Nga Rozi Theohari, Boston/
Qëkurse korçari Nikolla Kristofori, emigranti i pare shqiptar në Amerikë, siç thuhet, kapërceu Atlantikun me 1886, pas vitit 1900 emigrimi përtej oqeanit u bë modë. Kjo “rrjedhë emigruese” e pandërprerë prej më se njëqind e ca vjetësh, vazhdon deri në ditët tona e, si duket, edhe në të ardhmen, me refrenin e përsëritur:
“Mora rrugën për Janinë—
”Mora vizën për Amerikë…”
“Nëno, do nisem për në kurbet,
Çupën e djalin të m’i kesh kujdes…”
Këto vargje njëqindecavjeçare janë aktuale edhe sot. Për më tepër, emigrimi i sotëm është një “rrugëtim historik” duke e lënë atdheun në dekadën e një epresioni të madh shpirtëror.
Largohen jetë njerëzish duke marrë me vete dhembjet e tyre.Çdo familje e ardhur në Amerikë është “një qelizë jete” e shkëputur nga trungu i atdheut dhe e mbjellë apo e shartuar në një terren në kushte krejt të ndryshme. Dikur, as e fantazonim këtë shtegtim të largët përtej oqeanit, fillimin e jetës së re mes përballjesh të paparashikuara e mes shumë të papriturash, lufta për ekzistence në vorbullën perëndimore.
Shumë të papritura. Duke filluar që nga vetë natyra dhe ndryshimet e motit. Ditën e mbërritjes këtu, me 14 shkurt, ishte një kohë e bukur me diell, kur, papritur, dielli u mbulua nga re të bardha e filloi të binte dëborë e rëndë, e dendur. Na dukej sikur kishim arritur në një planet tjetër. Banorët e Nju-Ingland e quajnë klimën e këtushme “mot i çmendur.” Ja përse e ndieja veten të lodhur e të kapitur atë ditë. Isha mësuar me klimën e butë e të ngrohtë të Tiranës.
Surpriza e dytë ishte takimi dhe biseda me personin e pare amerikan, e cila më la mbresa dhe besoj se njohja me njerëz të rinj është pjesa më interesante e udhëtimit kur ju vini për here të parë në një vend tjetër. Ime mbesë më ftoi të bënim një shëtitje të vogël jashtë, në rrugë, kur vuri re pamjen e trishtuar që kishte marrë fytyra ime atë ditë. Duke shkelur me kujdes në dëborën e shtresëzuar, i ndalem hapat një çast dhe ajo më njohu me fqinjën e saj, Doloresin, një grua zezake e bëshme nga trupi e fytyrëqeshur. Ishte hera e parë në jetën time që toka dorën me një person me lëkurë të zezë. Dora e saj ishte e butë si mëndafsh, ndërsa unë prisja që ajo të ishte e ashpër. Doloresi ishte shumë e sjellshme dhe e kuptoi mirë anglishten time me akcent të dobët.
Ditë më vonë unë dilja nergut tek dera, në kohen kur ajo kthehej nga puna, sepse më pëlqente të bisedoja me të dhe dukej se edhe asaj i pëlqente të mësonte gjëra të reja nga vendi im. Më kujtohet, atë vit kam shkruar dhe poezinë e parë në anglisht të titulluar “Sjellshmëri,” të cilën ia kam kushtuar Doloresit.
Unë toka dorën/ Me një grua lëkurëzezë/ Për herë të parë,në Amerikë/ Unë dallova lot gëzimi/ Në të zezakes fytyrë/ Lotët janë pa ngjyrë/ Për herë të parë, në Amerikë/ Unë dëgjova fjalë/ Nga buzët e negres, Doloresit/ E dukej sikur gjyshja/ Fliste në gojën e së mbesës/ Dëgjova një zezake të fliste pa frikë/ Për herë të parë, në Amerikë.
