
Në mars të vitit 1809, Thomas Jefferson (Tomas Xheferson) u largua nga Shtëpia e Bardhë pas dy mandateve si President i Shteteve të Bashkuara. Nuk kërkoi një mandat të tretë. Nuk ndryshoi rregullat. Nuk deklaroi se kombi nuk mund të jetonte pa të. Përkundrazi. Ai e krahasoi largimin nga presidenca me lirimin nga burgu.
Një prej etërve themelues të Amerikës e shihte pushtetin si barrë. Jo si privilegj të përjetshëm. Jo si pronë personale. Jo si identitet. Kjo është diferenca midis themeluesve dhe sundimtarëve.
Themeluesit ndërtojnë institucione që mbijetojnë pa ta. Sundimtarët ndërtojnë sisteme që nuk funksionojnë pa praninë e tyre. Xheferson mezi priste që të kthehej në Monticello. Te librat. Te toka. Te jeta private. Ai besonte se një republikë mbijeton vetëm kur udhëheqësit e saj dinë që të largohen.
Demokracia nuk matet vetëm nga mënyra se si fitohet pushteti. Demokracia matet edhe nga mënyra se si hiqet dorë prej tij. Demokracia matet edhe nga mënyra sesi i dëgjon ata që e sfidojnë. Kjo është një nga pyetjet më të vështira të Shqipërisë së sotme.
Ne kemi mësuar të flasim për artin e marrjes së pushtetit. Por, kemi harruar që të flasim për artin e largimit prej tij. Në politikën shqiptare, largimi trajtohet si disfatë. Si poshtërim. Si fund karriere, jo si akt qytetarie. Prandaj këta tanët kapen pas karrigeve me një këmbëngulje sa qesharake po aq edhe dramatike.
Historia na tregon diçka tjetër. Burrështetasit e mëdhenj nuk mbahen mend sepse qëndruan gjatë në pushtet. Mbahen mend sepse e kuptuan momentin kur duhej të largoheshin. Një komb bëhet i lirë kur qytetarët nuk kanë frikë të flasin kundër pushtetit. Por demokracia piqet vërtet kur udhëheqësi nuk ka frikë të largohet. Xheferson e kuptoi këtë para më shumë se dy shekujsh. Ne ende po përpiqemi që ta mësojmë.
Dr. Evarist Beqiri