Gjeneral ® Piro Ahmetaj/
Sigurisht po e ndjek me interes/shqetësim të shtuar, situatën e sigurisë në Kosovë pas shpërthimit të tubacioneve të ujit në “Ibër-Lepenci”. Ndëkohë kam refuzuar (me vetëdije) t’i bashkohem histerisë patriotiko – folklorike, që demonstrohet jo vetëm nga media, opinionistët e gjithëditur, por fatëkeqësisht edhe nga Faktorët politik, Institucionet dhe Autoritetet përgjegjëse të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.
Gjithësesi, në kapacitetin e një ndër ekspertëve (shpresoj jo i panjohur/unknown) për çështjet e sigurisë kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, në vijim gjeni përmbledhje strategjike rreth peshës, përqasjes, gjetjeve si dhe të rekomandimeve për përballjen me këtë akt terrorist të radhës:
Pikësëpari, si definicion, por mbi të gjitha për impaktet, kundër një infrastrukture me rëndësi kritike (për furnizimin me ujë dhe energji të rreth 1 milion, pra gjysmën e popullsisë, ose bashkëqytetarëve Kosovarë, Serb, etj), e çmoj si një sulm terrorist kundër një shteti Sovran. Kjo pasi: “nuk është dëmtuar një ujesjellës fshati, si e tillë, nuk mund të konsiderohet kurrsesi betejë e rëndomt për konkurencë tregu…” , apo Jo ?
Kështu, pa asnjë medyshje, e dënoj këtë sulm barbar (njëherësh bande-burracakësh), si dhe i bashkohem apelit për institucionet ligj-zbatuese: “të zbardhin me profesionalizëm, integritet dhe sa më shpejt ngjarjen duke vënë para drejtësisë frymëzuesit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij akti terrorist”!
Ndërsa nuk jam as gjykatës as prokuror ndërkombëtar që “të vendos gishtin mbi fajtorët”, patjetër e gjej të ngjashëm, të frymëzuar dhe të orkestruar me interesat gjeopolitike të Kremlinit në Rajon si dhe sulmet neo-Naziste të Rusisë Putiniste (përgjastë 34 muajve) kundër infrastrukturave kritike të Ukrainës, si linjat/depot e naftës/gazit; tubot e amonjakut Togliatti-Odessa; digave të Hidrocentraleve, Spitalet, Shkollat, etj.
Nga ana tjetër (me shumë keqardhje), e gjej dhe neveritëse njëherësh, luftën populisto-elektorale mes vedit, pra se kush prej Faktorëve politik, Autoriteteve Shtetërore, analistëve dhe ushtrisë së sekserëve rreth pushteteve në Prishtinë dhe Tiranë, do të bëjë statusin e “patriotit më të zjarrtë në fushëbetejën diçitale” ?!
Si shëmbullin më tipik sjell në vëmendje demostrimin folklorik të forcës (pas pilafit), të Qeverisë-Kurti, cinikisht i shoqëruar edhe nga Shefi Shërbimit të Inteligjencës, i cili në vend të bente foto/shfaqje bolshevike me “cizme dhe lopata në krah të Eprorit/KM”, do duhet të jepte dorëheqjen për “(keq) dështimin e ShIK në përmbushjen e misionit”, pra të (mos) parandalimit dhe zbulimit të akteve të përsëritura terroriste me impakte kritike ndaj sigurisë së Kosovës. Shënim shtesë: “dorëheqja nuk është një akt personal (siç perceptohet), por një standart perëndimor i përgjegjeshmërisë shtetërore.
Së DYTI, riciklimi i sulmeve terroriste apo maktheve të Millosheviçit 25 vjet mbas humbjes turpëruese të luftës gjakatare, mund të ushqejnë agjendën radikalëve në Beograd; interesat e krimit të organizuar, apo “sorrat rreth liqenit Ujmanit …”, por kurrësesi nuk munden të trembin kombin Shqiptar si dhe as fuqinë e sprovuar (në 1999) të Aleancës Euroatlantike (USA/ NATO/UK/BE!
Për më qartë, Serbia do duhet të harrojë ëndrrat/paranojat Staliniste si dhe oshilacionet e Milosheviçit, pasi kufijtë dhe harta gjeopolitike e Republikës së Kosovës janë skalitur me gjakun e dëshmorëve të kombit, fuqia ushtarake e USA/NATO në 1999 si dhe sakrificat e luftetarëve në shekuj.
