SHKRUAN: EMI KROSI/ Rrallë ndodh që të ndeshim poezi aq përmbushëse, aq të ngrohta, me copëra të qepura nga përditshmëria e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë, magjiplotë, sikur një mëndafsh që të “fëshfërin” nëpër gishta dhe aroma derdhet në eter si një ujëhedhës magjik. E tillë është krijimtaria e librit Poezi dhe Prozë e zgjedhur AMANDA EDIT 2021, 200 f. të poetes Julia Gjika. Mëtimi drejt një poezie të mirë, është si të ngjitesh në një rrungajë diellnore, në majën e Epërme të shpellës së Sizifit. Nga kjo majë, i qasem poezisë, së femrave veçanërisht, por edhe ndaj poezisë pëgjithësisht, për të kuptuar mesazhin që ajo përçon në çdo kohë. Poezia, është vetë kumti poetik gjithëkohor, por edhe ura lidhëse mes kohëve, vendeve, brezave, rrymave, madje edhe hapsirave ndërkontinentale. Sado të përpiqesh të japësh një përkufizim për efektin par excellence, në poezi, të gjitha formulimet, etiketimet apo përkufizimet nuk do të mund ta humbnin fuqinë e një poezie, që nuk cënon dallimin mes femërores dhe feminizmit që duhet të qartësohet, se “femërorja”, lidhet me edukimin dhe “femra” me natyrën. Për të kuptuar konceptin feminizëm dhe femërore, duhet të kthehemi në fundvitet’60-të, kur lindi kritika feministe (Moi: 1985), jo vetëm si shqetësim për gjininë në letërsi, por (si një praktikë teorike dhe kritike që i shërben luftës kundër patriarkalizmit dhe seksizmit), se kritika feministe mund të përdorë çdo metodë apo teori, por qëllimi është që teoritë feministe mos të qasen si modele sociale dhe personale mes sekseve, por si modele të mendimeve të pavarura dhe të lira, kundër politikave seksule, (Millett: 1969).
***
Në pamundësinë për të gjithërrokur prodhimet letare, sidomos jashtë Shqipërisë, ku me dekada shkruhet, lexohet dhe botohet letërsi (prozë, poezi, studime etj.), hapsira dixhitale, të jep mundësi të njohësh dhe të komunikosh me shumë njerëz që lëvrojnë fushën tënde të interesit. Rrjedhimish, nëpërmjet këtij operacioni virtual që sot quhet facebook u njoha edhe me Julia Gjikën, poete shqiptaro-amerikane, me një përvojë shumëvjeçare në fushën e poezisë. Duke shfletuar librin e saj të ri gjeta aty edhe shumë vlerësime në kohë të ndryshme për poezinë e saj. Një tjetër femër, Natasha Lako shkruan: “vështirë se mund të gjesh në realitetin shqiptar një zë të tillë, ku pikiatat e lirisë të jenë të plota dhe të hapura, ku një autore grua të këndojë përtej derteve të përditëshme, të cilat përbëjnë një fushë të vërtetë beteje….”, pra në fushën e poezisë femërore, ajo ndihet akoma më mirë: por Zoti,/ më kishte ruajtur një vend/ Një vënd ku hodha rrënj’/ e lëshova bisqe, që shtohen e rriten… (poezia Kush jam?) kuptohet fare qartë mesazhi femëror. Zoti e ka bekuar të jetë nënë dhe krijuese, sepse ajo lëshon bisqe të reja nga degët e saj, ajo jep jetë dhe rrit po jetë, nëpërmjet rrënjëve të saj, sa femërore aq edhe amësore, por vendi i saj është në podiumin e poezisë, të asaj poezie dhe letërsie që i ka rrënjët nga mërgata e hershme e korçarëve të parë, që në fundshekullin 19-të, sepse shkalla në të cilën emri mund të ngjitet, sipas (Derrida-s) nuk mund të largohemi nga një sistem marrëdhëniesh ku emri nuk funksionon si shenjë e zakonshme ” (Stenier: 2011), por është provë për të parë se të gjitha shenjat shkrimore të Julia-s, sesa janë përfshirë brenda tekstit poetik. Libri është ndarë në kapituj, të emërtuar sipas autores në formë topikash.
Topika e parë: Nga jeta më Amerikë, që unë e quaj topika vetëzbuluese, e cilapërbëhet nga 16 poezi:
“Një pasdite vjeshte”, “Nuk ka më kohë”, “Muzgu thepiset”, “Për flamurin që e duam”, “Këto ditë jam me ty Whitman”, “Psherëtima e nënës”, “Kënga e emigrantit”, “Ti e bukura toka jonë” , “Një shpirt si flutur mu afrua”, “Në të gjashtëdhjetat”, “Në kohë pandemie”, “Le të ëndërrojmë”, “Në ëndërr me Timë Garufon”, “Natën me hënë”, “Vdekja”. Këto mund të lexohen, si një blatim për jetën e secilit prej nesh. Poezia nuk është çështje shkrimi por edhe si mund të lexohet? Të shkruash nuk mund të bësh me veten asnjë kopromis, apo edhe me frikën se nuk ke lexues, jo vetëm si akt konfirmimi, por edhe duke “mposhtur” lavdërimet dhe kritikat, fundja të shkruash si një pakt me lexuesin, nuk mund të varet plotësisht nga shkruesi (autori), por edhe nga lexuesi (Bloom: 2000), për të kuptuar sipas shijes sonë atë që kemi përpara.
