• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Teatri politik e cinik për Kosovën vazhdon…

September 10, 2018 by dgreca

Ishte vërtet kaq afër zgjidhja? Përse u fol kaq shumë për një ujdi të afërt Kosovë-Serbi, për shkëmbim territoresh? Kur dy politikanë e duan një zgjidhje së bashku duhet t’i rezistojnë furtunave, mendon Adelheid Feilcke.

Për disa javë me radhë nuk ka pasur temë tjetër në Balkan: Serbia dhe Kosova janë pak para një ujdie! Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq po punojnë së bashku për një zgjidhje! As shkëmbimi i territoreve nuk përjashtohet! Pika kulmore e këtij inskenimi të diskutuar në rajon e të orkestruar ndërkombëtarisht do të ishte fjalimi i presidentit Vuçiq para serbëve në Veriun e Kosovës. Whumë spekuluan, se ky udhëtim do të ishte udhërrëfyesi i ri: Pajtimi, normalizimi i marrëdhënieve dhe një bashkëjetesë paqësore, pranimi i Kosovës në OKB. Por asgjë nga këto!

Fundjavë zhgënjyese!

Pas javësh shpresash politike erdhi një fundjavë plot tensione politike me një fund zhgënjyes. Dialogu mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq dështoi në Bruksel, sepse presidenti serb ndjehej i mashtruar nga kosovarët. Dhe fjalimi udhërrëfyes në Mitrovicën e Veriut ishte vetëm një përsëritje e pozicioneve të vjetra. Në vend të një rruge të re, kështu duket, Vuçiç zgjodhi rrugën e vjetër duke e çimentuar madje atë me fjalë të forta: Asnjë njohje të Kosovës, asnjë ndryshim kufijsh.

Çfarë ka ndodhur, që të gjitha pritshmëritë për një “deal” me gjasë mes dy presidentëve u shpërbënë kaq papritur? Ka ndodhur vërtet diçka, apo e gjitha kjo ishte një akt i ri në teatrin e njohur politik të Ballkanit? Sipas presidentit serb, duhet të ketë ndodhur diçka me peshë, sepse i ngarkuari i tij për Kosovën përdori të premten akuza të rënda: Kosovarët e kanë gënjyer dhe mashtruar Vuçiqin. Përse? Për këtë spekulohet shumë.

Ende shumë pika të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë

Fakt është që presidenti i Kosovës ndryshe nga ai serb ndodhet nën presion të madh të brendshëm politik duke pasur reagime të forta si nga qeveria ashtu edhe opozita. Po ashtu dihet, se ka shumë pika të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë që duhen sqaruar derisa të arrihet një zgjidhje. Kosova kërkon para së gjithash njohjen, ose jo bllokimin nga Serbia për pranimin në Kombet e Bashkuara. Serbia nga ana e saj para së gjithash kërkon ta zgjidhë problemin e Kosovës duke ruajtur fytyrën, me qëllim që të ecë përpara me anëtarësimin në BE. Deri këtu në rregull, por në mes të këtyre qëndrojnë shumë çështje të hapura: sidomos sqarimi i të drejtave të minoriteteve, mbrojtja e kishave dhe monumenteve të kulturës, përdorimi i burimeve, sidomos në veri të Kosovës, e shumë të tjera.

Por megjithatë, çfarë është i gjithë ky teatër? Si është e mundur, që dy presidentë njëherë tentojnë të gjejnë drejtpërdrejt një zgjidhje, dhe pas kësaj nuk rezistojnë me furtunën e parë që u del përballë për të vazhduar kursin e dialogut dhe kompromisit. Atë që e arritën me kaq sukses të dy kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë, vazhdimi i kursit me gjithë erën e fortë në radhët e veta.

