-Kosova para 49 viteve 28 Nëntorin e festonte edhe me demonstrata me kërkesa për të drejtat e shqiptarëve/
-“Pavarësia kombëtare”, shkrim i Ibrahim Rugovës në 28 Nëntor të vitit të demonstratave 1968/
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar uronte edhe për plotësimin e Pavarësisë së Shqiptare – për Pavarësinë e Kosovës dhe Njohjen Ndërkombëtare/-Kosova feston 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë edhe me koncerte e festivalet “Kosovarja këndon” e “Rapsodia Shqiptare”/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/PRISHTINË, 28 Nëntor 2017/ Në Kosovë, 28 Nëntori festohet tradicionalisht edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë edhe si Ditë e Flamurit, festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante, ndërsa para 49 viteve, në 1968, festohej edhe me demonstrata me kërkesa për të drejtat e shqiptarëve.
Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të ditës së nesërme, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë, Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve në Kosovë e askund, e të tjera.Në Prishtinë, marshi i fillimtarëve të demonstratës, mes të cilëve isha atëherë nxënës i vitit të tretë të Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Filologjik) dhe në mbrëmjen e 27 nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.
Historianët kanë shënuar se, pas demonstratave të organizuara në 6 tetor në Prizren, në 8 tetor në Suharekë dhe në 19 tetor në Pejë, në 27 nëntor 1968 rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe në 22 e 23 dhjetor në Tetovë. Parullat qendrore të këtyre demonstratave shqiptare ishin: “Kosova Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj…
Në demonstratën në Prishtinë pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.
Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, në 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.
Në gazetën e studentëve “Bota e Re”, që dilte në Prishtinë, në numrin e festës së 28 Nëntorit të vitit të demontratave 1968, Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci.
Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, dhe pasi e quante një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vijonte: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”.
Dhe, në përfundim të shkrimit për Ditën e Flamurit shprehej: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.
Pas mëse 21 viteve nga 28 Nëntorit 1968, Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Presidenti historik Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur, edhe si plotësim i pavarësisë shqiptare.
“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova edhe në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.
Ishte 3 vjetori i Referendumit, të 26 deri 30 shtatorit 1991, për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, të cilin gjatë intervistës Presidenti Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.
Në 11 tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova. Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Presidenti Rugova, duke folur edhe për këtë gjatë intervistës, vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar” dhe se opcioni i parë ishte Kosova e pavarur.
Dhe, “…që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër, të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”, theksonte Presidenti i parë, historik, i Kosovës.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator që e kishte themeluar dhe e udhëheqëte, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin -pavarësinë e Kosovës, Rugova i parashikonte e kërkonte edhe në intervisten ekskluzive, të parën të një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
“Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet…”, shprehej ai në atë intervistë para 23 viteve.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithësesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova e vlerësonte shumë Agjencinë Telegrafike Shqiptare, median e parë të Shqipërisë me korrespondent në Kosovë, për informimin nga Kosova e për Kosovën, derisa intervistën e parë e cilësonte edhe një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën që zhvillova atëherë po edhe në raste të tjera.
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar uronte edhe për plotësimin e Pavarësisë së Shqiptare, duke përkujtuar se pavarësia u cungua pa vullnetin e shqiptarëve, uronte për Pavarësinë e Kosovës dhe Njohjen Ndërkombëtare.
Në mesazhin e jubileut të 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për festën e 28 Nënrorit 2002, Rugova president edhe i zgjedhjeve të para nacionale në Kosovën e lirë nga qershori 1999, mes tjerash theksonte:
“Dita e 28 Nëntorit është data më e shënuar në historinë moderne shqiptare pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Dita e 28 Nëntorit e vitit 1912 është po ashtu Dita e Pavarësisë shqiptare, e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve.
Në këto 90 vjet, shqiptarët u forcuan në të gjitha viset e tyre. Pavarësia e Kosovës, që bazohet në vullnetin e shprehur të popullit, do të qetësonte Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe këtë pjesë të Evropës e të botës.