Nëse duhet të diksutojmë se leximi ka një lloj ndarjeje mes sekseve (mashkull/ femër), por secili duhet të lexojë sipas mënyrës së të kuptuarit, se qasja mund të jetë një “lexim krijues”, por edhe një keqlexim. Në vargjet: dielli ish në të perënduar,/ pasi kisha pastruar godinën dykatshe,/ ditën e punës mbyllja/ pranë dumster-it,/ ku hidhja plehrat e fundit (Një pasdite vjeshte), poetja del jashtë “kornizës” së shtëpiakes, dhe “nder” në telin e hapsirës, ndjenjat poetike, të një dite vjeshte.
Ajo kërkon një barkë shpëtimi, teksa rreket të mbajë pishtarin, që me zjarrin e shpirtin të ndriçojë rrugën e njeriut dhe jetës, mbi çdo dilemë, pyet: i mjeri unë! – tha Isaia, unë jam i humbur, sepse jam/ njeri…, dhe njeriu tashmë i braktisur nga vetvetja, bashkë me mëkatet e tij, pas zhbërjes së besimit tek Hyjnia (Zoti), pyet: a jam unë njeriu? Pyetja hamletiane, ka shekuj që endet në qiellin e dilemave njerëzore, to be or not to be, (të jesh e të mos jesh), por Julia thjesht një njeri përgjigjet: në shekullin XXI,/ Zot, na shpëto nga vehtja jonë!/ Sa egoiste, lakmitare, mashtruese! Sa kohë na duhet për shpërlarje?/-Pendesa, e vetmja barkë që nuk mbytet/ është në pritje – thosh Viktor Hygoi (Nuk ka më kohë). Ajo është një femër, që shqetësoet për përditësinë e të dashurve të saj, kudo ku ndodhen të shpërndarë në botë, për vendlidjen e largët dhe të varfër që lëngon nën frikën e pandemisë botërore. Kodet dhe nënkodet në poezinë shqipe, lidhen edhe me kontekstin, edhe me kohën historike dhe letrare, në njërën anë mund të ndërlidhen me kodin simbolik dhe me kodin referencial, nga njëra anë, kurse në anën tjetër, “shërbejnë‟ si kontekste kanonizuese të diskursit esencialist dhe etnocentrik që dominiojnë poezinë, edhe kur i këndon lirisë së munguar apo edhe pëshpërimës së nënës. Kjo ndodh sepse nëse do të shkruash një poezi, ka shumë të ngjarë që ajo të kthehet mbi veten, në vend që të kthehet mbi ndonjë temë të jashtme të vetvetes, (Bloom; Idem).
Ajo që dhemb më shumë, (jo vetëm si emigrante) por si qytetare e një vendi të madh e demokatik si Amerika, është fati i shqiptarëve të saj, që si Krishti me peshën e kryqit mbi supe, janë në kërkim të fatit: ky ishte ndëshkimi i udhës së gjatë,/ që mora kur isha kërthi,/ mbi shpinë si kryqi i Krishtit më ri./ Djalërinë time nuk e panë as prinderit, as të afërmit./ As zërin tim nuk ma dëgjuan./ Këndova në shumë gjuhë të botës./ Me vehte gjuhën e nënës fola (Kënga e emigrantit). Poetja nuk ka frikë nga “plakja” por ka frikë nga mungesa e kohës për të kryer misonin e saj, jo vetëm si nënë, por dhe si poete, shërbestare e paqes, se duke dashur veten mund të duash të tjerë; ti akoma më thua:- Sa e bukur je!/- Nuk m’i shikon rrudhat,/ plakjen time nuk e sheh? (Në të gjashtëdhjetat) duke rendur pas dashurisë për jetën, për të përmbushur detyrën si grua, nënë krijuese.
Topika e dytë:Nga jeta në Shqipëri dhe Kosovë, që unë e quaj topika atdhepërshkruese; ka më shumë poezi, por kam përzgjeshur këto: “Babai ka mbetur jetim në pleqëri”, “Kur nënat s’i kemi më”, “Shtëpia e braktisur”, “Më buzëqesh fytyra e një të moshuari”, “Në fshatin e nënës sime”, “Stinë morrash”, “Luftë klasash”, “Të pastrehët”, “Sobalka e gjyshes”, “Shumë mjerim në Shqipërizën tonë”, “Mos e prano këtë natë”, “Nënë Tereza”, “Ibrahim Rugova”, “Mësuese Zyma”, “Kartolina dhe libri nga Kosova”, “Erdha të ty Kosvë”, “Kodrina e Jasharëve”, “Poetit të malkuar , Madu”.
