-Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, e ka shpallur 2019-tën Vit të NATO-s në Kosovë/
-Në 2019-tën bëhen 20 vjet të Kosovës në liri e 11 vjet shtet i pavarur. Bëhen 20 vjet nga 24 Marsi dhe 12 Qershori 1999 – ditëve të ndërhyrjes e hyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë/
-24 Mars 1999: “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s/
-12 Qershor 1999: Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë, isha në kolonën e tyre dhe raportoja lajmin e madh për gjithë shqiptarët dhe botën…/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Per me shume fotografi shkoni ne FB dielli vatra/
PRISHTINË, 8 Janar 2019/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur sot 2019-tën Vit të NATO-s në Kosovë.
“Në këtë vit shënohet 20 vjetori i intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, intervenim ky që kishte ndodhur pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe pas dështimit të përpjekjeve diplomatike botërore për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën”, thekson njoftimi i sapodërguar nga Presidenca.Përkujtohet se, në 24 mars 1999, forcat ajrore të NATO-s e kishin nisur fushatën e bombardimeve kundër caqeve të shtetit serb, që kishte zgjatur gjithsej 78 ditë, duke ndalur gjenocidin dhe sjellë lirinë për Kosovën.
“Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, thekson Presidenca.
Në 2019-tën bëhen 20 vjet të Kosovës në liri e 11 vjet shtet i pavarur.
Bëhen 20 vjet nga 24 Marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës. Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e shumicës shqiptare të Kosovës.
Në fillimet e pranverës së para 20 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në 6 Shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar. Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.
Ndërkohë, për shkak të rreziqeve, shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja raportimet nga Kosova për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, të nisura nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste kosovare, si dhe për Radio Televizionin Shqiptar…
E, në 24 Mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike bëheshin të pamundura.
Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë- Zvicër raportoja derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…
Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi pozicionet e forcave serbe.
Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.
Pasi e raportoja këtë, shtoja se “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.
Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.
Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve, lajmin që dhash edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime. Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.
Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve, paramilitarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet e Prishtinës ku ishin.
Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.
Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet e fundit që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe gjatë natës të shqiptarëve në Mitrovicë, kryesisht veprimtarëve e intelektualëve, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.
Ai mëngjes i 25 marsit 1999 sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, Kastriotin e Kushtrimin dhe që të tre i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.
Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta. Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.
Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet…
Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Edhe në atë ditë e orë historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radio Televizionit Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit…
Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Raportimet që kisha bërë dëshmonin për fushatën e forcave serbe për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.
Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytetet në Maqedoni), ndërmjet NATO-s dhe Beogradit – federatës jugosllave që zhbëhej, e cila u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi poashtu para afër 11 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.
12 QERSHOR 1999: NGA RAPORTIMI I GAZETARIT TË RILINDJES, BEDRI SADIKU
Gazetari i njohur edhe për raportimet nga Maqedonia e Lugina e Preshevës në kohë lufte të shqiptarëve për të drejtat e tyre, Bedri Sadiku, që ishte në një automjet tjetër reporterësh nga gjithë bota, ja si e përshkruan hyrjen e tij në Prishtinë dhe kryeqytetin e Kosovës në pasditën e 12 qershorit 1999, në një shkrim në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja:
“Në Prishtinë hymë gati gabimisht, dhe pastaj edhe me qëllim. Ky rrugëtim duhej të shkonte sipas porosive të NATO-s. Konvojet e NATO-s shkuan në drejtim të Shtimes dhe Lipjanit, kurse ne me makinën tonë shkuam drejt për në Prishtinë dhe në Lapnasellë e Çagllavicë hasëm menjëherë në forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe…
Në afërsi të Hotel Grandit dhe para tij kishin mbërritur ekipe të gazetarëve të huaj nga Beogradi. Me këtë rast për pak u shkaktua edhe një incident me disa gazetarë, për shkak të emblemës së Press Qendrës së NATO-s dhe shenjës së NATO-s…
Në ora 16 pa 5 minuta helikopterët e parë të NATO-s fluturuan mbi Prishtinë-paralajmëronin çlirimin e kryeqytetit të Kosovës
Pasi bëmë disa fotografi rrugëve të Prishtinës, diku rreth orës 16 pa 5 minuta u nisëm në drejtim të Shkupit…Me t’u nisur drejt Veternikut, dy helikopterë të NATO-s dolën mbi qiellin e Prishtinës dhe bënë disa xhiro mbi Dardani e Dragodan dhe në pjesën qëndrore të qytetit, që paralajmëronin ardhjen e forcave të NATO-s edhe në Prishtinë dhe fillimin e çlirimit nga thundra kolonialiste serbe edhe të kryeqytetit të Kosovës. Një pjesë e këtyre forcave, që drejtoheshin nga britanikët, i ishin afruar edhe Lagjes së Spitalit, ndërsa grupe ushtarësh ishin vendosur nga gjysma e Veternikut përpjetë, si pararojë e forcave të NATO-s e të KFOR-it, që pritej të hynin natën dhe në mëngjes në Prishtinë dhe që tashmë kishin mbërritur deri te Llugaxhia. Prishtina do ta kalonte vetëm edhe një natë nën thundrën pushtuese serbe, në pritje të agimit të parë në liri…