• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROMAN PA KOHË APO PËR GJITHË KOHËRAT?

January 26, 2021 by dgreca

NGA NDUE LAZRI/

-Rreth romanit “15 ditë prilli” të Anisa Markarian/

– E ruaj akoma në kujtesë, siç e kam edhe të fiksuar në fotografi atë ditë kur ajo erdhi në Shkodër. Ashtu përpara publikut me një tufë të bukur lulesh në duar, me buzëqeshjen e zgjuar e sytë tejet të mençur nën një palë syze elegante. Dukej e sapodalë nga sekuencat e filmit “Në çdo stinë”, aq i dashur për publikun dhe që e kishte bërë të suksesshme në fushën e kinematografisë atë studenten e talentuar e të zellshme të mjekësisë, yllin e ri të kinemasë shqiptare, Anisa Markarian. Bëhej promovimi i filmit në kinema “Republika në Shkodër”, e cila ishte mbushur plot me dëshirën për ta përshëndetur e duartrokitur mysafiren e bukur. Me këtë imazh në kokë ndalem në librarinë e aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, për të blerë pikërisht librin e ri të shkrimtares Anisa Markarian, romanin “15 ditë prilli”, për të cilin kisha lexuar fjalë të mira nga miq e kolegë të mi. Libri më bëri shoqëri gjatë udhëtimit me avion dhe kur zbrita në Bolonjë kisha arritur thuajse në gjysmë të tij, ndonëse ishte voluminoz me gati 400 faqe. Të nesërmen e kisha mbaruar së lexuari. Zakonisht kështu më ndodh me librat e bukur që më tërheqin shumë. Më kujtohet që librin “Dënimi i Paganinit” e kisha blerë në Bulqizë gjatë një shërbimi në Dibër nga gazeta “Bashkimi” dhe e kisha mbaruar brenda natës në hotel turizmin e Peshkopisë. Ka kaluar një vit që kur e kam lexuar librin. Menjëherë pas leximit, i pata shkruar Anisës në një mesazh: “Për shembjen e diktaturave është shkruar shumë, është shkruar mirë nga autorë të zotë, është shkruar keq nga autorë më pak të zotë ose mediokër. Ti ke shkruar shumë mirë sepse nuk je ndalur në kronologji ngjarjesh historike, por ke bërë një gjë më universale, gati jashtë kohës dhe hapësirës, me një stil që varion sipas situatave dhe u rri atyre a pennello siç thonë italianët kur diçka rri në mënyrë perfekte. Po kështu a pennello u rrinë personazhet situatave. Ke krijuar disa karaktere të forta e të veçanta, ku Ida Raez të bën për vete, ta dashurosh e gati ta ndjekësh hap pas hapi, Vlad Krela të bën ta adhurosh për talentin e guximin e tij, por edhe ta godasësh për ndonjë hezitim a vonesë të tij, Teo të krijon një pështjellim ndjenjash por të është gjithnjë e më simpatik e befasues në evolucionin e tij, Bulëza e ëmbël të bën ta ëndërrosh, Jargësi të ngjall krupë e neveri. Të gjitha këto sensacione falë stilit e portretizimit që u ke bërë ti. Tablloja e pazarit, sa e vërtetë aq surrealiste më bëri të ndihem si në skenat e filmit “Dom sa vjeshanje” të Kusturicës”. Pas këtij mesazhi herë pas here më ka ngacmuar idea për të hedhur përshtypjet e mia në një shkrim. Por asnjë herë nuk e gjeja veten aq të lirë sa të ulesha e të shkruaja me nge e me atë dëshirën që na frymëzon një gotë verë e mirë kur ulemi në tavolinë. E nëse tani pas një viti ulem e shkruaj, tregon se mbresat e librit të Anisës më kanë mbetur thellë në kujtesë e do vazhdojnë për shumë kohë. Përshtypja e parë pasi e mbylla librin ishte: Në këtë libër janë pena e shkrimtares dhe syri i artistes kinematografike, që e bëjnë letërsinë e autores të lëvizshme e të rrëshqitshme si karreli i operatorit gjatë xhirimit të një filmi. Lexuesi ecën përmes rreshtash, por me mendje ndodhet në skena të gjalla, midis personazheve dhe e përjeton në mënyrë dinamike çdo ngjarje e episod. Duket sikur autorja, me një ritëm felinian, e ka vendosur posaçërisht gjithë romanin në 15 ditë për ta bërë lexuesin të rendë bashkë me të atyre skenave sa reale, aq edhe surreale e absurde si në filmat e Kusturicës e herë-herë ta ulë ritmin e të shijojë më me nge ato skena të ngrohta dashurie që do të donin dorën e një artisti si Almodovar. 15 ditë prilli. Por është një prill i papërkufizuar në kohë dhe pa përcaktuar amfiteatrin e ngjarjeve se ku ndodhin. Mbase autorja këtë ia lë lexuesit, apo mbase ka synim të caktuar për t’u dhënë ngjarjeve një diapazon më të gjerë, ndërkontinental e gjithëkohor. Sepse Anisa Markarian synon letërsinë e madhe e vështron larg në kohë e në hapësirë. Këtë e kemi parë edhe në tregimet që ajo boton herë pas here.Në romanin e saj është periudha e lulëzimit, dekadencës dhe rrëzimit të regjimit totalitar. Tek shikon figurën sa butaforike, aq edhe djallëzore e kriminale të diktatorit me emrin “I përndrituri”, lexuesi mund ta çojë mendimin tek ish diktatori shqiptar, po aq sa mund ta çojë edhe lexuesi rumun, rus, kinez e të tjerë tek ish diktatorët e mëdhenj, por edhe lexuesit e vendeve e kohërave të tjera tek ish diktatorët e përgjakshëm përgjatë historisë