta, jakat e bardha, këpucët e bardha. Ishte bashkëshort i mirë, gjithë kujdes si babai i dy vogëlushëve të bukur. I pëlqente të fliste për ta.
I shkoja shpesh në zyrë Kryetarit dhe i kërkoja takime të atyre që i kërkonin ndihmë, ndonjë grup për pronat që nuk po i merrnin dot, ndokush për shkollë për fëmijët e ish të persekutuarve, donte të futej në punë një tjetër, ish i burgosur. Dua në doganë, kërkonte njëri. Pse pikërisht atje, më thoshte Pjetri, mjafton të futesh në punë.
Kujtoj poetin Frederik Rreshpja, bashkëvuajtës me ne, mik imi, kur isha student në Shkodrën tonë, që më tha t’i thosha Pjetrit se po i konfiskonin shtypshkronjën, nga që kishte shtypur trakte, që bënin thirrje për të mos votuar referendumin për Kushtetutën e re dhe kundër Presidentit Berisha.
Ç’të bëjmë? – më pyeti Arbnori, – ai s’është as me ne, – buzëqeshi shpotitshëm. Po na bashkonin pranga dhe vuajtja. Dhe poezia… po dhe aq sa kishte të drejtë. Dhe Pjetër Arbnori si Kryetar i Kuvendit (s’e duronte fjalën “Popullor”) dha porosi me shkrim që të mos cënohej Frederik Rreshpja, as të përdorej zell politik e gjoba, jo më shumë se ç’e përmbante ligji, mundësisht më pak.
Në zyrën e tij hynin shpesh deputetët Uran Butka, Pjetër Pepa, mbaj mend dhe botuesin Shefki Hysa, po përgatitej vepra e radhës, etj, etj.
Me Arbnorin kisha udhëtuar me helikopter për një takim të gjerë kulturor në Sarandë. Në kthim ai do të ikte në Shkodër, por unë doja të ndalja në Lushnjë, te ime më dhe ai u tha pilotëve që të uleshin ku të mundnin. Helikopteri zbarkoi në fushën ndanë stadiumit. Të rinjtë që po luanin me top, e ndërprenë…
Nën helikat që krijinin vorbulla të forta ere, zbrita unë, ou, kush na qenka!…
Arbnori erdhi dhe vetë në Lushnjë për të parë në teatër një pjesë të tim eti, “Përqafime i dy kundërshtarëve”, rivihej në skenë pas gati gjysmë shekulli, që nga koha e luftës. Por ne duhet ta dekorojmë këtë autor, tha.
Ne takimet zyrtare i pëlqente të thoshte se ai, si Kryeparlamentar, ishte katolik, Kryeministri ortodoks dhe Presidenti mysliman. Një rastësi kuptimplotë për ne, shtonte. I rëndonte koka si e Çurçillit.
E kisha parë dhe në takime të vështira. Mbaj mend atë me një grup të madh parlamentarësh grekë, mbi 20 veta, të cilët kërkuan që në takim të ishin vetëm me të. Dolën këshilltarë e bashkëpunëtorë të tij, unë nuk dola, mbase nuk rashë në sy se ndodhesha mes grekërve. Ai i vetëm i përballoi me sukses, tregoi se e njihte historinë e tyre po aq mirë, në mos më shumë se ata. Dhe e mbrojti bindshëm situatën e rënduar në Jug dhe premtoi zgjidhjen.
Kisha qenë me Arbnorin-kryetar Parlamendi në vizitat zyrtare në Maqedoni e në Rumani. Me homologun e tij rumun, një autoritet me ndikim të madh, Arbnori ishte perfekt.
Gjeja rast dhe i thosha të mos harronte Ditarin e Burgut, duhej botuar patjetër, jo vetëm romanet dhe novelet dhe letrat. Aty, te ditari është rëndesa…
– Eh, – më thosh, – nuk kam kohë tani, kur të dal në pension.
– Po jepua të tjerëve, të paktën ta daktilografojnë.
– Eshtë me një alfabet që e kisha shpikur vetë, – më shpjegonte, – për të mos ma kuptuar policët e burgut dhe tani e kam harruar, nuk e lexoj dot as unë.
