





Nga Rafael Floqi/
Një udhëtim në gjurmët e Mesharit, fontit të Buzukut dhe origjinës së shqipshkrimit
Në një atmosferë të veçantë akademike dhe kulturore, komuniteti shqiptar në Michigan dhe Vatra u bënë dëshmitarë të promovimit të dy vëllimeve të veprës “Buzuku i Lehtëlexueshëm” nga “Botime Françeskane”, një punim monumental i Prof. As. Dr. Vinçens Markut, kushtuar studimit, transliterimit dhe paraqitjes së re të veprës më të hershme të njohur në gjuhën shqipe, “Mesharit” të Gjon Buzukut.
Veprimtaria mblodhi studiues, intelektualë, veprimtarë të komunitetit, drejtues të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, dashamirës të historisë së librit dhe të gjuhës shqipe. Programi u moderua prej meje, ndërsa vlerësimet shkencore dhe pyetjet përkatëse u paraqitën nga studiuesi dhe përkthyesi Lisandër Kola.
Prof. As. Dr. Vinçens Marku është një nga studiuesit më të njohur të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, pedagog prej vitit 1995, ish-dekan i Fakultetit të Shkencave Shoqërore, autor monografish, përkthyes dhe studiues i letërsisë, i cili gjatë viteve të fundit i është përkushtuar në mënyrë të veçantë studimit të Buzukut dhe historisë së hershme të shqipshkrimit. Me botimin e “Buzuku i Lehtëlexueshëm” në vitet 2025 dhe 2026, ai ka sjellë një kontribut të ri në albanologji dhe në studimet mbi kulturën shqiptare.
Që në fillim të aktivitetit u theksua se nuk bëhej fjalë thjesht për promovimin e një libri të ri, por për paraqitjen e një pune shumëvjeçare që synon ta bëjë të lexueshëm për publikun modern monumentin themeltar të shqipes së shkruar. Vepra e Prof. Markut përfaqëson një ndërmarrje të rrallë filologjike, paleografike dhe tipografike, e cila i afron studiuesit dhe lexuesit me tekstin e Gjon Buzukut përmes një sistemi të ri transliterimi dhe interpretimi.
Meshari mes Venecias dhe historisë së shqipshkrimit
Në kumtesën e time pata kënaqësinë të ndalesha në lidhjet historike dhe kulturore ndërmjet Shkodrës dhe Venecias, qytetit ku studiues të shumtë, ndër ta edhe Lucia Nadin, mendojnë se u shtyp “Meshari” i Gjon Buzukut në vitin 1555. U theksua roli vendimtar i shtypshkronjave veneciane në ruajtjen e kulturës shqiptare gjatë shekullit XVI, kur Shqipëria ndodhej nën sundimin osman dhe libri ishte bërë mjeti kryesor i mbijetesës shpirtërore e kulturore.
Kërkimet e Nadin dhe të prof. Vincensit hedhin dritë edhe mbi tipografët venecianë që mund të kenë marrë pjesë në botimin e “Mesharit”: Bernardino Benali, Bernardino Bindoni, Bernardino de Vitali dhe Bernardino Stagnino. Analiza e inicialeve dekorative, e kornizave dhe e figurave të përdorura në “Meshar” krijon lidhje të qarta me tipografitë veneciane të kohës. Veçanërisht interesante është hipoteza mbi Bernardino Bindonin, një tipograf i përfshirë në botime fetare dhe i lidhur me qarqe kulturore që kishin marrëdhënie me diasporën shqiptare.
Frontespici i Mesharit të Gjon Buzukut mbetet një nga ato gjurmë të rralla ku historia e librit, arti i shtypshkrimit venedikase dhe identiteti i një gjuhe që po kërkonte vendin e saj në botën e kulturës prekin njëri-tjetrin me një finesë pothuaj hyjnore. Korniza e dëmtuar e ballinës, e ruajtur në fletën 96 të kopjes vatikanase, ngjan sot si një ftesë për të hyrë në laboratorin ku lindi libri i parë i shqipes një portë që nuk na e zbulon më brendinë, por na lë të sodisim disi mistershëm bukurinë e saj të amputuar nga koha.
Në këtë pjesë, Prof. As. Dr. Vinçens Marku na shpie me kompetencë dhe kujdes në një udhëtim përmes botimeve të Venedikut të shek. XV–XVI, aty ku mjeshtrit e shtypshkrimit, Benali, Bindoni, Kapkaza dhe familja Zanni, modeluan një aparat figurativ që sot është çelësi për të rindërtuar frontespicin e Mesharit. Kjo përkim fare e çmuar mes një fragmenti të mbijetuar shqiptar dhe një tradite të gjerë europiane të ksilografisë është një dëshmi e qartë se vepra e Buzukut nuk është një gjurmë e izoluar, por një kapitull i pandashëm i historisë së botimit në Rilindjen e vonë.