botërore. Sepse pak a shumë lulëzimi, dekadenca e rënia e diktaturave ka patur të njejtën skemë gjithandej e gjithëherë. Autorja përshkruan përmes episodesh e ngjarjesh dramatike nënshtrimin e masës deri në ekzaltim e hyjnizim të figurës së diktatorit dhe shpurës së tij servile, bën sarkazëm me folklorizmin e përzgjedhjes së titujve e dhuratave për ditëlindjen e diktatorit dhe zgjon shpresën me rënien dhe shkatërrimin e regjimit totalitar. Por në mënyrë indirekte ajo përcjell artistikisht mesazhin e madh që nuk mjafton ta rrëzosh diktaturën, por duhet edhe ta denoncosh e dënosh veprimtarinë e saj kriminale, përndryshe ajo mund të ringrihet nga hiri i vetvetes duke përfituar nga amullia e njerëzve që mendojnë se regjimi mbaron me rrëzimin e tij, siç po ndodh aktualisht në shumë vende ku regjimet totalitare u rrëzuan, por janë zëvendësuar nga diktatorë të rinj që e mendojnë pushtetin e tyre të përjetshëm. Përshtypja e dytë ishte ajo e realizimit dhe ravijëzimit të personazheve dhe të ambienteve ku i vendos ngjarjet, çka autorja e bën me një mjeshtëri të spikatur artistike. Heroina e romanit është Ida Raez. Për një çast lexuesi, duke parë se ajo është një studente në mjekësi e që ka edhe prirje artistike, mund të mendojë se autorja ka vendosur në qendër të romanit veten e saj. Por sa më shumë thellohesh në lexim dhe e ndjek këtë heroinë sa rebele e kryeneçe, aq delikate, të brishtë, humane e të ndjeshme në momente e rrethana të caktuara, bindesh se autorja ka arritur të realizojë një figurë më të madhe e më përgjithësuese se vetja e saj. Mbase Anisa do të donte të ishte një Ida Raez, ose mbase do të jetë, por interpretuese e saj, në një film të mundshëm artistik mbi motivet e këtij romani. E me siguri do të dilte një film me përmasa e pretendime të mëdha artistike. Ose të marrim figurën e shkrimtarit Vlad Krela, që autorja e ka jo vetëm si një personazh të rëndësishëm të jetës e të kulturës së vendit ku zhvillohen ngjarjet, por edhe si një mjet artistik përmes veprave të të cilit ajo sjell si të thuash vizionin e fazave të lulëzimit, dekadencës dhe rënies së regjimit totalitar. I vendosur në atë ambient shkrimtarësh dhe artistësh ku pabesia ndaj njëri-tjetrit është injektuar nga regjimi, Vlad Krela të kujton disi Ismail Kadarenë, po aq sa të kujton edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj në vendet e regjimeve totalitare. Mendoj se realizimi i personazheve të tilla me përmasa që dalin tej caqeve të një romani, është një nga vlerat e dukshme të librit të Anisa Markarian. Edhe linja aq e bukur dhe e brishtë midis Teos dhe Bulëzës, përshkrimi i skenave e ambienteve në Kosheren e heronjve apo tunelet e Malit të Urthit, e turmave në demonstratën e madhe, janë të tilla që vetëm një penë mjeshtërore dhe një fantazi tejet e pasur mund t’i sillte me atë kolorit emocional e tronditës, siç i ka sjellë Anisa. Kosherja e heronjve është laboratori i sajimit të heronjve të ditës. Kujtoni heroin pozitiv në letërsinë e realizmit socialist apo heronj si Lei Feni kinez që mblidhte gozhdë e vidha apo Fuat Çela që i binte dhjetës në tabelën e qitjes edhe pse ishte pa sy. Kurse tunelet e Malit të Urthit janë qelitë e moskthimit, përtej tyre ekziston asgjëja, apo moskundi siç thotë në roman shkrimtari Vlad Krela. Imagjinojini në sekuencat e një filmi këto ambiente absurde me heronjtë e tyre tragjikomikë apo tragjikë. Përshtypja e tretë është që Anisa Markarian, me stilin e saj elitar, nuk i drejtohet vetëm lexuesit elitë, por gjithë auditorit letërsidashës, sepse, si tema e trajtuar, ashtu edhe mesazhet që ajo përcjell, janë për një auditor shumë të gjerë, auditor të cilin ajo e ka fituar në vite me talentin e saj, me personalitetin njerëzor si mjeke, si artiste, si femër e me atë thjeshtësi që na bën ta ndjejmë si njërën nga ne, si banoren e portës përbri, por që ka forcën ta ndriçojë rrugicën me buzëqeshjen dhe dritën që i buron nga brenda. Romani “15 ditë prilli” është një roman i fuqishëm, modern, i pasur artistikisht e në aspektin gjuhësor, aspekt në të cilin Anisa i ngjan një amvise të mirë që di të nxjerrë në pah edhe vlerën e mjeteve më të thjeshta të lëna mënjanë nga kujtesa e përgjithshme. E u jep atyre një shkëlqim të ri, jo artificial, por duke i bërë pjesë organike të gjuhës së romanit, duke e bërë atë më të këndshëm, më tërheqës e më intrigues në duart e lexuesit. Mbase autorja do më quajë pak të vonuar në këtë shkrimin tim. Por mendoj se nuk është kurrë vonë të shkruash mbresat për një libër që e mbart brenda teje në ato raftet e veprave të përzgjedhura, ashtu siç nuk je kurrë i vonuar të marrësh nga kantina një shishe verë të vjetër, ta hapësh me delikatesë dhe ta shijosh me miq që ia dinë vlerën.