Adelheid Feilcke Leiterin der HA Kultur Porträt DW (DW)Drejtoresha e Departamentit të Europës, Deutsche Welle

Për fat të keq të ngjallet dyshimi, se dëshira për një zgjidhje me ujdi përmes bisedimeve direkte nuk ishte aq e pjekur. Sepse problemi i përfolur i madh i së premtes në bisedimet e Brukselit, se Kosova nuk do ta lejonte vizitën e Vuçiqit në Gazivodë u mënjanua përmes presionit ndërkombëtar. Edhe frika e kosovarëve se Serbia me Veriun e Kosovës kërkon të krijojë një tip Republika Srpska do të mund të ishte sqaruar përmes negociatave të mirëmoderuara nga ndërkombëtarët.

Koha nuk pret

Po si mund të përgatitet popullsia për një zgjidhje, kur politikanët kryesorë nuk janë në gjendje të përfaqësojnë së bashku një koncept. Ose të paktën një rrugë të përbashkët? E gjitha mbetet një teatër politik cinik. Tani mbetet shpresa për një ndërmjetësim intensiv europian, si e kërkon e ngarkuara e BE-së, Federica Mogherini. Koha nuk pret, sepse vitin e ardhshëm janë zgjedhjet europiane dhe nuk është aq e lehtë e parashikueshme, se çfarë do të ndodhë pas kësaj. Forca rrezatuese e një BE-je ndërmjetësuese, që josh me anëtarësimin në BE ka kohë që është dobësuar.

Pasi sot Vuçiq foli jo vetëm për muaj, por për vite, madje dekada deri sa të arrihet një normalizim i marrëdhënieve, shtrohet pyetja, nëse vërtet tek ai e të tjerë ekziston shtysa për një zgjidhje finale e të afërt në kohë? Por dihet se pa përfshirjen e politikanëve kryesorë në të dyja vendet, veçanërisht Vuçiqin në Serbi, nuk do të ketë zgjidhje. Ne duhet të përgatitemi për momente të tjera dramatike, se një fund i lumtur i këtij teatri politik është ende shumë larg.

Filed Under: Opinion Tagged With: Adelheid Feilcke, për Kosovën vazhdon, Teatri politik e cinik

Petritsch pret declaratë para takimit Thaçi-Vuçiç

September 5, 2018 by dgreca

Petritsch para takimit Thaçi-Vuçiç: Unë pres një deklaratë/

1 Petrish

Diplomati dhe politikani austriak, Wolfgang Petritsch shihet si moderator në zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi. Adelheid Feilcke bisedoi me të para zhvillimit të takimit Thaçi-Vuçiç ditën e premte në Bruksel.

Nga Adelheid Feilcke/DW/

Deutsche Welle: Tema është e qartë Kosova- Serbia. Ju keni folur kohë më parë në një intervistë për Deutsche Wellen dhënë në fund të vitit të kaluar për mundësitë e ndryshimit të kufijve duke thyer kështu një tabu. Për ç’arsye?

Wolfgang Petrisch: Në shumë vite që është duke u zhvilluar dialogu i sponsorizuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, janë diskutuar variante të ndryshme dhe në përgjithësi është patur gjithnjë parasysh parimi i mosndryshimit të kufijve. Këtë vit gjatë zhvillimit të dialogut në Bruksel është arritur në një situatë të re diskutimi, ku të dy presidentët kanë folur për këmbime territoresh. Refleksi im i parë ishte se kjo bie në kundërshtim me parimin shumëvjeçar të deritanishëm të lënies së kufijve në gjendjen që janë. Nga ana tjetër pata përshtypjen, se për herë të parë në historinë e Ballkanit është duke u bërë një përpjekje për ndryshimin e kufijve jo me gjakderdhje dhe me armë, dhe jo e njëanshme por një përpjekje me rrugë paqësore, për gjetjen e një kompromisi nëpërmjet bisedimeve. Kjo më dha shtysën për të thënë se Bashkimi Evropian duhet ta shohë me kujdes këtë propozim, ose këto propozime, duhet t‘ i shohë më nga afër. Pse? Sepse unë jam i mendimit se duhen marrë seriozisht dhe duhet parë nëse ky variant funksionon apo jo. Unë as tani nuk jam i bindur se mund të funksionojë. Por unë mendoj se përgjegjësia që kanë politikanët kur bëjnë një propozim të tillë është shumë e rëndësishme, sepse nga Bosnja unë e di se zgjidhjet e detyruara nga jashtë nuk mund të funksionojnë.

Deutsche Welle: Ju shiheni si motor i këtij diskutimi. Përveç jush ka pak njerëz të tjerë që e lejojnë këtë opsion. Pse ndodh kjo?

Wolfgang Petritsch: Në përvojën time në Ballkan, në Bosnjë, ku kam marrë shumë vendime që dhe i kam zbatuar pastaj, disa kanë qenë të qëndrueshme. Por vendimet më të mira, kompromiset më të mira që kanë qëndruar deri më sot i kam arritur duke qenë moderator midis interesave të ndryshme. Mbas kësaj përvoje unë thashë, se duhet t’i shohim këto propozime. Bisedimet zhvillohen në Bruksel. Ato nuk janë të lira, që ata të dy të bisedojnë në fshehtësi, bisedimet janë shumë profesionale, një proces që zhvillohet në Bruksel, moderuar prej Mogherinit. Dhe ato aty e kanë vendin, aty duhen diskutuar.

Deutsche Welle: Po, ju e quajtët veten moderator të procesit. Mediat njoftojnë se zyra juaj e avokatisë paguhet prej qeverisë serbe për këto këshillime, prandaj në Kosovë ka kundërshtime…

Wofgang Petritsch: Ky është një keqkuptim. Zyra ime e avokatisë është përgjegjëse për procesin e pranimit në BE, merret me kapitujt e ndryshëm juridikë. Merret me çështjet teknike. Kryesisht merret me shpjegimin e sfondit politik për juristët.

Deutsche Welle: Ju jeni vendosur në shënjestër në njëfarë mënyre. Gazeta gjermane taz nga Berlini, shkruante së fundmi se mbas kësaj fshihen forcat ruse që nxisin këmbimin e territoreve…

Wolfgang Petritsch: Kjo është shumë interesante dhe tregon konfuzionin. Apo jo? Për shembull nëse arrihet ndonjë këmbim territoresh, kjo ka si parakusht që Serbia të njohë Kosovën. Sepse Paktet mund të lidhen vetëm me partnerë të njohur nga e drejta ndërkombëtare. Për mua është mister çfarë kanë të bëjnë rusët këtu. Nëse Kosova njihet atëherë kjo çështje shtrohet para Kombeve të Bashkuara. Që do të thotë se problemi që rusët për shkak të serbëve pengojnë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, do të zgjidhet.

Deutsche Welle: A mund ta konkretizoni pak këtë. Çfarë duhet të ndodhë sipas mendimit tuaj për të kryer këtë proces?

Wolfgang Petritsch: Unë besoj se ajo që duhet të ndodhë tani dhe shpresoj që të ndodhë është që të peshohen të mirat dhe të këqijat e këtij procesi. Për mua ka rëndësi që njerëzit e prekur, qytetarët në të dy anët e kufirit të përfshihen në këtë proces. Unë mendoj për referendum apo instrumenta të tjera, sigurisht edhe parlamentet në mënyrë që të respektohet i gjithë procesi demokratik. Dhe unë kam besim të madh se Bashkimi Evropian do ketë kujdeset që kjo të ndodhë. Çështja e dytë e rëndësishme është që duke patur parasysh përvojat e përgjakshme të viteve nëntëdhjetë të merren masa që të pengohet të shkohet deri aty ku qytetarëve t‘u duhet të largohen nga shtëpia, fshati ose qyteti. Pika e tretë është që nëse arrihet një zgjidhje, pavarësisht si do të jetë ajo, atëherë ajo do të jetë zgjidhja e një konflikti të madh historik në këtë zonë, në ish-Jugosllavi, konfliktit midis shqiptarëve dhe serbëve. Ky do të ishte fillimi në një të ardhme pozitive. Tani Bashkimi Evropian dhe presidenca e radhës e BE, njëqind vjet pas përfundimit të Luftë së Parë Botërore, tani më 2018, duhet të nxjerrë një deklaratë të detyrueshme ndërkombëtare për të gjitha grindjet kufitare, të cilat nuk janë pak. Procesi i Berlinit ka nxjerrë një listë.

Deutsche Welle: Por gjithë ky diskutim për korrigjime ose ndryshime kufijsh që shkon deri tek çështja e këmbimit të mundshëm të Veriut të Kosovës me Jugun e Serbisë has në kundërshtime masive. Dy argumente të rëndësishme vijnë nga kritikët. E para të mos ketë zgjidhje etnike për vendosjen e kufijve dhe frika nga efekti domino. Si i përgjigjeni ju atyre?

Wolfgang Petritsch: Së pari, është krejtësisht i kuptueshëm shqetësimi, sepse siç e thashë në të kaluarën ka pasur ndryshime kufiri të përgjakshme. Kjo nuk duhet të ndodhë. Së dyti, ka pasur për shembull një arbitrazh ndërkombëtar midis Kroacisë dhe Sllovenisë për korridorin e Adriatikut, në kuadër të të cilit disa fshatra që flasin kroatisht kaluan në Slloveni…

Deutsche Welle: Dimensioni është natyrisht më i madh…

Wolfgang Petritsch: Më i vështirë, por principi i prekjes së kufijve u mirëseardh për shembull më 2008, kur Kosova deklaroi pavarësinë, e cila u njoh menjëherë nga shumë vende të BE, megjithëse kjo ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244.

Deutsche Welle: Zoti Petritsch, kundërshtime nuk ka vetëm nga BE por edhe nga Kosova ku është duke u formuar një rezistencë e madhe. Pyetur ndryshe a mund të ndodhë që Kosova të jetë humbësja në këtë marrëveshje? Kjo është frika e popullsisë në Kosovë? 

Wolfgang Petritsch: Jo. Unë kam respekt të madh për protestat nëse ato duan të thonë se nuk duan të arrihet tek një shtet i plotë nëpërmjet kritereve të vjetra etnike dhe të arrihet futja në OKB me anë të kësaj sakrifice. Ne duam një Kosovë ku kufijtë mbeten aty ku janë dhe prandaj ne e hedhim poshtë këtë propozim. Kjo është legjitime. Sipas mendimit tim do ishte madje rruga më e mirë, e cila do mbështetej nga Evropa. Pa dyshim. Por çështja është e thjeshtë, ajo është pranuar nga Bashkimi Evropian dhe Mogherini dhe tani jepen gjykime të tjera. Këto gjykime duhen marrë seriozisht.

Deutsche Welle: Ju përmendët propozimin e Zonjës Mogherini. Më datën 7 zhvillohet takimi Thaçi- Vuçiç- Mogherini ku edhe do të diskutohet ky propozim. Çfarë prisni prej takimit?

Wolfgang Petritsch: Unë pres një deklaratë. Mogherini tha edhe në takimin e ministrave të Jashtëm në Vjenë se shpreson që deri në fund të vitit të ketë një zgjidhje për këtë çështje. Unë mendoj se kjo është optimiste, por nga ana tjetër e përshëndes atë. Duhet të mendoni në çfarë situatë ndodhemi, si në nivel rajonal ashtu edhe atë evropian dhe global. Situata ka ndryshuar në Ballkan në mënyrë radikale në shumë pikëpamje. Në vitet nëntëdhjetë aty kishte dy aktorë të mëdhenj amerikanët dhe evropianët. Amerikanët janë duke u tërhequr në përgjithësi. Evropianët, siç e dini dhjetë vitet e fundit nuk kanë qenë në formë të shkëlqyer. Ndërkohë Kina ndërton rrugën e mëndafshtë nëpër Ballkan. Rusia është shumë aktive me manovrat politike dhe ekonomike. Turqia është lojtari i tretë i rëndësishëm në rajon. Aty shtohen edhe Shtetet e Gjirit që kanë investuar qindra miliona në Bosnjë dhe Serbi. Kina ndërton për shembull urën më të madhe të autostradës në Kroaci dhe linjën hekurudhore Budapest-Beograd. Këto janë sfida të rëndësishme për Evropën. Nuk jam kundër që Kina investon, por dua të them, se kjo duhet bërë sipas rregullave europiane, Por kur nuk e gjejmë kohën për këtë, se prej vitesh merremi me probleme si ai i Kosovës, atëherë them: shikoni që të gjejmë një zgjidhje. Ka dy presidentë që duan një zgjidhje.

Deutsche Welle:…dhe pa tabu?

Wolfgang Petritsch: Kjo është e nevojshme. E di që është e pazakontë. Që do të përdoren formulat e asaj që ka ndodhur para 20 vitesh. Mirë që e kemi kujtesën historike. Por kemi edhe një të tashme, dhe të ardhme,. dhe ka disa politikanë në Ballkan, që arrijnë zgjidhje të mëvetësishme. Shikoni kryeministrin Zave. 26 vite u përpoqën europianët, por nuk arritën gjë. Tani kemi dy presidentë në rajon, që kanë një propozim. Ndoshrta është igabuar, ndoshta ka diçka aty, por ai vjen prej rajonit.

Deutsche Welle: Nëse në takimin e të premtes arrihet një marrëveshje e përbashkët, kur mund të ndodhë zgjidhja me ndryshime të mundshme kufiri?

Wolfgang Petritsch: Komisioni i tanishëm i BE ka afat. Deri në mars të vitit tjetër duhet gjetur një zgjidhje, pastaj Komisioni i BE dhe Mogherini kthehen në histori. Nëse çështja dështon dhe kthehet në gjendjen e mëparshme, atëherë unë nuk mund të garantoj që Komisioni i ri dhe pasardhësja e Mogherinit të merren me këtë çështje.

Filed Under: Opinion Tagged With: Adelheid Feilcke, kosova, Petritsch, Thaçi- Vuçiç

Mandat i fortë – përgjegjësi e qartë!

June 27, 2017 by dgreca

Edi Rama ia doli të marrë një shumicë të konsiderueshme, sipas rezultateve të deritanishme. Socialistët janë me shumë gjasa fituesit e këtyre zgjedhjeve, por Rama tani duhet të bëjë realitet premtimet për reforma./

1Adelheid Feilcke

Nga Adelheid Feilcke/DW/

Edi Rama është qartë fituesi i këtyre zgjedhjeve, sipas rezultateve të deritanishme. Kryeministri i deritanishëm ia doli që të marrë një rezultat të shkëlqyer për socialistët, Partia Demokratike në opozitë duket se ka humbur rëndë. Nëse konfirmohen zyrtarisht rezultatet e deritanishme, Rama nuk ka nevojë më as për partner koalicioni. Pas katër vitesh qeverisjeje, shqiptarët ia dhanë atij sërish besimin, madje me një mazhorancë të konsiderueshme. Ata duket se i besojnë atij si njeriut që do të çojë përpara Shqipërinë. Ai është lideri që qëndron për forcën këmbëngulëse dhe modernizimin – një kombinim ky që me sa duket në Shqipëri ka efekt ndikues.

Stili i Ramës

Rama ia doli sërish që ta inskenojë me sukses këtë imazh – përmes një kombinimi të dimensionit folklorik shqiptar dhe atij kozmopolitan europian. Ai di të luajë bukur e çlirët si në tastierën e nostalgjive të bashkëkombasve të tij ashtu edhe në atë të partnerëve europianë dhe vendeve donatore. Ky stil zë vend dhe zgjon pritshmëri. Tani Rama duhet të provojë që  Shqipërinë mund ta “çojë drejt Europës”.

Detyrat para tij dhe qeverisë së tij janë të vështira: Shumë shtyrje ka pasur, sepse në muajt e vitet e fundit partitë bllokonin njëra-tjetrën. Tani Rama praktikisht ka dorë të lirë të jetësojë reformat. E kjo është më se e nevojshme: Korrupsioni në vend, droga, varfëria e paralizojnë Shqipërinë. mijëra vetë kanë gati valixhet për të kërkuar një shans në Europë, sepse nuk shohin ndonjë perspektivë në Shqipëri. Në mënyrë paradoksale ata i dhanë votën Ramës e një shans të ri.

