Behar Gjoka: Kritikat e Konicës për shqipëtarët realiste, portretizoi vendin në sytë e botës, t’i pranohet emri Bej-
Intervistoi: Eneida Jaçaj-
Faik Konica është një personalitet ndërshekullor, me një veprimtari shumë të larmishme në letërsine shqiptare. Ajo që duhet theksuar akoma më shumë është se Konica ishte një aktivist i çështjes kombëtare shqiptare, i cili luftoi me penën e tij për një Shqipëri moderne e demokratike, por edhe loboi në sallonet e huaja për pavarësinë dhe zhvillimin e vendit. Konica, një personalitet me një dimension të gjerë kulturor, gjithashtu me penën e tij, i shkundi shqiptarët nga gjumi apatik, u përpoq t’i çlironte dhe nga mendësia e ngushtë dhe mentaliteti anadollak, duke i ftuar të bëheshin më të përgjegjshëm për çështjen kombëtare dhe të përqafonin kulturën perëndimore. Shkrimtari dhe njëherësh studiues i letërsisë shqipe, Behar Gjoka, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, sjell në perceptimin e tij figurën e Faik Konicës. Si njohës i mirë i letërsise shqipe, studiuesi Behar Gjoka e vlerëson Konicën si një personalitet shumëplanesh, me një individualitet unik në letërsinë tonë shqipe. Shkrimtari Gjoka vlerëson se Konica është babai i kritikës dhe eseistikës, ndërsa në aspektin artistik, ai futi prozën në shina moderne. Kritikat e Konicës për popullin shqiptar janë shumë të përdorura në veprat e tij, të cilat kanë ngjallur edhe debate mes intelektualëve. Por, në gjykimin e studiuesit Gjoka, këto kritika janë realiste edhe për ditët e sotme, pasi në atë kohë synonin të zgjonin popullin dhe të merrnin në dorë frenat për një Shqipëri të denjë dhe të pavarur. Këto kritika vlerëson Gjoka, ishin me vend sepse populli shqiptar nuk duhej të ishte vegël në dorë të interesave të pushtuesve të huaj, por të hapnin sytë për të luftuar në çlirimin dhe demokratizimin e vendit. Studiuesi Gjoka pohon se Konica e portretizoi Shqipërinë në sytë e botës, pavarësisht kritikave në veprat e tij, që ishin sigurisht me qëllim të mirë. Gjoka i bën një kërkesë qeverisë shqiptare, që t’i pranojë emrin Bej shkrimtarit, ndërsa shtoi se ka ende vepra të tij të pabotuara.
-Faik Konica është një personalitet ndërshekullor, të cilin e njohim jo vetëm si shkrimtar, publicist, kritik letrar, eseist, por edhe si mbrojtës i çeshtjes kombëtare shqiptare. Ju si studiues z.Gjoka, si do ta perkufizonit për lexuesin, figuren e Faik Konices?
Konica është personalitet shumëplanësh dhe një individualitet unik, i historisë dhe letërsisë shqipe, një figurë kontraverse, ku gjallonte njëherit rilindasi dhe moderni, i cili me revistën Albania, sidomos botimin në tre variantet e shqipes, shtroi shinat e lavrimit të saj në bashkëlidhje dhe diversitet.
-Çfarë të reje solli Konica me veprat e tij, në letërsine shqiptare?
“Të rejat” e sugjeruara dikur nga Konica, tashmë janë kthyer në model ligjërimi të visareve të shqipes. Konica, pamëdyshje që çeli hullitë e lavrimit të kritikës dhe eseistikës letrare, si dhe e ndërfuti prozën shqipe në shtratin e shtjellave të lavrimit modern.
– Çfarë vendi zë sot në letërsinë shqiptare Konica, dhe cila do te ishte vepra që do ta dallonte në gjithë krijimtarine e tij?
Të mos harrojmë, ai dikur thirrej Faik Bej Konica, ende në Shqipëri nuk i kemi pranuar emrin bej, ndonëse ka vendin e vetë të merituar, jo se e pranojnë akademikët apo mësimdhënësit, po se lexuesit e kërkojnë për mendimet dhe format e laryshisë shprehëse, në të gjitha lamitë shkrimore. Konica është figurë tërësore dhe komplekse, por në rrafsh subjektiv, pra si parapëlqim imi, në krye qëndron teksti në prozë“Dr. Gjilpëra”
-Krijimtaria e tij letrare është shumë e gjerë. Në cilin zhanër të letërsisë shqipe do ta vendosnit më së shumti Konicën?
Gjerësia, do parë në situatën e larmisë shkrimore, të kreatives dhe metateksteve verifikuese, do të thoja që për nevojat e letërsisë shqipe, do të mbetet si përvijues i linjave të kritikës letrare dhe eseistikës, kurse për fuqinë artistike, proza e tij. Për mua si lëvrues i prozës.
– Konica, si një intelektual i shumëditur, si një enciklopedi, një erudit, i cili luftoi mendësine e ngushtë orientale të prapambetjes dhe përqafoi idetë iluministe të botës moderne europiane, ka një veprimtari të gjerë në letërsi, por edhe tepër aktiv për çeshtjen kombëtare në proceset demokratike të vendit. A ka një urë lidhëse midis letërsise dhe përpjekjeve të tij për çeshtjen kombëtare shqiptare?