Surpriza e tretë ishte njëra prej të cilave shumica e amerikanëve e adhurojnë, i përkushtohen më tepër se çdo gjëje tjetër: organizimi dhe festimi i ditëve të kremte, i festive kombëtare ose tradicionale, si dhe i gëzimeve familjare. Mënyra se si ata parapërgatiten shumë kohë më parë (dhe këtu ndihmon media dhe tregtia me reklamat e saj), dekorimi i shtëpise, dërgimi i kartolinave dhe dhuratave, kujdesi i veçante që tregojnë sidomos për argëtimin e fëmijëve, ishin ndër mbresat e para. Dita kur mbërritëm në Boston ishte “Valentine’s Day”-”Dita e Valentinit.” Ishte një mrekulli e habi të vështroje se si dyqanet e shtëpitë ishin zbukuruar me vargje dritash ngjyrangjyra e zemrash të mëdha, të ndritshme e të kuqe. Reklamat në TV s’pushonin së paraqituri dhurata të ndryshme për çdo moshë e gjini, veç kartolinave e luleve që mund të blinte secili sipas dëshirës.Ime mbesë na ftoi të gjithë në shtëpinë e saj për të festuar së toku me ta këtë ditë aq të dashur e të mezipritur nga familjaret dhe çiftet e reja. Unë shkova e gëzova me ta, por në cepat e syve ishin fshehur pikëla loti kur kujtoja “Valentinin” tim, Shqipërinë pa drita, që atë ditë më dukej aq larg…
x x x
Pashkët e para në Amerikë, me sa dukej, nuk do t’i festonim me qengj, mbasi vështirësitë e ditëve të para e kishin ngarkuar trurin me probleme më të mprehta e shqetësuese. Sidoqoftë,duhej menduar edhe për të dielën e festës që po afrohej. U nisa në këmbë drejt “Star Market”, që nuk e kishim larg nga shtëpia.
Më pëlqente të ecja në këmbë në atë ditë të ftohtë prilli. Shtëpitë e vogla e të bardha në të dy anët e rrugës dukej sikur dremitnin akoma nën gjumin dimëror dhe kjo përshtypje të forcohej më tepër tek kaloje midis drurëve skeletorë e të ngrirë, me degët e thara që i lëvizte era, pa gjurmë jete. Me të ftohtit që më kishte hyrë në palcë, u shtua edhe një drithërimë tjetër: më doli nga mendja si i thonin lepurit në anglisht, por u qetësova kur mendova se do ta shihja të shënuar në etiketë, në dyqan. Pse,gjendej lepur në “Star Market?” Asnjë për be. Pse nuk e pëlqekan mishin e lepurit këta amerikanët?! Disa thonë se atyre u vjen keq që ta therin. Nejse, kërkova manaxherin dhe e pyeta: “Ju lutem, kini mishin e kësaj kafshe?” I tregova atij një copë letër ku isha përpjekur të vizatoja një lepur. Por, siç thashë,
ishte shumë ftohtë dhe dora ime e ngrirë kallkan, nuk nxori ndonjë pikturë për të qenë. Për më tepër unë kisha vizatuar vetëm kokën dhe kjo kokë ndryshonte nga koka e një lepuri.
Manaxheri vuri syzet dhe e pa vizatimin për disa minuta. Së fundi filloi të fliste me zë të lartë duke tërhequr vëmendjen e blerësve aty afër: “Madam, më vjen keq, por ne nuk kemi e nuk shesim mish gomari!”
Ky ishte një mësim i mirë për ta marrë kudo me vete fjalorin shqip-anglisht…Më vonë, kur e gjetëm edhe mishin e qengjit edhe të lepurit e ndiem se sa larg i qëndronte shija e mishit të tyre, qengjit dhe lepurit të vendlindjes!… Po ashtu u mësuam me pranverën pa mimoza dhe aromën e tyre dehëse. Drurin e mimozës e kam gjetur vetëm në kopshtet botanike dhe në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë në Uashington D.C.
NE DHE ATA
Çdo grup etnik që nuk i kupton mirë dallimet e racave e të grupeve të tjera njerëzore, e quan veten më të mirë nga të tjerët,duke përbuzur origjinën, zhvillimin kulturor e fizik,karakteristikat raciale dhe vlerat sociale të të huajve qe i quan,thjesht, “ata.”
Sipas një miti të fisit të indianëve Ciroki, krijuesi i botës,ashtu siç e imagjinoi njeriun gatoi tri forma prej argjili dhe I futi të tria të piqeshin në furrë. Me padurimin për të admiruar veprën e vet, krijuesi nxori formën e parë nga furra përpara se të ishte pjekur përfundimisht. Atij nuk i pëlqeu pamja tepër e bardhë dhe e zbehtë e njeriut. Ai priti disa çaste dhe nxori nga furra figurën e dytë. Kjo e dyta ishte pjekur plotësisht, kishte marrë ngjyrën e bukur të kuqërremtë. Krijuesi u kënaq kaq shumë pas punës së mirë që kishte nxjerrë nga duart, sa, duke admiruar figurën e dytë, harroi figurën e tretë. Ai u kujtua për të vetëm kur filloi të vinte erë e djegur. E hapi furrën shpejt,por nuk mundi të shpëtonte njeriun e tij të tretë, i cili ishte bërë krejt i zi. U krijuan kështu tri raca njerëzore, që, sipas Cirokeve,raca indiane është natyrale e më e bukura, më e drejta, më e rëndësishmja.
