Doktor Ardian Mustafai së bashku me bashkëshorten e tij mjeke Margarita Dalipi-Mustafai rrëfejnë Berlinin ekskluzivisht për gazetën Dielli, New York, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja/
COVID-19 NË GJERMANI DHE PASOJAT
Gjermania në Eurozonë ishte shteti më i suksesshëm në luftën ndaj pandemisë që ka paralizuar globin. Edhe pse shteti gjerman shërben si model shumë efikas në luftimin e kësaj sëmundje, prapë se prapë pasojat janë ndjerë në të gjitha fushat e jetës. Pandeminë Globale të quajtur COVID-19 të shkaktuar nga SARS-CoV-2, pritet ta pasojnë një sërë ndikimesh dhe luhatjesh si shëndetësore, njerëzore, ekonomike, e shoqërore në përgjithësi. Asgjë sdo jetë si më parë. Dëmi në ekonomi, ngadalësimi në zhvillimin e sipërmarrjeve dhe kryesorja humbjet në jetët njerëzore kanë sjellë një shqetësim jo të vogël te popullsia vëndase. Për shkak të menaxhimit të shkëlqyer të krizës që shpërtheu nga pandemia globale, ndërhyrjes së shpejtë të institucioneve, efikasitetit të sistemit shëndetësor dhe planit të masave, bëri që Gjermania edhe pse me numrin më të madh të banorëve krahasuar me shtetet tjera të Bashkimit Evropian, e kaloi me suksese këtë sfidë, bazuar nga numri i të infektuarve si dhe numri i atyre që përfunduan letalisht. Ky sukses u garantua nga fakti se Qeveria gjermane, Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë në koordinim me Institutet e varësisë, filluan testimet masive të popullatës, për detektimin e hershëm të personave që mund të ishin prekur nga pandemia globale. Situata aktuale përsa i përket numrit të të shëruarve spontanisht është në rritje e sipër, duke marrë parasysh se ende nuk ka vaksinë për të kuruar Covid-19. Një tjetër tregues shpresëdhënës në lidhje me të ardhmen pozitive është fakti se numri i të infektuarve nuk ka shënuar rritje të madhe. Sipas rekomandimeve më tëfundit nga autoritet shëndetësore, prej muajit Maj 2020, kemi lehtësime në qarkullimin hekurudhor, atij të transportit publik, hapjen e shumë lokaleve dhe hotelerive të ndryshme, shkollave e çerdheve për fëmije, mbajtjen e manifestimeve të ndryshme, normal në numër të konsiderueshëm të njerëzve. Por ajo që duhet theksuar mbi të gjitha është detyrimi për mbajtjen e maskave në të gjithë Landet e Gjermanisë.
INSTITUCIONET SHTETËRORE NË LUFTË NDAJ COVID-19
Përsa i përket masave të marra nga shteti gjerman për luftimin e COVID 19, qeveria Gjermane në bashkëpunim me institutionet mjekësore të varësisë, që në fillim të janarit të vitit 2020 ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme për parandalimin e përhapjes së SARS-CoV2. Institucionet sensibilizuan popullatën nëpërmjet rekomandimeve të dala nga Institutet Virologjike, si Robert-Koch – Institutit me seli në Berlin, po ashtu edhe të tjerëve në vend, duke mbajtur distancën prej 2 metra nga njëri-tjetri, mos dhënien e duarve gjatë përshëndetjeve, mos lejimin e mbajtjes të asnjë lloj manifestimi sportiv, kulturore, social, përdorimin e domosdoshëm të maskave në fytyrë, pastrimin e shpeshtë të duarve, testimi i numrit të madh të popullatës, etj.
SHQIPTARËT NË GJERMANI
Bashkatdhetarët shqiptarë në Gjermani kanë qenë shumë pak të prekur dhe fatmirësisht pa pasoja në jetë të humbura. Nga strategjia e suksesshme e qeverisë dhe nga ndërgjegjsimi i shpejtë bëri që shqiptarët të shpëtojnë paqë. Përsa i përket numrit të të infektuarve shqiptarë në Gjermani, në bazë të të dhënave nga ana e grupeve të punës të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani në të gjitha Landet e Gjermanisë, rezulton të jetë shumë i vogël. Në lidhje me këtë, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani u vu në dispozicion për çdo lloj informate apo njoftimi nga ana e mjekësve që t’i shërbejë popullatës shqiptare në Gjermani si udhërrëfyes, në rast infektimi, si ndihmesë se ku ata të orientohen dhe drejtohen për të ndjekur më pas hapat mjekësorë. Përsa sa i përket sferave të tjera, normal që shumë shqiptarë që shërbejnë në Gastronomi e Hotelieri janë të goditur nga kjo murtajë. Ne jemi shpresëplotë se me këto lehtësime të lëvizjeve të njerëzve e rikthimit në jetën normale në Gjermani, do fillojnë të frymojnë lirshëm edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Gjermani. Hapja e shtetit do ndikojë pozitivisht si ekonomikisht dhe psikologjikisht për qytetarët e kyçyr nga pandemia globale.