Këto poezi përçojnë disa kode ligjërimore, si:
Kodet sociale:(gjuha verbale me nënkodet e saj).
Kodet tekstuale: (kodet estetike, kodet interpretuese, kodet zhanrore, retorike dhe
stilistike.
Kodet ideologjike: (kodet e “enkodimit” dhe “dekodimit” të teksteve, që sipas
strukturalistëve dhe semiotistëve, kodet me konfigurimet e tyre tekstuale, prodhojnë mesazhet (Prince: 2003), mesazhe sa njerëzore aq edhe poetike: kur i telefonondikush,/ flet si fëmijë i braktisur, gati qan/ – Me kë je atje? e pyes në telefon./ – Vetëm, vetëm me kë tjetër./ – Të vizitoi njeri sot?/ – Pardje më erdhi Viollca e mbytur në punë/ Një javë më parë ime motër,/ me pleqërinë e saj (Babai ka mbetur jetim në pleqëri). Konotacioni dhe notat e dhnimbjes që merr lirika, jo vetëm për vetminë e babait, (tema sociale të njohura, që nuk mund të shmanget), por edhe qasja që poetja ka, ndaj atdheut të saj natyral nuk e le të qetë asnjë çast ndërgjen poetike të saj.
Atdheu + prindërit, +familja,+ pragu = Njësinë Etnike = Njerëzore = Poetike. Në të gjitha këto poezi ndihet trishimi për mungesën e njerëzve të dashur, por kujtimet e fëmijërisë, pragu vajzëror i braktisur, është (më)përtej nënvetëdijes poetike. Poetja e ndjen veten si lulja Bliding heart (Lule vëthka) e shpërndarë nëpër botë (Shtëpia e braktikuar). Ngulmon të derdhet ndiesia e Qenies, jo vetëm si qenie njerëzore, por Ego-ja dhe Idi ndrydhnin dëshirat e (pa)plotësuar të Ndërgjegjes, kjo i jep simbolikës shumëdimensionale përmbjatje esensiale e shpirtërore përmasën e njerzores, se liria dhe atdheu nuk hyjnizohen, duke zbuluar përmasat e psikologjisë së njeriut shqiptar në veçanti dhe të njeriut në përgjithësi, ku ndërlidhen:
a) Mënyrat teje komplekse të lirikës personale dhe reale,
b) Gërshetimi i irracionales me racionalen.
Rivitalizimi i pamjes sociale nuk lë në harresë jo vetëm krahasimin, (si trop letrar), por edhe ironinë, që e ngjiz poezia me elementin e modernizmit dhe (post)modernizmit. Vargjet: morrat iu ngjitën pemëve/ me shpejtësi marramendëse,/ deri në majë, atje ku zogjtë i luten qiellit./ Eshtë stina, ku morrat bulojnë kudo./ Ambicia për të qënë të parë/ por jo, më të mirë, (Stinë morrash) një alegori që godet nëpërmjet nëntopikave:
– Nëntopika e alegorisë dhe ironisë: ku njeriu shqiptar akoma jeton nën frikën e
“luftës së klasave”, një shoqëri skajshmërisht e politizuar; lojë luftash e luftë klasash na mësuan/ sa hapëm sytë, (Luftë klasash).
– Nnëntopika e lirikës së rolit të individit: indvidi jeton në një shoqëri konsumi, ku
sundon egoja kolektive dhe personale nëpërmjet vargjeve: rruga e tij, një natë e gjatë./ Hapësirën pyeste:/ -O miqt’ e mij, u përzjetë me turmën?/ Ju mbani netë të ftohta përmbi shpinë/ Dashuritë po vriten, i shikoni?/ Liria, një memece, nuk pipëtiu./ Një vend kërkoi në udhën e tij,/ padyshim dhe një emër, (Poetit të malkuar, Madu).
– Nëntopika e kthimit te fëmijëria dhe kujtimet: janë disa poete femra, që na sjellin
në rotrespektivë, kujtimet, fmijërinë, një “rrëfim” lirik nga e shkuara nëpërmjet vargjeve: mëngëpërveshur të gjithë/ me fytyra si dielli në verë:/ Hajdho, Zoica, Petro, Llambi, Gulla e të tjerë./ Më thirri gjaku, më pushtoi me krahë magjikë./ Pa më parë kurrë!/ Një thënie e nënës më vjen në ndihmë:/ ‘Të kesh rast të njohësh njerëzit e mij!’/ Portat e shpirtit kishin hapur ata, zërat bashkuar, vallet krah për krah (Në fshatin e nënës sime).
– Nëntopika e metaforës socioreale: Sobalka e gjyshes, Tempulli i saj,/ ku thurte triko dhe ëndrra.[…] Aty ende dëgjoj mësimet e gjyshes:/ Perëdimi i diellit,mos ju gjejë me asnjë të mëritur./ Kërkoni falje kur gaboni, falni dhe ju ata që ju kanë mërzitur! (Sobalka e gjyshes).
