-Zoti Azem, çfarë posti keni në Parlamentin e Shqipërisë?*
Në Parlamentin e Shqipërisë kam postin e kryetarit të Mbrojtjes, ndërsa në Partinë Demokratike jam anëtar i Kryesisë së PD dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë Publike në Parti.
-Më intereson në rast të një konflikti si do të reagojë opozita dhe pozita shqiptare?
E para, për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të analizohen disa elementë konkretë, të cilët të çojnë me konkluzionin e saktë se a shërben kjo periudhë e daljes se krizës në sipërfaqe si periudha për t’u ndërgjegjësuar shqiptarët në trojet e tyre në Kosovë, në trojet e tyre në Shqipëri dhe Maqedoni dhe shqiptarët kudo në mërgim, se Milosheviçi përbën të keqen më të madhe të shqiptarëve dhe se regjimi serb do të përdorë të gjitha mundësitë, të gjitha mjetet politike dhe ushtarake, të gjitha filitë, të gjitha miqësitë për ta shkatërruar Kosovën, e cila ka qenë historikisht vatra e shqiptarizmit, vatra e patriotizmit dhe gjysma e kombit shqiptar.
Dhe unë mendoj që konkluzioni që është në kokën time dhe tërë shqiptarëve është i tillë. Të gjithë shqiptarët duhet të reagojnë si komb për të mbrojtur trashëgiminë e tyre, për të mbrojtur genin e tyre, për të mbrojtur vatrat e tyre, për të mbrojtur gjuhën e tyre dhe për të mbrojtur të ardhmen e tyre. Dhe jam plotësisht i bindur se, nëse Milosheviçi nuk do ta pranojë dialogun, nëse Milosheviçi do të zgjedhë betejën, do të zgjedhë luftën për të përsëritur luftën, ngjarjet e dhimbshme të Bosnjës, shqiptarët duhet të dalin nga pozitat neutrale dhe këtu e kam fjalën për shtetin amë. Shteti amë duhet të dalë nga dilema në alternativë. Kush është alternativë? Alternativa është se çdo germë dhe e shqiptarëve në Kosovë është e barasvlefshme me gjithë peshën specifike që kanë trojet e shqiptarëve në tërë hapësirën e tyre ku jetojnë shqiptarë. Se çdo qytetar në Kosovë, nga pikëpamja e qëndresës duhet të jetë i barabartë me qëndresën që do të adoptojë kombi shqiptar për vetëmbrojtje ndaj dhunës dhe reagimeve të Milosheviçit.
-Ti the shteti shqiptar duhet pikërisht këtu. Fatos Nanos është krejt si Milosheviçi, deklaratat e tij konfuze rreth Kosovës janë se ai vetë nuk i kupton të bindin se, shteti shqiptar do të reagojë ashtu siç duhet të reagonte?
Duke analizuar momente historike që nga ’12, ‘16, ‘18, ’19, ‘23, ‘44, ‘48 dhe ‘98 gjithmonë vemë re se shqiptarët në momente historike për ngjarje që kanë përbërë rëndësi të veçantë për kombin kanë pasur në krye qeveri filish ose qeveri, të cilat nuk kanë ditur të kalkulojnë mbi interesa kombëtare. Pra, nuk është rasti i parë që kombi ka ditur të reagojë pavarësisht se, qeveritë nuk kanë ditur të bëjnë retrospektivën e interesave kombëtare. Kreta ishte një takim i mbyllur pa praninë e komunitetit europian dhe pa praninë e SHBA, pra, ishte një formulë e re transballkanike e sponsorizuar nga qarqet nacionaliste serbe dhe greke, për të inciuar lëvizje të tilla rajonale në favor te nacionalizmave primitive ballkanike. Dhe qeveria shqiptare ra në këtë grackë dhe nuk ndoqi politikën, e cila ishte e trashëguar pas hapjes së Shqipërisë, çështjes kombëtare shqiptare. Por në ecurine e ngjarjeve ne vëmë re se, qeveria shqiptare po ndërron dhe opsionet dhe partnerët.
Partnerët jetikë të Shqipërisë pas hapjes së Shqipërisë dhe pas Luftës së Ftohtë janë Komuniteti Europian, BE dhe SHBA. Pra, Kosova hyn në interesa vitale të SHBA dhe shqiptarëve dhe të Komunitetit Europian dhe të politikave të zgjerimit euroatlantik dhe europian dhe nuk mund të hyjë kurrë në çështje të brendshme të Serbisë ose të çështjeve të boshtit Athinë-Beograd. Pra, dështimi i qeverisë shqiptare ose ngritja e presionit nga poshtë lart, afrimi i qeverisë shqiptarë siç vihet re në këto ditë tek opsionet ndërkombëtare dhe kryesisht tek SHBA për çështjen kombëtare, tregon qartë se qëndrimi një komb një qëndrim dhe krijimi i një klani preventiv për të qendruar ndaj çështjes kombëtare e detyron qeverinë shqiptare të mbajë opsione pozitive, ose nëse jo, kjo qeveri bie dhe kombi vazhdon tendencën e tij pozitive për pavarësinë e Kosovës dhe për ecurinë e mëtejshme të qendrimeve dhe mendimeve strategjike që ka kombi shqiptar.
-Ta merr mendja se gjeneralët dhe ushtarët shqiptarë do të rrinë duarkryq, nëse masakrohet populli shqiptar i Kosovës, a do të ndërhyjë ushtria shqiptare për të shpëtuar vëllezërit në Kosovë?
Ajo çfarë po ndodh në Kosovë duhet të jetë e qartë se po ndodh edhe në Shqipëri. E dyta, ajo po ndodh në zemrën e popullit shqiptar, aty ku kanë pasur zanafillën të gjitha lëvizjet kombëtare dhe patriotike që kanë çuar në rrëzimin e shumë krajlëve e shumë kryeministrave dhe perandorisë. Pra, Drenica është e identifikuar në historinë kombëtare shqiptare nga të gjithë historianët, albanologët, politikanët, sociologët, si zemra e kombit.
Pra, kjo ka qenë arsyeja që drama e përjetuar në Drenicë, tragjedia e përjetuar në Drenicë, është përjetuar si gjëmë mbarëkombëtare dhe ishte apeli i Drenicës, qëndresa e Drenicës, patriotizmi i Drenicës, ajo që i bëri shqiptarët t’i bëjnë thirrje vetes dhe të bëjnë analizat historike për të arritur në konkluzionin, një komb një qëndrim. Nëse tani Milosheviçi nuk pranon opsionet e bisedimeve politike mes palës shqiptare të zgjedhur legjitimisht, palët shqiptare kanë parasysh këtu opsionet politike në Shqipëri, në Kosovë, faktorët politikë në Kosovë, faktorët e studentëve në Kosovë dhe faktorë të tjerë anësorë, por që janë përcaktues, nuk pranon Milosheviçi ose mundohet të vërë dorë në sindromin psikologjik të përçarjes së shqiptarëve dhe zgjidh betejën. Unë padyshim jam plotësisht i bindur, se shqiptarët do të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat dhe hapësirën e shtetit amë për t’u mbrojtur në Kosovë, për ta konsideruar vetëmbrojtjen e tyre si akt sublim për vetëmbrojtjen kombëtare.
-Tani një pyetje që del jashtë kësaj teme, është shkarkuar kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Unë shoh p.sh., që është padyshim ngjarja më e madhe brenda shtetit shqiptar, por që kjo nuk është pasqyruar në TV shtetëror, dmth nuk është organizuar debat, po të shkarkohej kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Suedi ose në Francë do të bëhej skandal. Si e komenton ti këtë shkarkim dhe për masmediat në Shqipëri dhe TV shtetëror, cili është mendimi juaj?
