PRISHTINË, 17 Shkurt 2019/ Ditë e diel dhe festë është përsëri 17 Shkurti 2019 i 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, si 17 Shkurti hitrorik 2008 i shpalljes së shtetit të ri, pas Ditës së lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë kryeministri Hashim Thaçi, tash president i Republikës, të dielën e 17 Shkurtit të para 11 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.
Pak para kësaj ore, para se 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, në afmosferë feste e përzemërsie, në intervistën ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”.
17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.
Kosova deri tani është njohur nga 116 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.
Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.
Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror.
Gjatë 11 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.
Në këto 11 vite të pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe gjashtë palë zgjedhje të lira e demokratike, tre parlamentare dhe tre lokale.
Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.
Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij. Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 11 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018. Në 28 Dhjetor 2018 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar tre ligjet që e ndryshojnë mandatin dhe misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“ I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, është shprehur me këtë rast Presidenti Thaçi.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999.
Parakalimi, nga ora 13:00 deri 14:00, në sheshet kryesore të Prishtinës i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për herë të parë si ushtri, është një nga aktivitetet e festës ditën e sotme, të nisura me mbledhjen festive të Qeverisë në orën 08:30 e me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës në orën 08:45, ndërsa seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbahet nga ora 12:20 deri 13:00, sipas axhendës shtetërore, ku janë paraparë edhe veprimtari të tjera.
PRESIDENTI THAÇI: SHPALLJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS, AKTI HISTORIK MË SUBLIM
PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dejklaroi sot se shpallja e Pavarësisë së Kosovës para njëmbëdhjetë vjetëve ishte akti historik më sublim që institucionalizoi përpjekjet tona për liri.Për këtë të arritur të gjithë qytetarët tanë janë meritorë.
“I falënderojmë të gjithë miqtë tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U jemi mirënjohës përjetë!”, shprehet Presidenti Thaçi.
KOSOVË-HARADINAJ: PAVARËSIA JETON NË NE
PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Kosovës ka nisur aktivitetet në shënim të përvjetorit të njëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës me mbledhjen e saj solemne të drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.
“Pavarësia jeton në ne dhe me neve dhe për Pavarësinë të gjithë kemi rrëfimin tonë”, tha ai duke shprehur konsideratën dhe vlerësimin më të lartë për përvjetorin e shënimit të ngjarjes më të madhe të Kosovës dhe popullit të saj.
“Në këtë ditë do të shprehim gjithë falënderimin tonë për të rënët për liri, për miqtë dhe të gjithë ata që ndihmuan rrugëtimin e Kosovës drejt realizimit të aspiratave për liri dhe pavarësi. Me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha temat që i kanë dalë para Kosovës, para Qeverisë, dhe njëkohësisht me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit. Ka shumë vendime, shumë ligje, reforma, vendime të mëdha sikurse ishte ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën, me resurset tjera ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.
Duke folur për fillimin e dekadës së dytë të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj shtoi se janë edhe më të vendosur që të ecin rrugës së konsolidimit të shtetit dhe stabilitetit të tij dhe se synojnë që në këtë vit vendimtar ta përmbyllin edhe dialogun me Serbinë, me njohjen reciproke të vendeve tona, dhe të vazhdojnë në procesin e rrugëtimit drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Gjatë rrugëtimin tonë kemi hasur në sfida, jemi në sfida, do të sfidohemi në të ardhmen, por bindja ime është që Kosova nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa, por vetëm hapa para dhe këtë do t’ua kërkojmë dhe do t’ua shpjegojmë miqve tanë se hapat prapa e dobësojnë Kosovën, e dobësojnë besimin e qytetarëve në shtetin e tyre”, tha kryeministri Haradinaj.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar të gjithë qytetarët e vendit për përvjetorin e njëmbëdhjetë të shpalljes së Pavarësisë. Gjithashtu, urimin e tij kryeministri e ka drejtuar edhe për të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës, të prirë nga SHBA-ja, me shprehje të falënderimit dhe përkushtimit për të vazhduar rrugëtimin drejt progresit, lirisë, dhe mirëqenies së qytetarëve.
Pas mbledhjes, kabineti qeveritar ka vazhduar me aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë, fillimisht me ngritjen e flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë, me nderimet të shtatorja e Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe me nderimin te pllaka përkujtimore për të zhdukurit.
Kryeministri Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kabineti qeveritar ka vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe ka bërë nderime të varrezat e të rënëve, duke rikujtuar se sakrifica dhe lufta e shenjtë e UÇK-së ishin themeli i Pavarësisë dhe lirisë së Kosovës.
