
Arben Iliazi/
Ditëlindja e shkrimtarit dhe dramaturgut të njohur.
Profesor Stefan Çapaliku, më 10 mars, mbushi gjashtë dekada. “Nuk e mora vesh si u gdhiva 60 vjeç – na tha kur pimë kafen. Po ju pse çuditeni? Ç’janë 60 vjet para Mafuzalemit biblik, që jetoi nëntë shekuj?”.
Çapaliku ka qenë gjithmonë dhe mbetet një shpirt i trazuar shkodre, që gjithmonë ka nevojë për jugun e kthjellët, nga rrjedh origjina e tij mëmësore. Kam pasur fatin e mirë të jem shok e mik i ngushtë i tij për më shumë se 40 vjet, qysh në vitin 1984, kur filluam studimet në fakultetin e Filologjisë, Tiranë. Në kohën studentore ai ishte një shpirt i lirë, që nuk i pëlqenin kornizat dhe standartet. Madje shumë herë ne, shokët e tij të kursit të gjuhë-letërsisë, çuditeshim se si kishte shpëtuar pa privacione, pasi nuk linte rast pa hedhur ndonjë romuz kundër regjimit dhe funksionarëve të lartë. Pas përfundimit të studimeve Stefani ndoqi për disa vite karrierrën akademike, si lektor universiteti dhe si studiues në fusha të ndryshme të artit, por kurrë nuk e la pas dore letërsinë, duke botuar libra me poezi, tregime, drama e romane. Zhvendosja nga Shkodra në Tiranë dhe emërimi si Drejtor i Drejtorisë së Librit në Ministrinë e Kulturës, më pas pedagog universiteti e studiues në Qendrën e Studimit Të Artit, shënojnë një rrotullim të plotë të fatit të tij si shkrimtar e studiues. Si njeri i pasionit dhe i këmbënguljes, lulëzuan shumë degë të talentit të tij, duke dhënë fruta të bollshme. Çapaliku u takon atyre intelektualëve që mbartin me vete tharmin e artit të gjithanshëm. Ylli i fatit i ka dhënë atij vec talentit të spikatur, intelektin e mprehtë, ndjenjat mjaft të holla, këmbënguljen dhe durimin, mirësjelljen, fisnikërinë, principialitetin dhe konsekuencën krijuese, që te shumë shkrimtarë nuk përputhen as me talentin, as me veprën.
Mendimet e tij zbresin poshtë të fuqishme e të shpejta si rrufe nga një qiell gjenialiteti, kanë sedër të madhe për t’u lidhur me të tjerat; kaosi i magjishëm i tyre i reziston cdo lloj bashkimi e kombinimi me të tjerët.
Stefan Çapaliku është sot një personalitet i spikatur i letrave shqipe, një ndër shkrimtarët më origjinalë, prozator, poet, dramaturg dhe regjisor.
Krijimtaria e tij, e cila përfshin romane, tregime, drama, poezi, libra eseistikë e studimorë, është përkthyer në shumë gjuhë, përfshirë anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, polonisht, rumanisht, turqisht dhe maqedonisht, duke e pozicionuar atë si një nga përfaqësuesit e letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, “Mbyllur për pushime”, “Tregimet e tranzicionit”, “Danimarka, toka jonë”, “Një ëngjëll veshë me frak”, “Albumi i thashethemeve”, Saga e Sarajevës etj.
Poezitë, tregimet, romanet dhe dramat e Çapalikut kanë qenë nga befasitë letrare më të shënuara të periudhës së tranzicionit në Shqipëri. Vepra e tij është një pasqyrë e realitetit shqiptar postkomunist, duke trajtuar me ndjeshmëri temën e kërkimit të identitetit dhe perceptimit të realitetit. Poezia dhe proza e tij vijnë të ndjeshme, me një larmi e gjallëri që e kanë vetëm grafikat mjeshtërore. Në poezi Çapaliku kërkon të gjejë një këndvështrim më të përshtatshëm se ajo e traditës, ku drita e dritëhija gërshetohen në mënyrë të ndrësjelltë. Nuk i pëlqejnë përsëritjet. Poeti hedh në vargje a në prozë përvojën e tij estetike, ku emocioni i pastër. përmes përvojave absolute, krijon diskurse estetike pasionante.
Në dramat dhe komeditë e tij të shumta, përgjithësisht alternative, ndihet sensibiliteti i epokës. Veprat dramatike, përmes një rrëfimi jolinear, shpesh herë mes skena që përbëhen nga disa veprime dhe dialogë të çrregullt, e kanë bërë spektatorin të gjendet para situatsh suspense, duke provokuar me një seri gjendjesh emocionale të panjohura më parë në dramaturgjinë shqipe.
Te arti i tij në prozë hasim tipare të ekzistencializmit në përshkrimin që u bën elementëve të natyrës dhe funksionit përqasës të këtij përshkrimi në gjendjen shpirtërore të personazheve. Autori përpiqet të krijojë një mjedis: epokën kur zhvillohen ngjarjet, vendet, detaje të ndryshme që i japin mish e gjak strukturës së zhveshur narrative, duke kaluar nga strukturat semio-narrative te ato diskursive. Në romanet e tij nuk kemi struktura të përgjithshme, kolektive, të karaktareit logjiko-antropologjik. Kështu ai ndërton një ligjërim në nivelet më të larta të rrugëtimit gjenerativ, me aftësinë për të vendosur logjikisht, sipas marrëdhënieve të kundërvënies dhe të kontradiktës, struktura të mëdha antropologjike.