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 dite prilli, Anisa Makarian, Nue Lazri

Dekostruktimi” Oruellian i diktaturave, si kumt gjithëkohor…”

December 7, 2020 by dgreca

      –Shёnime tё shpejta mbi romanin “15 ditё prilli” tё Anissa Markarian)

Shkruan:EMI KROSI/

Në tejqyrën e realitetit të ngarkuar me “tymnajë mjegullore”,çdokush përpiqet të gjejë këndin e “përshpirtmërisë” së tij, të ndezë një qiri në shandanin e teneqesë së ndryshkur, ku ovaliteti

i qiridritës hirnon aurën e pragut të realitetit të “Panairit të Kotësive” të Uilliam M. Thekereit, “për të satirizuar shoqërinë Londineze të fillimit të shekullit të 19-të”, ura që lidh

përtejkohësinë e “panairit” dhe “cirkuitit” shqiptar, me pafundësi personazhesh dhe skenash surreale, në romanin “15 ditë prilli” të Anissa Markarian. Në paskopertinën e fundme

shkruan: “Jam qytetarja që u përball me pabesinë dhe absurditetin. Jam banorja e dashuruar në qytetin-bunker. Jam intelektualja e asfiksuar nga despotizmi ideologjik. Jam artistja e dënuar për evazion ëndrrash.” Shtyjeni portën pa frikë!…

