
Agim Baçi/
“Menduam se të lexuarit është si të ecurit, që mësohet vetë. Por nuk është kështu, sepse leximi duhet udhëzuar”… Kështu shprehet shkrimtari francez, Daniel Pennac në librin “Si një roman”, duke shqyrtuar pikëpyetjen e përbotshme- Përse nuk lexojmë më si më parë? Në një soditje të këtij fenomeni, përmes përvojës edhe si mësues i letërsisë, Pennac sjell jo vetëm një telajo të madhe të pikëpyetjeve mbi mosleximin apo keqleximin e sotëm, por edhe një guidë të mundësive për të rikthyer leximin, duke nisur nga kuptimi ynë për lirinë që duhet t’ia llogarisim çdo lexuesi.
Përmes ironisë Penacc ka ndërtuar 10 rregullat e lexuesit, duke u nisur nga “e drejta për të mos lexuar fare” e pastaj edhe “e drejta për ta lënë librin në mes”, apo “e drejta për të kapërcyer disa faqe”. Por të gjitha këto të drejta, të lëna “në dorë të lexuesit” janë vetëm parapërgatitja e madhe për të shkuar drejt leximit. Duke i dhënë të drejtë lexuesit të vendosë, autori veçse i jep rëndësinë e jashtëzakonshme që ka lexuesi për letërsinë, si në të kuptuarit e veprës ashtu edhe në shpërndarjen e mesazhit.
Por si mund ta rikthejmë magjinë e leximit? A vlen të mbetemi duke kritikuar botën e pushtetshme të televizionit dhe internetit? Jo, nuk mund të fajësojmë askënd edhe pse nuk i përjashtojmë fuqinë që kanë këto fenomene në lënien pas dore të leximit sot në botë. Për Pennac është e rëndësishme që të gjejmë shtigje të reja të komunikimit për librin me qëllim që ajo magji që vjen për tyre të jetë “e dukshme”, domethënë e pranishme. Rojtarë të “këtij shtegu” të rëndësishëm për leximin janë udhëzuesit, mësuesit e mirë, debatuesit publikë, të cilët duhet medoemos të bashkëbisedojnë hapur për librin.
Por me çfarë magjie mundet ta joshim lexuesin? T’i themi që bota nuk është zbuluar prej tij? T’i themi që nuk është i vetmi që humb, por të tjerë përpara tij kanë humbur dhe ai mund t’i njohë përmes librit? T’i themi që për dashurinë ka qindra e qindra histori ku mund ta gjejë veten qoftë në zhgënjim ashtu edhe në sukses, e që të mos ketë nevojë t’i humbë ai të gjitha, por edhe të mësojë nga humbjet e të tjerëve? Mund t’ia themi të gjitha këto, por duhet që më së pari të vëmë theksin se sa rëndësi ka të shkojmë te leximi, të shqetësohemi për leximin, pasi vetëm një lexues i mirë mund të jetë rruga drejt një debati të rëndësishëm për librin.
“Si një roman”, ardhur nga “Pegi” përmes përkthimit të Edmond Tupes, është një guidë e rëndësishme për pyetje dhe përgjigje, ku thuhet shumëçka jo vetëm për të respektuar lexuesin në qëndrimin e tij, por edhe për t’i dhënë të besojë se fuqia e letërsisë është e përbotshme. Ndaj, kush dëshiron të shohë më shumë gjëra brenda vetes, duhet të përpiqet ta mbushë të brendshmen e tij me shijen e fortë të vëzhgimit që letërsia e bart, me histori ku njeriu zgjedh, pasi letërsia nuk na njeh vetëm me qëndrime apo gjykime që kanë ndodhur rëndomë në botë, në kohë të ndryshme, por edhe që mund të ndodhin në të tashmen apo të ardhmen tonë. Kjo është magjia e letërsisë, dhe kjo është guida e pyetje-përgjigjeve që Pennac sjell përmes një ironie të hollë, që shpotit çdokënd ëmbëlsisht drejt librit.