
Eneida Jacaj/
Në çdo shoqëri, pavarësisht kohës apo zhvillimit teknologjik, ekziston një tension i vazhdueshëm mes asaj që lejohet të thuhet dhe asaj që duhet të mbetet e heshtur. Historia tregon se pushteti rrallë është mjaftuar vetëm me kontrollin fizik të njerëzve, shpesh mënyra më efektive për të ruajtur rendin ka qenë kontrolli mbi mendimin. Edhe sot, në një epokë që shpesh quhet “epoka e informacionit të lirë”, kjo përplasje nuk është zhdukur, ajo ka marrë forma më të sofistikuara, ku censura nuk është gjithmonë e dukshme, por vepron përmes filtrimit, presionit social dhe kufizimit të zërave kritikë.
Kjo mënyrë e kontrollit mbi idetë nuk është thjesht një fenomen i së kaluarës, por një mekanizëm që përsëritet në forma të ndryshme gjatë historisë njerëzore, pikërisht këtë realitet, ku mendimi i lirë përplaset me frikën nga ndryshimi, e trajtojnë në mënyrë të thellë edhe dy nga romanet më të njohura të letërsisë bashkëkohore, “Emri i Trëndafilit” i Umberto Ecos dhe “E Kuqja” i Orhan Pamukut.
Librat janë ndaluar, idetë janë etiketuar si të rrezikshme, ndërsa format e reja të artit apo të shprehjes janë parë si kërcënim ndaj traditës dhe autoritetit. Në pamje të parë, një manastir mesjetar në Evropë dhe oborri i Perandorisë Osmane në shekullin XVI duken si botë krejt të largëta nga njëra-tjetra, megjithatë në thelb të dy romanet ndërtojnë një realitet të përbashkët, një shoqëri ku dija dhe arti nuk janë të lira, por të mbikëqyrura, të kufizuara dhe shpesh të rrezikuara nga pushteti ose tradita. Në këtë hapësirë të mbyllur, çdo ide e re shihet si kërcënim, dhe çdo përpjekje për ta shprehur atë mund të ketë pasoja të rënda.
Te “Emri i Trëndafilit”, një libër i fshehur bëhet shkaku i një serie vrasjesh misterioze, sepse përmbajtja e tij shihet si e rrezikshme për rendin fetar dhe intelektual të kohës. Hetimi i këtyre ngjarjeve zbulon një sistem ku dija ruhet me fanatizëm dhe ku kontrolli mbi informacionin bëhet mjet pushteti. Në këtë mënyrë, libri nuk është thjesht objekt, por simbol i frikës që pushteti ka nga mendimi i lirë.
Në mënyrë të ngjashme, në “E Kuqja”, një projekt sekret pikturash në oborrin osman kthehet në burim konflikti, sepse sfidon mënyrën tradicionale të të shprehurit artistik. Ndërthurja e stilit lindor me ndikime perëndimore nuk shihet vetëm si risi, por si rrezik për identitetin kulturor. Kjo përplasje mes së resë dhe së vjetrës çon në tensione që përshkallëzohen deri në dhunë, duke treguar se edhe arti mund të bëhet fushë beteje për ideologjitë.
Në këtë mënyrë, dy romanet lidhen natyrshëm me një realitet më të gjerë, idetë e reja shpesh nuk përballen vetëm me debat, por me përpjekje për t’u heshtur. Qoftë përmes një libri të ndaluar apo një forme të re arti, mesazhi mbetet i njëjtë, kur një shoqëri frikësohet nga ndryshimi, ajo tenton ta kontrollojë atë duke kontrolluar mendimin vetë.