Pra, një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj.
Në Ditën e Flamurit, do theksuar se forcimi i shqiptarëve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, është evident dhe në progres e sipër.
Po ashtu, edhe Shqipëria është në rrugë të mirë të konsolidimit demokratik dhe ekonomik”.
Në vitin 2005, Presidenti Rugova, u ka drejtuar për herë të fundit qytetarëve të Kosovës mesazhin e urimit për Fetsën e 28 Nëntorit :
“Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin.
Sot të gjithë e themi me krenari se 28 Nëntori i vitit 1912, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë gjithëshqiptare që u përgjysmua, është dita më e rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë, pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që këtë vit bie në 600-vjetorin e lindjes së Tij.
Dhashtë Zoti që sa më shpejt të gëzojmë njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga miqtë tanë, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës”.
Më pak se dy muaj më pas Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova u shua në 21 janar 2006, në Prishtinë. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Kosovës, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik…
Ibrahim Rugova ka lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, dhe pas pak ditësh do shënohet 73 vjetori i ditëlindjes së tij.
Presidenti historik Rugova ishte arkitekti i pavarësisë së Kosovës të shpallur pas shuarjes së tij në 17 Shkurtin historik 2008 e të njohur deri tash nga 115 shtete, 10 vjetori i së cilës do festohet pas më pak se tre muajve.
“Kosova shpalli pavarësinë bota e
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të
KOSOVA FESTON 105 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË EDHE ME KONCERTE E FESTIVALE
Në Kosovë 28 Nëntori i 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë festohet edhe me koncerte, ndërsa në qytetin e Ferizajt edhe me nisjen e festivalit tradicional “Kosovarja këndon” e në Skënderaj me festivalin “Rapsodia Shqiptare” sot edhe me ndarje çmimesh në mbrëmjen e tretë finale.
Në kryeqytet, Prishtinë, aktivitetet qendrore zhvillohen në sheshe, ku dje është hapur panairi “Blej Shqip” me pjesëmarrjen e 100 prodhuesëve, ndërsa sot mbahet koncerti festiv i shtatë shoqërive kulturore artistike e ansambleve të këngëve dhe valleve që veprojnë në komunë.
Në Gjilan, festimet e Ditës së Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë të nisura dje vazhdojnë sot edhe me rep/rok koncert të artistëve lokalë, me koncert këngësh e valleesh të ansamblit me emrin e qytetit dhe solistëve e ansamble të tjera vendore gjilanase.
Organizime institucionale, koncerte festive për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar mbahen edhe në qytete e lokalitete tjera, edhe nëpër shkolla të Kosovës, ndërsa ka edhe shumë organizime të tjera festive popullore, tradicionale, nëpër sheshet përplot defilime të qytetarëve e me buçitje daullesh si në dasma.
Në Mitrovicë, shkolla e mesme e ulët “Skënderbeu”, e Vaganicës, 28 Nëntorin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë e ka edhe Ditë të Shkollës dhe e festoi edhe me koncert të nxënësve.
Kosova sot kudo me valimin e flamujve kuqezi të ngritur në festën e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë feston edhe drejt 10 vjetorit të Pavarësisë së saj të shpallur në 17 shkurtin historik 2008.
Në Kosovë, edhe në rrethana okupimi, edhe kur ishte i ndaluar, Flamuri Kombëtar Shqiptar është shpalosur dhe ka valuar në 28 Nëntor në shtëpitë shqiptare kosovare dhe në institucionet e tyre, gjithnjë në ecje të vendosur e plot sakrifica drejt lirisë e pavarësisë. Flamuri Kombëtar kuqezi u ka prirë shqiptarëve në Kosovë edhe në të gjitha luftërat për liri, edhe në luftën e fituar në pranverën e vitit 1999, me mbështetjen e botës demokratike.