VESELI: KOSOVA ËSHTË E BEKUAR NGA ZOTI DHE MIQTË E SAJ
PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e tij në seancën solemne për shënimin e 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, tha se shteti i Kosovës është histori e suksesit por edhe e sfidave.
Ai tha se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, kanë për detyrë ta ruajnë Republikën e Kosovës dhe ta bëjmë vend të begatë për qytetarët, për të rinjtë, për punëtorët, minatorët, mjekët, arsimtarët, policët, ushtarët, shërbyesit civilë, për secilin që e ndjen Kosovën atdheun e tij.
“Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij. Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E tillë është Kosova, vend i bekuar nga Zoti dhe miqtë”, tha ndër të tjera Kryeparlamentari Veseli.
Fjalimi i plotë i Kryeparlamentarit Kadri Veseli:
Të nderuar të pranishëm
Qytetarë të dashur
Sot është dita më e veçantë për popullin tonë. Është ditëlindja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Ne, që sot jemi në këtë sallë, përfaqësojmë brezin më fatlum të historisë sonë mbi 100 vjeçare.
Ne njohëm e përjetuam dhimbjet e vuajtjet e paraardhëseve tanë.
Por, për dallim nga ta, ne ia dolëm ta bëjmë realitet ëndrrën e tyre më të madhe: lirinë e Kosovës.
Secili prej nesh, kush më shumë e kush më pak, kemi pasur fëmijëri të vështirë, duke ballafaquar ëndrrat për të ardhmen me traumat e robërisë në të cilën u rritëm.
Edhe shtetet, në kush e di sa raste që na i tregon historia, kalojnë nëpër traumat e rritjes së vështirë.
Rritja e tyre është e mbushur me sfida dhe dyshime, por edhe me ëndrra dhe shpresa të mëdha.
As shteti ynë nuk bën përjashtim prej këtyre rasteve.
11 vjet të shtetit tonë të ri – janë 11 vjet të rritjes me vështirësi, sfida dhe suksese të mëdha.
Jam i sigurt se këto suksese, e nesërmja ka për t’i gjykuar si punë të jashtëzakonshme të brezit tonë.
Për aq sa gjykimi do të bjerë edhe mbi lëshimet e qëllimshme.
Kur ne festojmë ditëlindjen, sipas zakonit, rreth nesh mblidhen miqtë tanë më të mirë. Ata na urojnë me fjalët më të zgjedhura, për të ardhmen që kemi përpara.
Kjo gjë ndodh edhe me shtetet.
Ne jemi shtet i vogël, por kemi pasur dhe kemi miq të mëdhenj.
Përkrah nesh kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë shtetet më të fuqishme të botës demokratike – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera perëndimore, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Austria, Hungaria dhe shumë shtete të tjera.
E ne sot, të gjithë bashkë, në emër të kombit tonë, në ditëlindjen e 11-të të shtetit tonë të pavarur e sovran, u shprehim mirënjohjen më të thellë këtyre shteteve për mbështetjen e madhe që i dhanë kombit tonë, në arritjen e lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit, dhe para dy muajsh – edhe në krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Në besimet fetare, thuhet se njeriu është i bekuar kur ka Zotin në anën e tij.
Ndërkaq, në politikën globale, i bekuar është ai shtet që ka botën perëndimore në anën e tij, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E tillë është Kosova, vend i bekuar nga Zoti dhe miqtë.
Ndërsa ne që jemi në këtë sallë, kemi për detyrë ta ruajmë këtë pasuri dhe ta bëjmë këtë vend të begatë për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, për punëtorët, minatorët, mjekët, arsimtarët, policët, ushtarët, shërbyesit civilë, për secilin që e ndjen Kosovën atdheun e tij.
Të dashur qytetarë të Kosovës
Të nderuar kolegë
Personalitete të nderuara të Kosovës, ambasadorë të vendeve mike dhe mysafirë që sot na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj
Historia e kombit tonë është histori e popujve që kanë vuajtur gjatë dhe me sakrifica kanë arritur lirinë.
Ne e dimë të kaluarën tonë. Nuk e harrojmë atë. Por, as nuk do të lejojmë të mbetemi vetë peng i saj, e as të na mbajë dikush peng.
Ne duam të ardhmen, zhvillimin, mirëqenien, integrimin në BE, NATO, OKB, fuqizimin e partneritetit me miqtë tanë, veçanërisht me ata që na u gjenden pranë dhe na rrinë afër në çdo sfidë.
Duam edhe ndërtim urash komunikimi me ata që nuk na duan, ose kanë gjykim të gabuar për ne.
Por, mbi të gjitha, duam trajtim të dinjitetshëm dhe respekt për ne, si vend europian dhe perëndimor.