– Nëntopika e njeriut të vetmuar dhe braktisjes, në shoqërinë globaliste: nën këtë qiell vjeshte një i moshuar po ecte./ Më buzëqesh i nemitur,/ me tërë reflekset e arta në sytë e tij të ëmbël/ dhe vetullat si tel./ Ai ecën ngadalë me një trëndafil në dorë, (Më buzëqesh fytyra e një të moshuari).
– Nëntopika e lirikës së dedikimeve: poetja u dedikon poezi të personalizuara përmes kujitmeve të saj te poezitë Gurevica, Mos e prano këtë natë, Mësuese Zyma.
– Nëntopika e (ç)mitizimi të qytetit: Lindje-Perëndim Perëndim-Lindje./ Qytet Biblik,/ ku Shën Pali shkroi letrën ‘Romakëve’/ Ungjillin e tij. Bukuroshja e Durrësit,/ kryevepër e mozaikëve antikë,/ punuar me gurë shumëngjyrësh, (Durrësi), ku si një shenjëzim edhe e topikës bibilik e duke defamiljarizuar tmerrin urban dhe absurdin e ekszistencializmit të njeriut, nuk e tehuajëzon, por herë-herë, rendit detaje të “zhvillimit urban” herë sendërton dhe shprish, trajtat e mirazheve reale, me detaje të ftohta, të një trajektoreje gjithëkohore të zhvillimeve sociale dhe shoqërore, sidomos në mbipopullimin kryqendrave (kryqyteteve), si aftësi të lidhura në mënyrën specifike me perceptimin ndjesor të poetëve edhe tek poezia, “Kruja”, me simbolikën e vendlidjes së kryeheroit shqiptar Skëndërbeut.
b) Nënpjesa e dytë: (njësia e haspirës etnike (Kosova) shpaloset nëpërmjet poezive:
“Nënë Tereza”, “Ibrahim Rugova”, “Mësuese Zyma”, “Kartolina dhe libri nga Kosova”, “Erdha të ty Kosvë”, “Kodrina e Jasharëve”, poezi jo vetëm për Rugovën, Nënë Terezën, Kosovën e lirë, por edhe për heroin legjendar Adem Jashari: kodrina i mban në prehër,/ në prehrin e blert’/ përkund një fis me emër./ Një harpë dëgjohet,/ zgjatim duart, prekim emrat,/ lulet janë pak,/ fjalët s’janë mjaft,/ duam të lemë zemrat,/ këtu ku flenë trimat në gji të Prekazit, (Kodrina e Jasharëve). Poezia mbetet besnike e “imitimit” të botës, përbën objektivitetin e tekstit – “tingullin” dhe “ndjesinë” e përbërësit të tij, se termat “entitet” ose “art”, vetë lloji i tekstit letrar, që rrok tërësisht përvojën e autorit (poetit), në plan të parë forma materiale e gjuhës, si një lloj i ndryshores gjuhësore, përbën kushtin e përfaqësueshmërisë pa të cilën “të gjithë” mund të arrijnë vetëm në një përafrim poetiko-letrar si mundësi përfaqësimi brenda modeleve fenomenologjike të zbërthimit në tërësinë e njësive logjike të poezisë, duke kuptuar marrëdhënien midis një gjendje të vetëdijshme aktuale, (të subjektives) nëpërmjet “figuracionit metaforik” (Brown: 1927).
Topika e tretë:Nga vizitat nëpër botë,që mund ta quaj dhe topika e udhëtimit, përbëhet prej poezive “Ëndërrat e kthimit”, “Tek ura në Bassano”, “Sa larg, sa larg” është një parabolë e kërkimit gjeo-hapsinor, se hapsira në letërsi, mbetet hapësira në tekstin që kemi përpara, ku ne mbetemi pjesë e përcaktimit të asaj lëvizjeje që na sugjeron poetja, meqenëse historia është e përjetuar prej saj. Kjo hapësirë, dëshmon dhe krijon kohën e vet vetëm në fund, pasi kemi përjetimin e leximit; Qyteza italiane Bassano/ Gjirokastrën më kujtoi/ nga rrugët me kalldrëm,/ dyqanet në katet e parë,/ mbi to ballkonet plot mëllaga të kuqe./ Në sheshin kryesor, këtë të shtunë pasdite,/ ecte e zhurmshme turmë burrash e djemsh, (Tek ura në Bassano) duke nënkuptuar përgjegjësinë e lexuesit, se hapsira nuk është thjesht një gjeografi apo shpejtësi, por një perceptim nëpërmjet udhëtimit gjeografik ku dhe vetë “fjalët poetike mund të na shtyjnë të përfytyrojmë”, (Eco: 1979).
