Serbia nuk mundet ta mashtrojë përgjithmonë opinionin serb me shpifje e fabrikime në llogari të shqiptarëve…/
Nga Fetnete Ramosaj/
Pesëmbëdhjetë vjet pas kryerjes së krimit makabër në kafenenë “Panda” në Pejë, ku më 14 dhjetor 1998, u ekzekutuan gjashtë të rinj serbë, tre prej tyre të mitur, zyrtarët e lartë të Serbisë filluan ta pranojnë publikisht autorësinë e këtij krimi, ndonëse atëbotë me automatizëm ia mveshën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse kjo e fundit gjatë gjithë kohës kategorikisht e mohoi përfshirjen në një akt të tillë terrorist. Dihet se këso kohe qyteti i Pejës kontrollohej dhe terrorizohej nga forca të shumta pushtuese serbe si: nga policia, ushtria dhe njësitet speciale: JSO (Njësitet për Operacione Speciale), OPG (Operativna Grupa / Grupet Operative), PJP (Posebne Jedinice Policije/Njësitë Speciale të Policisë), etj.
Ditë më parë “Kutinë e Pandorës” lidhur me aktin terrorist në “Panda”-n e Pejës e hapi publikisht para medieve serbe, ai që sot konsiderohet njeriu më i fuqishëm në Serbi, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojisllav Sheshelit, që në kohën e Millosheviqit ishte ministër i Informatave, i njohur për qëndrimet e tij ekstreme gjatë luftës në Kosovë, por edhe para saj), mbase për kusuritje politike me kryeministrin aktual të Serbisë, ish-zëdhënësin e luftës të Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq.
Vuçiq iu drejtua opinionit serb, duke ia bërë të ditur se Serbia ka kryer krime monstruoze dhe se duhet të ballafaqohen me shumë gjëra të tmerrshme. “Shteti ynë ka kryer krime monstruoze. I ka vrarë kundërshtarët politikë dhe të gjithë ata që nuk mendonin njëjtë me shtetin”, ka thënë Vuçiq, për të vazhduar se “janë shumë gjëra të tmerrshme me të cilat duhet të ballafaqohemi”, duke përmendur si shembull vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda”, për të cilin tha se “nuk ka dëshmi se vrasjen e kryen shqiptarët, ashtu siç besohej”.
Ndërkaq, kreu i Lëvizjes së Ripërsëritjes Serbe (SPO), Vuk Drashkoviqi, e plotëson edhe më tutje mozaikun e këtij rasti, kur medieve serbe lidhur me këtë rast u deklaroi se Sigurimi Shtetëror i Serbisë (DB), në krye me Radomir Markoviqin, nëpërmjet “paramilitarit” Millorad Ulemekut – “Legija”-s, e ka kryer masakrën në kafenenë “Panda”. Sipas tij, krimi është kryer, me urdhrin e presidentit të atëhershëm serb Sllobodan Millosheviq.
Për ata që nuk e dinë, veç tjerash, Millorad Ulemeku – Legija (i akuzuar dhe i dënuar edhe për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq dhe krime të tjera të pasluftës), gjatë luftës në Kosovë, nuk ishte thjesht një “paramilitar”, siç e cilëson Drashkoviqi, por ishte komandanti i të ashtuquajturës Njësia për Operacione Speciale – JSO (Jedinice za Specialne Operacije), e cila ishte njësi ekzekutive e RBD-së (Resorit të Sigurimit Shtetëror serb).
Është me interes pohimi i Drashkoviqit (në gazetën “Kurir”) kur thotë se “vendimin për një seri të krimeve kundër serbëve dhe shqiptarëve që e kanë mbështetur Serbinë dhe e kanë akuzuar UÇK-në, e ka sjellë Millosheviqi, në nëntor të vitit 1998 dhe shtabi i tij strategjik”. (Ky pohim i vërteton ato që i kam shkruar në publikimet e mëhershme, ndonëse bazuar në fakte, gjatë periudhës në fjalë (që nga fillimi i dhjetorit 1998 deri në mars të vitit 1999), në serinë e vrasjeve “enigmatike” nga njësitet operative të sigurimit sekret serb nuk janë vrarë vetëm shqiptarët që e kanë mbështetur Serbinë, por janë vrarë madje edhe shqiptarë – atdhetarë të njohur, që një jetë u dergjën burgjeve e që punuan për çlirim e Kosovës, të cilët Beogradi zyrtar, pas vrasjes, nuk ngurroi t’i etiketojë si “qytetarë lojalë” të Serbisë, duke i vrarë për së dyti! Raste të tilla ka mjaft!).