Prandaj, për aktorët mendjehapur edhe në Beograd përsëris thirrjen: “të mos lejojnë që qeveria e Vuçiç sot, etj mbas tij, të shpenzojnë kot stërkoti mbi 1.5 miliard euro në vit nga mundi i popullit serb (për armatosjen nga me tanke; ‘Mig29’, ‘Rafale’, helikopter, raketa dhe dronë vrasës) pasi asnjë nga vendet ndërkufitare (përfshi Kosovën) apo Aleancë nuk e rrezikon sovranitetin e Serbisë”!
Së TRETI, jo vetëm si ekspert por me përulësi vllazërore do t’i këshilloja faktorët politikë të Kosovës që të lënë adresimet populiste dhe llogaritë elektorale, por: “aktet terroriste dhe kërcënimet ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës”, t’i adresojnë me përgjegjësi të lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne/Demokratike (përtej prezencës së NATO-s që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës, nga “konsumatore në kontribuese” për paqen, stabilitetin dhe integrimin në NATO/BE.
Për me tepër, përsëris edhe thirrjen ndaj faktorëve politik dhe aktorëve shtetërore në të dy anet e kombit (Tiranës dhe Prishtinës zyrtare), që ta tejkalojnë luftën donkishoteske për privatizimin e Partive Politike dhe përjetësimin e pushtetit, POR të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme si dhe interesave (mbarë) kombëtare duke i dhënë jetë platformës “dy shtete sovrane një komb i vetëm”, pra duke ngritur kapacitete të përbashkëta: “Inteligjencën, për emergjencat civile, arsimimin, stërvitjet, misione ndërkombëtare, rreziqet kibernetike, etj”. Gjithësesi qartësoj se “me këtë projekt të vonuar nuk do shpikim rrotën”, pasi të tilla përqasje janë aplikuar me sukses edhe nga 3 vendet e Beneluks-it, (Belgjikë, Holandë, Luksemburg); 3 vendet Nordike (Norvegji, Finlandë, Suedi); pa përmendur qasjen e dy vendeve të NATO-s (Turqisë dhe Greqisë) në raport me sovranitetin e Qipros, pra ndaj një vendi anëtar të BE-së!
Ndërsa, aktorët dhe strategët/kolegët në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i sugjeroja që perspektivën e paqes, status-quonë/interesat gjeopolitike të USA/NATO në Ballkan, do duhet ta parakushtëzojnë jo me qasje burokratike, ndaj zgjimit të aleancave historike, as riciklimit të garës së armatimeve, etj por me “imponimin” e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi Zyrtar se: “(1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake sulmuese, pra Tanke, Mig -29, Rafale (francez), raketa Ruso-Kineze, etj, deri në masën që të mos kërcënojë fqinjët (posaçërisht Kosovën); (2) nuk do të vendosen as instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësore), në kufijtë ndërshtetërorë.
Në shtesë, përfshi dalldisjen e Z. Vućić për ti shlallur luftë Kosovës, Rajonit dhe NATO-s (!); edhe ky sulm terrorist tregon se me gjithë përpjekjet dhe progresin 25-vjeçar për t’u larguar nga urrejtja dhe gjakderdhja shekullore, fatëkeqësisht paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euro-atlantike për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (perfshi vetë Serbinë), mbeten ende të kërcënuara nga Beogradi dhe Moska.
Ndërsa duke u përulur për sakrificën sublime të dëshmorëve të atdheut dhe mirënjohjen për rolin kritik të USA/NATO në Rajon, më duhet të përsëris thirrjen ulëritëse: “vëllezër qëndroni vigjilent, pasi paqja, siguria dhe demokracia nuk janë dhurata të përjetshme”. Kështu shpresoj që edhe ky sulm terrorist, t’u shërbejë mbarë-shqiptarëve si “sirena alarmi” për të qëndruar zgjuar, punuar dhe luftuar çdo ditë kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes mes popujve të Ballkanit.
Së fundmi, përtej riciklimit të akteve terroriste, “armatosjen deri në dhëmbë” të Serbisë apo Rajonit si dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit për axhendën e Putinit; besoj edhe më fortë se paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të bashkëjetesës paqësore, mirëqenies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të 6 vendeve të Ballkanit perëndimor, pra Shqipërisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.