Konica është shembulli, ku shkrimtari dhe intelektuali bashkëjetojnë, gjë që ndërkaq është tipike për letërsinë shqipe. Duke qenë njohës i vlerave dhe mungesave të shqiptarëve, si dhe duke qenë “pjesëtar” i salloneve europiane dhe amerikane, si pak të tjerë, ndjeu ritmin e vonuar të kombit dhe shoqërisë shqiptare, dhe prandaj si pak të tjerë, krahas vlerave, vuri në spikamën e penës së tij, përmes ironisë dhe sarkazmës, dobësitë jo të pakta që ende vijojmë me i pasë në shqipotë, madje edhe në shekullin e njëzet e një.
-Në veprat e tij, Konica përdor një gjuhë shumë të ashpër për shqiptarët: Shqiptaret jane kafshe, armiq të vetvetes. Sot e kësaj dite, ne vijojme të shajme njeri-tjetrin (ksenocentrizem), nuk jemi pozitive, ndoshta një kulturë e trashëguar kjo nga e kaluara. Si e shihni gjuhën e Konicës me nota shumë kritike ndaj popullit shqiptar?
Thëniet dhe përcaktimet, e bëra ngahera nga Konica, pavarësisht “vellosë së ashpër”mua më duken më tepër realiste…Ende jemi një popull romantik, ëndrrimtar, që ka vlerë, po kur ujku po të kafshon e ti “ëndërron” se je në ëndërr… Mungesa e sensit kritik, të vetëdijes sonë, trima mbas beteje, e mentar pas kuvendi, ka nxjerrë në pah sensin kritik dhe realist të Konicës, në lidhje me bashkëkombasit, pavarësisht dozave të ngarkuar sarkastike.
-Kritikat e Konicës ndaj popullit shqiptar, nuk janë pritur mirë edhe nga një sërë intelektualë e studiues, duke e cilësuar ate inatcor, egoist, një person që mendon që i di te gjitha, se vendi nuk ka nevojë për inatçorë, por për mesues dhe edukatorë si Fan Noli. Si i shihni kritikat ndaj Konicës?
Konica ka thënë mendimin e vetë, në shumicën e herës të vërtetë, por vazhdimisht e ka trazuar mendimin shqiptar, që shpesh fanitet si një kënetë me lule, që kanë pak aromë. Konicës mundet t’i vësh epitete sa të duash, ndoënse mendimet e tij, prekin plagët e kënetës shqiptare. Mos të harrojmë, Konica ka qenë mësuesi dhe udhërrëfyesi i Nolit, pavarësisht shtigjeve të ndryshme dhe ndarjes së tyre. Kur të çlirohemi nga beteja në mes vegjëlisë, që i përkon Nolit dhe bejlerëve, ku gjellin Konica, do të zbulojmë vatra të tjera, te secili shkrimtar, por në mënyrë të veçantë mendimtarinë polemizuese të Konicës.
– Konica, jetën e tij e kaloi jashtë vendit, nga Franca ku u shkollua, shkon në Angli, e pastaj u instalua ne Amerikë, por nuk i ndërpreu marrëdhëniet me vendin e tij. Çfarë të reje solli ai në mendimin dhe kulturën shqiptare, por edhe anasjelltas, pasi ai ka patur marrëdhënie me personalitete të huaja të asaj kohe. Si e ka prezantuar ai Shqipërinë në sytë e të huajve?
Duke jetuar jashtë, Konica thelloi njohjen me botën dhe në të gjitha rastet e paraqiti Shqipërinë në sytë e tyre si vend i jashtëzakonshëm, madje gati krejt ndryshe nga kritikat e ashpra që hidhte mbi shqiptarët, me jo pak mungesa. Ai në shaqërinë mendjembyllur shqiptare solli të menduarit kritik, që bën të mundur daljen nga shpërgjumja, por pati njohje të shumta dhe bëri vlerësime për kulturën perëndimore. Konica ishte sqimatar në portretizimin e Shqipërisë para të huajve, përgjithësisht e ruajti ekulibrin në komunikim me të huajt, për atë që përfaqësonte atdheu dhe kombi shqiptar.
-A është vlerësuar sa duhet figura e Konicës nga shteti shqiptar?
Edhe Konica kaloi nëpër kalvarin e pohimit, dënimit dhe të rikthimit, dhe për secilën situatë, shteti shqiptar, monarkia e bëri ambasador, diktatura e ndaloi, kurse demokracia, aq e brishtë shqiptare, e riktheu, së paku si emër, ndonëse Konica i përket kulturës, letërsisë, një përmase më përtej përkohësisë së secilës formë shtetërore.
-A ka ende vepra të pabotuara nga krijimtaria e Konicës?
Përgjigje: Fakti që Fotaq Andrea para disa vitesh zbuloi në Francë dy tekste romanesh, në frëngjisht të Konicës, ose letra të autorit në SHBA, tregon se përmasat e Konicës janë shumë më tepër, nga sa njohim, mbase letërkiëmbimi i autorit, mbetet ende në hije.