Frontespicit e Dante-s, Petrarkës, Ficinit e autorëve të tjerë, të shtypura me të njëjtat grafema, me të njëjtat korniza dhe me të njëjtat duar mjeshtërore që punuan në librat e Venedikut,
Prezantimi i autorit
Pjesa më e rëndësishme e veprimtarisë ishte paraqitja e vetë autorit. Prof. As. Dr. Vinçens Marku prezantoi para të pranishmëve në monitor metodologjinë e ndjekur gjatë katër viteve të punës intensive për realizimin e dy vëllimeve.
Përmes monitorit të vendosur në sallë, ai shpjegoi në mënyrë të detajuar karakteristikat e grafemave të përdorura nga Gjon Buzuku, format e shkronjave, mënyrat e transliterimit dhe vështirësitë që paraqet leximi i tekstit origjinal. Të pranishmit patën mundësi të shihnin drejtpërdrejt shembuj konkretë të shkronjave dhe simboleve të veçanta që përdoren në “Meshar”.
Autori u ndal veçanërisht te disa grafema karakteristike, si përdorimi i shkronjës “U”, shenjat e veçanta fonetike dhe format e ndryshme të parafjalëve e nyjeve që hasen në tekstin e Buzukut. Ai shpjegoi se shumë nga këto forma kanë qenë objekt debatesh të gjata mes studiuesve, pasi interpretimi i tyre kërkon jo vetëm njohuri gjuhësore, por edhe njohje të teknikave tipografike të kohës.
Një interes të veçantë ngjalli analiza e frontespicit të “Mesharit”, pjesa më e dëmtuar e veprës, e cila sipas Prof. Markut përmban elemente të rëndësishme për identifikimin e rrethit të shtypshkruesve dhe të mjedisit kulturor ku u realizua botimi.
Debati shkencor mbi Çabejn dhe studiuesit e mëparshëm
Pas prezantimit, aktiviteti mori formën e një debati të hapur akademik.
Ndër pjesëmarrësit aktivë ishin edhe drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, z. Alfons Grishaj dhe z. Mondi Rrakaj, si dhe studiues, shkrimtarë si Lulash Palushaj, Zef Përgega dhe historianë si Altin Zaloshnja ish mësues e pedagogë të letërsisë dhe historisë të pranishëm në sallë, artistë të arteve figurative si Pjetër Koleci , lexues aktiv si Prekë Topalli etj. i drejtuan autorit një sërë pyetjesh që lidhen me historinë e “Mesharit”, metodologjinë e përdorur dhe raportin e këtij studimi me punimet e mëparshme të albanologëve.
Një nga temat që ngjalli më shumë interes ishte raporti i kërkimit të ri me interpretimet e Eqrem Çabejt dhe studiuesve të tjerë të mëdhenj të albanologjisë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve, Prof. Marku theksoi se puna e Çabejt mbetet themelore dhe e pazëvendësueshme për studimet buzukiane. Megjithatë, ai shpjegoi se në disa raste interpretimet e mëhershme janë ndikuar nga kufizimet teknike të kohës, cilësia e materialeve fotografike dhe mungesa e mjeteve bashkëkohore të analizës digjitale.
Sipas tij, teknologjitë moderne lejojnë sot një lexim më të saktë të shumë grafemave dhe elementeve tipografike që dikur mund të interpretoheshin ndryshe. Në këtë kuptim, disa lexime të mëparshme mund të rishikohen ose të plotësohen me të dhëna të reja, pa cenuar aspak madhështinë e punës së studiuesve pararendës.
Ai theksoi se studimi shkencor është një proces i vazhdueshëm, ku çdo brez studiuesish ndërton mbi punën e brezit paraardhës.
Katër vjet punë për krijimin e fontit të Buzukut
Faqja origjinale dhe faqja e rikrijuar me fontin e Buzukut
Një nga pjesët më interesante të diskutimit lidhej me krijimin e fontit të ri tipografik që është përdorur në botimin e veprës.
Prof. Marku shpjegoi se një pjesë e konsiderueshme e katër viteve të punës është përqendruar pikërisht në rindërtimin e sistemit grafik të përdorur në “Meshar”. Për këtë qëllim ai studioi me imtësi qindra faqe të botimeve veneciane të shekujve XV dhe XVI.
Sipas tij, krijimi i fontit të bazuar në karakteret e përdorura nga Bernardino Benali dhe rrethi i tij tipografik përbën një hap të rëndësishëm në studimet buzukiane. Ky font rotunda e Benalit jo vetëm lehtëson leximin e tekstit, por ndihmon edhe në identifikimin e traditës tipografike ku është prodhuar “Meshari”.
Autori argumentoi se analiza e grafemave, e ornamentikës dhe e teknikës së shtypit përforcon hipotezën se libri është realizuar në një mjedis tipografik të lidhur ngushtë me traditën benaliane të Venecias.
Studime të reja mbi letrën dhe bojën e shtypit
Në fund të prezantimit, Prof. Marku bëri të ditur se puna kërkimore mbi “Mesharin” nuk përfundon me botimin e këtyre dy vëllimeve. Ai synon ta botojë të gjithë veprën në njё faqe të fotografuar dhe në faqen tjetër përballë me fontin e rikrijuar nga ai për publikun e gjerë dhe studiuesit deri tek nxënësit e shkollave të mesme.
