Nga Anton Çefa/
Pa dyshim, vepra më me vlerë e Agimit qe dhe do të mbetet themelimi i Vatrës në Nju Jork, çka i siguroi asaj jetëgjatësinë.
Me një grup të vogël shokësh të ngushtë, nga i cili mund të përmend zotërinjtë Gjon Buçaj, Agim Rexhaj (të dy nënkryetarë), Jonuz Ndreu, Musli Mulosmanaj, Zef Perndocaj, Hajdar Tonuzi, Zef Balaj, Sabit Bytyçi, Marjan Cubi, Lumo Tsungu, Mithat Gashi, Dine Dine, dhe ndonjë tjetër që tani që po shkruaj nuk më kujtohet, prandej po i kërkoj falje, Agimi krijoi a mund të themi, e solli Vatrën nga Bostoni në Nju Jork.
Ky veprim pati kundërshtarë të fortë. Më i pari, më i forti, z. Anthony Athanas i njohur dhe i vlerësuar edhe nga personalitete amerikane, dhe i çmuar shumë nga shqiptarët e Amerikës për veprimtarinë e rëndësishme atdhetare në krah të Nolit dhe Konicës. Kam pasur fatin të jem i pranishëm në këtë mbledhje, që qe për mua mbledhja e dytë në gjirin e Vatrës, mbas së parës, asaj të pranimit si anëtar i saj dhe si editor i Diellit.
Anthony Athanas, porsa e mori vesh themelimin e Vatrës në Nju York, erdhi nga Bostoni në një mbledhje të vatranëve, dhe foli shumë ashpër kundër Agimit, e dënoi veprimin e tij, dhe tha se nuk njihej nga shqiptarët një gjë e tillë.
E mbaj në mend që Agimi i tha: “Në Boston është shuar Vatra.” Përgjigjja e tij qe e egër dhe e menjëhershme, duke ia ndërprerë fjalën Agimit: “Atje ka lindur dhe atje le të vdesë nëse i ka ardhur koha.”
Gjithsesi, edhe pas kësaj mbledhjeje, Vatra vazhdoi normalisht punët e saj, duke pasur si
detyra parësore rritjen e anëtarëve të organizatës, dhe sqarimin ndër shqiptarë të rëndësisë së Vatrës për çështjen atdhetare shqiptare, për kulturimin e shqiptarëve të Amerikës, për demaskimin e gjendjes së mjerueshme të popullit tonë në atdhe, që po vuante nën thundrën e diktaturës komuniste, etj.
Kundërshtari tjetër qe Dr. Med. Hamdi Oruçi, organizatori, ndër sa e sa veprime të tjera, i Seminarit Ndërkombëtar të Federatës Panshqiptare Vatra, në Nju Jork me 28 – 29 – 30 Nëntor 1969, dhe për veprimtarinë atdhetare e kulturore ndër shqiptarët e Amerikës, i njohur edhe në Evropë, sidomos në Itali, për lidhjet që kishte me Ernest Koliqin. Ky foli ashpër kundër Agimit dhë së fundi tha që kjo Vatër që keni krijuar ju nuk njihet nga shqiptarët.
Agimi në fillim, para se të drejtonte ai vetë Vatrën, ia pati besuar atë intelektualit e atdhetarit të shquar Arshi Pipës, por mbas disa muajsh, e mori vetë drejtimin dhe e mbajti përafër dy dekada. Mbas kësaj kohe, Agimi u tërhoq nga Vatra, duke ia lërë drejtimin z. Gjon Buçaj, natyrisht mbas votimit në organizatë. Si shpërblim të punës së madhe të bërë në drejtimin e Vatrës, vatranët i dhanë titullin më të lartë: “Honorary President”.
Një kujdes të veçantë, Agimi ia ka kushtuar botimit të gazetës “Dielli”, organi i Vatrës. Në ditët e para kur erdha në Amerikë, në shkurt të vitit 1993, vizitova z. Agimin në një zyrë të zonjës Rozi, gruas së Agimit. Që në fillim, ai më foli për gjendjen e Vatrës. Në të njëjtën kohë patëm ardhur në Amerikë dhe u paraqitem te Vatra, d. m. th. , te z. Agimi, z. Naum Prifti dhe unë. Naumi u emërua sekretar, ndërsa unë editor i gazetës “Dielli”. Kishte një devocion të lartë për “Diellin”, dhe e dërgonte atë ndër shumë vende të Evropës, dhe në ndonjë vend të Azisë.
Gjithsesi, edhe mbas largimit nga drejtimi i Vatrës, mendjen e kishte te ajo. Shokët e tij të vjetër, dhe drejtuesit e rinj të kësaj organizate famëmadhe, e vizitonin shpesh në shtëpi, dhe, me praninë e tyre ai jetonte orë të lumtura. E ndjente veten se kishte kryer detyrën ndaj Vatrës, gjithë komunitetit shqiptar të Amerikës dhe ndaj Atdheut.
Puna e tij u vlerësua lart nga çdo anë dhe fitoi shumë tituj. Iu dha titulli më i lartë “Nderi i Kombit”.