Unë mendoj, që të ardhurit në pushtet revolucionarët nuk kanë mundësi kurrë të kthehen në institucionalë. Ka një dallim shumë të madh mes frymave revolucionare dhe frymës institucionale. Ata erdhën dhe gjetën institucione, pavarësisht se shkatërruan shumë institucione në kohën e rebelimit. Me ardhjen e tyre në pushtet, ata ngatërrojnë drejtësinë që ka forca në vetvete me forcën që ka drejtësia me vetveten. Dhe duke u nisur nga logjika e drejtësisë së forcës, ata shkatërrojnë institucionet kombëtare, institucione të ndërtuara pas riardhjes së demokracisë në pushtet dhe pas vendosjes së sistemit të pluralizmit dhe pluripartitizmit pas 50 vitesh në Shqipëri. Shkarkimi i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri për mendimin tim është bërë për dy arsye: E para, që qeveria shqiptare t’i japë një mesazh Milosheviçit, se kosovarët në Shqipëri pavarësisht që nuk janë nën dhunën tënde, janë nën dhunën e pasuesve të politikave të Milosheviçit në Shqipëri. Dhe e dyta, se institucionet në Shqipëri mund të shkatërrohen si rezultat i aplikimit të politikave revolucionare, të politikave, të cilat kanë për qëllim ndjelljen e panikut në popullsinë shqiptare dhe të adoptimit të psikologjisë së frikës. Pra, Partia Komuniste gjithmonë ka pasur parasysh hiqi kulaçin këtij populli dhe shtoi kërbaçin. Dhe kjo është teoria që merr partia që është në pushtet. Pse? Pse Rustem Gjata?
E para, dyshohet për dy kategori, nuk mund të ketë agjentë të dyshuar dhe agjentë vullnetarë, të paktën në të gjithë literaturën e inteligjencës që unë njoh dhe ka mbaruar disa shkolla dhe jam konsultuar me një literaturë, tepër të madhe për këtë problem për faktin se, kam drejtuar Komisionin parlamentar të Mbrojtjes, Rendit dhe SHIK-ut prej 6 vitesh dhe besoj se, hyn tek personat e kualifikuar nga pikëpamja teknike dhe juridike për të njohur zbulimin inteligjent në Shqipëri ose të ashtuquajturën Policinë Sekrete në bazë të konceptit lindor, dhe e dyta, aplikimi i një të drejte ose ushtrimi i një të drejte nga Parlamenti që nuk i takon në kompetencat e tij kushtetuese përbën një precedent negativ, i cili është realizuar në Shqipëri edhe në vitin 1948.
Pra, ky Parlament, kjo mazhoracë, duke mos njohur teorinë e ndarjes së pushteteve dhe teorinë e ekuilibrave të pushteteve, i jep vetes atributet si legjislativ pa i futur këto në ligj për të goditur institucionet dhe persona. Në rastin konkret, Partia Demokratike do ta mbrojë institucionin dhe do t’i kërkojë personit Rustem Gjata, një nga njerëzit më me personalitet të fushën e jurisprudencës në Shqipëri, që të shfrytëzojë të gjitha procedurat e njohura për të aplikuar mbrojtjen e tij si në Gjykatën e Apelit, ashtu edhe në Gjykatën e Kasacionit, ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por, gjithsesi në memorien kombëtare veprimi i Parlamentit dhe në memorien e OSBE është regjistruar si një akt antikushtetues, i cili godet institucionet dhe personat nën frymën e drejtësisë së forcës, nën frymën marksiste-leniniste të qeverisjes së vendit.
– Dua të të bëj një pyetje shumë personale, jashtë funksioneve të tua. Tani po të drejtohem si Azem Hajdari, si njeri. A të ka zhgënjyer morali i dyfishtë i shumë miqve, i shumë shokëve, i shumë njerëzve që nën flamurin e demokracisë në Shqipëri kanë qenë tradhtarët dhe persekutorët më të mëdhenj të demokracisë?
