Me 11 dhjetor 1947, 65 vite të shkuara, u nda nga jeta Vasil Pani, ish kryetar dhe arkëtar i Vatrës, ish luftëtar i çetës së Themistokli Gërmenjit. Imzot Noli qe shprehur se ” Vasil Pani ishte në Taborrin e parë të shqiptarizmës”/
NGA DALIP GRECA/
Vatranëve nuk u besohej se lajmi ishte i vërtetë atë mëngjes dhjetori të vitit 1947. Ishte ditë e enjte, 11 dhjetor. Lajmi u përhap me shpejtësinë e erës së ftohtë që përplaste flokë dëbore aty buzë oqeanit Atlantik. Kush nuk e njihte Vasil Panin, që ishte rritur bashkë me Vatrën e më pas qe bërë një ndër ata që e mbajtën gjallë Federatën. Fatkeqsisht lajmi ishte i vërtetë. Si çdo ditë tjetër atë ditë dimri të acartë që kishte ardhe me borë e erë të fortë , Vasili kishte shkuar në restorantin e tij, por jeta u këput sapo hapi derën…
Lajmin e mësoi i pari dr. Andrea Elia, një nga miqtë më të ngushtë të Vasilit. Editori i atëhershëm i Diellit, Qerim Panariti, pat rrëfyer se” Sipas Zakonit që kishim pasur pesë vjetët e fundit, çdo mëngjes fjaloseshim me Vasilin në telefon.Të enjten në mëngjes bëmë telefon por s’na u përgjigj zëri i Vasilit të shkretë. Na u përgjigj Dr. Andrea Elia, një nga miqët më të ngushtë të Vasilit, dhe me një zë të ngashëruar, e lot në sy na dha mandatën…”
Panariti ka shkruar se Vasili, çdo mbrëmje, pasi mbyllte restorantin, e kishte bërë zakon, që të shkonte në zyrën e Vatrës pothuajse çdo të mërkurë që të shihte Diellin, gazetën e Vatrës. Këtë zakon nuk e prishi as një natë para se të ndërronte jetë. Të mërkurën e 10 dhjetorit ai ishte në zyrën e Vatrës dhe kishin biseduar gjatë.
Po ç’kishte ndodhur mëngjesin e 11 dhjetorit? Vasil Pani si çdo mëngjes atë të enjte kishte shkuar dhe kishte hapur restorantin e tij. Shkoi, hapi derën dhe pa pritur ra dhe zemra i ndaloi. Natyrisht që kishte pësuar një sulm në zemër. Sulmi qe vdekjeprurës.
Në faqen e parë të Diellit nr 5804, 17 dhjetor 1947, botohej lajmi i vdekjes , ndërsa përbri lajmit, në të majtë, një shkrim përkujtimor për 5 vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, mikut më të ngushtë të Vasilit. Në shkrimin përkujtimor hiqet një paralele mes Faik Konicës dhe mikut të tij, të cilët i kishte bashkuar lufta për Shqipëri.
AH, Ç’NA LE, O MIKU YNË, PREVE GOJËN MBYLLE SYNË!
Në Diellin e 17 dhjetorit 1947 botohej edhe editoriali ”Vajtojmë Vasil Panin”. Esseja elegjiake është një perlë e vërtetë që pikon dhimbje për njeriun e mirë, për vatranin besnik, që vuri gjithçka në shërbim të Atdheut. Panariti na krijon një drithërimë në shtat tek shkruan: Ah, ç’na le, o miku ynë/ Preve gojën, mbylle synë! Këto radhë po shkruhen ditën që dha shpirt Vasil Pani, ditën e enjte, 11 dhjetor 1947. Duart s’na punojnë të shkruajmë, zemra jonë ndodhet në trupin e ftohtë të Vasilit. Trupi na dridhet dhe lotët s’na pushojnë, pasi Vasil Pani, shoku ynë besnik, patrioti, luftëtari heroik i Kombit shqiptar, vatrani ynë i paçmuar, s’është më me neve…”(Me shume lexoni ne Diellin e printuar)