Në fundportën markariane, takova “apogjeun” e ngadhnjimit dhe të kalbëzimit të një epoke nё ikje. Aty pashë karvanin e njeriut të botës shqiptare, që shtyhet, që struket, mijëra karaktere njerëzore, që në kujtesën mjegullore të fundadoleshencës time, më skajohen kufijtë  bardhezi të atdheut tim. Bota shqiptare, qiellgri, nën trysninë e harresës mes të shkuarës dhe të ardhmes, vizaton  pazarin e  madh të ekzistencës, me “indetitete të shitura”, në udhët plot pluhur, nga baltovinat e shtëpive të varfra ku vinte aroma misërnike. Përshkrimi i ambjenteve jetësore nga autorja  dhe dilemat shekspiriane “të jesh a të mos jesh”, duken si vargani pazarak, me kuaj të ngarkuar me torbat e librave kur shkoja në universitet. Betejat njerëzore për të ruajtur vetveten, nga dyzimi dhe diktati, si betejat e titanëve të mitologjisë greke, (për dominin të fuqisë hyjnore), është betejë e urtakëve, që thundra e centaurit të diktaturës, godet, fshikëzon, shtyp, kamxhikon, gëlbazon, histerizon, përdhunon, turmat “memece” që lartonin “Të Përndriturin”. Alegoria dhe grotesku,  ndërthuren me “cirkun e jetës”, ku vetë autorja shprehet: “ndërthuret tragjikja me komiken, grotesku me mbinatyralen, magjia me djallëzinë, dyfytyrësia me ndershmërinë e dalë mode, ndjenjat e pastra me perversitetin… Cirku i madh i Jetës?”, se histeria “marroke” e turmës së imponuar, vjen si afresk i mesprillit, ku çoroditja, pasiguria, hutimi, përshtjellimi, rebelimi, “vrapojnëkaluar” në rrëfimin e ngjeshur me “gjuhë të zhveshur”, duke ngërthyer “lexuesin model” dhe “tekstin model” tё Ekos, me S/Z e Bartesit, ku diskursi dhe narracioni i Zhenet , sipas Erik Landovsk-it ka“fakte shoqërore konkrete”.  Arti i Greimas-it, që  na propozon programi narrativ  i Anissës, si kumtare  lakonike në modelin e abstragimit të Prop-it, në këtë korpus letrar mishërohet jo vetëm “konflikti i përjetshëm mes lirisë individuale dhe së mirës kolektive”, të Levis Stross-it, por edhe qëndresa njerëzore. 

Turma pazarake e Anisës, zhurshmos bashkë me gjënë e gjallë, kalojnë para syve të mi miniskena kujtimesh, si turmat e eksodit biblik, në kërkim të “tokës së premtuart” ku unë fëmijë kundroja arixhofkat me fustane me xhufka , pleq plisbadhë që dridhin cigare, duke shitur cjepë, dhi, shata, parmenda, lugë, lesh, samar, qypa, misër, grurë, gomare, djepa, madje gjizë, gjalpë dhe mjaltë e lloj-lloj sendesh në pazarin e mjerimit, ku vapa dhe pluhuri formonin parfumin e athët të djersës. Herë malet pakoheshin herë shumoheshin, në misterin e vajzës së vogël pazarake, duke u mbyllur si darë, në grackën e kohës së pamundësisë për të ikur.

***

Këtë ese jam munduar ta sjell në tre qasje:

  • Qasja e parë: (metafora prilljane e “vdekjes” së diktatorit dhe absurdi i turmës)

përmes këtyre fushёpamjeve:

  • (e kaluara, e tashmja dhe ardhmja), në shembëlltyrën e pakohësisë së gjithëhershme

të diktaturave, në çdo kohë, që simbolikisht lidhet me Shqipërinë, absurdin dhe groteskun e pushtetit të saj. Mesprilli, ose metáfora e vdekjes se Diktatorit, me epitetin i Përndrituri krijon një triologji personazhesh si: Vlad Krela (shkrimtari që lidh të ardhmen dhe të tashmen nëpërmjet librave (“Qiellin e ka ngrënë tenja” [nështrimi brenda qytetit-bunkier] dhe “Rrëfime nga moskundi” [dokumentimi i krimeve të diktaturës ose “kumtari nga skëterra”]), Ida Raez [vajza që “sfidon” fatin, me guxim, nga personazh human, që kulmon, shkërmoqet, thërrmohet dhe sërishmi ringrihet, jashtë “moralit” të shtirur të kolektivitetit, studente e mjeksisë, [nuk ka nota autobiografike] Teo Graca [gjakftohtë, që dëshiron të bëhet “hero”, në vigjilje të “edukimit të njeriut të ri”, por në Koshere, “thyhet” ftohtësia dhe merr përmasa të personazhit të dhimbsur dhe ndjesor]), si thagmë përcaktuese, që në nistore të rrëfimit Markarian, “për aq kohë sa dikush duket se po vepron në mënyrë të virtytshme, shumica e njerëzve do të besojnë në virtytin e tij”, thotë Makiaveli.