Kur përgatiti për botim novelën lirike “Bukuroshja dhe hija”, i thashë se është e çuditëshme historia se si e kishte shkruar atë në birucë, në ata shiritat e bardhë anëve të gazetave. E kishin dënuar nga që kishte lënë shtrembër shapkat e veta të grisura në fund të shtratit.
Megjithëse i ngarkuar me shumë punë, e shkruajti natën hyrjen që ia kërkova. Ja, tha. Ia bashkëngjita novelës si një hyrje, aq sa absurde dhe e trishtë. Poeti Teodor Keko, deputet kundërshtar me Arbnorin, shkruajti një kritikë vlerësuese për librin, i goditur më shumë pikërisht prej saj, hyrjes, kaq e bukur, e rallë, – më tha dhe mua.
Nën kujdesin e shkrimtarit Novruz Shehu, mik imi, dolën të gjitha letrat e burgut të Arbnorit në vëllimin e madh “E dashtun Nanë”.
Më pas në Itali Arbnorin do ta prisja edhe unë, punoja në ambasadë si ministër këshilltar për kulturën. Si asnjë personalitet tjetër i lartë, ai kishte dhurata për të gjithë personelin, që nga ambasadori e deri te pastruesja.
Djalit tim të vogël i dhuroi një arush të madh. Shoferi atje na tha se për herë të parë merrte një dhuratë nga një funksionar i lartë.
Pjetër Arbnori si shkrimtar që vinte nga burgjet mbajti një ligjëratë në Universitetin “La Sapienza” në Romë, në auditorin e madh të mbushur plot. Aty njoha dhe vajzën e shkrimtarit Ernest Koliqi, themelues i Albanalogjisë në atë Universitet. I iku regjimit, që e kishte dënuar me vdekje si kolaboracionist….
Dhe në New York, më treguan kolegë, i tillë ishte shfaqur Arbnori, dinjitoz dhe modest, po edhe si burrë shteti, po kështu dhe në Washington.
PRESIDENTI I MUNGUAR
Mbas vitit të çmendur 1997, kur Partia Demokratike dhe Arbnori ranë në opozitë, pritej, jo vetëm nga adhuruesit e tij, që ai me konsensus të ishte Presidenti i Republikës. Si Kryetar Parlanenti, tani që s’ishte më, kuptohej që s’kishte patur shok, i rrallë, i shkëlqyer, – thoshin.
Po si President? Aq më mirë do të ishte! Sfidant! Vinte nga burgu dhe gjykatësit që e kishin dënuar, ishin ende gjykatës, madje dhe të ngritur në pozitë. Eh, këtë s’e falnin bashkëvuajtësit, shumica. Ndërsa krerët lart, pozitë-opozitë do ta duronin dot Presidentin e Republikës një ish të burgosur politik, kur vetë i kishte rritur ai regjim, edhe me pekule. Ç’duhej bërë? Ja, si me statujën më pas, me mirë statujë se sa president. Simboli i tij duhej zbehur. I të gjithëve si ai. Ndoshta kjo ishte e vetmja çështje ku bashkoheshin pozita me opozitën.
Pjetri dinte të ishte dhe i sakrificës. Për fjalën e lirë u fut në një grevë të vështirë urie, i mësuar me to nga dikur.
Ndërkaq dhe më pas e ruante atë buzagazin dhe humorin shkodran mes miqve. Dhe miqtë e tij mbeteshin të pandryshuar, po ata që kishte patur në burg në qeli e pasburgut, kur punonte si marangoz. Po kështu dhe heshtja dhe një ai trishtim misterioz.
Kur rierdhën në pushtet demokratët, po thuhej se ai mund të shkonte ambasador pranë Selisë së Shenjte në Vatikan. E priste me shumë dëshirë, por nuk më kanë thënë gjë, më tha urtësisht një pasdite, kur ishim në një koktej.
Ndërkaq unë i kërkova ndihmë për djalin, do të fillonte shkollën, klasën e parë. Ai u përkujdes, shkoi te Ipeshkvi ynë Rrok Mirdita dhe im bir u regjistua në shkollën katolike “Ylber” në Tiranë, ku ishin dhe fëmijët e tij e ai zuri miqësi me ta.