Sipas Drashkoviqit, “atëherë u vendos që me një seri të sulmeve terroriste që do të kryente DB-ja, pra legjioni i vdekjes i Legijas, në sytë e ndërkombëtarëve UÇK-ja do të paraqitej si organizatë terroriste, dhe në të njëjtën kohë të shkojë në maksimum pasioni antishqiptar në Kosovë dhe në Serbi”. “Të gjitha këto veprime janë kryer nga i ashtuquajturi “Grupi Operativ i Përndjekjeve”, i formuar në atë kohë, që i kishte 18 njerëz në përbërje, të cilët ishin trajnuar nga Legija për aktivitete terroriste në Kosovë, përfshirë edhe krimin monstruoz në “Panda”, nënvizoi Drashkoviqi, i cili edhe vet personalisht në disa raste ishte objektiv i tentim-vrasjeve nga ana e të njëjtit njësit.
Sipas informatave të Drashkoviqit, derisa ish-kryeshefi i RDB-së, Radomir Markoviq, para disa muajsh ka kërkuar amnisti nga presidenti serb, Tomisllav Nikoliq, ai ka kërcënuar që do ta gjunjëzojë Serbinë nëse i publikon të gjitha krimet ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, si dhe ndaj serbëve e myslimanëve në Bosnjë, krime këto që i ka kryer Serbia me urdhër të Millosheviqit.
Lidhur me këtë, gazeta “Kurir” e Beogradit (e njohur për qëndrimet e saj antishqiptare), duke iu referuar burimeve të afërta me Qeverinë e Serbisë, shkruan se autoriteteve serbe u janë ofruar dëshmi se vdekja e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë, më 1998, është kryer nga shërbimet sekrete serbe, pra nga shteti serb. Sipas gazetës, Radomir Markoviqi, ish-kreu i DB-së, u ka ofruar dëshmi autoriteteve se sulmin e ka bërë Millorad Ulemeku – Legija. Markoviqi ka dëshmi për këtë, shkruan gazeta, derisa gjithçka është organizuar nga JSO. Qëllimi ishte që në sytë e ndërkombëtarëve UÇK të dilte si organizatë terroriste dhe të arsyetojnë sulmet në Kosovë. Nga ana tjetër, Ulemeku është i gatshëm të dëshmojë për përgjegjësinë direkte të Radomir Markoviqit në këtë krim. Ulemeku ka zbuluar se urdhri është dhënë nga strukturat serbe të sigurisë, pra se për vrasjen në Pejë urdhri ka ardhur nga kreu i DB-së, post të cilin e kishte Radomir Markoviqi, shkruan “Kurir”.