Sigurisht, sot nuk ka shfaqje të etnocentrizmit në Amerikë,mbasi ky shtet në themelet e tij ka vënë lirinë e barazinë e personit edhe sepse dallimet biologjike të racave janë relativisht të parëndësishme. Megjithatë, nuk mund të thuash se s’gjen një njeri në shoqërinë amerikane të mos ketë një dozë të vogël etnocentrizmi, pavarësisht se sa liberal mund të jetë ai. Njerëzit gjithnjë do ta gjejnë një shkak për të mos pëlqyer ose për të nënvleftësuar kulturën e të tjerëve. Kjo duket edhe në mënyrën se si ata i trajtojnë pjesëtarët e familjes ose miqtë, qoftë, thjesht,edhe gjatë shijimit të gjellëve të gatuara prej tyre, kur, pas përtypjes, i përcjellin poshtë me një nënqeshje kinse u pëlqeu,por që në të vërtetë, ndodh e kundërta. Këto aspekte sot pranohen nga të gjithë si të natyrshme, sepse Amerika, e përbërë vazhdimisht nga një numër i madh kombësish, rrit pandërprerë edhe nivelin e civilizimit të shoqërisë.
Emigranti ka droje e zor. Ndodhesh mes njerëzve që flasin e ti nuk i kupton ose, kur ti flet, të tjerët nuk të kuptojnë. Ky fakt i detyron emigrantët shqiptarë, ashtu si dhe gjithë të tjerët,që, në fillim të rrinë më tepër pranë familjeve e bashkatdhetarëve, “të cilët, bukës i thonë “bukë”, e ujit , “ujë,”ku e ndiejnë veten më të sigurt e më të qetë.
Mënyra e jetesës amerikane i befason të posaardhurit në këtë vend; e njëjta gjë ndodh edhe me amerikanët kur vizitojnë një vend tjetër. Njerëzit në botë kanë kultura të ndryshme jetese dhe, doemos, shumë gjëra të vogla, të përditshme, i kryejnë në mënyra nga më të ndryshmet.
Së pari, pamja e jashtme e njerëzve dhe e botës që të rrethon,e huton disi emigrantin. Sheh gra të qethura si burrat e burra që përdorin paruke grash. Thuhet që në Amerikë gjen njerëz që vishen më mirë dhe më keq se në të gjithë botën. Prandaj është e kotë të zgjatesh në këtë aspekt. Por është interesante “jeta e paketuar” që është pjesë e pandarë e skenës së sotme amerikane.
Familjet amerikane ndryshojnë vazhdimisht shtëpitë, mobiljet e pajisjet e tjera të brendshme të banimit, automobilat, stilin e zbukurimit arkitektonik të oborrit, të kopshtit etj. Është,gjithashtu, e habitshme të ndjekësh jetën e përditshme të amerikanit, jetë në lëvizje konstante, pa qetësi e çlodhje. Njerëzit ngasin makinën për 75 ose 100 milje, vetëm që të hanë një darkë bashkë me mikun e tyre ose të ndjekin një ndeshje sportive.
Një ndryshim tjetër mbresëlënës është humbja e lidhjes së qëndrueshme midis pjesëtarëve të familjes amerikane. Në jetën e përditshme është diçka normale të dëgjosh në biseda të flitet për “nënën e gjetur” ose “babanë e gjetur” (njerka ose njerku), “fëmijet e gruas së parë, të gruas së dytë…”, “ish-bashkëshortja ose ish- bashkëshorti”, motër-vëlla “të gjetur” nga martesa e dytë ose e tretë e babait ose nënës, “familje e përzier” etj. Pa përmendur përqindjen e lartë të divorceve si dhe martesat brenda gjinisë. Studenti amerikan e zgjedh kolegjin për të vazhduar studimet mijëra milje larg familjes dhe kjo është krejt normale për të dyja palët.