Takoheshim përzemërsisht në përurime librash. Rrallë. Si të papunë të dy. Dukej sikur dhe harresa po marrshonte fitimtare. A thua kishte mbaruar misoni i Arbnorit?
PIRAMIDË DHE BRONZ
Iku vetëm në Napoli, për të mos i bërë merak familjarët, për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, aspak të vështirë, por ndodhi ajo që s’pritej, befas vdes në spital.
E shoqja, Suzana, kërkoi që ceremonia mortore të mos ishte zyrtare. U mblodhëm shumë qytetarë në Katedrale në Shkodër.
Ndërkaq Piramidës së diktatorit Hoxha, të rrjepur e bërë copë-copë, por të shndërruar në Qendrën Ndërkombëtare Kulturore, i vunë emrin “Pjetër Arbnori”, të atij që i kishte marrë zyrën së pari Enverit.
Tani dhe piramidën? Por nëse do të prishej siç diskutohej e protestohej, do të humbte dhe emrin e ri. Por faji s’do ishte i askujt.
Kur punoja në Ministrinë e Kulturës, i emëruar si drejtues i saj, një ditë më bie telefoni në zyrë. Ishte shkrimtari Stefan Çapaliku. Më tha se skulptori Sadik Spahija kishte realizuar një bust të Arbnorit dhe se është në nderin e të gjithëve që ajo skulpturë të vihet diku në Tiranë, në Parlament, kudo, patjetër.
Më bëri përshtypje një si këmbëngulje e tij. Sikur kërkonte të trande pluhur harrese. Dhe nisa interesimin tim më lart. E njihja fuqinë e atij skulptori, e kisha parë te grupi skulpturor i poetëve të Librazhdit, sa tronditëse! Kërkova vendin ku mund të vendosej. Po nuk është realizuar mirë busti, mora një përgjigje nga një zyrë. Dhe ca më lart më thanë për ta lënë për më vonë këtë çështje.
Ç’kanë ata me anën artistike te veprës, u nxeh me të drejtë Çapaliku, detyra e tyre është të caktojnë vendin se ku mund të vihet, se për anën artistike përgjigjen artistët, konkursi, komisioni që e ka miratuar. E kur më vonë?
Ndieja një si bosh te vendet ku mund të vihej skulptura e Pjetër Arbnorit. Te qenë zënë të gjithë piedestalet. Boshi më kaloi dhe brenda vetes. Një si braktisje dhe ankth i ftohtë… Më mirë vonë se kurrë. Me ironi apo pa ironi?
Mbasi priti nja 10 vjet statuja e Pjetrit, e nxorën për ta vënë në lulishten para ngrehinës ku ai punoi si Kryeparlamentar. Dhe e sollën kundërshtarët e tij. U mblodhën në përurim jo vetëm familjarët dhe miqtë e përhershëm, por Kryeparlamentari Ruçi, ai që akuzohej drejtpërsëdrejti për masakrën e 2 prillit në Shkodër, ku Pjetër Arbnori ishte mes protestuesve, Presidenti i Republikës Meta, i përfolur për korrupsion galopant, i arrestuar vitin që shkoi, ndërsa nga opozita ishte kryetari Basha dhe Zonja Topalli, ish Kryeparlamentarja tjetër demokrate, e para grua. Të dy s’do të flisnin me njeri-tjetrin e plot aventura të tjera. Erdhi dhe Berisha – themeluesi i opozitës zyrtare, President dhe Kryeministër i saj, lideri historik. Me të cilin Arbnori bashkëpunoi me përkushtim e besnikëri.
Më dukej sikur nga çasti në çast shtatorja e Arbnorit do të shpërndante cigare të dredhura, nga ai duhani i tij i burgut.
Ai urtësisht gjithsesi sikur e dha një tërmet të vogël kundër harresës së dëmshme. Busti i tij mbartte qortim për të gjithë në heshtje. Dhe ashtu siç nuk pëlqehet qortimi gjithmonë, edhe pamja e tij e bronztë ngjalli pakënaqësi dhe shkaku s’është më Pjetri, por simboli i tij.
Ndjej që më thërret dhëmbja e atyshme. Statuja e Pjetrit ka enigmën e një zemërimi sublim të një të burgosurit të madh, zhgënjimin dhe ëndrrën e vrarë. Edhe nëse nuk e pikasëm te origjinali. Dhe fletët e librit në krah. Të shkruara e të pa shkruara. Nga që kemi mjaft për të thënë, edhe pas vdekjes.
* * *
Unë shkruajta me rastin e vendosjes së bustit të Pjetër Arbnorit, artikulli doli në disa media dhe jashtë vendit. Aq. Dhe do të harrohej dhe bronzi i tij si për të shmangur më pas sa më shumë dhe atë ëndërr e atë frymë që vjen nga martirët, të vrarët dhe të burgosurit e të internuarit, nga revoltat e studentëve dhe të qytetarëve, aq të domosdoshme për lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe të popullit dhe të atdheut. Duhet të rinisë nga opozita. Në pritje të një vizioni të ri të lidershipit.
E rëndësishme është rikthimi i asaj fryme. Duke u sjellë busti i Arbnorit prej kundërshtarëve, le ta shohim, mendoja atëhere si një përpjekje për t’u pajtuar bashkarisht me historinë, një mirëkuptim dhe shtrirje dore, ndjesa e paguxuar dhe kështu busti i Pjetër Arbnorit bëhet më i patundshëm dhe dyfish i vyer. Ngjan si i një porosie biblike, që “armiqtë t’i bëjmë vëllezër” dhe Pjetër Arbnori, aq sa ishte e munduar, ia doli. Edhe tani me vetminë e trishtë të një satuje.
Apo ishte mashtrim, më thotë një zë tjetër. Gjithsesi statuja është… ajo për ju, ne pasuritë e Shqipërisë, deri dhe te florinjtë e familjes së Pjetrit, që ia konfiskuan, kur e arrestuan dhe nuk i mori kurrë, edhe pse e fitoi të drejtën me gjyq. Ma tha vetë Pjetri: E di që s’do t’i marr, por fitova moralish, – e mbylli.
EPILOG I VOGËL,
JO VETËM PËR MUA.
Na ndodh shpesh të flasim me shokë, më shumë për të kaluarën, ku e tashmja është si një zgjatim i keq i saj, por për më mirë, – themi, jo një zëri. Janë po ata ose bijtë e tyre, që bënë diktaturës, që duan të bëjnë dhe demokracinē, por po e sundojnë…
Natyrisht që kujtohet dhe Pjetër Arbnori, me nderim për dinjitetin, për qetësinë në Parlament, thotë një tjetër, drejtpeshimin, për vuajtjen, mos-hakmarrjen, shtojnë, duhet të bënte më shumë për shtresën e vet, vazhdon ndokush që e di veten shtresë tjetër, madje duhej të jepte dorëheqjen, hidhet një tjetër, që vetë s’ka guxuar për asgjë, ju mashtrian, ju, të persekutuarve…
Pse? Ty jo?…
Po prapë jemi ne… – ma thonë si me humor të zi, por dhe me kënaqësi dinake. Edhe pse jetojnë në SHBA, të lirë, janë pasuruar shumë, por s’u ikën nostalgjia për kohën e tyre, enverizmi u shpifet në eshtra si reumatizma kur vrenjtet moti, kur Moska nxjerr dhëmbët apo Kina po bëhet superfuqi, sipas tyre, i deh globalizmi… Bashkëvuajtës të mi dëshpërohen me të drejtë, prapë s’jemi mirë, thonë, ka dhe nëpërkëmbje, harrim të qëllimshëm, ai dëmshpërblimi i qeverisë dukej si shpërblim i dëmshëm, kam shkruar dikur. Por gjithsesi e kam gjetur përgjigjen time, ngushëllimin, çelsin. Unë them:
– Ne fituam, kauza jonë, nuk u bëmë ne komunistë, as Pjetër Arbnori me shokët e tij, por ata u bënë siç donim ne, kapitalistë, pavarësisht… A po ndërtojmë sistemin kapitalist, ekonominë e tregut, – vazhdoj të them, – me të drejtat e njeriut të parat, liritë dhe besimin? Ata, ata erdhën në rrugën tonë… Kush ka fituar?