Se krimi monstruoz kundër të rinjve serbë në Pejë, është kryer nga forcat serbe, për mua personalisht, por edhe për të tjerët që e kanë studiuar sadopak veprimtarinë dhe elaboratet serbomëdha të hartuara qysh para 160-vjetësh e këndej, kjo nuk ka pasur asnjë dyshim, gjë që e kam nënvizuar edhe në publikimet e mëhershme. Kur ka ndodhur rasti kemi qenë të bindur se është vepër e sigurimit sekret serb dhe e “Dorës së Zezë” (sipas “Crna Rukës” famëkeqe), siç i referoheshin shqiptarët njësisë që këso kohe kishte filluar të bënte ekzekutime enigmatike në mbarë Kosovën, me theks të veçantë në rajonin e Pejës, të Istogut, të Mitrovicës, etj. Për krimet e tilla të Serbisë, kanë dëshmuar edhe dëshmitarë të koduar, ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Millosheviqit, në gjyqin kundër këtij të fundit në Tribunalin e Hagës, të cilët kanë ofruar fakte të pakontestueshme se Serbia për të përfituar politikisht nuk i ka kursyer qytetarët serbë, madje duke kryer akte terroriste ndaj tyre, për të pasur pretekst për ndërmarrjen e fushatave të spastrimit etnik kundër “terroristëve shqiptarë”. Por ajo që është me rëndësi në këtë rast, adresimi për planifikuesit, urdhërdhënësit dhe kryesit e krimit është më i qartë, pikërisht në ajsbergun e politikës shtetërore të Serbisë: urdhrin e Sllobodan Millosheviqit dhe të shtabit të tij strategjik, e zbatoi ish-kryeshefi i Sigurimit Shtetëror serb, Radomir Markoviq, nëpërmjet komandantit të Njësisë Ekzekutive të RDB-së (JSO), Millorad Ulemeku – Legija. Me këtë linjë komanduese dhe ekzekutuese, ndërlidhen edhe krime të tjera, vrasje e masakra të shumta kundër shqiptarëve, zhdukja dhe zhvendosja e trupave të shqiptarëve të vrarë në drejtim të Serbisë, por është interesant se me Legijan e Markoviqin dhe me qarqet më të larta shtetërore të Serbisë ndërlidhet edhe njëri ndër aktet më të rënda terroriste të pasluftës në Kosovë – vrasja e dymbëdhjetë banorëve serbë në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999, e cila po ashtu iu mvesh shqiptarëve.
Të kthehemi edhe një herë te masakra e 14 dhjetorit në kafenenë “Panda” dhe zhvillimet që ndodhën pas saj. Së pari, akti terrorist në “Panda” u krye vetëm 12 orë pas vrasjes së komandantit Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij në pritën e ushtrisë serbe në Gorozhub të Hasit, ku u zunë rob edhe nëntë pjesëtarë të UÇK-së (të cilët një muaj më vonë u shkëmbyen me ushtarët serbë të zënë robër në Zonën Operative të Shalës) dhe sulmi në Pejë u krye për të tërhequr vëmendjen e opinionit dhe të diplomacisë ndërkombëtare nga krimet e ushtrisë serbe në Gorozhub, ku një pjesë e madhe e të vrarëve ishin ekzekutuar e masakruar nga afërsia pasi ishin zënë rob; Së dyti, njëkohësisht me këtë akt, filloi një ofensivë e ashpër diplomatike e Serbisë në arenën ndërkombëtare për ta shpallur me çdo kusht njëherë e përgjithmonë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste; Së treti, vrasjen në Pejë, Serbia e bëri dhe e përdori me qëllim që të thellojë urrejtjen kundër shqiptarëve, gjë që e dëshmojnë edhe grevat e demonstratat masive të serbëve që pasuan pas aktit; Së katërti, e bënë për të arsyetuar praninë e shtuar të forcave ushtarako-policore serbe, kinse për t’u mbrojtur nga shqiptarët dhe për të arsyetuar fushatën e keqtrajtimeve e arrestimeve në masë, rikthimin e forcave ushtarako-policore në terren dhe ndërmarrjen e ofensivave të reja kundër njësiteve të UÇK-së në Dukagjin, në Drenicë, në Llap, në Nerodime, etj.
Vrasjen e të rinjve serbë në kafenenë “Panda”, Serbia e shfrytëzoi për ashpërsimin e fushatës terrorizuese kundër shqiptarëve. Në ditët në vijim pasuan masakrat e tmerrshme si në Raçak të Shtimes, në Rakovinë të Gjakovës, në Rogovë të Hasit, etj. Pikërisht më 17 dhjetor, filloi fushata terrorizuese kundër banorëve të Pejës, veçanërisht kundër atyre të lagjes “Kapeshnica”, me ç’rast u arrestuan mbi 150 qytetarë shqiptarë. Të njëjtën ditë forcat ushtarako-policore serbe e ndërmorën edhe ofensivën e parë frontale, që pas vendosjes së vëzhguesve të OSBE-së në Kosovë, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.