Mbasi populli amerikan vjen nga shumë kombësi e kultura të ndryshme, është krijuar një rit, një ide e nënkuptuar, që e zbaton dhe e respekton çdo person: “secili shikon punën e vet sipas llogarisë e trurit të vet, në mënyrë të pavarur e të pandikuar nga të tjerët.” Vajzat e djemtë e rinj ndahen shpejt nga prindërit e krijojnë jetën e tyre. Një shoqja ime amerikane ma përmend gjithnjë se në Amerikë nënat i ushqejnë të posalindurit jo me gjirin e tyre, por me qumësht kafshësh.
Prandaj fëmijët rriten pa ndjenja të ngrohta dashurie ndaj prindërve. Ata nuk i duan ata ose i duan vetëm për para.
Sigurisht, kjo është pak e ekzagjeruar, por ka pak të vërtetë në të. Sepse, për pleqtë, as që bëhet fjalë të jetojnë në një familje bashkë me fëmijët. Ai respekt, dashuri e dhembshuri që kemi ne shqiptarët për të moshuarit, ndoshta është ndjenja më e bukur njerëzore që na veçon si popull.
Amerikani nuk ka qejf ta thërrasë tjetrin me “zotni” ose “zonjë”, ca më pak të nderojë kështu të moshuarit. Atij i pëlqen ta thërresë tjetrin thjesht, me emër, sepse kështu i duket vetja më i miqësuar me të tjerët. Madje, nganjëherë edhe bosët kërkojne nga të punësuarit e tyre që t’i thërresin vetëm me emër.
Kështu, ju mund të afroheni shumë shpejt e të bisedoni lirshëm me amerikanët, por kanë një zakon jo të pëlqyeshëm kur të bëjnë shumë pyetje personale: “ku punoni?”, “jeni i martuar?”, “sa fëmijë keni?”, “mosha juaj?” etj.
Për shkak të prejardhjes së ndryshme shoqërore e kulturore,amerikanët zakonisht përdorin “fjalor të vogël” dhe fjalë njërrokëshe p.sh: “O.K.” (mirë), “Hi,” (tungjatjeta), “Bye” (mirupafshim). Në qofte se amerikanit i bën një kompliment ose i thua: “Të lumtë, ke bërë një punë të mirë!”, ai të thotë prerë: “Thanks!” (falemnderit). Kurse ne shqiptaret, në këtë rast, do të thonim: “ Mund ta kisha bërë më mirë, po të…”
Prindërit amerikanë shpesh lindin shumë fëmijë, sepse vazhdon ende tradita e vjetër e familjeve të mëdha. Por në moshën e studentit fëmijët fillojnë e shpërndahen një nga një, familja rrallohet derisa mbeten vetëm prindërit. Ata
“kujtohen” për njëri-tjetrin me “Reunion”, bashkimin e tërë familjes, për ditë festash kombëtare ose në gëzime të rëndësishme familjare.
Amerikanët janë të lejuar të kritikojnë qeverinë e tyre, sepse gëzojnë lirinë e shtypit e të fjalës.Mësuesit amerikanë i inkurajojnë nxënësit e tyre të mendojnë për vetveten, sepse amerikanët e vlerësojnë lart individualizmin.
Amerikanët pëlqejnë e lakmojnë suksesin, prandaj punojnë rëndë që në rini, deri sa arrijnë e plotësojnë “ëndrrën amerikane”, pra, të kenë punë të mirë, shtëpinë e tyre me tërë komfortet, të krijojnë familje të lumtur etj.
Amerikanët pëlqejnë e lakmojnë progresin, shkencën dhe komfortin material. Së fundi, amerikanët vlerësojnë moralin, humanizmin, barazinë, lirinë, demokracinë e patriotizmin.
Flamuri amerikan fillon që tek shtizat mbajtëse e nderuese,vazhdon tek veshmbathjet e lodrat, te zbukurimet e shtëpive,tek batanijet me të cilat mbështillen bebet, deri tek qaforet e qenve etj.
“Të drejtat e njeriut”—është përparësia amerikane që reflekton vlerat amerikane, politikën dhe historinë. Pasuria kolosale e Amerikës është e bazuar “mbi mobilizimin e përgjithshëm, punën e jashtëzakonshme dhe përkushtimin e
zjarrtë atdhetar.” Ja përse shprehja “God bless Amerika” (Zoti e bekoftë Amerikën), përdoret rëndom nga besimtarët,studentët, poetët e këngëtarët, gazetarët, aty dhe nga vetë presidenti i vendit.