Topika e katërt:Poezi meditative, që e quaj topika e meditimit, përmbledh poezitë “Mos mendo për pleqërinë”, “Hiçi”, “Forca e dashurisë”, “Gjyqi me vetveten”, “Duam të dukemi”, “Bota të mëson”, “Momente lumturie”, “Rrjeti dhe rrjetat”, “Llafazanes” etj. Poezia lirike meditative, karakterizohet si e gjithë lirika e Julia-s, nga një shpirt zbulues, që vrushtullon pas jetës, dashurisë, shpresës, mallit, përkujtesës, dëshirës, kujtimeve, mallit për të shkuarën dhe jetësoren, për ndiesoren dhe amësoren, për Hyjnoren dhe Eproren, një poezi moderne, që ajo shkruan në shqetësimin dhe qetësinë, nëse duam të kuptojmë se çfarë janë vërtetë këto poezi rrëfyese.
Duke e quajtur përshkrimin “një strehë” për nivelin e dytë; argumenton se letërsia, nuk përjetohet përkohësisht, por gjithkohësisht, ajo (poetja) përdor imazhe përfaqësuese (jo)ikonike, simbolike dhe (jo)simbolike. Vargjet: nata na jep kohë/ t’i bëjmë vetes gjyqin/ për të mos u dorëzuar në prehër të hiçit, tregojnë së njeriu reflektom mbi vetveten, qenien, Hiçin dhe ekzistencësn e tij, mbi Jetën dhe Vdekjen, nëpërmjet efkrazës si një përshkrim i hollësishëm i imazhit apo peisazhit, që nga format më të zakonshme, lexojmë shprehjen: ta duam tjetrin si vehten tonë me kumtimin e rrëfimit të thjeshtë poetik se: atë që s’ ta mëson nëna,/ bota ta mëson. Poezia ka fillimin dhe mbarimin e saj jashtë mendimit, si përfshirëse në procesin krijues, në të cilin “mendimi” poetik është se letërsia përfshihet, nga gjendje fizike dhe mendore të vëzhguesit në aktin e përimtësimit, përfshirë të gjitha kushtet mjedisore në subjektin imagjigjativ, nëpërmjet vargjeve: një rrjet / website njerëzish,/ një rrjetë merimangash,/ një rrjetë peshkimi./ Rrjeti dhe rrjetat, funksionojnë njësoj./ Mbyllen rrjeta merimangash,/ mbyllen rrjete njerëzish,/ mbyllen rrjetat e peshkimit (Rrjeti dhe rrjetat) se vetë poezia postmoderne është edhe një lloj pluhuralizmi, pa prishur “autoritetin” e egos individuale të poetes.
Topika e pestë: Lirika dashurie, po e quajtopika dashurore, përfshin poezitë “Drejt teje”, “Letra e padërguar”, “Nuk e di”, “Dashuria”.
Dashuria femorore shkon përtej vetes. Femrat dashurojnë përtej sakrificës. UNI i dëshirës dashurore, në parimet e kundërta që përbëjnë qenien tonë, arsyeja dhe energjia, mashkulli dhe femra, zemërimi dhe keqardhja , ekzistojnë në një gjendje mes antagonizmit të ndërsjelltë ose tjetërsimit (Parker: 2011). Të tilla emocione jepen me vargjet: ti hap krahët, i pari më pushton,/ më peshon./ Ishim dy,/ dashuria – një, (Dashuria), ku dashuria shihet jo vetëm në rrafshin femër-mashkull, por edhe në rrafshe të tjera:
– Rrafshi i parë:vetë qenësia e femrës si femër, poete, nënë, intelektuale, në sfidat
e jetës, herë -herë tjetërsohet jo vetëm nëpërmjet Unit poetik, por edhe nëpërmjet kohës.
– Rrafshi i dytë: qenësia e femrës është qenësia e saj që sfidon blafseminë si një mohim
ndaj vetetes, për të dhënë akoma më shumë dashuri, jo vetëm si femër por edhe (më)përtej si nënë, në kërkim të dashurisë , ndaj (de)humnizmit në një shoqëri globale ku edhe mëmësia shihet si konsum.
– Rrafshi tretë: qenësia njerëzore dhe fëmërore, kur ndërkallet teknologjia me internetin
në ndërtimin e inteksteve (tekste nga interneti), si shpërfaqje e globalizmit të shpejtë të botës, por edhe të jetës së njeriut që po bëhet me shumë së vetmitare, kur përballet me ftohtësinë virtuale të modernitetit.
Topikë e gjashtë, topika e baladës dhe e haikut, ku bëjnë pjesë poemthi “Dafina”,-baladë kushtuar Dafinës mitologjike dhe 34 poezi të stilit japonez Haiku “Haiku”.
Balada e Dafinës, (emër vajze dhe bime) vjen nga mitologjia, kur nimfa Defne refuzoi Apolonin, ajo trasformohet/ metamorfizohet në pemën e dafinës, (bimë me gjethe përherë të gjelbra erëmirë), një poetizim në gjininë e baladës, si një dhimbje sa njerëzore (për vajzat) por edhe si himn për humbjen e dashurisë së pastër, që vjen nëpërmjet vargjeve: duart u bënë degë, lulëzoi gjethnaj’ e blertë./ – Ti do të jesh pema ime! – foli ai me zë të lartë./ Tani, unë pema fisnike, kisha degë, fletë, rrënjë, aromë/ dafine./ Apolloni këputi një degë dhe e vendosi në kokë si/ Kurorë (“Dafina”).
