


Në këtë ekspozitë kolektive do të marrë pjesë edhe artisti shqiptar nga Kosova, Resul Jusufi, me veprën e tij, instalacionin të titulluar “Stop the Time”.
Një vështrim mbi veprën “Stop the Time” dhe rrugëtimin artistik të Resul Jusufit
“Ndalo Kohën” ( STOP THE TIME )
Instalacion nga Resul Jusufi
Si artist, gjithmonë kam ndjerë një tension të brendshëm në raport me kohën – ndjesinë se gjithçka kalon shumë shpejt, ndërkohë që unë vetë dua vetëm të ndalem, të marr frymë dhe të mos e humbas veten. Nga kjo nevojë e brendshme lindi instalacioni „Stop the Time“ – një përpjekje për t’i vënë kufi iluzionit të kontrollit dhe për të krijuar një hapësirë ku koha – qoftë edhe vetëm për një çast – të mos ekzistojë.
Koha është një iluzion i pandalshëm – një rrymë që na tërheq të gjithëve me vete, pa marrë parasysh sa shumë përpiqemi ta masim, ta kontrollojmë apo ta ndalojmë. Në këtë instalacion, artisti Resul Jusufi krijon një hapësirë ku koha nuk funksionon më sipas rregullave të zakonshme. Ajo shpërbëhet – në fragmente, numra, shenja dhe objekte të heshtura.
Në qendër ndodhet një mural monumental (300 x 250 cm), i përshkuar nga numra të shpërndarë, gjurmë spontane dhe simbole që kujtojnë shenjat e përditshmërisë urbane – grafite, shifra, rrethe. Kjo gjuhë vizuale është zgjedhur qëllimisht e thjeshtë: jo një iluzion formal, por një forcë e drejtpërdrejtë shprehëse. Numrat dhe rrethet e çrregullta bëhen metaforë për rrjedhën dhe fragmentimin e kohës.
Përpara muralit, mbi dysheme, ndodhet një koleksion orësh mekanike – objekte të përditshme që dikur matnin jetën tonë. Tani ato janë ndalur. Dialogu midis pikturës dhe orëve reale krijon një tension poetik: koha si ide abstrakte përplaset me kohën si fakt i prekshëm.
Instalacioni ngre pyetje thelbësore:
- Si e kemi jetuar jetën tonë deri më tani?
- Kujt ia kushtojmë orët, minutat, ditët tona?
- A është ritmi me të cilin jetojmë një përparim – apo po humbasim lidhjen me vetveten?
Vepra nuk jep përgjigje. Përkundrazi – sfidon publikun të ndalet, të dëgjojë heshtjen e orëve të ndaluara dhe të përballet me një pyetje ekzistenciale:
A është e mundur të ndalojmë kohën – apo jemi vetëm të burgosur brenda saj?
„Stop the Time“ është një reflektim mbi kalueshmërinë, kujtimet dhe ndjesinë e kontrollit.
Është një ftesë për të përjetuar një çast jashtë kohës – një hapësirë ku vizitori nuk është thjesht spektator, por pjesë e procesit të të menduarit dhe ndjesisë.

“Arti është ushqim për shpirtin.”
Resul Jusufi është një artist multidisiplinar, i cili punon në fushat e pikturës, instalacionit, teatrit dhe filmit të shkurtër. Veprat e tij dallohen për një gjuhë unike vizuale, ku abstraksioni dhe simbolizmi bashkohen në mënyrë të guximshme dhe harmonike.
Me energji, liri krijuese dhe thellësi emocionale, arti i tij tejkalon me vetëdije kufijtë tradicionalë të artit bashkëkohor. Eksperimentimi me teknika dhe materiale të ndryshme zë një vend qendror në procesin e tij krijues.
Çdo vepër mbart një fuqi unike shprehëse – e mundësuar nga një “kaos” vizual i qëllimshëm, që shërben si mjet për të transmetuar energjinë e brendshme dhe spontanitetin.
Përmes ngjyrave të forta, formave të lira dhe simboleve të mbushura me kuptim, Jusufi krijon vepra që nxisin reflektim dhe hapin dialogë emocionalë.
Temat që trajton janë universale dhe i japin artit të tij një dimension të thellë filozofik dhe shoqëror. Falë kësaj, veprat e tij arrijnë të komunikojnë me një audiencë të gjerë dhe të larmishme në mbarë botën.
Veprat e tij janë ekspozuar në shumë ekspozita ndërkombëtare – përfshirë Austrinë, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Poloninë, Kosovën, SHBA-në, Tajvanin dhe më gjere .
Arritje të rëndësishme:
- 2022 – Fitues i Luxembourg Art Prize për arritje të jashtëzakonshme artistike
- 2023 – Përfshirje në listën e 100 artistëve më të rëndësishëm bashkëkohorë nga Bindaas Artist Group, Indi
- 2024 – Fitues i Gold Award në Busan International Art Festival, Koreja e Jugut
- 2025 – Prezantimi i veprës „Art Saves the World“ në Times Square, New York
Jusufi thotë:
“Arti është mënyra më e mirë për të thyer paragjykimet mes njerëzve dhe ura më e fortë për t’i lidhur ata.”
Resul Jusufi ka lindur në Kosovë dhe prej disa vitesh jeton e punon në qytetin Gracit /Austri.