Pra, për emigrantët shqiptarë, moda dhe idetë gjithëfarë llojesh amerikane, si dhe kontakti, afrimi e shoqërimi me banorët e këtij kontinenti të ri, sjellin gjithnjë konfuzion e droje, por me kalimin e kohës ata mësohen nga pak me këto surpriza, gjë që tregon se po fillojnë një jetë të re në USA. Dhe kjo jetë fillon kur ata e përdorin më rrallë shumësin e dy përemrave vetorë “ne” dhe “ata”.
IDENTITETI I RI
Sidoqoftë, emigrantët shqiptarë ndihen të pakënaqur kur përballohen me vështirësitë e anglishtes dhe të punësimit, me izolimin social e kulturor të jetës së tyre. Në këtë fazë kritike disa nga ata që nuk rezistojnë dot, vendosin të kthehen prapë në atdhe. Por shumica e tyre i kundërvihen rrezikut, i cili i shton mjetet e qëndresës njerëzore. Pavarësisht nga vështirësitë, me vullnet e këmbëngulje ata kërkojnë rrugëdalje duke pranuar të punojnë edhe në vende pune me nivel më të ulët nga profesioni ose arsimi që ata kanë. Me të ardhurat e pakta krijojnë një jetë modeste me kërkesa minimale si për veten e tyre, edhe për familjet. Në këtë fazë emigrantët e ndiejnë veten në rrugën e kalimit nga të huaj në qytetarë vendës. Sa më shumë shkurtohet kjo rrugë në kohë, aq më tepër emigranti i afrohet asimilimit brenda shoqërisë amerikane, duke krijuar identitetin e ri.
Për një emigrant shqiptar, marrja e identitetit të ri: “shqiptaro-amerikan” (ose për një italian “italiano-amerikan”), riafirmon identitetin dykulturor e dygjuhësor, të dyja origjinat e kombësive, si dhe nënshtetësinë e tij të re. Madje, edhe në identitetin e ri, emigranti duhet të kalojë shumë stazhe të gjata deri sa të arrijë fazën më të lartë. Gjatë kësaj kohe shqiptari është i rrethuar dhe përplaset me dy lloj kulturash: e para, e pranueshme, ajo e rrethit familjar, ku gjuha e folur, gatimi e mënyra e jetesës janë shqiptare dhe, e dyta, deri diku e papranueshme, ajo e vendit të punës ose e shkollës, ku gjithsecili ndeshet me vështirësitë e komunikimit, të disiplinës dhe me shumë komplekse të tjera, disa prej të cilave veprojnë negativisht mbi shpirtin e prekshëm të emigrantit. Diku, thellë zemrës dhe vetëdijes së tij, është tkurrur për gjithnjë e gjallon…gjallon kujtimi, meraku dhe ndjenja e dashurisë për vendlindjen, për njerëzit e thjeshtë e të varfër.
Dikur shkrova vjershën “Imigranti”, në anglisht:
Dy sy këtu,
Dy sy atje,
Në vendlindje.
imigrantët
Nuk kanë pesë,
Por dhjetë shqisa.
Njëra pjesë e zemrës së tyre
Rrjedh gjak,
Tjetra—lot.
Amerikanë,
Në kini pranë
Një kamboxhian
Apo një kolumbian,
Mos i quani “hutaqë!”
Çoroditja e tyre është reale
Duke jetuar në “dubël vizione”
Ditë e net…
Ngadhënjyes të “ëndrrës amerikane.”
Për një vietnamez
Grataçielet
Shëmbëllejnë me tempullin Budist;
Për shqiptarin—imagjinim
I malit të lartë me dëborë.
Pak ngroh ky diell për imigrantin e gjorë.
Ju lutem, ju lutem, zëvendësojeni këtë ftohtësirë
Me fjalën tuaj të ngrohtë e të mirë:
Welcome!
Mire se vini!
Amerika gjithnjë i ka mirëpritur emigrantët. Prandaj ata e quajnë këtë vend gjigant atdheun e tyre të dytë. Presidenti Bush ka thënë: “Një nga arsyet themelore që Amerika u bë një fuqi e madhe në shekullin e njëzetë, ishte se ajo ka mirëpritur talentin, karakterin dhe patriotizmin e familjeve të emigrantëve… Ata kanë sjellë në Amerikë vlerat e besimit te Zoti, dashurinë për familjen, punën e vështirë dhe vetëbesimin—vlerat që na kanë bërë një komb të madh…”