48 VITE NGA REVOLTA E SPAÇIT
Demir Pojani, i përndjekur, i persekutuar, i torturuar dhe i burgosur prej regjimit komunist shqiptar për 21 vite me radhë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli – Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, shpërthimin e revoltës së Spaçit në 48 vjetorin e saj. Qëndrestari antikomunist Demir Pojani zbulon me detaje përplasjen me policinë kriminale e gjakatare të burgut të Spaçit dhe hetuesit kriminelë të komunizmit si: Floran Kolaneci, Idriz Seiti, Elhan Gjika, Llami Gegeni, Llambi Bako, Mehdi Bushati e të tjerë monstra të frikshme që ushtruan dhunë, terror e turtura çnjerëzore mbi të burgosurit e pafajshëm.
SPAÇI OSE FERRI KOMUNIST
Rregullorja e burgut ishte shumë e tmerrshme, sfilitëse dhe denigruese për të burgosurit. Jetesa në burg ishte në kushte skandaloze, trajtimi ishte ç’njerëzor. Të dënuarit vuanin mungesën e bukës dhe mungesën e ujit që kishte 30 përqind acid sulfurik për shkak se Spaçi ishte zonë minerare. Policët në burg ishin provokatorë të ndyrë dhe të tmerrshëm, njerëz shumë të trashë. Rinia dhe të burgosurit në Spaç u lodhën nga persekucioni dhe burgosja si me aksion prej pushtetit brutal komunist. Spaçi ishte kthyer në një ferr të vërtetë për të gjithë ne. Kushtet e fjetjes skandaloze, ushqimi skandaloz, puna e rëndë, provokime, spiunlliqe, gjithçka ishte e tmerrshme për të burgosurit. Rinia e burgosur padrejtësisht në burgje nuk e duronte dot kasaphanën dhe dhunën mbi të burgosurit, aq më tepër ndaj të vjetërve që ose vdisnin në burg ose liroheshin në gjendje të mjeruar fizike dhe shpirtërore.
SI FILLOI REVOLTA E SPAÇIT
Përplasja që filloi revoltën e Spaçit nisi në këtë mënyrë: Ishte ditë Pashkësh dhe katolikët e burgosur dhe myslimanët vendosën të mos dalin në punë. Pati përleshje me policinë gjakatare të burgut. Dervish Bejko u përplas fizikisht me policinë kriminale dhe shtazarake të burgut të Spaçit. U kthye mbrapsht bashkë me vëllezërit Gjokë e Pal Zefi dhe filloi revolta. Njerëzit në burg ishin të revoltuar në masë, u kishte ardhur shpirti në majë të hundës prej trajtimit të keq, padrejtësive për burgosje të padrejta, shtypjes e dhunës. Në mëngjesin e ditës së nesërme të revoltës në burg vjen operativi Fejzi Liçka, një shpirt katil, një prototip komunist shumë i poshtër dhe fillon të arrestojë e dhunojë personat që nuk kishin dalë në punë. Përpara mencës filloi sherri mes të burgosurve dhe policisë. Policia tentoi të fuste në izolim Gjokë Zefin. Ne të gjithë dolëm në mbrojtje të shokut tonë që po e merrnin ta zhduknin dhe u përplasëm të gjithë bashkë me operativin dhe policinë e burgut. Policët e burgut ishin idjotë dhe kriminelë të mirëfilltë.
AHMET HOXHA, TRURI I REVOLTËS SË SPAÇIT
Ideatori dhe organizatori kryesor i revoltës së Spaçit, truri ka qenë Ahmet Hoxha që ishte zemra e shpirti shpërthyes i frymës kundër së keqes. Ahmet Hoxha, një djalë trim dhe kurajoz, deklaroi para të gjithëve: Ose ta ndezim ose do vdesim. Nëse populli do jetë i revoltuar si ne, ata do të na përkrahin nga jashtë, ne do të fitojmë dhe do ta shembim diktaturën, sikur një pushkë tu marrim këtyre do ngrihet dhe populli dhe këta do i mundim përgjithmonë. Në këtë moment të revoltës ne zgjodhëm dhe thirrëm përfaqësitë e krahinave prej të burgosurve në burg, vumë rregull ku të kursenim ujin dhe të mbronim dyqanet që revolta jonë të mos dilte ordinere por kombëtare. Vendosëm të shpërndajmë trakte që shkruheshin nga Ahmet Hoxha, truri i revoltës. Me marmalaten që na jepte burgu ku nuk e hanin as qentë, ngjitëm në muret e burgut traktet e revoltës. Në trakte ne kërkonim që: qeveria të pranonte Konferencën e Helsinkit. Poshtë komunizmi. Duam të na hapen dosjet. Jemi të pafajshëm. Na tregoni çfarë kemi bërë. Duam të shkojmë drejtë Evropës etj etj. Administrata e policia e burgut u çmënd nga revolta jonë dhe masiviteti i saj. Komunistët kriminelë të alarmuar, brënda katër orësh u rrethua burgu i Spaçit nga korpusi i Burrelit, rreth 5 mijë forca ushtarake. Nga Tirana erdhi reparti i ndërhyrjes së shpejtë, 800 vetë të armatosur. Bllokuan rrugët nga frika se ne mund të rrëmbenim mjete lëvizëse të policisë apo ushtrisë dhe dhanë urdhër që për çdo lëvizje brenda zonës së ndaluar të hapej zjarr.
