Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Stresi, ashtu si teoria e relativitetit të Ajshtanjit është një koncept shkencor, i cili ka vuajtur nga bekimi i kombinuar i të qenit shumë i njohur dhe pak i kuptuar. Stresi, apo të qenit nën presion është një pjesë e pashmangshme e jetës sonë. Vetëm kur dëgjoni titujt e gazetave të përditshme, kur shikoni televizor, dëgjoni radion apo lexoni një revistë konstatoni pashmangshmërinë e termit stres, e si rrjedhim pranohet dhe besohet që është bërë një problem i madh i ditës. Njerëz të profesioneve, moshave, intelekteve të ndryshme përdorin në jetën e tyre fjalën stres, për të karakterizuar një gjendje të tendosur, të ngarkuar psiko–emocionale, kur ballafaqohen me mjedisin rrethues. Stresi sot është më i njohur sa ka qenë më parë, njerëzit janë bërë më të vetëdijshëm ndaj ndikimit negativ që ka stresi në shëndetin e tyre. Pavarësisht nga prania e informacionit që jepet sot dhe për më tepër bollëku i dijeve për të, stresi mbetet ende një çështje thelbësore në ndikimin e jetës së njeriut. Jeta në shekullin e XXI është bërë më komplekse se më parë. Njerëzit nuk kanë jetuar gjithmonë në një botë kaq moderne sa kjo e sotmja. Ne, sot jetojmë në një shoqëri të zhurmshme. Jeta jonë drejtohet nga afatet, teknologjitë moderne, celularët, telefonatat, kompjuterët, satelitët apo nga qindra presione të tjera.
Shumë personave u duhet të bëjnë punë të shumta në një kohë të kufizuar si p.sh, të dërgojnë fëmijën në shkollë (kopsht), kur prindi në të njëjtën kohë është i detyruar të jetë në vendin e punës, të përballen me një trafik të rënduar, me administratorë, shefa apo drejtues të tjerë, të cilët të rëndojnë edhe me tepër gjendjen shpirtërore sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ne shohim çdo ditë tragjedi familjare, përmbytje, luftëra(deri në kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore), krime nga më të paimagjinueshmet,pandemi si kjo e fundit, që shfaqen direkt në televizorin e shtëpive tona.
Studimet kanë treguar që jemi më pak aktiv fizikisht, kemi më pak miq se më parë, jetojmë në një shoqëri më të izoluar dhe me një nivel të ulët ligjor për mbështetje sociale. Të gjitha këto, të marra bashku, kthehen në katalizator për stresin.
As fëmijët nuk janë të mbrojtur nga ndikimet rënduese të presionit që shkaktojnë kërkesat e jetës. Ata nuk janë të imunizuar nga efektet dhe presionet e tepërta që ka shekulli XXI. Mjekja pediatre Amerikane Dr. Lori Buffa thotë: “Shumë stresorë që 30, 40, apo dhe 50 vjetëve më parë, me të cilët fëmijët nuk kishin të bënin, sot janë prezent. Gjithçka ka kaluar shumë shpejt. Niveli i ndikimeve që ata ekspozohen është shumë më i lartë nga ç’ka qenë më parë”.
Sidoqoftë, stresi nuk është një problem vetëm i shekullit XXI, njeriu e ka vuajtur stresin gjatë evoluimit njerëzor. Por shoqëria moderne ka pësuar ndryshime më të mëdha në një hark kohor prej pak vitesh, se sa gjatë gjithë zhvillimit njerëzor. Kjo është në një mënyre, arsyeja përse stresi është më shumë se një problem sot.
Ka shumë përfitime të jetosh në botën tonë moderne, të industrializuar me ritme të shpejta, por ky zhvillim i shoqërisë ka krijuar kërkesa komplekse në shëndetin tonë fizik dhe jetën sociale. Sigurisht që nuk është nevoja të kthehemi në epokën e gurit për të rifituar shëndetin tonë, është e pamundur të zhvendosim gjithë këtë stres nga jeta jonë, por çfarë do të duhej të bënim? Kërkohet të mësojmë, ç’është stresi, llojet dhe shkaktarët e tij, shenjat fizike dhe psikologjike që shfaqen, ndikimi i tij në veprimtarinë e njeriut, mënyrat e përshtatjes dhe si ta përballojmë atë në jetën tonë të përditëshme.
