Kosovë-Kuvendi dy seanca të jashtëzakonshme, njëra nuk përfundon e tjetra as nuk fillon/
-Kuvendi i Kosovës sot me dy seanca të jashtëzakonshme të ftuara. Shtyrje pas shtyrje, pas nisjes, në të parën seancë, të kërkuar nga qeveria, paralajmërohet të vijojë nesër në orën 14:00/
-Seanca e dytë e jashtëzakonshme, e kërkuar nga opozita, e ftuar për në orën 10:00 as që ka nisur fare/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 4 Shtator 2018/ Shtyrje pas shtyrje ka vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të ftuar për sot në ora 9:00 dhe të nisur me një orë vonesë, me vetëm një pikë në axhenë: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
Seanca e bojkotuar nga opozita, nisi me vetëm 61 deputëtë të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh, mes tyre Teuta Rugova nga grupi më i madh parlamentar i LDK-së opozitare, që e bënte forumin me numër minimal – një më shumë se gjysma.
Pas debatit, kur pritej të votohej për ekipin negociator të emëruar dje nga qeveria e që sot kryeministri Ramush Haradinaj ia prezantoi Kuvendit, u dha pushim 15 minutësh, i cili po zgjatë me orë, duket në pritje të sigurisë për kuorum e vota të mjaftueshme.
Në dy njoftime të dërguara nga Kuvendi u njoftuan dy shtyrje të seancës gjatë pasditës.
Në njoftimin e parë bëhej e ditur se, “me kërkesë të iniciuesit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit shkon në pauzë deri në orën 16:30”, ndërsa në njoftimin e dytë theksohej se pushimi-pauza shkon “deri në orën 18:30”.
Seanca jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e ftuar pas kërkesës së qeverisë, e nisur dhe ndërprerë paraditen e sotme, nuk vijoi as pas “pauzës deri në orën 18:30”, dhe as në ora 20:00 nuk ka njoftim zyrtar dhe nuk dihet kur do vijojë.
Seanca e jashtëzakonshme, sipas paralajmërimeve pas orës 20:00 pritet të vijojë nesër në orën 14:00.
Kuvendi i Kosovës nisi sot sesionin vjeshtor pasi ishin ftuar dy seanca të jashtëzakonshme për t’u mbajtur brenda kësaj dite të martë të 4 shtatorit, ku rikthehet debati për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, me të cilin u përmbyll sesioni vjeshtor me një seancë të papërfunduar në 30 korrik.
Seancat e jashtëzakonshme u ftuan gjatë ditës së djeshme në dy mbledhje të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, njëra e mbajtur pasdite pas një kërkese javën e kaluar nga opozita e tjetra në mbrëmje pas kërkesës së qeverisë pasditen e djeshme.
Jo sipas renditjes së kërkesave, fillimisht u ftua nga ora 9:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhëndë: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar, por ende as që ka nisur fare, seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës. “Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush”, ka thekusr opozita duke paralajmëruar që të hënën e para më shumë se një jave “seancë të jashtëzakonshme e Kuvendit para datës 7 shtator 2018”.
Pas kësaj këkresë, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur dje pasdite bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Kryesia vlerësoi se kërkesa i plotëson kushtet formale për mbajtjen e seancës dhe njëzëri vendosi që, konform saj, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të martën, në 4 shtator 2018, në orën 10:00.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur përsëri mbrëmjen e djeshme për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme dhe vendosi që konform praktikave dhe sipas kërkesës së parashtruar, seanca do të mbahet të martën, në 4 shtator 2018, në orën 9:00.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e pasditës së djeshme, ka emëruar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.Në këtë dialog, qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator: Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate – kryesues, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës – zëvendëskryesues, Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re – anëtar, Dardan Gashi (nuk përfaqëson ndonjë parti) – anëtar, si dhe dy anëtarë të tjerë- ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe Avni Arifi – shef i kabinetit të kryeministrit, i cili në mbledhjen e qeverisë në 12 janar 2018 u emërua shef i delegacionit kosovar në bisedimet teknike Kosovë-Serbi në Bruksel.
Qeveria e Kosovës në komunikatën nga mbledhja e ditës së djeshme për emërimin e ekipit negociator theksonte edhe se, po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës: Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Socialdemokrate, si dhe për ekspertë nga shoqëria civile.
Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se ky është një ekip përfaqësues politik i koalicionit qeverisës, por edhe një ekip që do të prezantojë përgjegjësitë qeveritare.
Ai paralajmëroi se, ky vendim i qeverisë do të dërgohet në Kuvendin e Republikën e Kosovës për aprovim. Në lidhje me këtë kryeministri tha se do të kërkojë nga Kuvendi një seancë urgjente për diskutimin dhe aprovimin e ekipit dhe platformës së negociatave të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në 30 korrik 2018 Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.
Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD, shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.
Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për të premtën e kësaj jave – 7 shtator.