Narracioni i Çapalikut rreh më shumë në situatën pragmatike të prodhimit të diskursit. Po të ndjekësh prozën e Çapalikut është e pamundur të mos kapësh një temp që të krijon ndjesinë e një rrjedhe njerëzish në lëvizje. Janë një mori personazhesh që lëvizin poshtë e përpjetë në realitetin Çapaliku. Në botën e prozës së tij ka shumë fate njerëzore, ngërthyer në një mori linjash e minilinjash dhe informacion, një pjesë e të cilit mbartet nga një roman te tjetri, i duke të krijuar efektin e një filmi serial.
Personazhet duket sikur janë pjesë e një skene filmike, ndërsa teknikat rrëfyese janë të thjeshta, nuk kanë komplikime të errësimit, apo të moskuptimit, që vijnë nga meditimi i gjatë, i stërholluar, i vështirë për t’u ndjekur.
Edhe studimet e tij përbëjnë një rast paradigmatik, si në fushën e estetikës dhe eseistikës, ashtu dhe në promovimin e restaurimit të kujtesës dhe rifunksionalizimin e arkivave kulturore shqiptare.
Akademiku Stefan Çapaliku, drejtor i QSA-së, së bashku me stafin e tij, ka një kontribut sistematik në krijimin e Qendrës së Dokumentacionit Artistik; i bibliografisë retrospektive e studimeve mbi artin shqiptar, i enciklopedisë së artit shqiptar, historitë e fushave specifike të artit.
Çapaliku ka ende shumë për t’i dhënë kulturës dhe artit shqiptar. Angzhimi intelektual, idetë dhe energjia e tij krijuese janë të pashtershme. Gjithashtu Stefan Çapaliku vazhdon të japë një kontribut të shkëlqyer në mbajtjen gjallë të kujtesës së qytetit të tij, Shkodrës, si dhe të frymës së re estetike.
Jetë të gjatë e të sukseshme, miku ynë i nderuar!
BIOGRAFIA
Stefan Çapaliku është prozator, poet, studiues, dramaturg dhe regjisor. Ka doktoruar për letërsi dhe ka punuar si profesor në Universitetin e Shkodrës, pastaj në Universitetin e Tiranës, ndërsa nga viti 2005 punon si studiues në Akademinë e Studimeve Albanologjike.
Nga viti 2022, është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Krijimtaria e tij është përkthyer në shumë gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, polonisht, turqisht, rumanisht, serbisht, maqedonisht etj. Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, “Mbyllur për pushime”, “Allegretto Albania”, “Danimarka, toka jonë” etj.
Stefan Çapaliku lindi në Shkodër, në 10 mars 1965. Ai u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës në 1988 dhe pasoi me studime të mëtejshme në Itali, Republikën Çeke dhe Angli.
Në vitin 1996 mbrojti doktoraturën në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1993 deri në vitin 1998 ka qenë shefi i Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës. Nga viti 1998 deri në 2005 ishte drejtor në Ministrinë e Kulturës për politikat mbi librin dhe bibliotekat. Që nga viti 2005 ai punon si studiues në Akademinë e Studimeve Shqiptare dhe ka qenë profesor i estetikës në Universitetin e Arteve në Tiranë. Në vitet 2007-2008, ai u emërua si Profesor Titullar i Historisë së Letërsisë dhe Qytetërimit Shqiptar në Katedrën e Albanologjisë të Fakultetit Filologjik pranë Universitetit të Beogradit.
Dramat e tij janë interpretuar në disa festivale ndërkombëtare të teatrit, ku atij i janë dhënë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Stefan Çapaliku është shpallur nga Ministria e Kulturës dhe organizata të tjera si dramaturgu më i mirë për vitet: 1995, 2003, 2007, 2012, 2016. Është edhe regjisor teatri e filmi.Ai prezanton letërsinë e sotme shqipe në “Histoire de la literature europeenne” CNRS Editions, Paris 2021. Disa nga veprat e të tij në poezi, prozë, drama dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, serbisht, maqedonisht dhe turqisht.
Në vitin 2021 Stefan Çapaliku u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Më 2024 u emërua drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve.
Veprat e tij janë shfaqur në disa festivale ndërkombëtare të teatrit, ku ai është nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Pjesë nga veprat e tij në poezi, prozë, dramë dhe ese janë përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, polonisht, bullgarisht, serbisht, maqedonisht dhe turqisht. Ai është i nominuar për çmimin “Europa Prize of Theater for the New Theater Realities” (Çmimi Evropian për Teatrin e Ri). Si dramaturg u nderua me çmimin e autorit më të mirë shqiptar në vitet: 1995, 2003, 2007, 2012, 2016. Krahas studimeve në fushën e estetikës dhe publicistikës, ka shkruar edhe disa libra, të cilët janë vlerësuar: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është një triologji e suksesshme. “Tregimet e tranzicionit” është një tjetër përmbledhje e botuar së fundi. Po ashtu, janë edhe disa monografi të natyrës studimore për Serafin Fankun, Tef Palushin, Fisthën etj. Vepra e tij është botuar në disa gjuhë të huaja, si italisht, frëngjisht, anglisht, greqisht, serbisht, etj.