DERVISH BEJKO DHE SKËNDER DAJA HERONJTË E REVOLTËS SË SPAÇIT
Tre ditët e kësaj revolte ishin ditë të tmerrshme dhe nga më të nxehtat në jetën time. Rezistuam fort dhe me dinjitet. Na mbaroi uji. Kishim dhe spiunë brenda revoltës dhe kur e pamë që nga jashtë nuk na ndihmoi aksush me mbështetje dhe përforcime, e pamë më të arsyeshme që të dorëzohemi. Dorëzimi qe një akt i tmerrshëm. Me vullnet të lirë u caktuan dy shokë që nuk do të dorëzoheshin: Dervish Bejko, Skënder Daja. Dervish Bejko luftoi me një levë derisa iu thye shpatulla dhe e pushkatuan me shpatull të thyer. Daja u hodh nga kati pestë dhe gjysmë të gjallë e masakruan dhe e pushkatuan. Në hetuesi ishte një torturë e tmerrshme për secilin prej nesh. Ne e ruajtëm dhe nuk e nxorrëm Ahmet Hoxhën, por ata e kuptuan që ai ishte protagonisti kryesor. Ai u arratis, theu burgun, pas 3 ditësh e kapën dhe pasi e torturuan, e pushkatuan dhe atë.
KUSH ISHIN HETUESIT KRIMINELË TË SPAÇIT
Simboli i qëndresës antikomuniste në burgjet shqiptare Sami Dangëllia na deklaroi se kishte kaluar të gjitha hetuesitë e komunizmit dhe hetuesi e hetues më të tmerrshëm kishin qenë në Spaç. Hetuesit ishin bisha të etur për mish e gjak shqiptari. Hetuesit ishin kanibalë, mizorë, ç’njerëzorë. Hetuesi Elhan Gjika na fikte cigaret në gjoks, na shkulte thonjtë, ne ishim të mpirë nga ideja sesi kishte mundësi të ishte njeriu kaq kriminel dhe i pashpirt. Ata që na torturuan dhe masakruan ishin hetuesit: Floran Kolaneci, Idriz Seiti, Elhan Gjika, Llami Gegeni, Llambi Bako, Mehdi Bushati, Kasimati e të tjerë kriminelë gjakatarë. Këta kriminelë ishin njerëz të frikshëm. Aq të ndyrë, aq maskarenj sa nga këta monstra të vinte turp që të thoje se je shqiptar.
MARTIRËT E REVOLTËS SË SPAÇIT
Revolta e Spaçit pati dhe heronjtë e saj të cilët u dënuan që nga pushkatimi te 25 vite burgim. Pushteti kriminal diktatorial i motivoi kështu dënimet e tyre: për “djegien e tabelave të emulacionit socialist, ngritje të flamurit me zhgabë pa yll, shkruarjen e parullave armiqësore dhe afishimin e tyre, si edhe parrulla të hedhura me gojë më mënyrë demonstrative me përmbajtje thellësisht armiqësore”. Heronjtë e revoltës së Spaçit janë: Dervish Bejko, Ahmet Hoxha, Skënder Daja, Pal Zefi, Gjokë Zefi, Muharrem Isufi, Shuaip Brahimi, Qemal Demiri, Syrja Lame, Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Hasan Iba, Pandi Sterjo, Muharrem Dyli, Rexhep Lazeri, Fadil Dushku, Sulë Veshi, Agron Xhelili, Bedri Çoku, Demush Muçaj, Elez Hoxha, Tefik Dedi dhe Pavllo Pope, Gëzim Medolli, Haxhi Bena, Irakli Sirso, Muho Curri, Nikolla Qafke, Refik Beqo, Skënder Thaçi, Sherif Allamani, Tom Uli, Xhevat Lokja, Fatmir Llagani, Mirash Gjoka, Mersin Vlashi, Abedin Vrioni, Bebi Konomi, Dervish Sula, Gëzim Çela, Hysen Vuçe, Kostandin Papa, Ndrec Çuku, Njazi Bylikbashi, Selman Çuni, Shefqet Xhena, Uliai Pashallari, Zef Ashta, Jonuz Morja, Naim Fashaj, Mureat Marte, Bashkim Fishta, Çaush Çoku, Demir Pojani, Gramoz Spahia, Naim Uka, Hasan Iba, Merkur babageta, Pal Marku, Stefan Kola, Spiro Nasho, Tomorr Allajbej, Xhaferr Dema, Nuri Stepa, Vladimir Prifti, Tefik Kunsnaku e shumë të tjerë.
KUSH ËSHTË DEMIR POJANI
Demir Pojani ishte ndër të burgosurit më aktiv të revoltës së Spaçit. Ai lindi më 12 gusht 1948, në Korçë. Me vendim nr. 2, datë 7 janar 1972, Gjykata e Elbasanit e deklaroi fajtor për «agjitacion e propagandë», dhe e dënoi me 4 vjet burg dhe për «kundërshtim të përfaqësuesit të pushtetit», me 4 vjet burg. Më 21 korrik 1973, Gjykata e Mirditës e deklaroi fajtor se «ka kryer fajin e sabotimit, duke qenë pjesëmarrës në organizatën kundër pushtetit» dhe për «agjitacion e propagandë», dhe e dënoi me 25 vjet burg, si dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë. Më 1979, Gjykata e Matit e dënoi me 25 vjet burg.