Pakistani ka nisur tre ditët e zisë kombëtare për 132 fëmijë dhe nëntë pjesëtarë të stafit të një shkolle, të vrarë nga talibanët.
Në dhe përreth qytetit veriperëndimor të Peshawarit, njerëzit janë mbledhur përreth arkivoleve dhe varreve.
Në përputhje me ligjet islamike, njerëzit kanë nisur t’i varrosin viktimat menjëherë. Korrespondentët flasin për një atmosferë të frikshme.
Të 141 njerëzit janë vrarë, kur militantët kanë sulmuar Shkollën Publike Ushtarake në Peshawar, më 16 dhjetor.
Ushtria ka thënë se sulmi është kryer nga shtatë persona të armatosur, që të gjithë të veshur me xhaketa bomba, që kanë shkuar nga klasa në klasë, duke vrarë nxënës dhe mësimdhënës.
Rrethimi i shkollës, ku mësojnë djem dhe vajza me prapavijë ushtarake dhe civile, ka zgjatur tetë orë.
Një total prej 125 njerëzish janë plagosur, para se sulmuesit janë vrarë. Disa nxënës të plagosur mbeten në spitalin kryesor të Peshawarit.
Një zëdhënës i talibanëve pakistanezë, i cili e ka identifikuar veten si Muhammad Khorasani, i ka telefonuar një korrespondenti të Radios Evropa e Lirë nga Shërbimi i Pakistanit, dhe ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se kjo është hakmarrje për operacionet e ushtrisë pakistaneze në zonat fisnore veriperëndimore.
Ushtria pakistaneze thotë se ka vrarë mbi 1,100 militantë islamistë në Vaziristanin Verior, prejse ka nisuur ofensivën në muajin qershor, duke përdorur sulmet ajrore, artilerinë, mortajat dhe trupat tokësore.
Kryeministri i Pakistanit, Nawaz Sharif, ka udhëtuar drejt Peshawarit. Ai ka thënë se sulmi i talibanëve është “tragjedi kombëtare e kryer nga egërsirat” dhe është zotuar se do të vazhdojë luftën kundër terrorizmit.
“Kjo luftë do të vazhdojë derisa terrorizmi të çrrënjoset tërësisht nga vendi ynë”, ka thënë Sharif.
Ai po ashtu ka njoftuar për fundin e moratoriumit për dënimin me vdekje të rasteve për terrorizëm.
Përgjigjja e ushtrisë ndaj sulmit në Peshauar raportohet se ka filluar. Zëdhënësi i ushtrisë, Asim Bajwa, ka shkruar në Twitter se dhjetë sulme ajrore janë kryer kundër militantëve në rajonin Khiber.
Masakra në shkollën e Peshawarit ka nxitur reagime nga e gjithë bota.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka thënë se ajo është një “akt i tmerrit”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se terroristët “kanë treguar edhe një herë ligësinë e tyre” dhe ka përsëritur mbështetjen për përpjekjet e Qeverisë së Pakistanit për të luftuar ekstremizmin dhe terrorizmin.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se është “e tronditur” me sulmin, i cili, sipas saj, tregon se sa i fortë është kërcënimi nga talibanët dhe sa e brishtë dhe e rrezikshme mbetet situata në rajon.
Sulmi është kritikuar edhe nga talibanët në Afganistan.
Në përputhje me zinë kombëtare, ambasadat e Pakistanit në gjithë botën kanë ulur flamujt në gjysmështizë dhe kanë hapur librat e ngushëllimeve.
Përgatiti: Valona Tela