Haiku, poezi trevargore, një lloj poezie për gjuhët aziatike që shkruhen me heroglife, por të përshtatura shumë mirë në gjuhën shqipe nga Julia: përpara meje/ lëndina me luleshqera,/ ëndrrat petale, (“Haiku”).
Topika e shtatë; topika prozë poetike: “Për ditën e lamtumirës”,
“Kur u bëra nënë”, “Kënga e mëngjesit”, “Gjuha e tyre”, “Misioni i martesës”. Në këto proza shpalosen përmes lirizmit ndjenja të thella të jetës njerëzore në momente kyce që nga lindja te marrja përsipër e misionit të përtëritjes së jetës deri te përgatitja për ndarjen nga jeta,
Topika e tetë; topika portreti publicistik: “Valsi me jetën”, “Ata që lenë gjurmë të përhershme”, “Midis Amerikës dhe Korçës ”, “Një drek’ e paharrueshme”, “Një ishull çam në Dueville të Italisë ”, “Me lule nëpër Kosovë”, “Me ngjyrat e ylberit”, “Kënga e parë”, “Vëllezërit Kardhashi -minoritarët që u shquan nëpër botë”, “Kur e dëgjoj emri tënd”, “Zina, vajza e valëve nga Himara”. Këtu skaliten karakteret e njerëzve të ndershëm si vëllezërit Beqiri, të cilët ruajnë tiparet e tyre çame edhe në emigracion, këngëtarja Marie Kraja, mësuesja kosovare Zymë Barisha, doktor dentist Piro Bimbli, albanologu Robert Elsie, burrnesha himariote Zina, minoritarët Kardhashi që kënduan nëpër botë, por qeveria komuniste nuk i la të vinin në atdhe, as për të kënduar e as për të vendosur një tufë me lule te varri i prindërve të tyre, etj.
Ndërtimi i skicave dhe portreteve është mbështetur mbi rrëfimin e njëmendësisë, jo në trillimin si pjesë e narrativës të rrëfimit prozaik. Ata janë krijime me copëza jetësore, të jetuara nga vetë autori, apo edhe si vëzhguese e hollë dhe e kujdesshme e gjithë rrethinës së saj shoqërore, familjare dhe miqësore, por në sinkron me modelin modern të rrëfimit. Lidha e vertikales dhe horizontales, e sjell rrëfimin në trekohësi, duke ndikuar hapur mbi lexuesin si një parim ose shkak të veprimit në një vepër jo të një imagjinate yë pastër. Çfarë do të kuptojë lexuesi, është se në të vërtetë jemi brenda një stili proze me rrëfim njëmendësie që nga fillimi, në mënyrë që i gjithë udhëtimi i lexuesit aktiv, të jetë domosdoshmërisht vizionar se “dëshmon pikëpamje moderniste” (Ashton: 2005). Linja fabulore mëton të na tregojë shumë thjeshtë, për përditshmërinë tonë, për zhgënjimet dhe dashuritë tona, në miqësi, familje, punë etj., se bota moderne dhe globaliste, po shkon drejt një letërsie konsumatore, ku lexuesi bashkëkohor “ndeshet” me parabolat e një tregimi realist, me elemente postmoderne:
Parabolë e narratorit që di dhe rrëfen, (ose narratori-personazh që vepron, sheh dhe
rrëfen, por edhe funksioni narrator-autor, (narratori autodiegjetik), kurse ky lloj personazhi, vetëm sheh dhe rrëfen),
Parabolë e narratorit që vepron dhe rrëfen, (zëri narrativ në vetën e parë që
shtrihet në kohë, koha narrative) jashtë kategorisë së frekuencës: të tregosh një herë atë që ka ndohur dikur sipas Gerar Genete-s, duke sjellë një rrëfim shumë të ndier për poeten ameriakne Emily Dikson; “shtëpia muze me nr. 280 në qëndër të Amherst, MA, është ndërtuar nga gjyshi i Emily-së, Samuel Fowler Dickinson më 1813. Ishte shtëpia e parë në Amherst ndërtuar me tulla. Emily e donte, e adhuronte atë shtëpi. Shtëpia e të vëllait, Austin, është në krah të saj, lidhur me një rrugë të ngushtë mes kopshtit. Do të ndërtohej në vitin 1856. Kjo rrugë kryesore në Amherst, MA, është e zënë në çdo stinë të vitit, në të dy krahët nga makina, për të sjellë aty vizitorë te artit dhe letërsise, jo vetëm nga Amerika, por Azia, Europa, nga gjithe Bota” (“Kudo e dëgjoj emrin tënd”).