Që nga 17 dhjetori, për një muaj radhazi, deri më 18 janar 1999, forcat serbe përdorën gjithë makinerinë e rëndë në ofensivën kundër pozicioneve të UÇK-së në Gllogjan të Deçanit për të vazhduar në pozicionet luftarake në Ratish e Dashinoc, në një vijë frontale prej më se tetë kilometrash të gjatë, ku me gjithë epërsinë në teknikë lufte dhe në numër forcash (merrnin pjesë edhe njësitet ushtarake të Armatës së Tretë të Serbisë, të ardhura nga Nishi), njësitet e UÇK-së korrën fitore bindëse dhe i detyruan forcat serbe të tërhiqen me turp, veç tjerash, duke u mbetur në vendluftime disa tanke e blinda të shkatërruara, dy blinda në gjendje të rregullt, etj.
Është fakt i pamohueshëm se serbët kanë marrë pjesë masivisht në luftën e Kosovës dhe në tri luftërat tjera të përgjakshme që i shkaktuan në territorin e ish-Jugosllavisë në dekadën e fundit të shekullit XX. Këtë masivitet, përveç numrit të të vrarëve në operacionet luftarake në Kosovë e gjetiu, e dëshmon edhe numri tepër i madh i veteranëve serbë të luftës. Numri i tyre sillet prej 500 mijë (sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes), deri në 800 mijë sish (sipas organizatave të veteranëve serbë të luftës)!
Pranimi publik i autorësisë së aktit terrorist në “Panda”-n e Pejës, është një hap përpara në adresimin e drejtë të kryesve të krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Është në shërbim të faktit se Serbia nuk mundet ta mashtrojë përgjithmonë opinionin serb me shpifje e fabrikime në llogari të shqiptarëve. Familjarëve të të vrarëve serbë, Serbia duhet t’ua thotë të vërtetën për rrethanat, kohën dhe numrin e pjesëtarëve të forcave serbe të vrarë në frontet e luftës në Kosovë, pasi që deri më tani, asnjëherë para opinionit serb nuk e ka bërë publike të vërtetën për humbjet reale, për dëmet në njerëz, që i pësoi gjatë luftimeve në Kosovë. Në anën tjetër, Serbia deri më tani asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullit shqiptar.
Shteti serb me çdo kusht është përpjekur të fshehë gjurmët e krimeve, gjurmët e varrezave masive, siç është edhe rasti i fundit me varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, zbardhjen e të cilës Serbia e pengoi për vite të tëra me dekrete presidentësh, ndërkaq kur u konfirmua ekzistimi i saj, pa kurrfarë shkaqesh po e zvarritin nxjerrjen e eshtrave të qindra shqiptarëve.
“Serbia mund të vazhdojë të gënjejë dhe të mohojë gjenocidin, por kjo nuk është mirë, sepse i gjithë rajoni është paralizuar për shkak të këtij mohimi”, do të shprehej vite më parë Janja Bec Neumann, ish-kandidatja për çmimin Nobel, dhe një ndër zërat e rrallë në Serbi që i ftonte bashkëkombësit e saj për pranimin e gjenocidit.
Në vazhdën e këtyre ndriçimeve të krimeve të kryera nga shteti serb, duhet kërkuar edhe ndriçimin e veprimtarisë së të ashtuquajturës “Drejtoria e Gjashtë” apo “Drejtoria e Vrasjeve” e Sigurimit Shtetëror Serb, e themeluar ekskluzivisht “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit”, në të cilën janë këmbëkryq edhe dy akterët e lartë serbë, të akuzuar për rastin “Panda”, për vrasjen e gazetarit serb Sllavko Çuruvija, vrasjen e gazetares së BBC-së, Jill Dando, pastaj vrasjen në Grackë të Vjetër të Lypjanit e dhjetëra vrasje të tjera, të kryera brenda e jashtë Serbisë. Veçanërisht duhet të insistohet në ndriçimin e veprimtarisë së kësaj drejtorie në raport me Kosovën dhe me vrasjet politike që kanë ndodhur këtu, kur dihet se që nga viti 1999 deri në vitin 2003, Millorad Ulemeku me njësitin e tij ekzekutiv të RDB-së, ishte i vetmi që nuk i kishte shkëputur lidhjet me Kosovën.