  • (denduria rrëfimtare e mesprillit), (15 ditë ku njerëzit kujtojnë fuqinë e tyre të 

“shthurjes” dhe ndyshimit, në “pazarin” kotësisë dhe mosbindjes , “ka filluar 15-ditëshi Farsës së Madhe”, f. 81, qeveritarët po “rrënjoseshin” në ferrfundit e tyre tragjikomik të fundshtetit). “Po gdhinte dita e madhe e parafundit, e Farsës së Madhe – vigjilja e Ditëlindjes”, f. 354, ku gëlojnë mijëra “zëra të zhurmshëm”. Rropatjet e njerëzve, për të ndërtuar jetën, brenda kornizave “false” të kolektivitetit duket sikur vjen nga një tjetër kohë, sepse vlerat tona si Qenie, kanë aftësinë për të menduar dhe jetuar të lirë. Secili gjen një shteg arratisës, (veprimet e lira) dhe çlirtësia e shprehjeve të njerëzve, “gëlojnë” lirshëm në shpirtin human të Anisës. Personazhet të skajuar dhe skalitur, në vorbullën e paformë të turmës, janë heronj realë dhe tragjikë, si Bulëza (balerina ëndërronjëse dhe tragjike, Rozi (vajza lakmitare imoraliste), Torrezi (profesori “sadist” që aspiron për shkencёtar), Leksi, (komandanti i “Kompanisë Borizane” në Urth, djalë “ambicioz” për pushtet dhe vrasës gjakftohtë, me fund tragjik), gruaja kërthiçël, (nëna fatzezë e dy binjakve të vrarë), Jargësi, (njeriu i “vogël” sadist “sozia” e diktatorit), vetë emri i gjetur [Jargës=jargë (qyrre, gëlbazë)], sjell dramacitetin e ngjarjeve me groteskun sarkaistik: “Ju bëftë gjak e dhjamë kusia me mut! – uroi sarkaistik shoferi i Volvos[…] bëri shenjën e kryqit mbi kryet e të pranishmëve, si t’ju jepte uratën”, f. 98.

  • (magjia e dashurisë si ndjenjë e pastër) (Ida dhe Vladi) dashuria e dy fatkeqëve (Teo

dhe Bulëza), perversiteti i një shoqërie të indoktrinuar (Rozi dhe Torrezi), nuk mund të kalojnë “barrikadën” e privatësisë, shpritërores, ndjenjës, intimes, epshit dhe dashurisë. 

Teo, ka “zhvokshur” lëkurën e egoizmit dhe akullsisë maskiliste (koraca mbrojtëse

kundër dobësisë, frikës dhe “nënshtrimit” ndaj pushtetit), për të qenë Njeri! Njeri, me dobësi, 

gabime, frikëra, barrikada, udhëkryqe, dilema, humanizën (si organizator greve).

“…Paraloja lëngëzore kishte marrë fund. Ishin ngacmuar, drithëruar, mikluar, torturuar. Ishin pikëtakuar. Kishte mbrritur çasti i puthitjes. Çasti kur kërkohet dëgjim (më saktë përgjim)

dhe bindje e verbër. Përkushtim gjithëshqisor e disipline për të shijuar plotësisht njëri-tjetrin… – Ida? – Futu Vlad… Krateri ishte bërë liqenth. Shëtiti bregut pa ngut. U mbush me frymë dhe

mbylli sytë. Do të shkiste brenda magmës me një zhytje të ëmbël…”f. 189. Një dashuri njerzore, që zbulon dëshirat më të fshehta, si ndjenja të pastra shpëtimtare nga “rrënimi shpirtëror” në një botë ku totalitarizmi përçudnon edhe ëndërrat. 

  • (qasja rrëfimtare, sa reale dhe surreale deri tek realizmi magjik), ngjizur që nga letërsia e 

“madhe” e Pastërnakut, Dostojevskit, zbret në Lindje me “Shakanë” e Kunderës, vazhdon në Ballkan me “Pallati i ëndërrave” të Kadares dhe “Odin Mondvalsen” i Trebeshinës, shkon deri në thellësitë e ishujve të “realizmit magjik”, tek “Shtëpia e shpirtrave ”, Izabel Alende, kalimi nga grotesku tek tragjikja me “zbulesёn” e magjikes, e bën Anissa Markarian, të parën rrëfimtare të një lloj letërsie të re,“pamjes vizuale” të një realiteti të thyer, të ngjeshur, me të gjitha

problematikat dhe “preokupimet” njerëzore, për të gjetur vetveten, në një realitet sa jetësor aq edhe letrar, ku ka humbur Uni Njerëzor!

 Autorja “miklon”, “pikëtakon”, “josh”, “njom”, “denduron” imazhin e realizmit magjik, për të derdhur kraterin vullkanor të avullimit të “nxehtë” të aftësive rrëfyese, duke na krahëqafur me realitetin, jashtë kumtit ideologjik të socrealizmit.

“Shpendi sqepthyer, u ul mbi kokat e binjakëve. I mbështolli e i ngrohu me krahët e vet; u dha frymë nga fryma e vet dhe …I risolli në jetë! I pari lëvizi binjaku i plazhit. Shkriftëroi kurrizin

e zgjati gjymtyrët, por sytë nuk i hapi. Nën sqetulla i kishin bërë fole toptha pendësh të bardha. Lëvizi dhe i dyti. Drejtoi qafën dhe shkrydhi bustin. Mbi supet i shquheshin dy rruzuj puplorë.

Pak nga pak pendët u rritën e u shpupurisën.[…]-Fluturojmë, çuna!- tha shpendi kryebardhë. Rruga drejt qiellit vezullonte si e shtruar me margaritarë. Mjegulla ishte bërë xham”, f. 363.

  • (metafora e erëzave), është sa milkues aq edhe i panishëm në rrëfimin e ngjeshur “erëza 

të njoma! Dy tufa pesë lekë… – Majdanoz, rozmatinë, borzilok! Dy tufa, pesë lekë!”, f. 58, një fjali përsëritëse. Në asnjë rrëfim romanor, erëzat nuk metaformojnë thjesht ca gjelburina për gatim (kultura gastronomike) në ushqimin evarfër të shqiptarëve nën diktaturë, por edhe perëndimi dhe rrokullima e një kohe të murrme në mjegullimin e moshës, të dëshirave epshore drejt askundit. Nurmi [dy] si përcaktues (imungesës mashkullore), [majdanoz dhe kopër (përzierja e erëzave]) “Kripë dhe piper” filmi greko-turk, horizontalisht dhe vertikalisht,  derdhet në kupën epshore të papërmbushur, pornumri ([dy/dy tufa]), përsëritja e togfjalëshit emror (numror+emër) është përcaktesë dhe e dy djemve të saj ushtarë (të vrarë), plotësim mungesore i dëshirave të munguar femërore,por edhe dashuria amësore. [Erëzat + shije = epsh+mungesë = femër e paplotësuar].

***

  • Qasja e dytë; (dystopia Oruelliane), e “Viti 1984” e Oruellit është “injektuar” 

bota e frikës, ku njerzit në kërkim të vërtetave të tyre, hallakaten (mes asgjësë, pasigurisë  dhe përgjimit), për të shpëtuar vetveten duke marrë ç’të mundin, apo duke shitur edhe ëndërrat, për të jetuar të lirë. Vizioni oruellian i diktaturës, i “instaluar” si ndërtekstor i personazheve të veprimit, dhe heroit  ndërmjetës (Ida, Leo), që lëvizin në diskursin letrar, respekton çdo mekanizëm tekstor,  ku “ fuqia e njerëzve të zakonshëm përballë totalitarizmit ”, nga libri “Origjina e

totalitarizmit”, e Hanan Arend,  tregon se propaganda masive shtetërore, është e gatshme në të gjitha kohët, për të besuar se personazhet si; Vlad Krela , mund të jetë një Winston Smith i “1984”. Vladi duhet të ballëpërballet me të “keqen” dhe pyetjet e pafundme, “kush mund të vinte dorën në zjarr, se mjetet e përgjimit me të cilat që pajisur së fundmi “Syri dhe veshi i

shtetit”, f. 60, papralelizojnë “Big Brother-in” e Oruellit, në “përgjimin e gjithësisë”, për të mbrojtur: të dukshmen dhe  të vërtetën.  Oruelli shkërmoq botën duke e vënë nën “vëzhgimi  e Vëllait të Madh”, që shikon çdo gjë dhe kontrollon në mënyrë makiaveliste botën. 

