
Prof. Pal Nikolli/
Shpesh dëgjojmë se Shqipëria duhet të futet në Bashkimin Evropian. Por pyetja më e rëndësishme është: a duhet të futet vetëm Shqipëria në BE, apo edhe BE-ja në Shqipëri?
Anëtarësimi nuk është thjesht një akt formal, një firmë në një traktat apo ngritja e një flamuri më shumë në Bruksel. Ai është, mbi të gjitha, një gjendje mendore, institucionale dhe qytetare. Vendet e Bashkimit Evropian nuk janë të zhvilluara sepse janë anëtare të BE-së; ato janë bërë anëtare sepse ndërtuan institucione funksionale, respektuan ligjin, mbrojtën pronën publike dhe private, investuan në arsim, kërkim shkencor dhe kulturë demokratike.
Prandaj, sfida jonë nuk është vetëm të hapim apo mbyllim kapituj negociatash. Sfida është të ndërtojmë një Shqipëri që funksionon sipas standardeve evropiane edhe pa qenë ende anëtare e BE-së.
Kjo do të thotë qytete me planifikim urban dhe jo me kaos ndërtimesh; trotuare për qytetarët dhe jo për makinat; universitete që zgjedhin drejtuesit sipas meritës dhe jo sipas ndikimit politik; administratë që i shërben qytetarit dhe jo partisë; drejtësi që vepron mbi bazën e ligjit dhe jo të interesit.
Evropa nuk fillon në kufijtë e Bashkimit Evropian. Ajo fillon në mënyrën se si respektojmë rregullat, si trajtojmë njëri-tjetrin, si mbrojmë mjedisin, si ndërtojmë institucionet dhe si edukojmë brezat e rinj.
Nëse presim të bëhemi evropianë pasi të anëtarësohemi, rrezikojmë të mbetemi gjithmonë pas. Por nëse ndërtojmë standardet evropiane që sot, anëtarësimi do të jetë thjesht njohja formale e një realiteti të krijuar.
Sepse rruga më e sigurt drejt Evropës nuk është të presim derën të na hapet. Është të ndërtojmë Evropën brenda vendit tonë, para se të hyjmë në të.