Parabola e rrëfimi dhe përshkrimit, (përshkrimet e hollësishme nga e kaluara
e personazheve),
Parabola e kronotopisë dhe “intertekstualizmit”(Kristeva: 1979),
Parabola e pastish-it, (shumësia e diskurseve. Prania e diskursit shkencor, gazetaresk, politik, poetik, etj., gjendet në mënyrë të moderuar në letërsinë moderniste, është shenjë e intelektualizmit të saj, që në vetvete ndahet në:
a)pastish-i i diskursit të historisë:“Ligji dënonte si arratisje, largimet nga atdheu mbas datës një prill të vitit 1945, kurse Krisua ishte larguar që në mars të vitit 1944, pra një vit e ca më parë, por të drejtën as mund ta kërkoje as mund ta gjeje në atë kohë… (“Vëllezërit Kardhashi -minoritarët që u shquan nëpër botë”).
b)Pastish-i idiskursit kulturor: “Shkolla shqipe ishte e fortë, me ato klasët e fillores kam ecur në jetë. Mbas pushtimit italian filloi dhe bombardimi i italishtes. Më dërguan dhe në Itali me pushime si shumë fëmijë të tjerë e kështu fillova ta mësoja dhe italishten. Kjo gjuhë për ata që dijnë shqip është llokume. Lidhja me ushtarët italianë më ndihmoi edhe më shumë. Gjuhët e huaja më pëlqenin, shumë kollaj i kam mësuar dhe arabishten, gjermanishten dhe anglishten” (Vëllezërit Kardhashi…).
c) Pastish-i i diskurist poetik: “Hyri prilli,/shkriu bora maleve./ Mbani vesh bie këmbora majave./Vajz’ e valëve,/ Zemra s’ia mban./ Mbi një gur në anë të detit,/ Qan e zeza qan./ Pret atë që pret,/ E një dhimbje ndjen./ Gjithë bota ven e vinë,/ Por ai nuk vjen./ Pranvera arin, një mëngjes të qetë./ Shkojnë dallendyshet,/ Vajza u thërret: Ju të bukur zogj,/ Tek ju kam një shpresë./ Ju që cani në det e male,/ Dua t’u pyes: Mos e patë ju,/ Rron apo nuk rron?/ Një që kisha, një që doja,/ Iku e më la./ Ndonjë lajm, a ndonjë letër,/ Vallë a më kujton?” (“Zina, vajza e valëve nga Himara”).
Parabolë e double- cooding, (nënkupton realizimin e qëllimit që autori ka në veprat
postmoderne, krijon një rrëfim të dyfishtë për lexuesin e interesuar për fabulën dhe një rrëfim paralel për lexuesin erudit, i cili e kërkon esencën e veprës), “veprat e artit postmoderne u drejtohet njëkohësisht një publiku pakicë elite duke përdorur “kode të larta”, dhe publiku masë duke përdor kode popullore”, (Jenks: 1968).
Parabola e kohës së shkuar: “Muzika e jetës e atyre viteve të largëta na shoqëron tek ngjitemi shkallëve për të hyrë në dhomat e shtëpisë. Tek ajo e ndënies, bie në sy një foto mbi vatrën e oxhakut, Emily ka dalë me të vëllanë Austin dhe motrën Lavinia. Emily mban një pikturë në duar” (“Kudo e dëgjoj emrin tënd”).
Parabolë e kërkimit gjeo-hapsinor: “Në majin e sivjetëm, unë me Thanasin, nga Amerika dhe im vëlla Arturi me bashkëshorten Ulianën, nga Athina; u bashkuam në Milano për të bërë një udhëtim në Itali të Veriut, ku vizituam Milanon, Duevillen,
Venecian, Firencen dhe Pizën. Në aeroportin e Milanos erdhi e na mori me makinën e tij Iliri, djali i dytë i mikut tonë Xhafer Beqiri, që na kishte ftuar. Dy orë e gjysëm larg nga qyteza e Duevilles, ku jetonin miqtë tanë. Vëllezërit Beqiri: Xhafa, Zerkoja, Pashoja, Maksuti e Ismeti, kanë lindur në vitet ’50-të e 60-të të shekullit 20-të në Shkallnur të Durrsit” (“Një ishull çam në Dueville të Italisë”).
Parabolë e kohës e tashme e drejtpërdrejtë: “Sot, mëngjesi zbardhi më i bukur se herët e tjera, mbushur me këngën e zogjve të rinj. Kam marrë filxhanin e kafesë dhe rufis me lezet kafen në shkallët e zjarrit. Jam e rrethuar nga pishat, që kanë varur degët me hala dhe boce si mëngë të gjëra fustanellash të valltareve nga krahina e veriut në vendin e shqiponjave, a ndoshta kështu më pëlqen ti krahasoj nga malli që kam për vendin tim. Emigracioni ka shume gjëra të mira, po të këput malli, ai që e provon
e di mire. Degët e blerta përkunden lehtë nga flladi i freskët i këtij mëngjesi dhe më duket vehtja se kam hyrë në freskinë e pyllit të Bozdovecit.” (“Gjuha e tyre”).