Mekanizmat e dikaturës, mali i Urthit,“prej pothuajse një gjysmë shekulli, guvat dhe gërbellat e malit të Urthit ishin shndërruar në objekte me rëndësi dhe strategji kombëtare”, f. 26, toponimia e fjalës [Urth/i = urith/-i + urith/-ët], d.m.th vend i errët, ku jeton urithi qorr), ose [Urth= urthi], njëlloj peme gjethegjelbër që vesh pemët si “mbulesë” si Shtëpia e Gjetheve). Urthi është bunkieri i madh, ku hapsira është aq e vogël, me fasada të zymta, ku njeriu ulet, fle dhe varroset pingulthi, qarkon kërrusur dhe frikshëm udhët e errëta të qytetit-burg, duke skicur hijen e trupit të kërrusur të frikës. Qyteti -burg, është Burgu i Shpirtit, që nga Aristoteli ku i deklamon njerëzimit se; “shpirti të çlirohet nga burgu i trupit”, se burgu është çdo gjë që nuk të bën të lumtur, madje as ai/ajo që ke afër, mund të bëjë “jetën” burg. Burg quhet edhe pasioni, epshi apo çdo gjë, që e dëshiron dhe nuk arrin ta realizosh. Atdheu-burg me mijëra bunkierë, njerëzit mundohen të çlirojnë gjymtyrët e tyre nga frika, mendimet, lëvizjet, fjalët, të shkokolepsin çdo nyjë fatkeqe, që lidh jetët e tyre kolektive. 

Paskthimi nga e shkuara, dhe formësimi i mijëra figurave-personazhe (që ndërveprojnë në kërthirin e Urthit-guvë) , fiksojnë aq reale dhe frikshëm, botën e “ngujimit” masiv të një populli. Autorja vështron aq imët, fijet, nyjat, thjerrzat, indet, damarët e gjakut që mpiksin gjakun e prishur, për një transfuzion gjaku të ri, sepse harresa  për kampe-burgjet, burgjet,Qafë-Barin, Burrelin, Spaçin,  Holokaustin, do ishte rivrasje historike. 

A nuk është përtejkohësia dhe gjithëkundodhja letrare e Markarian-it, projeksioni “vizioni oruellian” i totalitarizmit shqiptar??! Normalisht që po!

  • Qasja e tretë: (analogjia përmbysëse e “oportunizmit politik” dhe raporti i individit 

me shtetin), do të thotë të zbërthesh thelbin e problemit të saj ekzistencial markarian, në shumë paralele. “Na përgjojnë edhe në bark të nënës, kur jemi në gjendjen e fetusit”, thotë Shantali, i Kunderës, nuk e mrrol Leks Amranin, në qytetin-bunkier të Urthit,  si Cerberi në portën e Ferrit, të survejojë madje dhe  intimitetin e individit në shoqërinë tonë , ka çuar në humbjen e individualitetit, të qenësisë së tij si njeri (Leksi humbi të fejuarën Idën, por edhe jetën), për një ideal të kotë, me besimin se një ditë do ishte një “karrierist” i madh i ushtrisë, ndërkohë që mungesa e identitetit, ose joidentitetit, shumë pak vend ka për unin, kur pothuaj gjithçka në shoqëri është e organizuar “në kope”; edhe pushimet, edhe argëtimet, edhe puna; individi gjendet nën presionin e shoqërisë,  që jo vetëm e përgjon dhe e survejon në çdo fjalë e gjest, por edhe i krijon dhe i vendos para modele të gatshme për t’i imituar.

“Kalaja me zyra”,  a nuk është  “Tabir Saraji” i Kadaresë, sipas rëndësisë së përgjegjësisë, emërtoheshin; zyrë, degë, divizion, komitet, komision, drejtori, departament, seksion, dikaster. 