Lista e prioriteteve të qeverisë së re është e gjatë, por e qartë: Reforma në drejtësi, reforma ekonomike, lufta kundër nepotizmit, kundër kanabisit -si edhe një politikë e vendosur kundër ekstremizmit fetar.

Kujdes me deklaratat ndaj fqinjëve

Këto janë edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, të BE për Shqipërinë, vend kandidat për në BE nga viti 2014. BE, veçanërisht Gjermania e kanë mbështetur masivisht Shqipërinë në këto vite. Përkundër disa fqinjëve ballkanikë, Shqipëria nuk e ka humbur ende forcën e saj të rrezatimit. As Rama nuk e humbur ende besimin e partnerëve. Premisa të mira që Rama do duhej t’i shfrytëzonte mirë në muajt e vitet e ardhshëm.

Para së gjithash ai duhet të përqëndrohet në problemet brenda vendit. Në muajt e shkuar Rama u prononcua disa herë me deklarata mbi çështjet e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë duke irrituar partnerët europianë. Kjo është e rrezikshme – por u shpjegua edhe në plan ndërkombëtar si taktikë zgjedhore. Por nuk ka më “pardon” në të ardhmen për këtë!

Rama ka shumë për të bërë në vendin e tij. Shqipëria i ka të gjitha shanset të dalë nga këndi i vendit problematik dhe të kthehet në një vend shembullor në Ballkan. Për këtë nevojiet një politikë pragmatike bazuar në parimet e shtetit ligjor- vetëm kështu ekonomia do të rigjenerohet ngadalë dhe njerëzit do të shohin të ardhmen në vendin e tyre.

Pjesëmarrje e ulët në votime

Votimet u zhvilluan habitshëm në mënyrë të qetë dhe pa probleme të mëdha – gjë që vlen të theksohet, por të kujtosh përplasjet e brendshme politike dhe bojkotimin me javë të parlamentit. Por pjesëmarrja në votime ishte e ulët. Sigurisht këtu luajtën rol festimet e Bajramit dhe temperaturat e nxehta. Por ka shumë pakënaqësi ndaj politikës, ka shumë zhgënjim mes atyre që e ndjejnë veten të braktisur. E në fund por jo e fundit, – një arsye tjetër janë edhe listat zgjedhore të vjetëruara, ku gjendjen edhe persona që ndërkohë kanë ndërruar jetë. Këtu qeveria duhet menjëherë të vendosë rregull -sepse me regjistrat e votuesve u kryen manipulime masive në vitet e shkuara. Pozitive është sipas vëzhguesve zgjedhorë që nuk ka pasur manipulime flagrante!

Opozita konstruktive – gati për monitorim

Ndërsa partitë e opozitës duhet të tani shërojnë plagët dhe të përgatiten për një politikë të shpejtë opozitare përmbajtësore dhe të fuqishme. Edhe në këtë drejtim zgjedhjet e 25 qershorit mund të shihen si një fillim i ri. Demokracia ka nevojë për një opozitë konstruktive, sidomos në këtë moment reformash të rëndësishme në Shqipëri, po ashtu një opozitë që të kryejë funksionin demokratik të kontrollit tek socialistët kaq të fuqishëm. Edhe në këtë pikë do të matet aftësia europiane e Shqipërisë: nëse do t’ia dalë të kryejë reformat e dhimbshme, nëse do të funksionojë dialogu me opozitën, por edhe mes kryeministrit Rama dhe presidentit të ri, Ilir Meta që merr postin më 24 korrik. Deri dje ata ishin armiq të fortë në fushatën elektorale.

Tani ata duhet të demonstrojnë me ndarjen e re të roleve, se si do të funksionojnë institucionet demokratike, edhe nëse në krye të tyre qëndrojnë kundërshtarët e dikurshëm. Qytetarëve të Shqipërisë do të doje t’u uroje suksesin!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: - përgjegjësi e qartë!, Adelheid Feilcke, Mandat i fortë

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT