-Dita e Pavarësisë së SHBA, 4 Korriku, në këtë 240-vjetor festohet e urohet si tradicionalisht në Kosovë me miqësi, mirënjohje e falënderim gjithëmonëshëm/
-Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie: Shtetet e Bashkuara kanë punuar për ta mbajtur republikën qe 228 vjet. Kosova duhet ta bëjë të njëjtën gjë. Sot, përderisa po festojmë 4 korrikun, po ashtu festojmë për këtë përgjegjësi që ne, si prijës dhe qytetarë, e ndajmë. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te Republika e Kosovës, një qeveri e popullit, për popullin dhe nga populli, është privilegj që e kemi merituar dhe republikë për të cilën duhet të punojmë të gjithë/
Gazeta DIELLI, nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 4 Korrik 2016/ Kosova si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të bëjë të njëjtën për Republikën, është shprehur ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ndërkohë që Dita e Pavarësisë së SHBA, 4 Korriku, në këtë 240-vjetor festohet e urohet si tradicionalisht në Kosovë me miqësi, mirënjohje e falënderim gjithëmonëshëm.
“Shtetet e Bashkuara kanë punuar për ta mbajtur republikën qe 228 vjet. Kosova duhet ta bëjë të njëjtën gjë. Sot, përderisa po festojmë 4 korrikun, po ashtu festojmë për këtë përgjegjësi që ne, si prijës dhe qytetarë, e ndajmë. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te Republika e Kosovës, një qeveri e popullit, për popullin dhe nga populli, është privilegj që e kemi merituar dhe republikë për të cilën duhet të punojmë të gjithë”, ka theksuar ambasadori amerikan.
Me rastin e shënimit të ditës së pavarësisë së SHBA-ve, Ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie ka organizuar pritje, ku mes shumë të pjesëmarrësve ishte edhe Presidenti kosovar Hashim Thaçi, i cili ka potencuar miqesinë e thellë të Kosovës me SHBA dhe detyrimet që dalin nga kjo marrëdhënie historike.
“Axhenda jonë politike është e përputhshme me axhendën e qeverisë amerikane. Në afat të shkurtër duhet ta përmbyllim demarkacionin si kriter i mbetur për lëvizje të lirë në Europë, e në rrugëtimin afatgjatë duhet të luftojmë korrupsionin dhe ekstremizmin, dy rreziqe thelbësore që mund të na dëmtojnë rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së. Zoti e bekoftë Kosovën, SHBA-në dhe miqësinë tonë të palëkundur”, është shprehur presidenti kosovar.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ka uruar sot popullin dhe Qeverinë e SHBA-ve.
Në mesazhin e kryeministrit Mustafa thuhet:
“4 Korriku 1776 është një prej datave më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, pasi që në këtë ditë u miratua Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Që nga ajo kohë, kombi i madh amerikan ndërtoi shtetin më të fuqishëm në botë të bazuar në vlerat më të avancuara humane, duke e bërë atë simbol të lirisë dhe demokracisë globale.
Qytetarët dhe Qeveria e Kosovës i janë përjetë mirënjohës SHBA-ve për përkrahjen e ofruar.
Kosovarët mbesin populli më proamerikan në botë dhe ne jemi shumë krenar me këtë fakt.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë pjesëtarët e prezencës civile dhe ushtarake amerikane në Kosovë, me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.
“Sa herë kujtojmë 4 Korrikun e vitit 1776, Ditëlindjen e kombit amerikan, njëkohësisht kujtojmë dhe nderojmë vlerat që mishëron ky komb, demokracinë liberale, sundimin e ligjit, sovranitetin e popullit, liritë dhe të drejtat e njeriut. Janë pikërisht këto vlera, falë të të cilave bota është më paqësore, më e drejtë dhe më e lirë. Janë po këto vlera që mundësuan lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë- Kosovës.
Stafit të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës, pjesëtarëve të Ushtrisë Amerikane dhe të gjithë qytetarëve amerikanë që ndodhen në Kosovë, urime të përzemërta në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës për ditën e tyre kombëtare. Gëzuar!”, thuhet në urimin e kryetarit Veseli.
Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, më 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996. Presidenti Rugova bashkë me familjen ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja para 20 viteve.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Zyra e SHBA-ve në Prishtinë u bë Ambasadë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. “Si rezultat i statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t’u hapur formalisht si ambasadë e Shteteve të Bash kuara”, ka thënë Kaidanow në ceremoninë solemne.
Ajo ka shtuar se, “derisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj”.
Diplomatja e SHBA-ve në Prishtinë, Kaidanoë, siguroi për vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve në vitet në vijmim dhe se asistenca amerikane Kosovës do të ketë për qëllim sigurimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë.
“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale”, tha më tej Kaidanow.
“Është kanqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme, dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.
Duke e marrë fjalën në ceremoni atëherë Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu tha se “Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë”.
Më tej presidenti Sejdiu përkujtoi:
“Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ‘miqësi të përhershme’ në mes të dy vendeve tona”.
Më tej Sejdiu tha se Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ia kishte dërguar atij të nesërmen e shpalljes, përkujtonte “lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë”.
“Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ‘e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë’”, tha Sejdiu.
“Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënive të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Sejdiu, President në atë kohë.
“Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri”, ka thënë në ceremoni atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i Kosovës.
Ai vlerësoi se, “duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë”.
“Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë. Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
“Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta”, nënvizoi kryeministri në atë kohë.
“Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu”, përfundoi Thaçi duke uruar “në këtë rast madhështor”.
Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.
Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tash kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanow, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.
Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.
Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe të ambasadave në Kosovë.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, Ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila përfundonte misionin në Prishtinë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delaëie-n që të shërbejë si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” niste prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehej ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, theksonte ambasadori amerikan.
Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.
Në 21 gusht 2015, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.
Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.