Kur hyn në politikë duhet të kesh parasysh disa rregulla dhe ç’është e vërteta nuk është se shumë persona nuk kanë shfrytëzuar pozitat e mia ose qenien time për t’u bërë të njohur. Por, në momentin që njohja ka kaluar në kahun tim këta persona, për ta thënë të drejtën, kanë kaluar përsëri në anonimat. Po t’i përmbahemi formulës së Sokratit se sa më shumë zgjerohen rrathët e njohjes, aq më shumë zgjerohen të panjohurat, kjo do të thotë se kjo nuk është, nuk mund të na ndodhë edhe në të ardhmen, por ajo çfarë ka qenë për mua kryesore është ruajtja e vendosur për dy ose tre probleme. Besimi që unë e kam të kultivuar që fëmijë, besimi te Zoti, e para.
Respektimi i familjes dhe ndërtimi i saj si një familje solide dhe e treta, dashuria e madhe për Shqipërinë dhe për kombin tim. Dhe duke u mbështetur kryesisht te këto tre shtylla kryesore, kam arritur që në politikën shqiptare, ndonëse shpeshherë kam përballuar shira, dhe pse jo edhe shtërngata, të jem njeriu, i cili të ridalë nga akuzat, grackat ose kalandrat, të cilat janë pjesë e determinizmit të vjetër politik. Mund të ketë ndikuar edhe mosrritja në oborre, mosrritja në oborre të pushtetit, por kjo ka ndikuar përkohësisht. Pas shtatë vjetëve në politikë, unë mendoj që ekziston eksperienca, por megjithatë unë dua të kthehem edhe një herë për ta përdorur këtë eksperiencë ose për të përdorur vizionin tim politik, ose vizionin e programit tim politik në favor të politikave kombëtare. Në Shqipëri është ndërruar pushteti dhe jo shteti dhe fakti që këtu është ndërruar pushteti dhe sistemi nuk mund të aplikojmë njerëz, metoda, plane, qëllime, të cilat bien ndesh me frymën demokratike. Dhe e dyta, në Kosovë nuk luftohet për pushtet, në Kosovë luftohet për element shtetformues, për krijimin e mundësive vetëqeverisje, duke shkëputur shqiptarët e Kosovës nga pushtimi serb, nga pushtimi i padrejtë serb, po t’i referohemi të gjitha dokumentacioneve diplomatike, politike dhe historike, që sot historiografia shqiptare ka në dispozicion. Dhe duke pasur parasysh dhe këto dy kolona politike, unë mendoj që fantazia jonë është brenda konceptit tonë shtetformues.
Pra, Shqipëria duhet patjetër të forcohet në favor të pozitave në Kosovë dhe të fitores së pavarësisë së popullit të Kosovës, por edhe nëse Shqipëria do të ishte e fortë duhet të vetësakrifikohet në favor të fitores së pavarësisë në Kosovë. Pra, nuk është e thënë që një Shqipëri e fortë, patjetër do të sjellë step by step zhvillimin e çështjes kombëtare, është e thënë se një Shqipëri nëse forcohet në funksion të zhvillimeve dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare në çdo moment duhet të dijë të bëjë miq, por edhe në çdo moment duhet të identifikojë kundërshtarët dhe miqtë e kundërshtarëve që të aplikojë politikat e veta gravitacionale, si nga pikëpamja demografike, ashtu edhe nga pikëpamja gjeopolitike në favor të politikave kombëtare dhe në favor të zgjidhjes së çështjes kombëtare.
Pra, politikanët duhet t’i bëjnë thirrje vetes, nëse mendojnë se duhet të bëjnë politika, këto politika duhet t’i bëjnë dhe t’i aplikojnë në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Dalja nga këto shina për mendimin tim të bën ose të kthen në një njeri, i cili shumë shpejt do të jetë një ish dhe në raport ose në funksion me çështjen kombëtare do të jetë një ish-i padëshiruar. Edhe nga pikëpamja e analizës që mund t’i bëjmë vetvetes ose monologjeve që mund të ushtrosh brenda vetvetes, por edhe nga pikëpamja e analizës që mund të bëjë historia ose forcat politike që do të qeverisin Shqipërinë në kushtet e fitores së opsioneve kombëtare.
*Kjo interviste eshte dhene 10 dite para vrasjes se heroit te Demokracise, Azem Hajdari