Pyetja e parë që bëjmë është; Ç’ është stresi? Stresi është një koncept disi i vështirë për t’u përkufizuar sepse është një eksperiencë subjektive, individuale dhe unike. Kur një situatë konsiderohet si stresuese për një person, nuk do të thotë që kjo situatë konsiderohet e tillë edhe për një tjetër. Ka një numër përkufizimesh për stresin si edhe një numër ngjarjesh që të çojnë në përjetimin e stresit. Faktorë të dëmshëm dhe të papërshtatshëm të mjedisit të jashtëm çojnë në çrregullime fiziologjike.
Përkundrejt shumë pikëpamjeve që e konsiderojnë stresin si një fenomen vetëm të dëmshëm, njeriu nuk mund të ekzistojë në mungesë të stresit, sepse nuk mund të ruajë ekuilibrin me mjedisin rrethues. Nëse stresi nuk do të gjendej, njeriu nuk do të kishte mbijetuar. Ai mund të përshkruhet, si një kundërveprim i trurit dhe i pjesës tjetër të trupit ndaj atyre kërkesave, sfidave, ngarkesave të cilave, ne i nënshtrohemi në rrethana të ndryshme të jetës.
Qëllimi i stresit është të kujdeset që aftësia fizike t’i përgjigjet kërkesave, që do t’i paraqiten trupit. Prej lindjes deri në vdekje njeriu dhe stresi janë një binom i pandashëm. Për të qenë aktiv dhe produktiv kemi nevojë për pak stres. Por kur stresi është i tepërt duhet të marrim masa që ta pakësojmë, sepse ai dëmton shëndetin e njeriut. Trupi kundërvepron ndaj Distresit, që është stresi negativ, ose i dëmshëm, ai shfaqet kur njeriu nuk mundet të ndryshojë gjendjen që i parashtrohet dhe ndjen pakënaqësi. P.sh humbja e një personi të familjes, shkon në shtëpi dhe ndodhesh përballë mungesës së ushqimit, ritja e çmimeve që në këtë kohë është bërë e zakonëshme, të grindesh me një mik etj., si dhe ndaj Eustresit, që është stresi pozitiv, ose stresi i mirë, që rrjedh nga situata që sjellin kënaqësi, të cilat njeriu i ka zgjedhur vetë ose dhe që e nxisin përpara (martesa, të presësh një fëmijë, të fitosh një lojë apo të dalësh mirë në një provim), një sasi e caktuar stresi është e domosdoshme për stimulim.
Trupi njeriut i përgjigjet të dy llojeve të stresit në të njëjtën mënyrë. Është e saktë kërkesa për të pasur një sasi të caktuar stresi si nxitës, për ta bërë jetën më interesante dhe më të frytshme. Nëse trupit i pëlqen puna që bën, trupi nuk mund t’i përballojë ngarkesat e tepërta, si rrjedhim, stresi pozitiv mund të kthehet në stres negativ, atëherë kur njeriu nuk i dëgjon paralajmërimet e trupit (shenjat fizike apo psikologjike). Të gjitha llojet e stresit kthehen në të dëmshme, nëse trupi është i stresuar për një kohë të gjatë pa pasur mundësi për ta marrë veten sërish.
Disa studiues e përkufizojnë atë si ngacmues (stresor) që na kërcënon, të tjerë e shohin si reagim të organizmit ndaj kërcënimeve të mjedisit, apo si gjithçka që ushtron kërkesa ndaj nesh, të cilave ne duhet t’i përshtatemi. Këto kërkesa mund të jenë të vështira për aftësitë tona. Stresi përfshin kërcënimet ndaj mirëqenies sonë, presionet dhe ndryshimet e tjera të cilat kërkojnë që ne t’i përshtatemi në situata të reja. Stresi mund të shkaktohet prej kërkesave psikologjike ose fizike. Konflikti dhe frustracioni janë shembuj të kërkesave psikologjike. Kërkesat fizike mund të përfshijnë infeksionin, sëmundje ose plagët.
Kur ne përjetojmë stres, mund të shfaqim shenja fizike, psikologjike si dhe sjellje nga më të ndryshmet. Këto simptoma nuk janë shenja sëmundjeje sepse stresi nuk është sëmundje; këto nxisin gatishmërinë e trupit për të luftuar kundër rrezikut duke na dhënë një shpejtësi dhe energji të veçantë për t’u përballur me kërcënimin. Kur jemi nën stres ne ndiejmë zemrën të rrahë me shpejtësi. Kjo nuk është shenjë sëmundje e zemrës, por shkaktohet nga çlirimi i hormoneve të stresit që e bëjnë zemrën të pompojë më fuqishëm dhe të rrahë më shpejt që të marrë oksigjenin ekstra, për të gjallëruar muskujt dhe organet, në këtë mënyrë ne jemi gati të përballemi ose të largohemi nga rreziku. Pasi situata stresante të këtë kaluar, niveli i hormoneve të stresit në gjak ulet përsëri, dhe zemra kthehet në ritmin e saj normal. Zemra dhe pjesa tjetër e sistemeve dhe e organeve të trupit tonë mund ta përballojnë me shpejtësi dhe me punë të fuqishme situatën kërcënuese, sepse janë krijuar për të qenë në gjendje ta bëjnë këtë, pikërisht si një makinë e cila ngre dhe ul shpejtësinë e saj me një presion të veçantë në pedalin e gazit dhe pakëson shpejtësinë me një presion të lehtë në frena. Sistemi ynë nervor simpatik dhe ai parasimpatik shkakton reagimin lufto ose mbathja, të dyja këto funksionojnë në mënyrë të njëjtë. Stresi stimulon sistemin nervor simpatik (pedalin e gazit) duke ngritur nivelin e hormoneve të stresit në qarkullimin e gjakut, ndërsa për stimulimin e çlodhjes apo të marrjes së vetes, është përgjegjës sistemi nervor parasimpatik (frenat), ky pakëson nivelin e hormoneve të stresit në qarkullimin e gjakut.
Një nga problemet me stresin është identifikimi i tij. Ndonjëherë jemi të vetëdijshëm për të dhe si pasojë mund të reagojmë. Por stresi mund të jetë dhe i fshehtë, mund të përjetohet stresi ndaj të cilit mund të mos jesh i vetëdijshëm. Shenjat janë të shumëllojshme, jo të gjithë shfaqin të njëjtat shenja, disa nga ne janë të pavetëdijshëm ndaj tyre. Kërkimet kanë treguar që edhe pse ka simptoma të përgjithshme të stresit, individët ndryshojnë në shfaqen e tyre. Disa individë shfaqin simptoma kryesisht fizike si p.sh tendosje apo dhimbje muskujsh, të tjerë shfaqin simptoma si të qarët apo inatosje, shenja psikologjike.
Shkaktarët e stresit njihen si stresorë. Ekzistojnë me qindra lloje të ndryshme stresorësh. Çdo ngjarje që një personi i duket kërcënuese, e vështirë për t’u përshtatur ose që shkakton një presion të skajshëm mund të jetë një shkaktarë potencial i stresit. Është e rëndësishme të mbash parasysh, se stresi është një eksperiencë individuale, subjektive dhe si pasojë çfarë është stresante për një person nuk mund të jetë për një tjetër. Stresorët mund të ndahen në të jashtëm dhe të brendshëm (ose një përzierje e të dyjave).
