
Kristaq BALLI
FOTO TË RRALLA TË FOTOGRAFIT TË SHQUAR GEORGE TAMES NGA “LIVELY MORGUE”
Xhorxh Tejms (George
Tames, 1919-1994) njihet në opinionin botëror si një prej fotoreporterëve të famshëm shqiptaro-amerikanë të shek. XX, i cili, si rrallë kush, ka fotografuar në Capitol Hill dhe Shtëpinë e Bardhë 10 presidentë rresht (nga Rusvelti deri tek Xhorxh H.W. Bush)1)2), zv, presidentët respektivë, senatorë e kongresmenë, administratat presidenciale, si dhe shumë foto të tjera me përmbajtje historike, politike, ekonomike, shoqërore, kulturore e artistike për organin mediatik “The New York Times”. Fotografia e tij “Puna më e vetmuar në Botë” (The Lonely Job in the World)3), që i kushtohet presidentit Xhon Kenedi, është një nga fotot më të njohura presidenciale dhe një emblemë kontraverse e punës, vështirësive dhe përgjegjësive globale të të gjithë presidentëve amerikanë. Njëheresh ai është shumë i njohur për fotopeizazhet e tij madhështore të kompozuara në përmasave të gjera e gjithëpërfshirëse urbanistike, arkitekturore, historike e kulturore të Uashingtonit, të mjediseve të jashtme e të brendshme të Kapitol Dome, Shtëpisë së Bardhë, Senatit, memorialeve të Abrahaham Linkolnit, Xhorxh Washingtonit, obeliskëve të ngjarjeve e njerëzve të shquar amerikanë, fushatave spektakolare elektorale dhe konventave presidenciale, etj., sidomos ato të fotografuara në kënde të gjera aerale nga avionët, natën, që përbëjnë sprova të vyera panoramike.
Krijimtaria e tij fotografike e botuar dhe e pabotuar prej mijra e mijra fotosh dhe negativësh, e cila përbën një rekord fotogazetarie, ndodhet sot e ruajtur në megaarkivin e kësaj multimedie, arkiv që figurativisht quhet edhe “Morgu i Gjallë” (Lively Morgue).
George Tames njihet nga opinion shqiptar nëpërmjet një ekspozite mjaft interesante të tij në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë në vitin 2016, të titulluar “Presidentë Amerikanë dhe Marrëdhëniet Shqiptare”4), një sërë botimeve të disa studiuesve që e njohin, si dhe më pak në organet kulturore e artistike. Prej tyre, George Tames renditet ndër artistët fotografë shqiptarë apo me origjinë shqiptare që e kanë ushtruar tërësisht, apo pjesërisht veprimtarinë e tyre jashtë Shqipërisë, si Pero Kaçauni, Kristaq Sotiri, Gjon Mili, George D. Boria, etj.
…
…Është viti 1953. Europa po fshin gjurmët shkatërrimtare të Luftës së Dytë Botërore dhe ka filluar të shërojë plagët e luftës e
të shëndoshë jetën ekonomike të saj. Shumë shtete të mëdhenj sidomos bujqësore në fuksion të plotësimit më të madh me drithëra dhe prodhime ushqimore e blegtorale. Ndërkohë Amerika vijon ritmin e rritjes së prodhimit të drithrave, pa kuptuar e vlerësuar se eksportet e saj në rajonet e dëmtuara nga lufta, sidomos në Europë, po ulen gradualisht dhe kanë filluar shenjat e para të rezervave e stoqeve nëpër depo e magazina.
Bujqësia, pothuajse e përqëndruar në fermat private, nuk mban ritmin e kërkesë dhe ofertës, sepse fermerët e mëdhenj e mesatarë nuk janë në dijeni për ritmin dhe politikat shtetërore të eksporteve të prodhimeve të tyre, prej nga varen ata.
Ndërkohë, në korridoret e Kapitol Hill dhe Senatit në Uashington, kjo situatë u shfrytëzua për ta shndrruar atë në një debat politik. Sipas një pjese politikanësh opozitarë. garancitë federale për fermerët e grurit kanë kapur në kurth taksapaguesit për tepricën, në shumën prej afro 1 miliard dollarësh. Fermerët evropianë, të cilët ishin shkatërruar nga lufta, ishin kthyer në ciklin e prodhimit të plotë. Askush nuk po blinte grurë amerikan, çmimet po binin dhe toka vazhdonte të prodhonte.. Për këtë arsye çmimet po binin, ndërsa toka vazhdonte të prodhonte, teksa po paralajmërohej një inflancion dhe recension financiar…
Kryetitujt e shtypit drejtonin një thirrje dhe një notë shqetësimi të madh për këtë mospërputhje. Fantazma e një teprice të re gruri varej mbi horizontin e fermerëve. Ata po
prodhonin të korra në nivel rekord. Sipas tyre, ky fenomen ishte paralajmëruar që një vit më parë. “Të gjithë mund të kenë probleme të tilla, ne jo!”
Mes debateve të ndezura të politikanëve dhe tablosë mediatike në Uashington rreth asaj se çfarë duhej bërë në lidhje me këtë situatë, fotografi George Tames, me intuitën, por edhe me integritetin e tij profesional, mori misionin për të shkuar vetë në Kansas, në kontenë Colby, gjatë periudhës së korrjeve, për të fotografuar tablonë reale, si dhe për të kuptuar realisht çfarë mendonin fermerët për të.
Kansasi, një shtet në qendër të SHBA-ve, konsidrohej si hambar i drithrave dhe eksportues i madh amerikan. Me këtë rast, në kushtet e prodhimit të tepërt,ai u mor si etalon i diskutimit në qarqet politike e ekonomike të Uashingtonit.