TREGUESIT NË VAZHDIM TË COVID-19 NË GJERMANI
Shifrat që vijnë nga Gjermania janë gjithnjë e në përmirësim çka japin shumë shpresë në ecurinë pozitive të luftës së suksesshme ndaj pandemisë botërore Covid-19. Kurba e të infektuarve ka ndryshueshmëri në varësi të ditës dhe javës. Gjersa në fillim të vitit shkalla e infektueshmërisë rritej, ku një person i infektuar mund të infektonte 10 të shëndoshë, pra shkalla1, me kalimin e kohës, shënoi ulje nga 0.6 – 0.7. Parashikimet për shkallën e infektueshmërisë për momentin është vështirë të parashikojmë, pasi në dallim nga dita në ditë, por ajo që pritet të shihet në vazhdim është numri i të shëruarve spontan, gjë që ka shënuar rritje të lartë. Me shpresë që pas këtyre lehtësimeve të kohëve të fundit në lëvizje të njerëzve, dhe hapjen e lokaleve dhe lejimin e manifestimeve të ndryshme, nuk do kemi valë të dytë të infektimit, kjo do na pamundësonte të vlerësonim pasojat e mundshme. Në lidhje me jetët e humbura të qytetarëve gjermanë ndër shkaqet kryesore tëvdekjeve në moshat e thyera kanë qenë shkaqe duke filluar nga ato kardiovaskulare, pulmologjike, diabetike, kanceroze, immunitet të dobët, këta janë më të prekur, ku fatkeqësisht një pjesë pëfundon në ventilimn mekanik me Intubacion, dhe si rrjedhojë përfundojnë letalisht. Kujdesi duhet të jetë jashtëzakonisht i lartë perderisa nuk kemi ende vaksinën në disponim, nuk do mund të themi se kemi arritur sukses në parandalimin apo shërimin e COVID-19, sepse në çdo çast mundet që SARS-CoV2 të infektojë dhe të kthehet në ditët më të këqija të shpërthimit të pandemisë. Përfundimi i një epidemie nga çasti i infektimit çka do të thotë 28 ditë nga i infektuari i fundit si i testuar negativ. Deri tek ky moment magjik, besoj do na nevojitet një kohë e gjatë. Në këtë betejë sa institucionale sa shëndetësore sa njerëzore nevojitet bashkëpunim dhe kujdes i të gjitha hallkave pasi një zinxhir i vetëm nuk mund të bëjë asgjë në luftë me ketë virus agresiv.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË SHBA
Nëpërmjet kësaj interviste dua të përshëndes lexuesit e Diellit, komunitetin shqiptar në USA dhe veçanarisht federatën panshqiptare Vatra si një federatë mbarë shqiptare me një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, traditës e kulturës dhe promovimin e çdo shqiptari të suksesshëm. Vatra është model i organizimit dhe funskionimit të diasporës shqiptare. Për të gjithë komunitetin shqiptar në USA unë do t’ju bëja thirrje qëtë kenë kujdes të shtuar në këtë betejë të egër me virusin vdekjeprurës. Lexuesve të gazetës Dielli do ju rekomandoja që ruajtja e distancës prej 2 metra të jetë e panegociueshme, të bëhet shpesh larja e duarve, të mos përshendesim me duar, mbajtja e maskave nëpër qytet dhe në hapsirat publike. Sipas të gjitha të dhënave të Instituteve Virologjike deri tek Vaksina do nevojitet të paktën edhe 1 vit kohë, deri atëherë infeksioni nëçdo kohëështë i mundshëm. Prandaj ti përmbahemi regullave të lartë përmendura. Virusin do ta mundim të gjithë bashkë me punë, kujdes mjekësor, distancim social dhe higjienë personale.
KUSH JANË MJEKËT BASHKËSHORTË ARDIAN MUSTAFAI DHE MARGARITA DALIPI-MUSTAFAI
Dr.med.Ardian Mustafai është nga Tetova e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton dhe punon me vite në Gjermani si mjek Internist-Kardiologji si dhe në Mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit, si dhe njëherësh është Nënkryetar i parë i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Dr.med. Margarita Dalipi-Mustafai është nga Struga e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton e punon me vite në Gjermani si mjeke Internist-Nefrologji, si dhe në mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit. Puna e mjekut Ardian Mustafai në diagnostikën Klinike në Kardiologji konsiston në trajtimin e sëmundjeve Kardiovaskulare nëpërmjet Diagnostikës së Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit Transezofageal, Stress-Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit me mjetë Kontrast, Ergometrisë, Kontrollimin e Pacemaker, si dhe Kateterizimit të zemrës si Diagnostikë. Në mjekimin Intensiv kryesisht mjekët bashkëshortë merren me ventilimet mekanike, Intubimet endotraheale dhe Reanimacionet. Puna e doktor Ardianit në Klinikën e Nefrologjisë ka të bëjë kryesisht me Dializimin, Hemofiltracionet, Plazmaferezen, Immunofiltracionet, Biopsisë e Veshkave, si dhe Ultrazërin e Veshkave. Doktor Ardian Mustafai është anëtar i shoqatës së kardiologëve të Gjermanisë. Të dy bashkëshortët janë pjesëmarrës në shumë Konferenca e Kongrese të ndryshme vendore e ndërkombëtare në fushën e mjekësisë.