Në kuadër të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në fushën e arsimit u mblodh në Tiranë “Forumi i Unionit të të Rinjve të Diasporës”. Në fjalën përshëndetëse, zv/kryeministri Niko Peleshi tha se “studentët e diasporës janë “ambasadorët” e krijimit të imazhit të ri të Shqipërisë në botë”. Ai i ftoi të rinjtë e diasporës të investojnë dijet dhe përkushtimin e tyre për Shqipërinë moderne, që siç tha ai, duhet të jetë në axhendën e gjithësecilit. Në fjalën e tij, numri dy i Qeverisë tha se vendi ynë ka nevojë për dijet e të rinjve dhe modele suksesi. “Të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë në botë. Shqipëria ka sot dhe do të ketë nevojë për dijet tuaja. Shumë prej jush janë edukuar në universitetet më të mira të botës, kemi nevojë për këto dije. Kemi nevojë për modelin e suksesit. Shqipëria e re dhe moderne duhet të jetë axhenda e gjithsecilit. Duhet ta bëjmë këtë kudo ku jemi, që nga një bisedë me një të huaj për Shqipërinë, ku ne na duhet të shtojmë mesazhet dhe informacionet për Shqipërinë, deri te kontributi i drejtpërdrejtë përmes investimit të dijeve për Shqipërinë. Le ta kemi në mendje, në zemër dhe në planin tonë të punës Shqipërinë moderne”, u shpreh Peleshi.(SHK)