Ashtu si personazhet e “Identitetit” të Kunderës, dhe personazhet e Markarian-it, janë “kacafytur” me fatit e tyre, për të shkëmoqur deri në rrënjë , të keqen brenda tyre, totalitarizmin. Por është kapur fort, si grami që duhet harrur, për të shëndoshur vreshtin, në pasyrën e thithësecilit, uniteti dhe fisnikëria për t’u përballur jo vetëm me frikën, mposht çdo djall edhe në skëterrën më të thellë të urrejtjes, si “satanai” i Selman Ruzhdies.

Fundi tragjikomik i Leks Aramit, është edhe fundi i “idhujve të rremë” të totalitarizmave: “Shikoni! U hap horizonti! Njerzit s’po u besonin syve. Kolosi shkëmbor nuk ishte më. Përpara tyre shtrihej një hapёsirë e dystë, e virgjër, e pamatë. E kishin ëndërruar që në Agim të Kohrave. Po përse nuk po gëzoheshin?!”, f. 375.  

Fjalia po përse nuk po gëzoheshin?! – është kumti groteskian i Anissës, jo si motiv letrar sesa si motiv qenësor njerëzor, sepse lëvizjet, vrulltitë, shpërthimet, miklimet, ndysitë, anësitë, rropatjet romanore, janë rropullitë e jetës njerëzore të çdo njeriu, që quhet i përdorur, i vrojtuar, i friksuar. Uni dhe Ego e Frojdit, herë çpërvidhet nga “Kompleksi i Edipit”, herë shpërbëhet në shkulmet ujore të nëndërgjegjes letrare (koha historike dhe mjedisi kulturor) i shkrimtares, për të kumtuar nga përtejkoha, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kohës letrare: se koha romane nuk ka cak, as skutë ku të struket, se Anissa Markarian, ka kapërcyer të gjitha kategoritë letrare, të gjitha rrymat, në ngërthimin e pakohësisë universale, që nuk vdes kurrë, por na sjell letërsi cilësore, që mbetet në historiografinë moderne letrare.

Si përfundim: bukurtingëllimi i gjuhës, sqimatare me pasuri leksikore të jashtëzakonshme (me fjalëformime pasuri të leksikut të shqipes, një gjuhë e personalizuar, (nëse mund të them kështu) që më vonë mund të jenë objekti i studimeve mё të thelluara), që nga neologjizmat deri tek zhargoni përditësor i bukurshkuar artistikisht, derdhen ujshëm, marrëdhëniet njerëzore dhe humanizmi, represioni dhe survejimi, solidariteti dhe dashuria, kontradiktat dhe kontrastet e

forta, morali dhe pervesiteti, ngjizja dhe paqtimet dashurore, harresa e “vlerës” njerëzore në botën shqiptare , ku bota e dritës së demokracisë, nuk do ishte kaq unike, mobilizuese, solidare dhe humane. Kumti Markarian e hapi “peshtafin” e arkënojës.

Mirëserdhe Anissё!

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 dite prilli, Anisa Makarian, Emi KROSI

Artikujt e fundit

  • LETËR E HAPUR PËR KRYETARIN GENCI NIMANBEGU DHE KUVENDIN E KOMUNËS TË ULQINIT NGA SHQIPTARËT E DIASPORËS AMERIKANE
  • Nga kultet te idetë: Koha për të çliruar politikën nga portreti
  • TË JETOSH JETËN PREJ ALBANOLOGU
  • Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë
  • Shuhet në New York nacionalisti Pjeter Mernaçaj, Vatra ngushëllon familjen
  • Dhimitri i Farit – Greku që tradhtoi Teutën u bë mbret,  por dhe armik i Ilirisë
  • VATRA NË DASMËN E TEUTA RUGOVËS, VAJZËS SË PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR.IBRAHIM RUGOVA
  • KOMUNITETI SHQIPTAR NË ILINOIS, HISTORI DHE IDENTITET KOMBËTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • SHBA-Shqipëri, 103 vite marrëdhënie diplomatike! Ambasada amerikane në Tiranë: Krenarë për partneritetin tonë
  • Maqedonia dhe Kosova, pengje të proceseve të papërfunduara
  • Për një vetëdijësim gjuhësor
  • Fillimet e arsimit shqip në Shqipërinë e Jugut
  • Gazeta “Dielli”, drita e kombit në mërgim
  • DASHURIA E ZJARRTË PËRBALLË MORALIT DHE DINJITETIT 
  • TA KUJTOJMË ME NDERIM PROFESORIN DEMOKRAT ARSHI PIPA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT