-Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992/
PRISHTINË, 23 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Feston sot 27 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990. “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi edemokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër.Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992.Me rastin e 27 vjetorit të themelimit Lidhja Demoratike e Kosovës sot në mësditë mbanë një manifestim festiv, ndërsa paradite kryetari i kësaj partie, njëherësh dhe kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa me anëtarët e Kryesisë së LDK-së, i bënë homazhe Presidentit historik Ibrahim Rugova.