Ai njoftoi se po përgatitet një projekt i ri studimor në bashkëpunim me studiues italianë, i cili do të fokusohet në analizën e cilësisë së letrës, bojës së shtypshkrimit dhe materialeve të përdorura në prodhimin e veprës.
Sipas tij, këto analiza mund të japin të dhëna të reja mbi vendin e shtypjes, datimin më të saktë të materialeve dhe identifikimin e mundshëm të tipografisë ku është realizuar libri.
Autori në fund falënderoi, Federatën Vatra z. Elmi Berisha, Alfons Grishaj, Mondi Rakaj, Kolec Ndoja, dom Fred Kalaj etj. për sponsorizinim e këtij botimi luksoz e te kushtueshëm për shkak të dokumentacioneve origjinale të shtrenjta marrë nga Biblioteka e Vatikanit.
Pyetje mbi gjuhën shqipe dhe dialektin e Buzukut
Diskutimi u zgjerua më tej drejt çështjeve gjuhësore. Të pranishmit ngritën pyetje mbi dialektin e përdorur nga Gjon Buzuku, zhvillimin historik të shqipes, raportet mes gegërishtes së shekullit XVI dhe formave moderne të gjuhës.
Megjithëse këto tema nuk përbënin objekt të drejtpërdrejtë të veprës së promovuar, Prof. Marku u ndal gjatë në shpjegimin e karakteristikave gjuhësore të tekstit buzukian dhe rëndësisë së tij për historinë e gjuhës shqipe.
Pyetjet dhe debatet vazhduan për një kohë të gjatë, duke e kthyer promovimin në një forum të mirëfilltë shkencor mbi origjinën e shqipshkrimit, historinë e librit shqiptar dhe vendin e “Mesharit” në kulturën evropiane.
Një ngjarje që i kaloi kufijtë e një promovimi libri
Në përfundim të aktivitetit u theksua se dy vëllimet e “Buzuku i Lehtëlexueshëm” nuk janë vetëm një botim akademik, por një shërbim ndaj kulturës kombëtare dhe brezave të ardhshëm.
Ngjarja dëshmoi se interesimi për “Mesharin” vazhdon të mbetet i gjallë jo vetëm në qarqet akademike, por edhe në komunitetin shqiptar të diasporës. Promovimi u shndërrua në një takim mes historisë, gjuhësisë, tipografisë dhe identitetit kombëtar, duke sjellë në qendër të vëmendjes një nga monumentet më të rëndësishme të qytetërimit shqiptar.
Forma e prezantimit dhe pyetjet e mija dhe të prof.. Lisandër Kola e benë prezantimin e autorit më interesant dhe të natyrshëm.
Duke patur rastin ta moderoj këtë event dhashë disa vlerësime vetjake mbi veprën duke e cilësuar se ajo që e bën edhe më të rëndësishëm këtë debat është fakti se “Meshari” nuk duhet parë vetëm si një tekst liturgjik. Ai është një dokument i vetëdijes kombëtare. Në pasthënien e tij, Gjon Buzuku shpreh shqetësimin për popullin shqiptar dhe lutjen që Zoti ta shpëtojë atë nga murtaja dhe fatkeqësitë. Në këtë mënyrë, libri shndërrohet në një zë kolektiv të mërgimit dhe të nostalgjisë për atdheun.
Është domethënëse që kjo vepër del pikërisht në vitet kur Europa po hynte në epokën e Reformës dhe të Kundërreformës, kur Koncili i Trentit po kufizonte përdorimin e gjuhëve vendase në liturgji. Në këtë kuptim, “Meshari” ishte edhe një akt guximi kulturor. Shqipja po hynte në botën e librit në çastin e fundit kur kjo ishte ende e mundur.
Kjo është arsyeja pse sot duhet ta shohim “Mesharin” jo vetëm si relikte muzeale, por si dëshmi të fuqisë së kulturës për të mbijetuar. Ai është një monument i identitetit shqiptar, një urë mes Shqipërisë dhe Europës, mes traditës fetare dhe vetëdijes kombëtare.
Në fund, dua të theksoj se vlera e librit që u promovua dje qëndron pikërisht në këtë: ai nuk trajton vetëm një objekt të lashtë bibliografik, por rikthen në qendër të debatit kulturor shqiptar historinë e lindjes së librit shqip, rolin e Venecias, kontributin e diasporës arbërore dhe përpjekjen titanike për të ruajtur gjuhën në një kohë të errët të historisë sonë.
Përmes punës së tij këmbëngulëse dhe kërkimit shumëvjeçar, Prof. As. Dr. Vinçens Marku ka sjellë një kontribut të ri në studimet albanologjike dhe ka hapur rrugë për kërkime të mëtejshme mbi librin e parë të shqipes. Kjo e bëri promovimin e dy vëllimeve të “Buzuku i Lehtëlexueshëm” jo vetëm një ngjarje akademike, por një akt të vërtetë kujtese kombëtare dhe afirmimi kulturor.
Prandaj, promovimi i këtij libri është më shumë se një ngjarje akademike. Është një akt kujtese kombëtare.