Shteti ynë dhe kombi ynë kanë orientime të qarta europiane dhe perëndimore. Dhe, askush nuk ka të drejtë të na nëpërkëmbë vetëm pse sot mendon se mund ta bëjë një gjë të tillë, ose pse ashtu dëshiron të sillet me ne.
Si vend europian, nuk e meritojmë izolimin.
E dimë se kemi të meta, gabime. E dimë se kemi shumë sfida për t’ju bashkuar vendeve të zhvilluara europiane.
Por, askush nuk mund të na i mohojë sukseset si shtet 11-vjeçar.
Me të arriturat që kemi, edhe kështu si jemi sot, Kosova lë prapa shumë nga vendet me traditë qindravjeçare shtetërore.
Nuk u marrim lakmi për mirëqenie dhe infrastrukturë as vendeve përreth.
Ashtu siç nuk jemi aq larg standardit jetësor edhe të vetë disa vendeve brenda BE-së.
Jemi të vetëdijshëm që ende kemi nevojë të përmirësohemi në funksionimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit,që ende kemi shumë për të bërë për perspektiven ekonomike, inovacionin dhe ndërmarrësinë me konkurrencë të barabartë.
Askujt më shumë nuk i kushtojnë këto mangësi dhe deformime sesa shoqërisë sonë, fëmijëve tanë. Por, jemi të vendosur dhe nuk do të ndalemi derisa ta arrijmëqëllimin tonë perëndimor.
Të nderuar të pranishëm
Kosova nuk është dhe asnjëherë s’ka për të qenë strofull e krimit të organizuar, bandave dhe terrorizmit.
Për dy dekada lirie, Kosova ka dhënë shembullin e vet për këtë, duke qenë kampione e veprimit preventiv dhe neutralizues të çdo veprimi të tillë, në vend ose nga qytetarët tanë jashtë.
Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
Në reformat në sistemin e drejtësisë, së bashku me partnerët perëndimorë, jemi duke bërë veprimet më të duhura.
Më herët, në standardin e drejtësisë së kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, Kosova, si vendi më i vogël, më i robëruar, me masakrat e tmerrshme të përjetuara në këtë pjesë të Europës, ka jetësuar edhe një Gjykatë Speciale – e cila do ta trajtojë çfarëdo krimi të pretenduar në luftën e fundit në baza një-etnike.
Historia mund të na gjykojë si të dojë për këtë dhe dashakëqijtë mund të flasin si të duan.
Por, po, ne e kemi bërë këtë Gjykatë. Edhe sot e them, është dashur ta bënim, sepse asnjëherë nuk do ta vinim fatin e cilitdo individ në Kosovë para interesit të shtetit.
Do ta kryejmë edhe këtë sfidë me dinjitet.
Mirëpo, një gjë duhet të mos tentohet as minimalisht të ngatërrohet: Agresori dhe krimi dihen. I dimë ne dhe gjithë bota. Ajo është veç Serbia dhe forcat e saj ushtarake.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet forca më e pastër çlirimtare në luftën e popujve për liri dhe drejtësi.
Duke pasur parasysh këtë, edhe sot thërras të gjithë bashkëluftëtarët që t’i përgjigjen me dinjitet kësaj Gjykate, sepse më i madh se fati i secilit prej nesh është fati i kombit dhe shtetit tonë.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës
Të nderuar kolegë
Në muajt e fundit, keni parë iniciativat e SHBA-së dhe BE-së për një proces përfundimtar të Dialogut.
Serbia, deri më sot, nuk ka treguar racionalitet në këto përpjekje për normalizim raportesh me Kosovën.
Dialogu me Serbinë nuk është popullor dhe u kushton politikisht atyre që përfshihen në këtë proces.
Por, tani, me kërkesën e vendosur të SHBA-ve dhe BE-së, ne duhet të vendosim drejt – mes asaj që çfarë fitojmë si parti politike dhe asaj çfarë fiton kombi dhe shteti ynë.
Çdoherë kur kemi vënë përpara interesin e vendit dhe racionalitetin shtetëror, kemi pasur sukses.
E kaluara e dëshmon më së miri këtë.
Gati 100 vjet kemi derdhur gjak, por nuk ia kemi dalë ta heqim qafesh robërinë. Nuk ia kemi dalë, sepse ishim të vetmuar, nuk kishim miq dhe zëri ynë nuk dëgjohej aty ku merreshin vendimet e mëdha politike për ne.
Gati 100 vjet kemi luftuar që të afrohemi me botën perëndimore, të jemi pjesë e aleancave të saj.
Në luftën e fundit e kemi arritur këtë.
E arritëm në Rambuje, dhe e vazhduam edhe më mirë në Vjenë – kur kurorëzuam shtetin të cilin e gëzojmë dhe për të cilin festojmë sot.
Me të tjera sjellje, a do të mund t’i arrinim këto suksese?
Përgjigjen e dimë secili prej nesh.
Të dashur qytetarë
Në Dialog nuk shkojmë vetëm për marrëveshje me Serbinë.
Ne Dialog shkojmë, sepse rruga jonë, përcaktimi ynë,ështëqë çdo mosmarrëveshja ta zgjidhim në mënyrë paqësore.
Dhe, po ashtu, si shtet i pavarur dhe sovran, marrim mbi vete edhe obligimet që përmban për ne ky sovranitet karshi rajonit dhe partnerëve tanë strategjikë si SHBA-të dhe BE.
Ideja e paqes afatgjate dhe eliminimi i ndikimit rus në rajon – nuk është interes vetëm i partnerëve tanë perëndimorë, në krye me SHBA-të, por është edhe interes strategjik yni.
Ky është orientimi ynë.
Në këtë proces, kalkulimet elektorale, qasjet individuale, protagonizmat dhe inatet – nuk po i bëjnë mirë Kosovës.
Është koha t’i lëmë këto.
Mund të fitojë individi ose partia në një moment, mbase mund të fitohet edhe pushteti, por sjelljet e tilla nuk çojnë askund. Përkundrazi, ato rrezikojnë një komb, një shtet; në këtë rast – kombin tonë, shtetin tonë.
Është koha për vendimmarrje me mençuri dhe urtësi.
Dialogu i brendshëm dhe konsensusi – janë ligj i shteteve parlamentare.
Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë Serbisë.
Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar përballë Serbisë, sepse përtej dallimeve të ekzagjeruara për shkaqe elektorale, ne kemi një qëllim të njëjtë:
– Fuqizimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
– Përfundimin e mosmarrëveshjeve me Serbinë.
– Njohjen prej saj të shtetit të pavarur të Kosovës.
– Anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
– Hapjen e perspektivës konkrete për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Mbi të gjitha, ne duhet të jemi bashkë sot përballë Serbisë – për të mos ua lënë fëmijëve tanë nesër fatin tonë të rëndë të së kaluarës.
Disa fjalë edhe për taksën…
Serbia e ka merituar dhe e meriton taksën, për shkak të sjelljeve të saj karshi nesh.
Largimi i saj është i panegociueshëm, për shumë arsye.
Por, përmbi emocionet e taksës ndaj Serbisë, dua të flas për urgjencën e racionalitetit shtetëror.
Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale.
Në vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, edhe ky vendim, si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror, institucional.
Duhet t’i vëmë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon; Rusisë me aleatë në njërën anë, dhe SHBA-së e BE-së në anën tjetër.
Me SHBA-të dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt.
Interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë. Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – SHBA dhe BE.
Në të kundërtën, Kosova nuk fiton.Ndërsa, Serbia rehabilitohet.
Sa i përket kësaj situate të ndjeshme dhe ndërlidhjes së saj me mandatin e Qeverisë, dua t’i siguroj qytetarët se, si lider i koalicionit qeverisës, nuk do të lejoj për asnjë moment që relacioni ynë me Serbinë ta përcaktojë stabilitetin dhe fatin e institucioneve tona, pra as të Qeverisë së Kosovës.
Pra, Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrimi im i vendosur.
Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Europian.
Në fund, të dashur qytetarë, duke jua uruar Festën e Pavarësisë, dua t’ju them të gjithë juve, kudo që jetoni, në atdhe e diasporë:
Në këtë botë, shumë gjëra ndryshojnë. Ndryshojmë edhe ne njerëzit. Ndryshojnë edhe idetë dhe bindjet tona.
Por, në Kosovë një gjë kurrë s’ka për të ndryshuar: VERDIKTI I 17 SHKURTIT 2008.
SHTETI I KOSOVËS KA LINDUR, SI SOT 11 VJET MË PARË, PËR TË QËNDRUAR PËRGJITHMONË GARDIAN I LIRISË DHE PAVARËSISË SË KOSOVËS.
Urime Dita e Pavarësisë.
Lavdi atyre që ranë për këtë ditë të madhe: dëshmorëve të kombit!
KRYESIA E LDK, HOMAZHE PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA
PRISHTINË, 17 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Me rastin e shënimit të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, anëtarë të kryesisë së LDK-së i kanë bërë homazhe Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
LDK-ja shpreh falënderim ndaj prijësit të idealit për liri dhe pavarësi, Dr. Ibrahim Rugova dhe të gjithë atyre që ndihmuan në këtë rrugëtim drejt realizimit të ëndrrës shekullore për pavarësi.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka shprehur dhimbje për mungesën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.