Proza e Julia-s dallohet nga sprovat për skica dhe protretet, që janë të një lloji mjaft të vështirë në të shkruar, dhe pse duken të thjeshta në lexim. Teksa lexoja tregimet e saj, gjithë bota shqiptare e amerikës më shpërfaqej, që nga emigrantët e parë korçarë drejt “Tokës së ëndërrave” vështirësitë, mundësitë dhe (pa)mundësitë, mu kujtua Nju Jorku, multimetropli gjigand botëror, “skalitur” në çdo fytyrë të shqiptarëve-personazhë të rrëfimeve tregimtare, se topika shenjore në raport me njësinë referenciale na fton në tre rrokje të ndryshme të teksteve:
– rrokja morale, (interpretimi enciklopedik),
– rrojka semike,(analiza e tekstit duke mos ndalur vetëm tek niveli sipërfaqësor i
shenjave),
– rrokja mbresore, (raporti ndjesor që teksti prodhon mbi subjektin). Postmodernizmi “po vdes” duke ia lënë kohës emërtimin e epokës së re, “tash qarkullojnë shumë emra – performatizmi, metamodernizmi, dixhimodernizmi, post-postmodernizmi, po i përmend vetëm disa. Ndoshta duhen vite para se të arrihet një konsensus i vërtetë” (Eshelman:2014 ), forma e një metanarrative si teknikë postmoderne mund t’i nënshtrohet keqpërdorimit, se brenda një vepre arti është krejt normale, sidomos sot, kur arti shihet më shumë si kombinim sesa si krijim. Autori postmodern nuk e koncepton origjinalitetin si shpikje ex nihilo, por si mënyrë specifike e trajtimit të një objekti, në postmodernizëm shpjegimi i këtij procesi kthehet në parim krijues dhe njihet me emrin “poioumenon”, (Fowler: 1989).
Së fundmi: Përkorja Julia Gjikës, në udhën e poezisë, më përtej çdo caku si një kritike femër, mund të dëshiroja të ndiqja rrugën e një kritike të orientuar nga gjinia, unë kam synuar në këtë libër të merrem me poetikën dhe stukturën poetike, atë “të zgjerimit dhe përshkrimit, si provinca e femrës” , (Spiegelman: 2005) pa iu referuar gjinisë, brenda teorisë dhe kritikës letrare, ka edhe nëndarje të tjera: kritikë “female” dhe teori “feminine”, duke mos u ndikuar nga fusha e kritikës feministe anglo-amerikane, nuk dua të shkruaj nga një pozicion femëror, por në këtë lojë të ngatërruar mes “kritikës gjinore” dhe dallimit nga “kritika feministe”, (interesim për gratë lexuese), dhe “gynocritics” të interesuara për gratë shkrimtare jo si një kundërvënie femër dhe feminist.
Struktura gjuhësore, ka shumë shenja të gjuhës postmoderniste, nga topika pragmatike e gjuhës së përditshme, është edhe prirja drejt dhunimit të gjuhës së përditshme dhe tradicionale duke përzier kodet gjuhësore, si një prishje të distancës mes gjuhës “formale” e “informale”, një ars combinatoria, ku koha e psikikës së njeriut vendoset në të ashtëquajturën pavetëdije kolektive të (Jung-ut), e cila në raport me individin mund të konsiderohet si kohë e përjetshme, por lexuesi nën efektet e katarsisit, çliron makthin e dashurisë sublime njerzore, për të përçuar vlerën e një shpirti të bukur poetik, por shpaluar madhërisht dhe thjeshtërisht bukur, si në poezi dhe në prozë.
———————-
BIBLIOGRAFIA:
1. Ashton, Jenifer: (2005), From modernism to Postmodernism, Cambridge University Press.
2. Bloom, Harold: (2000), How to read and why?, New York, London, Toronto, Sydney, Singapore.
3. Brown, Stephen.J, (1927), The Word of Imagery, Metafor and Kindred Imagey, London.
4. Eco, Umberto: (1979), Lector in fabula, Bonpiani, Milano.
5. Eshelman, Raoul, (2014), Performatism, the epoch after postmodernism, “Symbol” nr. 2, Tirana – Prishtina – Skopje.
6. Fowler, Alastair: (1989), The History of English Literature. Cambridge: Harvard University Press.
7. Gjika, Julia (2021). Poezi dhe prozë e zgjedhur, “Amanda Edit”, Bukuresht.
8. Jencks, Charles: (1968), What is Post-Modernism? London: Art and Design.
9. Kristeva, Julia, (1969); Le mont, le dialogue et le roman, Recherches pour une sémanalyse, Semiotike, Paris.
10. Millett, Kate: (1969), Sexuals Politics, London.
11. Moi, Torill: (1985), Sexual/ Textual Politics: Femisnit Literary Theory, London.
12. Parker, Fred: (2011), The devil as muse : Blake, Byron, and the adversary, Baylor, University Press.
13. Prince, Gerald (2003): Dictionary of Narratology, Lincoln and London: University of Nebraska Press
14. Spiegelman, willard; (2005), How Poets See the World:The Art of Description in Contemporary Poetry, Oxford University Press
15. Steiner, George: (2011), The Poetry of Thought, From Hellenism to Celan, USA: A New Directions Book.