Në të vërtetë edhe pse situata ishte konsideruar në mënyrë ironike si “Superprodhim dhe Vetmi”, Tames e ndjeu atë si një panoramë të zakonshme pune, aspak dramatike, madje shumë herë në dukje të një qetësie “olimpike” Këtë e tregojnë disa dhjetra foto të tij të reealizuara në mes të fushave me grurë dhe në ambiente të tjera rurale në Colby.
Një pjesë e fotove të tij u botuan menjëherë në “The New York Times” më 26 korrik 1953. Të tjerat janë botuar më 1954 dhe 1959. Ato kanë marrë vëmendje të veçantë edhe sepse “…treguan një histori shumë të ndryshme nga bomba në Uashington. Shumë nga këto imazhe nuk janë takuar kurrë më parë”.
Por, a kishte edhe diçka prej epërsisë amerikane për të qeshur në këtë kombinim të “tepricës dhe vetmisë”?
Sigurisht që pati disa, por, në kontekstin e shkrimit po përmend vetëm një: Senatori nga New Mexico dhe ish-sekretar i bujqësisë Clinton P. Anderson, i dërgoi gazetës “The New York Times”, ku deklaronte me një lloj sarkazme se “…teprica e grurit të vendit ishte një masë e supremacisë dietike amerikane; arsyeja që ne nuk hamë aq shumë grurë sa evropianët ështe se ne po konsumojmë më shumë mish, bulmet dhe vezë… Unë jam po aq i sigurt se fakti që buka pritet sot në feta nga furrat e bukës është kryesisht standardi ynë më i lartë i jetesës. Amvisave amerikane u pëlqen kështu….”
Fotografitë në Kansas të George Tames ju përcjellin shikuesve disa mesazhe dhe perceptime të rëndësishme shoqërore e profesionale:
Në rrafshin politik e ekonomik, ato tregojnë fuqinë politike dhe kauzën ekonomike të Shteteve të Bashkuara që, edhe në raste vështirësish, ato dinë të menaxhojnë politikisht dhe ekonomikisht eksese, apo situata të tilla të papritura e të veçanta. Pavarësisht se ç’mund të ndodhë, shteti i siguron bizneset dhe fermerët nëpërmjet investimeve e subvencioneve, që prodhuesit të mos rrezikojnë.
Nga pikpamja profesionale, fotot e George Tames, përbëjnë
një prej albumeve të tij me vlera të larta e të shumanshme sociale, por kryesisht ato janë nga veprat e tij më përfaqësuese në kontektin artistik.
Edhe pse tematika, apo përmbajtja e tyre është ajo e atmosferës së jetës dhe punës të një komuniteti fermerësh gjatë stinës së korrjeve, konceptimi kompozicional priret nga përfshirja e hapësirave e tablove të gjera, thuajse të pafundme të
fushave me grurë, ku lëvrijnë autokombajna e makineri shirëse, si dhe njerëz, më së shumti mjeshtra e punëtorë, fermerë, mjedise dhe brendi të “shtëpizave” të tyre të improvizuara në kampingje, ku ata banojnë përkohësisht bashkë me familjet e fëmijët, apo edhe mbrëmje intime rinore, të cilët, gjithë së bashku përbëjnë armatën e punonjësve të palodhur “shtegtues” gjatë korrjeve që nga Teksasi, Oklahoma, Kansasi, Nebraska e deri në Dakota. Gjithçka që taton pulsin e punës dhe të atmosferës së jetës boheme në fushat e pamata të drithit.
Sigurisht, fotot e përcjellin me detale e me gjithë vërtetësinë e tyre tablonë e jetës në momente të vështira, vendimtare, sakrifikuese edhe sepse ato kanë fuqinë e sfidës që George Tames ka mundur të përzgjedhë e të përcjellë me dashurinë e tij prej një
njeriu dhe shpirtin e artistit me ndjeshmëri të veçanta
emocionale. Tiparet më shprehëse estetike që të sugjerojnë dhe që i bëjnë ato vepra të paharrueshme janë humanizmi dhe lirizmi. Humanizmi – nëpërmjet pasqyrimit të vërtetë e shumë të larmishëm të fuqisë e dinjitetit shpirtëror të personazheve të pa “inskenuar”, realë, të fotografuar në momente deçizive nga një artist, që edhe pse akoma i ri, arriti ta ngjizë këtë tipar nga mendja, syri e imagjinata në marrëdhënie me dhomën e errët të aparatit të tij. Ai fotografoi horizonte të gjera në filma të vegjël, por edhe në miniaturë tablotë dilnin po aq ekspresive e madhështore.
Ndërkohë, atmosfera dhe kumti i thellë lirik, çiltërsia dhe lirizmi i gjendjeve emocionale të këtyre fotove, të pa takuara herë tjetër, është produkt estetik i fantazisë krijuese të përthyer e filtruar në lentet e një mjeshtri të vërtetë të artit vizual.
□ □ □
____________
1. Balli K.: FOTOGRAFI I DHJETË PRESIDENTËVE AMERIKANË – Gazeta Dielli.com (The Sun) 16 Korrik 2024
2) Balli K.: LUFTA E E FTOHTË NË DISA FOTO TE FOTOGRAFIT GEORGE TAMES ME ORIGJINË SHQIPTARO – AMERIKANE Gazeta DIELLI.com (The Sun), 17 Gusht 2024
3) Balli K. : NJË FOTO BOTËRORE PRESIDENCIALE Gazeta DIELLI.com (The Sun), 1 Tetor 2024
4) Balli K. “Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare , “Koha Jonë”, 19 Nëntor 2016. f. 18-
Për kuriozitet, të tjera foto nga ky cikël: