
Ndue Gjika/
Kemi kaluar një diktaturë pa e dokumentuar e gjykuar si duhet; sot jetojmë pasojat e saj dhe prodhojmë të reja. Hannah Arendt, mendja që e bëri të dukshme mënyrën si e keqja bëhet e zakonshme, është filozofja që e ktheu të menduarit në akt moral. Ajo nuk ndjek gjurmën; ajo zbulon mekanizmin: si e keqja bëhet më e rrezikshme kur banalizohet, kur shfaqet si zakon, si procedurë, si diçka që nuk të trondit më. Ajo e pa çastin kur shoqëria pushon së menduari dhe krimi duket si normalitet, ndërsa e drejta humbet vlerë.
Simon Wiesenthal, njeriu që e ktheu kujtesën në drejtësi dhe drejtësinë në detyrë morale. Ai na mësoi se e keqja nuk mposhtet pa dokumentim dhe pa përgjegjësi. Për të, drejtësia ishte një proces i plotë: faktet duhen mbledhur, institucionet duhet të hetojnë, gjykatat të gjykojnë, fajtorët të dalin para ligjit. Pa këtë zinxhir — dokumentim → hetim → gjykim → përgjegjësi — e keqja përsëritet. Vetëm kështu viktimat nuk “vdesin dy herë”.
Arendt dhe Wiesenthal bashkohen te përgjegjësia morale e njeriut përballë së keqes. Nëse do të na shihnin sot, Arendt do të pyeste si e kemi normalizuar të keqen, ndërsa Wiesenthal do të pyeste pse mungon dokumentimi dhe përgjegjësia. Dhe të dy bashkë do të na kujtonin se një shoqëri që nuk sqaron të shkuarën, e humb të tashmen dhe e mjegullon të ardhmen.
I. Kur e keqja bëhet zakon
Ka një çast kur e keqja nuk vjen më si kërcënim. Vjen si zakon. Si procedurë. Si diçka që nuk të trondit më.
Arendt e quajti këtë banalitetin e së keqes: momentin kur njerëzit ndalojnë së menduari dhe pranojnë çdo gjë që përsëritet mjaftueshëm. Në atë pikë, krimi nuk ka nevojë të fshihet, mjafton veç të duket normal.
Në Shqipëri sot, shumë gjëra të rënda nuk duken të tilla pikërisht sepse janë bërë pjesë e përditshmërisë: shkelja e ligjit, shpërdorimi i pasurisë publike, dhuna institucionale. Nuk vijnë si furtunë, por si mjegull. Dhe mjegulla është më e rrezikshme se stuhia: të humbet orientimin pa e kuptuar.
Por Arendt të mëson vetëm të shohësh. Për të mbajtur përgjegjësi duhet Wiesenthal.
Ai e dinte se e keqja luftohet me fakt: me emër, me datë, me dokument. Krimi që nuk dokumentohet, përsëritet. Padrejtësia që nuk mbahet mend, rikthehet. Heshtja është forma më e butë e bashkëpunimit.
Në Shqipëri sot, shumë gjëra ndodhin, por pak mbahen mend. E llapaçitin të vërtetën. Pak mbajnë përgjegjësi. Dhe kështu e keqja lëviz lirshëm, jo sepse është e fortë, por sepse askush nuk e ndjek.
Këtu takohen Arendt dhe Wiesenthal: njëri të thotë çfarë të shohësh, tjetri si ta mbash mend.
Njeriu i letrave mbetet dëshmitari i fundit. Jo gjykatës. Jo prokuror. Dëshmitar.
Dëshmitari nuk ka luksin e heshtjes. Ai thotë: “Kjo ndodhi. Këtu. Me këtë pasojë.” Dhe kjo nuk vjen nga zemërimi, por nga kuptimi. Sepse kuptimi e bën të keqen të dukshme; zemërimi vetëm e shpërndan. Dhe kur vjen kuptimi, revolta nuk zhduket, merr formë.
II. Fabrika e mjegullës
Ka një formë të dytë të së keqes: ajo që nuk vjen përmes dhunës, përmes frikës, por përmes mjegullës, përmes lodhjes.
Në Shqipëri, fjalo-mania televizive e parlamentare, protestimi i personalizuar si mburojë i së keqes, janë kthyer në tym që mbulon gjithçka. Nuk është debat. Nuk është analizë. Është zëvendësim i mendimit me zhurmë. Një zhurmë që nuk kërkon të bindë, por të lodhë. Të lodhë aq shumë, sa njeriu të mos ketë më fuqi të pyesë: “Çfarë po ndodh vërtet?”, “A është krejt e jona apo edhe ndërhyrje mes nesh e të tjerëve që nuk na duan…”
Arendt do të thoshte se ky është momenti kur e vërteta humbet terrenin, jo sepse dikush e mohon, por sepse askush nuk ka më durim ta kërkojë. Kur çdo fakt kthehet në opinion, çdo opinion në akuzë, çdo akuzë në farsë.
Në këtë mjegull, e keqja nuk zhduket. Ajo shpërndahet. Bëhet e padukshme, jo se nuk ekziston, por sepse nuk ka më sy që ta shohin.
Pastaj vjen idolatria partiake: ajo besnikëri e verbër që nuk kërkon argument, por flamur. Në këtë terren, faktet nuk kanë më peshë. Ka vetëm “tanët” dhe “atyret”. Dhe kur e vërteta ndahet në dy kampe, ajo pushon së qeni e vërtetë. Bëhet armë.
Wiesenthal do të thoshte se ky është çasti më i rrezikshëm: kur faktet zhduken jo vetëm fizikisht, por moralisht. Kur dokumentet humbasin, dosjet mbyllen, provat zhduken dhe gjithçka përfundon në një lumë akuzash pa emër, pa datë, pa përgjegjësi.
Në Shqipëri sot, shumë krime nuk janë vetëm morale; janë juridike, ekonomike, shoqërore, mjedisore, institucionale. Por mungon pikërisht ajo që Wiesenthal e kishte si mision: kush e bëri, kur, si, me ç’pasojë.
Në çdo shoqëri që kërkon të mbrojë veten nga e keqja, ekziston një zinxhir i domosdoshëm: dokumentim → hetim → gjykim → përgjegjësi.
Pa dokumentim, krimi tretet në mjegull. Pa hetim, dokumenti mbetet letër e vdekur. Pa gjykim, drejtësia mbetet teori. Pa përgjegjësi, çdo padrejtësi është e përsëritshme.
Ky zinxhir është ndryshkur në Shqipëri: pak dokumentim, pak hetim, pak gjykim, pothuajse aspak përgjegjësi. Në këtë boshllëk, mjegulla bëhet klimë.
Tani me SPAK-un diçka duket se po lëviz. Jo aq sa kërkon drejtësia, por mjaftueshëm për të treguar se zinxhiri mund të riparohet. Por nuk mjafton një hallkë e vetme. E gjithë drejtësia duhet të shkundet dhe të bëjë detyrën e vet. Të gjitha hallkat e “kontroll‑balancës” që ka çdo drejtori e institucion shtetëror, kanë detyrimin të veprojnë. Vetëm atëherë e keqja nuk ka më ku të fshihet.
Prandaj kemi nevojë për qartësinë e Arendt-it dhe këmbënguljen e Wiesenthal-it.