Ndryshimet jetësore janë stresorë të fuqishëm. Për shembull, nëse një person jeton i lumtur në shtëpinë e tij, ai jeton prej vitesh atje, ka dhe miq të ngushtë, për këtë arsye, ai nuk do të dëshironte të largohej prej atij vendi. Por ai është i detyruar të lërë atë shtëpi sepse kjo shtëpi është ripronësuar, rrjedhimisht që ky person do të vlerësoj ngjarjen absolutisht shumë më stresante, se sa do ta konsideronte një person tjetër i cili, kishte jetuar për një kohë të shkurtër, me komshinj që nuk merrej vesh, në një zonë të zhurmshme, si rrjedhim ai do të dëshironte të largohej sa më parë prej andej.
Shumica e shkaqeve të stresit që ne përballemi çdo ditë kanë një bazë të zakonshme, nuk janë aq ekstreme sa janë ngjarjet e mëdha të jetës. Shkaqet e zakonshme të stresit janë quajtur shqetësime të përditshme; ato janë iritimet të vogla ditore si p.sh mos gjetja e nje vendi për të parkuar makinën, preokupimi se çfarë do të gatuash, trafiku i rënduar, diskutimet në familje apo me kolegët etj. Nga një herë shqetësimet e përditshme që na mërzisin në mënyrë të vazhdueshme shkaktojnë më tepër stres se sa ngjarjet e ndryshimeve të mëdha jetësore (të cilat janë të rralla). Këto irritime të vogla kontribuojnë në nivelin e përgjithshëm të stresit. Shqetësimet e zakonshme shkaktojnë një stres të tillë, i cili ndikon në keqësimin e gjendjes shëndetësore, madje ndonjëherë në një masë më të madhe edhe se ndryshimet e mëdha jetësore, vërtetë që një ndryshim i madh jetësor është më i fortë se ai i prodhuar nga një shqetësim i zakonshëm por ai ndodh shumë rrallë, ndërsa shqetësimet e zakonshme duke ndodhur shumë shpesh madje janë prezentë çdo ditë bëjnë të mundur akumulimin e tyre me kalimin e kohës. Një pikë ujë që bie rregullisht mbi një shkëmb për një periudhë të gjatë kohe, arrin të gërryej shkëmbin. E njëjta gjë ndodh edhe me trupin e njeriut.
Ne jemi të pirur të mendojmë se stresi shkaktohet vetëm prej ngjarjeve, situatave të jashtme, dhe njerëzve, por gjithsesi kjo nuk është plotësisht e saktë. Studiuesit e stresit kanë vërtetuar se, stresi shkaktohet gjatë një veprimi, që lind nga bashkëveprimi midis stresorit, pikëpamjes tonë ndaj stresit dhe aftësisë së perceptimit për t’u përshtatur me të. Stresi është kombinimi i besimeve, qëndrimeve, interpretimeve, perceptimeve tona të brendshme dhe faktorëve të tjerë me ngjarjet e jashtme.
Teknikat e përballimit të stresit janë teknikat me anë të cilave ne merremi me stresin dhe ankthin. Së pari, ne mund të ruajmë formën tonë për të qenë më rezistencë ndaj stresit nëpërmjet sportit, një ushqyerje të shëndetshme, trajtimi natyror bimor, etj. Së dyti, ne mund ta përballojmë gjendjen e stresit, duke përdorur teknika natyrore si joga, masazh, relaksim etj. dhe së fundmi, kur ne ndodhemi në një situatë të mundimshme që zgjat, ne duhet të konsiderojmë origjinën e problemit që kemi: përse ndodhemi në një situatë të tillë? Çfarë mund të ndryshojmë ne? Nëse ne nuk mund të ndryshojmë rrethanat në të cilat ndodhemi, ne duhet të korrigjojmë mënyrën tonë të sjelljes dhe të reagimit ndaj tyre. Vetëm kështu ne mund të përfitojmë nga anët “e mira” të stresit dhe të mos pësojmë çrregullime fizike nga anët “e këqija” të tij. Por mbetet për secilin detyra e organizimit të programit antistres, në funksion të normave dhe zakoneve të tij të jetesës.